Vëllimi poetik “Përtej realitetit gri”

42

Vëllimi poetik “Përtej realitetit gri” shenjon një orvatje të autores Marjeta Çurumi për ta shpërfaqur botën me të gjitha ngjyrat dhe për të ndërgjegjësuar këdo për ditë-hijet e dualizmit mes të mirës dhe të keqes. Ky rrugëtim krijues i autores vjen në vazhdën udhës poetike të çelur më parë me vëllimin me poezi “Me lejo të flas”, të botuar në vitin 2011 nga Shoqata Kulturore “Gruaja”. Përvijimi i mëtejshëm i udhës poetike tashmë jo vetëm konsolidohet më tepër, por edhe thellohet në mesazhe filozofike, që shpalohen përpara lexuesit në formë më të qartë, më të bukur dhe më të thellë.

Me një shkallë të lartë refleksioni të sinqertë dhe të dhimbshëm, poetesha vargëzon, ndjenjat, mëdyshjet, trishtimin, shpresën, ëndrrat dhe gjithçka që ushqen e, njëherësh, gërryen shpirtin tonë në këtë realitet frymëvjedhës. Këto ndjesi e bëjnë njeriun të humbasë ekuilibrin, megjithatë autorja jep gjithnjë edhe trajtat shpëtimtare dhe qëndrestare ndaj moskaplimit prej pesimizmit jetësor. Ajo thekson se burimi i pashtershëm i qetësisë dhe i lumturisë është besimi në Zot dhe margaritari i pakthyeshëm është pendesa për veprimet e padrejta që ne mund të bëjmë.

Alternimi i kontrasteve të forta mes realitetit gri dhe atij shumëngjyrësh, mes intrigës dhe mirësisë, mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes indiferentizmit dhe shpirtërores rrisin efektin estetik, duke e bërë mesazhin poetik të gëlojë fuqishëm.

Nga pikëpamja formale, poezia e Marjeta Çurumit ndërtohet sipas gjedhës së poezisë klasike, ku mbizotërojnë shenjat e ligjërimit të drejtpërdrejtë e bisedor, që i drejtohen një mase të gjerë lexuesish. Në fakt, duket sikur vetë autorja mëton që unin e saj ta vërë në të njëjtin nivel komunikativ me atë të lexuesit. Në këtë funksion paraqitet edhe gjuha e qartë e poezisë, mekanizmat e ndërtimit të figurave, fjalori poetik i huajtur prej poezisë së traditës, por edhe prej jetës së përditshmërisë, estetizmi i dukurive dhe i elementeve të rëndomta, intonacionet, theksat dhe e thënë shkurt, e tërë mendësia etike, estetike dhe filozofike.

Herë-herë, nga rendja për të ndjekur efektet e rimës, i ka bërë disa vargje të humbasin ritmin e natyrshëm, gjë që krijon efekte prozaizmi tek vargjet. Megjithatë, ky tipar fragmentar nuk e cenon vlerën e poezisë së saj të larmishme, ku konciziteti dhe variacionet e kombinimeve vargore harmonizohen me përmbajtjen poetike.

Libri ndahet në tri pjesë kryesore “Realiteti dhe unë”, “Realiteti, unë dhe ti” dhe “Mbi realitetin gri”, të cilat përshkallëzojnë edhe dritëvështrimet poetike në tri dimensione: me vetveten, të tjerët dhe me të mbinatyrshmen apo me fuqinë e ndjenjës të pakufishme të dashurisë. Mbi këto përmasa ngrihet i gjithë opusi poetik i autores Marjeta Çurumi, e cila me këtë libër po përndrit rrugën e poezishkrimit të mesazheve që lidhen me besimin në Zot.

Rev. Familja, maj -qershor 2015