Universiteti më i vjetër në botë

71

Tingëllon paksa e habitshme, por është një grua ajo që ka themeluar institucionin më të vjetër arsimor në botë. Një grua e mençur, e cila donte të nxirrte maksimumin në përkujtim të babait të saj. Ajo quhet Fatime Fihrija, ose Umu Banine (nëna e fëmijëve) dhe jetoi në shek. IX. Nuk dihet shumë për jetën e saj, përveç se ajo e shpenzoi një pjesë të madhe të pasurisë së trashëguar nga i ati për të ndërtuar një xhami dhe medresenë aty përskaj, e cila do të kthehej shumë shpejt një institucion prestigjioz edukimi, lider shpirtëror dhe një qendër historike e botës myslimane.

Xhamia e Karauinit dhe medreseja e saj është një nga institucionet më të vlefshme që myslimanët, e më posaçërisht një grua, do t’i dhuronin të gjithë botës. Ai është institucioni më i vjetër i lartë arsimor në botë, që vazhdon të jetë funksional sipas UNESCO-s dhe Librit të Rekordeve Guinness.

Karauini u themelua së bashku me një medrese ngjitur, në vitin 859 nga Fatime Fihrija, vajza e një tregtari të pasur i quajtur Muhamed Fihriu. Familja Fihriu emigroi nga Kairouani (së këndejmi vjen edhe emri i xhamisë) i Tunizisë për në Fes në fillim të shek. IX. Fatimja dhe motra e saj Merjemja, që të dyja ishin të mirëarsimuara dhe trashëguan një sasi të madhe parash nga i ati. Fatimja u betua që ta shpenzonte të gjithë trashëgiminë e saj në ndërtimin e një xhamie të përshtatshme për komunitetin ku ajo banonte dhe medreseja ngjitur me xhaminë është gjithashtu medreseja më e vjetër në histori. Përveç një vendadhurimi xhamia shumë shpejt u kthye edhe në një vend arsimimi fetar. Karauini fitoi patronazhin politik të sulltanëve të fuqishëm. Aty u mblodhën dhe u përzgjodhën një sasi e madhe dorëshkrimesh, në një bibliotekë të themeluar nga sulltan Ebu Inan Farisi më 1349. Ndër dorëshkrimet më të vyera që ruhen në këtë bibliotekë janë: Muveta e imam Malikut e shkruar në pergamenë me lëkurë gazele, Siren e Ibn Isakut, një kopje Kur`ani e dhuruar nga sulltan Ahmed el-Mensur më 1602 dhe kopja origjinale e Kitab el-Ibar e Ibni Haldunit. Ndërmjet lëndëve që mësoheshin aty së bashku me Kur`anin dhe Fikhun- Jurisprudencën Islame janë edhe gramatika, retorika, logjika, mjekësia, matematika dhe astronomia.

Hartografi i shek. XII Muhamed el-Idrisi, hartat e të cilit ndihmuan eksplorimet evropiane të Rilindjes, thuhet se ka jetuar në Fes për disa kohë, duke na sugjeruar se ai mund të ketë punuar ose studiuar në Karauin. Medreseja e Karauinit ka nxjerrë dijetarë të shumtë, të cilët kanë ndikuar gjerësisht në historinë intelektuale dhe akademike të botës myslimane. Ndërmjet tyre janë Ibn Rushejd el-Sabti, Muhamed in el-Haxh, Abdari el-Fasi, Ebu Imran el-Fasi dijetar i shquar i shkollës malikite, Leon Afrikanusi shkrimtar dhe udhëtar i shquar. Dijetarë të shquar si El-Idrisi, Ibn el-Arabiu, Ibn Halduni, Ibni Hatibi, Al-Bitruxhi, Ibn Hirzihimi dhe el-Vezani, të gjithë këta kanë qenë të lidhur me Medresenë si studentë apo ligjërues. Ndërmjet dijetarëve të Krishterë që e kanë vizituar Karauinin ka qenë belgu Nikolas Klejnaerts dhe holandezi Golius.

Universiteti i sotëm shtetëror

Në kohën kur Maroku u kthye në një protektorat francez më 1912, Karauini pësoi një rënie si një qendër e edukimit fetar. Megjithatë ai arriti të ketë një domethënie si një vendtakimi arsimor për administratën e sulltanit.Trupa studentore ndahej në disa shtresa shoqërore sipas etnisë, statusit social dhe pasuror, si dhe vendndodhjes gjeografike dhe për pasojë kjo përcaktonte anëtarësinë nëpër klasat studimore. Administrata Franceze zbatoi një numër reformash strukturore ndërmjet viteve 1914-1947, por nuk e modernizoi përmbajtjen e mësimeve, e cila vazhdoi të mbizotërohet nga këndvështrimet tradicionale të ulemasë. Në të njëjtën kohë numri i studentëve në Karauin filloi të venitet në rreth 300 më 1922, kohë kur elita marokene nisi t’i dërgojë fëmijët e vet në kolegjet e sapo-themeluara të stilit perëndimor dhe në institutet gjetkë brenda vendit. Më 1947 Karauini u integrua në sistemin arsimor shtetëror, por vetëm me dekret mbretëror pas pavarësisë në vitin 1963. Medreseja përfundimisht u transformua në universitet nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit. Ndërtesa e shkollës së vjetër u mbyll dhe kampusi i ri u vendos në ish-kazermat e Ushtrisë Franceze. Ndërkaq kur dekani zuri vend në Fes katër fakultete u ngritën në qytet brenda dhe jashtë tij: Fakulteti i Sheriatit Islam në Fes, një fakultet i Studimeve Arabe në Marrakesh dhe një fakultet i Teologjisë në Tetouan, plus një tjetër pranë Agadirit. Tekste dhe programe moderne u futën në përdorim dhe trajnimi profesional i pedagogëve u përmirësua. Pas këtyre reformave Karauini u riemërtua zyrtarisht “Universiteti i Karauinit”. Në 1975 Studimet e Përgjithshme u transferuan në Universitetin e sapothemeluar të Sidi Muhamed Ben Abdullah; kurse Karauini i ruajti kurset islame dhe teologjike. Në 1988, pas një boshllëku prej gati tre dekadash, mësimi tradicional islam në Medresenë e Karauinit rifilloi nga mbreti Hasani II, në atë që u interpretua si një lëvizje për t’i dhënë mbështetje monarkisë.

Historianë të universiteteve, enciklopedive dhe fjalorëve të Mesjetës e konsiderojnë se universiteti ishte një institucion unik për Evropën e Krishterë, dhe se universitetet e para janë ngritur të gjithë në Evropën Perëndimore me Parisin dhe Bolonjën shpesh të cituara si shembujt më të hershëm. Për këtë shkak këto burime e konsiderojnë Karauinin si të themeluar dhe të zhvilluar si medrese ose shkollë xhamie deri pas Luftës II Botërore. Ata i konsiderojnë institucionet si Karauini si shkolla të larta të Ligjit Islam, ku lëndët e tjera janë të një rëndësie të dorës së dytë. Në të kundërt me këtë UNESCO dhe një numër i madh burimesh të tjera e konsiderojnë Karauinin të ketë qenë universitet qysh me themelimin e tij e për këtë universiteti më i vjetër në botë. Po ashtu edhe në librin e rekordeve Guiness ky universitet është i njohur si më i vjetri në botë. E gjitha kjo ndodhi falë këmbënguljes së një gruaje, e cila pati një vizion për të investuar dhe këmbënguli në këtë projekt dobiprurës për të gjithë njerëzimin.

Maj-qershor, 2014