Zhvillimi gjuhësor dhe vonesa e të folurit te fëmijët 0 – 4 vjeç

26

Nga: Erlinda Plyku – Psikologe

Reduktimi i komunikimit të drejtëpërdrejtë dhe përdorimi që në moshë të vogël dhe i tepërt i pajisjeve elektronike nga fëmijët, po ndikon ndjeshëm në vonesat e të folurit edhe pa prezencën e diagnozave neuro zhvillimore. Është e vështirë për prindin të pranojë se diçka nuk po shkon mirë me fëmijën andaj fillon të struket nën arsyetime si “është fëmijë i ndrojtur prandaj nuk flet”; “i ka ngjarë të atit, dhe ai ka folur vonë” etj. Në rast se fëmija juaj ka vonesë në të folur, është e rëndësishme të konsultohet me një ekspert për të gjetur fillimisht shkakun e vonesës, e më pas nëse është e nevojshme të trajtohet me terapi loje apo me logopedi, në varësi të diagnozës.

Kur prindi me fëmijën, i cili shfaq vonesë në zhvillimin gjuhësor drejtohen te specialisti. Fillimisht, fëmija vlerësohet në termat e spektrit të autizmit. Pas përjashtimit të kësaj të fundit, kontrollohet për paaftësi intelektuale. Trajtimi i këtyre dy kategorive të cilat ndikojnë edhe në zhvillimin e të folurit, kërkon një arsim të veçantë, më të specializuar. Njëkohësisht është e rëndësishme të zhvillohet një konsultë me pediatër otorhinolaringolog për të përjashtuar mundësinë e anomalive të ORL-së. Në këtë kontekst, për zgjidhjen e problemit është tepër e rëndësishme gjetja e shkakut të vonesës së zhvillimit gjuhësor.

Disa nga arsyet e tjera që ndikojnë në vonesën e të folurit janë ekspozimi i tepërt ndaj ekranit, dygjyhësia, mungesa e komunikimit të drejtë për drejtë, neglizhenca ndaj fëmijëve, mungesa e aktiviteteve të cilat nxisin zhvillimin, etj. Trajtimi i fëmijëve të cilët kanë vonesë në të folur për një nga këto arsye përmban nxitjen e marrëdhënieve me bashkëmoshatarët, biseda të drejtëpërdrejta, ndërprejen e ekspozimit ndaj ekranit, pjesëmarrjen në aktivitete sociale, tregimin e përrallave etj.

Është e rëndësishme të theksohet se, shumë prindër në momentin që e konsiderojnë si vonesë, kanë një qasje indiferente ndaj problemit, duke menduar se herët apo vonë do të flaës, por në bazë të studimeve fëmijët që flasin vonë, edhe pasi të fillojnë të flasin rrjethshëm, nuk shfaqin të njëjtin zhvillim me bashkëmoshatarët  tyre.

 

Si duhet të jetë zhvillimi gjuhësor në bazë të moshës?

Aftësitë gjuhësore zhvillohen që nga dita e lindjes së foshnjës tuaj; që në momentin kur fëmija juaj qan për të shprehur atë që dëshiron ose ka nevojë.

Edhe pse në dukje fëmijët tregojnë një zhvillim normal gjuhësor, ekspozimi i tepërt ndaj ekranit dhe mungesa e bashkëbisedimit në familje ka ndikuar që fëmijët 4 – 5 vjeçar të kenë një fjalor dhe artikulim shumë të varfër. Mosha dhe sasia e fjalëve që tregon një zhvillimin normal gjyhësor, është përcaktuar nga ekspertët në mënyrë mesatare. Ndonjëherë fëmijët mbeten prapa kësaj mesatareje.

Fëmijët pritet të thonë fjalët e tyre të para rreth 10 – 14 muajsh, të kenë një fjalor me rreth 50 fjalë në moshën 18 muajsh dhe në moshën 2 vjeçare të formojnë fjali me 2 fjalë me fjalorin prej rreth 250-300 fjalësh. Në moshën 3 vjeç, fëmijët formojnë fjali me të paktën 3-4 fjalë dhe kanë një fjalor prej rreth 800 – 1000 fjalësh.

Më poshtë është paraqitur një ndarje e disa aftësive gjuhësore në bazë të muajve. Prindërit mund të ndjekin zhvillimin e fëmijëve të tyre në bazë të moshës dhe nëse mendojnë se fëmija nuk i ka fituar disa nga këto aftësi, është e rëndësishme të vlerësohet nga një specialist. Duke theksuar se, gjuha nuk mund të mësohet duke detyruar apo drejtuar fëmijën me udhëzimet tuaja për të përsëritur fjalën që ju i thoni, gjithashtu përpjekjet tuaja për të përvetësuar rolin e terapistit, do të dëmtojë marrëdhënien prind – fëmijë dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin emocional të fëmijës suaj.

0 – 6 muajsh

Bën guga; qesh; mund të thotë rrokje ma, ba; mund të reagojë kur i thërritet emri.

6 – 12 muajsh

Përsërit rrokje të njëjta 2-3 herë; krijon kontakt sy më sy; përdor 10 fjalë të lehta (bazë); kupton direktivat bazë (hajde, ik, shiko, ulu etj.); kopjon tingujt e të tjerëve; lëshon rreth 4 tinguj të ndryshëm; i përgjigjet me lëvizje kërkesave/ direktivave bazë; përdor fjalë teke për të treguar disa objekte apo njerëz; reagon me zë ndaj të folurës së të tjerëve; etj.

12 – 24 muajsh

Imiton kafshët; thotë emrat e pjesëtarëve të familjes; i përgjigjet pyetjeve të thjeshta me po – jo, zbaton direktivat si “nëma mua”, “më trego se ku është”; i kthen përgjigje pyetjes “çfarë është kjo?”; vihet në lëvizje në bazë të bisedës që dëgjon p.sh.: shkon te dera kur dëgjon se do dilni, madje njeh edhe këpucët e secilit pjesëtar; shpreh kërkesat e veta me fjalë të thjeshta dhe me veprime; si edhe përdor fjalët “mbaroi, dua prapë, dua shumë”; etj.

24 – 36 muajsh

Kombinon një emër me një mbiemër (top i madh); imiton kur i kërkohen gjëra të thjeshta (më trego se si e ha ushqimin, si e vesh bluzën, etj.); tregon deri në 10 objekte kur emërtohen sipas përdorimit (p.sh.: “me çfarë e ha ushqimin ti?” dhe fëmija tregon lugën); njeh konceptet poshtë, lart, para, mbrapa; tregon moshën me gishta; thotë gjininë; bashkon emrin me foljen (erdhi mami); shpreh nevojën për të shkuar në tualet; përdor në mënyrë të saktë kohën e shkuar dhe të tashmen; mund të përdorë edhe kohën e ardhme; tregon përkatësinë e dikujt (çanta e mamit); i përgjigjet pyetjes “ku është?” duke bashkuar emrin me shprehjet aty – këtu; bën pyetje “çfarë është kjo?”; emërton tingujt mjedisorë; kupton prapashtesën e shumësit dhe jep objekte në përputhje me rrethanat; mund të përdorë trajtat e shumësit; etj. Nga mosha dy deri në tre vjeç fëmija është 25 deri në 50% i kuptueshëm.

36 – 48 muajsh

Tregon dy ndodhi sipas rradhës; di dhe emërton pjesët e trupit në mënyrë më të detajuar dhe me funksionet përkatëse; formon fjali me 5 fjalë; përdor shprehje për kohën e ardhme, dëshirat dhe detyrimet (do të, dua të, duhet të); përdor tonalitetin për fjalitë pyetëse; zbaton dy udhëzime të shkëputura nga njëra-tjetra (shko merr ujin, pastaj mbyll derën); di emrin dhe mbiemrin e vet dhe të pjesëtarëve të familjes; i përgjigjet pyetjeve “si ndodhi?”, “si ishte?”, “si mendon?”, etj.; tregon funksionalitetet e objekteve; etj.

Tashmë e folura e fëmijës është e kuptueshme jo vetëm nga familjarët e tij. Një fëmijë në moshën 4 vjeçare duhet të jetë në gjendje të artikulojë në mënyrë të kuptueshme dëshirat, ngjarjet, dhe mendimet e tij. Ju mund të kontribuoni në pasurimin e fjalorit të fëmijës suaj nëpërmjet leximit dhe komunikimit të vazhdueshëm.

 

Revista “Familja”, Janar 2022