Temperatura e lartë te fëmijët, çfarë duhet të dimë?

229

Nga Dr. Estela Elezi, pediatre

Prej shumë kohësh ethet (temperatura e lartë) njihen si shenjë direkte e një infeksioni. Megjithatë ka raste që temperatura mund të shkaktohet nga faktorë të tjerë jo infektiv. Fëmijët e vegjël dhe personat me sistem imunitar të dobët, edhe pse janë të prekur nga infeksione të rënda, temperatura nuk u rritet. Pak nga ne e dinë që ethet janë përgjigje e dobishme e organizmit ndaj sëmundjes.

Temperatura Normale e Trupit

  • Temperatura midis 36-37.2 ̊C
  • Temperatura e matur nga rektumi është 0.5 ̊C më e lartë se ajo e matur nën sqetull. (pra temperaturës që matet nga zorra e trashë duhet t`i zbresim 0.5 ̊C). Kjo është metoda më e besueshme e matjes së temperaturës tek bebet e vogla, pasi kur matet nën sqetull temperatura mund të rritet nga fërkimi me rrobat.
  • Temperatura nuk duhet të matet pas sforcimeve fizike apo pasi fëmijët kthehen nga lodrat. Ajo duhet të matet pas një pushimi.
  • Tek vajzat në moshën e pubertetit, temperatura është më e lartë, me 0.5-0.7 ̊C në gjysmën e dytë të ciklit.
  • Mënyra më e mirë e matjes së temperaturës është me termometër me zhivë. Termometri duhet të mbahet të paktën 3 minuta dhe maja metalike e tij të jetë e vendosur thellë nën sqetull dhe të mos ketë kontakt me rrobat. Termometrat elekronik janë më praktik dhe më të shpejtë por matja e temperaturës me to nuk është shumë e saktë.

Temperatura e Lartëtimthumb (1)

Temperatura e lartë shkaktohet nga përgjigja jo normale e sistemit të termorregullimit. Rethanat në të cilat ajo ndodh mund të jenë:

  • Infeksioze; Nuk janë të rralla rastet ku dhe infeksionet e lehta, si psh: ato virale, të japin temperaturë shumë të lartë që zgjat disa ditë. Ndërsa, nga ana tjetër, infeksione të rënda të mos japin temperaturë.
  • Jo infeksioze, si psh: nga ushtrimet fizike intensive në mot të nxehtë dhe me lagështi (siç është stina e verës në vendin tonë). Kjo lloj temperature nuk rregullohet nga mjekimet për uljen e temperaturës (antipiretiket paracetamol, ibuprofen). Mjekimi i saj konsiston në daljen në ajër të pastër dhe të freskët dhe marrja e lëngjeve.

Çfarë Ndodh në Trupin Tonë kur Kemi Temperaturë?

 Temperatura e lartë rrit forcat mbrojtëse të organizmit në 2 mënyra; duke vepruar direkt kundër mikrobeve dhe duke nxitur çlirimin e faktorëve biokimik që përforcojnë sistemin imunitar të trupit tonë. Ky efekt është i dobishem pasi nuk lejon zhvillimin e mëtejshëm të infeksionit. Kjo është dhe arsyeja që jo çdo temperaturë duhet “shtypur”. Nëse fëmija është i qetë, aktiv dhe ushqehet normalisht nuk është i domosdoshëm përdorimi i barnave për të ulur temperaturën (maksimumi që mund të tolerohet është 39 ̊C për fëmijët mbi një vjeç).

  • Rrit metabolizmin me 10-12% për çdo 1 ̊C të rritjes së temperaturës. Kështu që i sëmuri ka nevojë për të shtuar kalori sidomos aminoacide dhe minerale (Hekur, zink etj.). Në qoftë se nuk plotësohen këto nevoja nga ushqimi, pacienti nis të konsumojë veten, për pasojë dobësohet dhe bëhet anemik.
  • Dehidratimi (humbja e lëngjeve) që është në varësi të rritjës së temperaturës dhe të djersitjes. Më pas dhe vetë dehidratimi çon në rritje të temperaturës. Djersitja bën që në të njëjtën kohë të humbasin edhe kripërat e mineralet e nevojshme për organizmin. Këto dy të fundit janë pasojat që duhet t`u druhemi vërtet, dhe arsye e fortë për të ulur temperaturën.

Si Mund ta Ulim Temperaturën?

Ulja e temperaturës me anë të barnaveCalpol-Products

  • Paracetamoli:është më i përdoruri. Dozat e rekomanduara janë nga 7-10mg/kg të fëmijës dhe sasia maksimale 15mg/kg në një dozim të vetëm. Ai jepet jo më shpesh se çdo 4 orë, që do të thotë 6 herë në ditë. Efekti shihet pas 45-60 minuta nga marrja e dozës dhe zgjat 4-6 orë. Mund të përdoret dhe për të qetësuar dhimbjet; dhimbje veshi, koke, trupi, plagësh, djegie nga dielli, nga dalja e dhëmbëve etj. Në qoftë se temperatura rritet brenda 4 orësh nga marrja e paracetamolit atëherë i japim fëmijës ibuprofen.
  • Ibuprofen:është një tjetër antipiretik, më i vonë se paracetamoli. Efektet e tij janë; ul temperaturën, qetëson dhimbjet, ul inflamimet. Studimet e fundit tregojnë se mund të përdoret pa rrezik që nga mosha 2 muaj. Doza e rekomanduar është 5-10mg/kg në dozë. Mund të merren 4 doza në ditë dhe efekti zgjat 6-8 orë. Efekti duket pas 30 mintash. Pra, vepron më shpejtë, më gjatë dhe më fortë se paracetamoli. Serish, nëse temperatura rritet pa bërë 6 orë nga marrja e ibuprofenit i japim fëmijës paracetamol. Efektet anësore të ibuprofenit janë të pakta dhe të rralla; mund të acarojë mukozën e stomakut, mund të japi një ulje të aftësive mpiksëse të gjakut, ndaj nuk rekomandohet marrja e tij kur ka plagë ose djegie të mëdha. Zakonisht nuk përbën rrezik nesë fëmijët pijnë “aksidentalisht” doza të mëdha. Gjithsesi ka fëmijë që janë alergjik ndaj ibuprofenit dhe tek ata duhet evituar.
  • JO ASPIRINË – fëmijëve nën dhjetë vjeç nuk duhet t`u jepet aspirinë.
  • Pasi kemi dhënë shurupin përdorim mënyrat fizike të uljes së temperaturës. Ideale është banja me ujin në temperaturën që lajmë zakonisht fëmijët, jo të vakët, pasi uji i vakët jep të dridhura të cilat rrisin temperaturën më shumë. Banja duhet të zgjasë 15-20 minuta. Do shihni që balli u ftohet duke bërë banjo dhe temperatura normalizohet. Më pas, për shurupin do të jetë më e lehtë ta mbajë të ulët një temperaturë që është ulur sesa të ulte një temperaturë të lartë.
  • Lëngu më i mirë për kompresa është uji, por mund të përdoren edhe uthulla ose alkooli. Uji i vakët është më efektiv në uljen e temperaturës sesa uji i ftohtë. Uji i vakët zgjeron enët e gjakut duke lehtësuar tejçimin e nxehtësisë së trupit në mjedis, ndërsa uji i ftohtë ngushton enët e gjakut duke vështirësuar përçimin e nxehtësisë së trupit në mjedis.
  • Masazhe me peshqirë të lagur me ujë të vakët. Kështu zgjerohen enët e gjakut të lëkurës dhe eliminohet nxehtësia shpejt.
  • Çarçafët me ujë të ftohtë përdoren në teperatura ekstreme. Por kujdes, sepse temperatura mund të ulet shumë dhe shpejt. Kjo bën që fëmija të ndihet shumë keq, të zbehet e të këputet. Ndaj, çarçafët e ftohtë duhen përdorur deri sa të shkojë temperatura 37.7 – 38.3 ̊C.

Kur Duhet të Nisemi Drejt Urgjencës?

  • Një bebe 6 javëshe, ose më pak me temperaturë 38.5 ̊C ose më shumë. Dhe bebet deri 3 muajsh duhen patur shumë kujdes. Në qoftë se është fillimi i mbrëmjes bëni mirë ta çoni në urgjencë e mos prisni mëngjesin për ta vizituar.
  • Një fëmijë me temperaturë 40 ̊C që nuk ulet deri 38.2 ̊C duke ndjekur metodat e lartë përmendura të kontrollit të temperaturës.
  • Një fëmijë letargjik nuk është thjeshtë i qetë por duket si pa jetë dhe nuk bën kontakt me sytë. Bebet që vetëm flenë e nuk zgjohen as për t`u ushqyer madje dhe nëse i vendos në gji, nuk pijnë por flenë.
  • Fëmijë shumë i irrituar që qan për orë të tëra pa komunikim verbal dhe pa “gjetur derman”
  • Meningjiti ka një kuadër klinik tipik me temperaturë të lartë, qafë të ngrirë ose me dhimbje në fund të qafës, të vjella dhe mos tolerancë ndaj dritës.

Si ta Ushqejmë Fëmijën kur Ka Temperaturë?23

  • Shumë lëngje që të mos dehidratohet.
  • Shumë fruta që të marri vitaminat që rrisin imunitetin si dhe mineralet që humbasin me djersën.
  • Suprat me mish të kuq i cili përmban zink dhe hekur.
  • Në rastet me ftohje ose grip preferohet mishi i pulës.
  • Mos i ushqeni fëmijët me zor. Ngrënia e gjysmës së racionit që ha zakonisht është shumë mirë për një fëmijë të sëmurë.

Këshillë për Nënat…

Mos u stresoni. Duke u sëmur, sidomos vitin e parë të jetës, fëmijëve u “piqet” sistemi imunitar. Fëmijët që sëmuren rrallë gjatë vitit të parë të jetës kanë shumë gjasa të bëhen alergjik kur të rriten. Shumë shpejt kjo gjendje do të kalojë dhe fëmija do të kthehet i buzëqeshur dhe aktiv si më parë. Mundohuni të flini gjatë ditës kur fëmija juaj fle pasi duhet të jeni në “gadishmëri” për turnin e natës…

 Rev. Familja, shkurt 2015