Vendimi mbi sjelljen e fëmijëve në xhami

110

Pyetja: Disa njerëz vijnë në xhami, me fëmijët e tyre të cilët nuk e kanë arritur moshën në të cilën do të mund të faleshin siç duhet. Këta fëmijë, futen në radhët e atyre që janë duke u falur, duke i trazuar dhe shqetësuar ata. Andaj, cili është vendimi mbi këtë çështje? Dhe cila është këshilla juaj drejtuar këtyre prindërve?

Përgjigjja: Sa i përket subjektit të marrjes së fëmijëve të vegjël me vete në xhami, pavarësisht veprimeve të tyre shqetësuese kundrejt namaz-falësve, ngritjes së zërave të tyre gjatë namazit dhe veprimeve të pakontrolluara që ata bëjnë në xhami, dijetarët kanë thënë:

Të shumta janë hadithet që flasin mbi faktin e prezencës së fëmijëve në xhami në kohën e të Dërguarit të Allahut [Paqja qoftë mbi të!], ndër to edhe hadithet në vijim:

1. Shededi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Doli tek ne i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) në një prej dy namazeve, në atë të drekës apo ikindisë, duke mbajtur Hasenin ose Husejnin [dy djemtë e vegjël të Fatimes (Allahu qoftë i kënaqur me ata!), vajzës së Profetit (Paqja qoftë mbi të!)]. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) erdhi dhe e vendosi fëmijën tek këmba e tij dhe pastaj mori tekbirin fillestar për namaz, u fal dhe kur ra në sexhde e zgjati sexhden. Unë e ngrita kokën ndër njerëz dhe pashë një fëmijë të vogël mbi shpinën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!), ndërkohë që ai (Paqja qoftë mbi të!) gjendej në sexhde. Menjëherë u ktheva në pozicionim tim në sexhde. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e kreu namazin, njerëzit thanë: O i Dërguar i Allahut! Bëre një sexhde të cilën e zgjate aq sa ne menduam se të ka ndodhur diçka ose se po të zbriste shpallje hyjnore. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Asgjë nga kjo e gjitha nuk ka ndodhur, porse djali im ishte i hipur mbi mua dhe nuk preferova ta ngusja derisa ta bënte atë që donte”. [Transmetim i saktë, i transmetuar nga En-Nesaiu dhe El-Hakimu].

2. Në një hadith tjetër vjen se: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) po falej dhe kur binte në sexhde Haseni dhe Husejni i kërcenin në shpinë. Nëse njerëzit i pengonin ata të dy, Profeti (Paqja qoftë mbi të!) u bënte njerëzve me shenjë që t’i linin. Pasi e mbaroi namazin, ai (Paqja qoftë mbi të!) i mori ata të dy në prehër” [Transmetim i saktë, transmetuar nga Ibën Khuzejme].

3. Ebu Katede (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: E kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!) me Umemen, të bijën e Zejnebes vajzës së të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) të hedhur mbi supe. Kur ai (Paqja qoftë mbi të!) binte në ruku e vendoste atë (në tokë) dhe kur ngrihej nga sexhdja e kthente sërish (në supe). [Transmetim i saktë, i transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi].

4. Në një prej haditheve vjen se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë hyj në namaz duke dashur ta zgjas atë, ndërkaq dëgjoj të qarat e fëmijës së vogël dhe bëj lehtësime në namazin tim pasi e di lëndimin e madh që ndien nëna për shkak të qarjes së të voglit të saj”. [Transmetim i saktë, i transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi]; ndërsa në një transmetim tjetër vjen se: Profeti (Paqja qoftë mbi të!) një ditë e fali më shpejt namazin e sabahut dhe i thanë: Përse e fale më shpejt, o i Dërguar i Allahut? Ai (Paqja qoftë mbi të!) u përgjigj: “Dëgjova të qara fëmije, gjë që më bëri të mendoj se e ëma e tij po falet me ne, ndaj desha t’ia lë të lirë atij nënën e vet”, [Transmetim i saktë, transmeton Ahmedi].

Sa në fjalë përbën pikërisht udhëzimin profetik në lidhje me formën sesi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) sillej me fëmijët në xhami; prandaj lypset që askush mos t’i përzërë fëmijët nga xhamia, pasi ata janë burrat e të ardhmes dhe xhamia është më i miri vend për mësimin e namazit dhe dispozitave të tjera të Sheriatit – Ligjit Islam.

Gjithsesi këshilla që dijetarët japin në këtë rast, është se duhet bërë kujdes të mos sillen në xhami fëmijët që janë shumë të vegjël, nga 1-4 vjeç për shembull, sidomos në rastin kur ata nuk sillen në përputhje me rregullat e xhamisë. Nëse të vegjlit e kësaj moshe sillen në xhami nga nevoja që lind, atëherë nuk ka problem, por duhet bërë kujdes që i vogli të mbahet nën kontroll, me qëllim që ai të mos e ndyjë personin që e mban, xhaminë apo njerëzit e pranishëm me ndonjë ndyrësi që e bën personin apo vendin të papastër për faljen e namazit, si dhe me qëllim që i vogli të mos bëj ndonjë dëm në xhami dhe të mos i shqetësojë personat që falen.

Në lidhje me fëmijët që janë 5 vjeç e lartë, në parim nuk ka ndonjë problem që prindërit t’i sjellin këta fëmijë në xhami, por duhet që prindërit të kenë parasysh se këta fëmijë u përkasin dy klasifikimeve:

Klasifikimi i parë: Fëmija i mbarë ose edhe fëmija i prapë, që nëse ndalohet i lë prapësitë. Kjo kategori nuk ka problem të sillet në xhami dhe më e mira është që fëmija i kësaj kategorie të mbahet nga i ati apo prej të afërmve të tij të rritur, të cilët duhet të mos qëndrojnë në mesin e rreshtave, por në anët e tyre.

Klasifikimi i dytë: Fëmijët e prapë, të cilët janë të pabindur. Kjo kategori fëmijësh nuk lejohet të sillet në xhami, si pasojë e poteres që u shkaktojnë personave që falen.

Kategorizimi në fjalë është mendimi më i drejtë ndër dijetarët, ndërsa ndalimi absolut i sjelljes së fëmijës në xhami nuk është i qëlluar, pasi hadithi “Shmangini fëmijët tuaj nga xhamitë tuaja”, është hadith i dobët që nuk mund të merret për argument.

Allahu e di më së miri.

Mars-Prill 2013