Zhvillimi i të folurit tek fëmijët hap pas hapi

1360

Gjuha është instrumenti me të cilin formulohen mendimet, ndjenjat etj. Me anë të saj ndajmë mendimet me të tjerët, shprehim besimet, ndjenjat e vendosim lidhjet. Ajo ka forma e teknika të ndryshme përdorimi.

Zhvillimi gjuhësor është veç një nga aspektet e zhvillimit. Ai ndërvepron ngushtë me zhvillimin kognitiv, social, fizik dhe emocional të fëmijës. Përdorimi i gjuhës rrit fuqinë e njohjes, shton mundësitë e ndërveprimit me të tjerët, ndihmon për të organizuar dhe artikuluar përjetime  emocionale. Buzëqeshja, e qeshura, e qara janë instrumenta paralelë të shprehjes. Sfida më e madhe në vitet e para të jetës së fëmijës është bashkëshoqërimi i gjëndjes së perceptimeve, përjetimeve me format respektive të shprehjes verbale.

Tingujt e parë të bebit janë të qarat dhe zhurmat fiziologjike. Gugatjet shfaqen rreth 2 muajsh, ndërsa belbëzimat e përsëritura rreth moshës 6 muajsh përfshijnë një numër të madh vokal. Nga fundi i vitit të parë belbëzimat bëhen të ngjashme me të folurën si në tingull ashtu edhe në intonacion. Periudha paraverbale është faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e gjuhës së mëvonshme. Duhet të kuptojmë se pa të qara, pa belbëzime, pa gugatje nuk ka gjuhë.

Kujdes!

Në qoftë se fëmija juaj është shumë aktiv, mos prisni fjalën e parë! Nëse vini re se diçka nuk shkon tek ai vraponi tek specialisti dhe mos i besoni këshillës së rrugës: “Do të flasë më vonë.”

Të dashura nëna!

Të folurit është një nga aktivitetet më të rëndësishme të jetës. Ai zhvillohet në fëmijëri dhe ndikon fuqishëm në të gjithë jetën e fëmijës suaj, çdo fjalë e thënë nga ju regjistrohet nga ai dhe e ndihmon fëmijën të nxjerrë tingujt e parë e më pas të flasë bukur e rrjedhshëm. Në fëmijërinë e hershme nëse ka pengesa në të folurin e fëmijës, mos u alarmoni, por kërkoni ndihmë sepse sa më herët të kapet problemi aq më shumë mundësi ka të kalohet pa lënë gjurmë.

Etapat e zhvillimit të gjuhës

4 Muajsh

Tek foshnjat të thirrurat, klithmat e të qarat kanë domethënie të ndryshme. Jini të vëmendshëm t’i kuptoni e t’i dalloni! Tregojini fëmijës se e kuptoni.

6 Muajsh

Gugatjet, të qeshurat, vështrimet provojnë se fëmija juaj kupton shumë gjëra.

9 Muajsh

Shfaqja e rrokjeve të dubluara “ma-ma”, “ba-ba” etj. tregojnë se foshnja përpiqet të imitojë të folurën rreth tij. Ai ushtron muskujt e tij, bën “jo” me kokë, “bravo” me duar. Vërtetë është një gjuhë ndryshe nga e jona, por është një dëshirë për të komunikuar.

12 Muajsh

Vihen re fjalët e para dhe duhen inkurajuar. Konsiderojeni fëmijën tuaj si bashkëbisedues të vërtetë. Ai kupton shumë edhe pse nuk shprehet aq qartë sa ju.

18 Muajsh

Fëmija është i aftë të formojë 2 fjalë për të shpjeguar idetë apo dëshirat e tij. Mund ta ndihmoni dhe ta stimuloni duke i propozuar, por pa i imponuar fjali më të gjata sipas situatës.

2 Vjeç

Fjalitë ndërtohen mirë e fjalori pasurohet tek fëmija çdo minutë. Fëmija ndërgjegjësohet për veten e tij; thotë emrin e tij ose “mua” për veten e tij. Meqenëse ai ka aftësi të kuptojë më shumë sesa të shprehet, do të flasë me nxitim prandaj edhe mund të gabojë.

3 Vjeç

Fëmija juaj thotë “unë”. Fillon e përdor emra abstraktë, mbiemra, përemra, ai kupton gjuhën e aktiviteteve të tij të përditshme, por është normale që disa tinguj të mos i vargëzojë dot me njëri – tjetrin.

4 Vjeç

Gjuha pothuajse është konsoliduar, ai kupton mirë çfarë i thoni dhe mundohet të shprehet mirë, pyet vazhdimisht, di të numërojë etj.

5 Vjeç

Vendos foljen sipas vetës, manovron mirë me të folurin me ndonjë pasaktësi gramatikore dhe shqiptimin jo të mirë të ndonjë tingulli. Ato zhduken pothuajse plotësisht rreth moshës 6 vjeç, moshë në të cilën është gati dhe kërkon të shkojë në shkollë.

 

Më poshtë do të sjellim renditjen e zhvillimit të dy planetëve të mëdha të gjuhës:

                                         

Mosha Të kuptuarit Të shprehurit
0-4  Muajsh Ø  Kthehet nga vjen zëri

Ø  Vëzhgon objektet

Ø  Qesh kur i flasin

Ø  Njeh nënën

Ø   Shpreh kënaqësi dhe dhimbje

Ø  Qan kur lind

Ø  Nxjerr klithma

Ø  Vokalizon

Ø  Nxjerr zëra kur i flasin

4-8 Muajsh Ø  Duartroket kur ia kërkojmë

Ø  Kupton emërtimet e ndonjë sendi

Ø  Reagon kur i flet me emër

Ø  Kombino disa zanore bashkë

Ø  Nxjerr tinguj të veçantë

Ø  I përgjigjet emrit të tij

8-12 Muajsh Ø  Njeh pjesëtarët e familjes

Ø  Ka një fjalor pasiv rreth 10 fjalë

Ø  Ndalon kur i themi jo

Ø  Shprehet me mimikë

Ø  Ka thënë fjalët e para

12-18 Muajsh Ø  Kupton një urdhër të thjeshtë dhe e zbaton atë

Ø  Jep objekte kur ia kërkojmë

Ø  Fillon të thotë “jo”

Ø  Përqafon prindërit

Ø  Përdor fjalë të tjera përveç “mama” dhe “baba”

Ø  Përsërit fjalë një rrokëshe

Ø  Shprehet me fjalë – fjalë

18 Muajsh –

3 Vjeç

Ø  Rrit ndjeshëm kuptimin e fjalëve

Ø  Përsërit fjali me 3-4 fjalë

Ø  Luan me fëmijët e tjerë

Ø  Luan me veten në pasqyrë

Ø  Ka filluar të flasë

Ø  Fjalori aktiv fillon të pasurohet

Ø  Bën fjali me më shumë se 2-3 fjalë

Ø  Bën shumë pyetje

Ø  Përdor për emrat përemrat pronorë si : i mi, i yti etj.

3-4 Vjeç Ø  Kupton shumë fjalë dhe njeh 4-5 ngjyra.

Ø  Vizaton një njeri , shtëpi etj.

Ø  Përdor intonacionin për pyetjet që bën

Ø  Fjalori i tij përmban rreth 1000 fjalë

Ø  Flet me vete kur luan

Ø  Tregon çfarë i ka ndodhur

Ø  Bën fjali të gjata

Ø  Përdor shumësin

4-5  Vjeç Ø  Vendos objekte në vendin e duhur

Ø  Ndjek me interes përrallat

Ø  Përdor fjali të përbëra

Ø  Tregon histori pa ndihmën e figurës

Ø  Përshkruan një objekt dhe shpjegon përdorimin e tij

5-6 Vjeç Ø  Kupton dhe njeh disa shkronja

Ø  Njeh disa profesione

Ø  Kupton shakanë

Ø  Ka miq

Ø  Respekton radhën kur luan

Ø  Pyet për fjalët që nuk i kupton

Ø  Përdor të ardhmen e të shkuarën

Ø  Përdor “sot” , “nesër” , “dje”

Ø  Flet rrjedhshëm e me korrektësi

Zhvillimi gjuhësor    

 

Ndodh që krahasimet e bëra nga prindërit mes zhvillimit gjuhësor të fëmijës së tyre me fëmijë të tjerë me të njëjtën moshë të bëhen burim shqetësimi për ta. Një fëmijë ka folur që 9 muajsh ndërsa tjetri po bëhet 2 vjeç dhe akoma nuk flet. Ky mund të jetë një shqetësim primar. Mjeshtërit e zhvillimit të fëmijës theksojnë se zhvillimi është individual e çdo fëmijë ka veçantinë e tij të zhvillimit. Fëmijët kanë nevojë t’i japin kuptim botës sapo ata lindin dhe për këtë përdorim gjuhën. Që në orët e para i porsalinduri tenton të ndjekë dhe t’ju japë kuptim pamjeve, erërave dhe tingujve. Ata fillojnë të komunikojnë përmes gjuhës jo verbale. Ata me të qeshurat apo me të qarat e tyre i drejtohen personit që kanë përballë për të dhënë mesazhe plot kuptim. Ata rriten, fillojnë të buzëqeshin, të flasin në mënyrë të brishtë, ndonjë pasaktësi e më në fund flasin lirshëm e janë gati të përballen me të rejat e të panjohurat.

Migena Kurushi, terapiste zhvillimi

Revista “Familja”, janar 2017