Voskopoja e të gjitha stinëve

59

Nga Diana Syla

Voskopoja është një nga ato vende që mund të vizitohet si në dimër, ashtu edhe në verë. Për ata që duan të arratisen dhe t’u shpëtojnë ditëve përvëluese të verës, Voskopoja është një oaz qetësie dhe freskie. Por edhe tani në dimër për ata që kanë mall për dëborën, për të ftohtin e një dimri të vërtetë, për të apasionuarit e sportit të skive, Voskopoja është vendi ideal.

21 km larg qytetit të Korçës, në vitin 1330 banorët shqiptarë arumunë dhe grekë ngritën Voskopojën. Zhvillimi ekonomik e kulturor i kësaj qendre e kaloi imagjinatën me vendosjen aty të shtypshkronjës së dytë në të gjithë Perandorinë Otomane pas asaj të Kostandinopojës apo Stambollit të sotëm. Në kulmin e zhvillimit të këtij qytetërimi në vitet 1700 Voskopoja kishte Akademi shkencore, bibliotekë, shtypshkronjë, jetimore, spital, 24 Kisha me afreske të rralla dhe 30 mijë banorë. Shkëmbimet e punimeve të tekstileve mendohet se kanë qenë ura lidhëse me qytetërimet e tjera, marrëdhënie që sollën zhvillimin e vrullshëm të Voskopojës. Shkatërrimin e parë Voskopoja e ka patur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Në vitin 1802 Daniel Voskopojari rindërtoi shkollën e zonës por qyteti nuk u ringrit kurrë më. Tregtarët e tij u zhvendosën në Greqi, Austri dhe Hungari nga ku nuk reshtën asnjëherë së ndihmuari vendin e lindjes. Fundi i lulëzimit të Voskopojës erdhi së bashku me shkatërrimin total të qytetit, gjatë  viteve 1769, 1772 dhe 1789, por u rrënua  përfundimisht gjatë Luftës së Parë Botërore në 1916.

gregory_grAtë çfarë ka mbetur nga qytetërimi i Voskopojës vijnë për ta vizituar turistë të huaj nga e gjithë bota në çdo stinë. Ashtu si ata që i dhanë shkëlqimin fshatit dhe ikën me kokën pas, edhe voskopojarët e sotëm po kthehen për të krijuar kushtet për të pritur sa më shumë vizitorë, e për t’ju rrëfyer të kaluarën e ndritur. Në funksion të turizmit po ngrihen ndërtime të reja dhe karakteristike e tyre është ndërtimi vetëm me gur e dru ashtu si ndërtonin voskopojarët e hershëm.

Fillimisht, kur zhvillimi i turizmit ishte vetëm në hapat fillestarë, Voskopoja kishte një numër të vogël vizitorësh dhe hotelet ishin të paktë. Vit pas viti, kushdo që është vizitor i rregullt i Voskopojës, sheh që gjithnjë që shkon ka objekte të reja, hotele dhe restorante të rinj.

Pjesa më e madhe e ndërtimeve të reja janë të punuara në gur. Po ashtu edhe rrugët janë të shtruara me gurë kalldrëmi, ku është e shkruar një pjesë e historisë së Voskopojës.

Përveç klimës dhe bukurisë si në dimër dhe në verë, Voskopoja është një vend i mirë dhe për turizmin kulturor. Në këtë fshat ka copëza historie shumë të vlefshme. Nga 25 kishat me afreske që kanë ekzistuar gjatë viteve ‘700, tashmë kanë mbetur 8 kisha, por me një vlerë shumë të madhe kulturore. Për këtë arsye, Voskopoja është destinacioni i studentëve të arkeologjisë.

voskopojaMos u çudisni nëse merrni rrugën drejt Voskopojës dhe aty të gjeni që nga fëmija fare i vogël e deri tek të moshuarit. Voskopoja është një parajsë tokësore, e cila preferohet nga të gjithë.

Shpeshherë janë të organizuar në grupe të ndryshme shoqërie, miqsh, apo të afërmish. Fundjavat janë më të preferuarat për t’u strehuar në Voskopojë dhe ndonjëherë bën mirë që dhomën e hotelit ta rezervosh para se të shkosh në vend, sepse mund të ndodhë që të mos ketë asnjë dhomë të lirë.

Sapo shkel në fshat dhe mësohesh me ambientin përreth dhe bukuritë e natyrës, natyrshëm pyet veten se çmund të bësh gjithë ditën në Voskopojë.

Vërtet dita nuk ka intensitetin e një dite të zakonshme në qytetin tënd, por ama në fund të fundit qëllimi është të kënaqesh duke bërë diçka ndryshe. Pasi ke shijuar mëngjesin që serviret në hotel, mund të bësh një rrugëtim të shkurtër për të parë manastirin e Shën Prodhomit. Nga aty mund të shijohet dhe një pamje e mrekullueshme e fshatit dhe e natyrës.

Nëse je në grup, koha pastaj mund të organizohet shumë mirë me ndonjë lojë me top. Hotel Akademia, i cili është dhe hoteli më i famshëm në Voskopojë, ofron një fushë futbolli, kënd lojrash, etj.

Për ata të rriturit, nostalgjikë për lojërat e fëmijërisë, Voskopoja është vendi ideal për të bërë një lojë symbyllazi. Ka aq shumë vende për t’u fshehur, sa mund të të ikë gjithë dita si pa e kuptuar, duke kërkuar nëpër pyll.

Në verë Voskopoja është vendi ideal për të apasionuarit pas natyrës. Mund të shijosh bukurinë e bimëve dhe luleve të ndryshme, ndërsa në dimër është vendi ideal për të apasionuarit pas gjuetisë.

Ka dhe nga ata që shkojnë vetëm për gatimet e veçanta. Mes shokësh e shoqesh kur planifikojmë ndonjë udhëtim në Voskopojë, shpesh dëgjojmë: “Aman… dua të shkoj vetëm për të ngrënë një lakror me saç, se më ka marrë malli.”

Dhe në fakt lakrori me saç është vetëm një nga gjërat e mrekullueshme që të mund të shijosh në Voskopojë. Frekuentuesit e rregullt të Voskopojës e dinë shumë mirë se ku mund të hanë një lakror të tillë. Madje ka shumë nga ata që qëndrojnë tek hoteli, por darkën ose drekën zbresin ta hanë në fshat. Dita- ditës alternativat për të zgjedhur janë shtuar, kjo sepse aty hapen gjithnjë restorante të reja me specialitete dhe me gatime tradicionale.

VoskopojëKush ka shijuar lakrorin me saç, nuk ka si i shpëton tundimit për të ngrënë dhe mish qingji të pjekur në saç. Këto ushqime i gjen kudo, në çdo restorant, vetëm se këtu kanë një të veçantë: janë thuajsë të gjitha produkte të zonës. E veçanta e zonës kanë qenë dhe mbeten gatimet e amvisave voskopojare, gjeli i fshatit, shqerra e pjekur, petullat e gollozhegut, bakllava, pengjir, janë vetëm disa nga gatimet më të preferuara të turistëve vendas por edhe të huaj, një stil gatimi që vetëm vendaset ia dinë sekretin.

Mëngjesi hahet në hotel dhe është i përfshirë brenda çmimit të dhomës. Është një mëngjes normal me mjaltë, çaj, qumësht, gjalpë dhe vezë fshati.

Në dimër, Voskopoja mbulohet nga dëbora.

Në Voskopojë gjendet Pista e Skive, aty zhvillohen garat rajonale dhe praktikohet sporti i skive nga të gjithë, nga profesionistë dhe nga amatorë në këtë sport.

Dhe në fakt gjatë stinës së dimrit, ky është një nga qëllimet kryesore se përse Voskopoja është kaq e vizituar. Për nostalgjikët dhe adhuruesit e dëborës, Voskopoja është vendi ideal ku mund të shijohet bukuria e dëborës.

Histori, kulturë, natyrë të mrekullueshme dhe mbi të gjitha gatime tradicionale, kjo është një paketë e plotë që ofron fshati turistik i Voskopojës, qe në pak zona simotra ke mundësi t’i shijosh. Voskopoja  pret mesatarisht 20 mijë turistë në vit.

Voskopoja1Një nga pikat më interesante turistike, e ngritur para viteve 90-të si kamp për punëtorët, ka një pamje krejt tjetër. E ndërtuar e gjithë me gurë dhe dru, ajo pret në çdo stinë, qindra pushues.

Mes bredhave të lartë, kjo pikë është e pasur me sasi të lartë të ozonit në oksigjen, deri në 24 %, që në Evropë gjendet vetëm në një fshat në Bjellorusi.

Megjithatë, e rrethuar mes malesh, bri pyjeve të dendur ajo mbetet një nga vendet më përrallore.

Voskopoja, që ka shërbyer si muzë për shkrimtarë, studiues apo historianë, vazhdon të jetë djepi i kulturës. Kjo e fundit sot gjithmonë e më shumë po funksionon për nxitjen e turistëve. Banorët janë përpjekur të ndërtojnë një qytetërim mikpritës.

Me historinë e lavdishme të qytetërimit, atë çka ka mbetur prej saj, me klimën e shëndetshme dhe mikpritjen e banorëve, Voskopoja është vendi që turistë vendas dhe të huaj vizitojnë në çdo stinë të vitit e rikthehen për të prekur sërish. Nëse shkon njëherë në Voskopojë, qoftë edhe për pak çaste, kthehet në një ndalesë që nuk do të harrohet lehtë.

Rev. Familja, mars 2015