Tregim “Irsa ndihmon mamin”

74

Irsa ishte një vajzë e vogël dhe shumë e bukur. Ajo kishte sy dhe flokë të zinj. Buzët i kishte të kuqe dhe fytyrën të bardhë si bora. Irsa ishte shumë e përkëdhelur nga prindërit e saj. Ato e merrnin kudo që shkonin, vetëm orari i kopshtit të Irsës i ndante.

Çdo pasdite, prindërit e saj e merrnin nga kopshti. E ëma, sapo shkonte në shtëpi e lante dhe e ushqente vajzën e saj të bukur. Më pas fillonte punët e shtëpisë duke larë e duke gatuar. Irsa e ndiqte mamin kudo nga pas.

  • Shko e luaj me lodra o xhan i mamit se lodhesh duke ndenjur në këmbë pas meje, – e këshilloi një ditë e ëma.
  • Jo mami, tani jam rritur dhe dua të të ndihmoj, – iu përgjigj Irsa duke buzëqeshur.

Irsa, me doçkat e saj të vogla, i merrte rrobat nga legeni dhe ia jepte mamit t`i vendoste në stendë që të thaheshin. Më pas, të dyja së bashku përgatisnin darkën. Irsa thyente vezët ndërsa e ëma i rrihte fort dhe lyente byrekun.

Një ditë, mamaja e Irsës ishte me grip dhe mezi po ngrihej nga krevati.

  • Mami, mos lëviz. Punët i bëj unë, se ti je sëmurë.

Irsa shkoi te kuzhina dhe vendosi përparësen e së ëmës; mbushi një gotë qumësht dhe një pjatë me biskota e facoleta dhe të gjitha i sistemoi mbi një tabaka. Më pas tabakanë ia vendosi mamit të saj pranë krevatit.

E ëma sa nuk fluturoi nga gëzimi kur e pa Irsën që po kujdesej për të.

Ditët, muajt, vitet kalonin dhe Irsa me të ëmën ishin si dy shoqe të ngushta; loznin si fëmijë dhe bënin punët sëbashku si të rritura.

Morali: “Shtatë vitet e para luaj me fëmijën tënd, shtatë vitet e dyta edukoje atë ndërsa shtatë vitet e treta vëllazërohu me të, më pas lëre litarin të lirë”. (Omeri r.a.)

Foleza jeshile, nr.23