Zilia, sëmundje zemre

61

Në jetën tonë përballemi me situata të ndryshme dhe njerëz të ndryshëm. Shikojmë njerëz që janë poshtë nesh nga ana ekonomike, nga pamja fizike etj. Në një rast të tillë ne jemi falënderues ndaj Zotit tonë për mirësitë që na ka dhënë. Por çfarë ndodh kur ne shikojmë dikë që është më mirë se ne në shumë aspekte të jetës? Në këtë rast do të jemi falënderues apo do ndiehemi keq? Mos vallë ne ndiejmë zili për një person që është më i zgjuar se ne, për një person që ka marrëdhënie të mirë në familje apo për dikë i cili është më i pasur se ne?

Si përkufizohet zilia?

Dëshirë e madhe për të pasur ose për të arritur atë që ka që ka arritur dikush tjetër, ndjenjë lakmie apo keqdashje që na ngjallet kur shohim dikë tjetër më mirë se veten. Dëshira e largimit të një të mire nga një person dhe kalimi i saj tek ziliqari. Dhimbja kur sheh mirësitë dhe begatitë e ndryshme tek një person dhe dëshira për zhdukjen e tyre nga ai person. Zilia ka të bëjë me dhimbjen në gjoks të ziliqarit, ose ndjesia e keqe që e ndien ai kur i sheh të mirat tek të tjerët dhe njëkohësisht dëshira e tij e flaktë për t’u larguar ato nga tjetri dhe transferimi i atyre të mirave tek ziliqari.

Zilia është një cilësi regresive te njeriu, sepse ajo në radhë të parë dëmton personin që e ndien atë. Padyshim që çdo gjë që shkakton dhimbje në trupin e njeriut quhet sëmundje, e në këtë rast kemi të bëjmë me një sëmundje të shpirtit. Kjo sëmundje mund të lërë pasoja të rrezikshme, që ka nevojë për kurim dhe shërim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Njeriu duhet të marrë masat e duhura për ta luftuar atë dhe duhet të mësojë se cilat janë mënyrat e mposhtjes së zilisë.

Zilia fillimisht prek ziliqarin

Psikologët kanë vërtetuar që një arsye se pse njerëzit pësojnë depresione të shkallëve të ndryshme është zilia. Ajo është një burim stresi i pashmangshëm për personin që e ndien atë. Në rastet më ekstreme njeriu mund të kalojë dhe në çmenduri mendore. Pikërisht kjo është arsyeja që ne themi se fillimisht dëmtohet personi që ka zili në zemrën e tij. Po ashtu dëmtohet dhe personi që e kanë zili, forma e dëmtimit besoj është e njohur për të gjithë ne – mësyshi.

Shkaqet e zilisë

Zilia më së shumti ndodh tek njerëzit e të njëjtit profesioni apo zanati,  mes vëllezërve, fqinjëve, kushurinjëve e tjera. Motivi kryesor i zilisë është dashuria ndaj jetës së kësaj, ndërsa ai i cili e njeh Allahun, madhështinë e Tij, pafundësinë e të mirave të Allahut, i tilli nuk ka zili e as xhelozi.

Njeriu nga natyrshmëria e tij dëshiron pozitën dhe urren që dikush të jetë mbi të, si rrjedhojë e kësaj në veten e tij zhvillohen arsye dhe shkaqe të ndryshme që shkaktojnë zilinë ndaj të tjerëve, prej tyre mund të përmendim:

1. Armiqësia dhe urrejtja;

2. Mendjemadhësia dhe egoja;

3. Dëshira për pushtet dhe fame;

4. Ligësia shpirtërore dhe kopracia ndaj robëve të Allahut;

5. Frika nga rivaliteti dhe mosrealizimi i qëllimeve;

Dëmet e zilisë

Sigurisht se kjo sëmundje shpirtërore dhe fizike i ka dëmet dhe pasojat e veta të shumta, prej tyre janë këto:

1. Arrihet hidhërimi i Allahut në kundërvimin ndaj Tij, meqë zilia është shprehje mospajtimi me caktimin e Allahut, respektivisht e sheh caktimin e Allahut si të padrejtë dhe njerëzit që i ka goditur e mira e Zotit, i sheh si të padenjë për atë të mirë.

2. Sëmuret shpirti dhe trupi, e pastaj nuk i gjen ziliqari vetes shpëtim.

3. Ulja e pozitës së ziliqarit dhe degradimi i prestigjit të tij tek njerëzit.

4. Njerëzit neveriten me ziliqarin saqë nuk gjen asnjë dashamirës, veçse armiq.

5. Sjell hasmëri dhe i tret të mirat e Zotit.

6. Mbjellë urrejtje dhe mllef në zemër.

7. Zilia është burim i sherreve të mëdha dhe çelës i pasojave shkatërruese.

8. Zilia është mjet për degradimin e shoqërisë.

9. Zilia pasqyron nivelit e ulët të moralit dhe brishtësinë shpirtërore.

Në cilat raste lejohet zilia?

Zilia lejohet në rastet kur njeriu garon për vepra të mira. Kur dëshiron të jetë si dikush tjetër, por pa dashur t’i ikin mirësitë atij. Dijetarët për garimin kanë thënë: “Kërkimi i përngjasimit me njerëzit e devotshëm pa u dëmtuar ata, gjersa zilia ka për qëllim dëmtimin e atyre njerëzve të devotshëm duke iu larguar  mirësia që e posedojnë, apo veprat e mira që i bëjnë”.

Argumenta fetare që e ndalojnë zilinë:

1. Pejgamberi (s.a.s.v.) ka thënë: “Mos e armiqësoni njëri-tjetrin, e as mos u bojkotoni, e as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, e as mos kini zili, por bëhuni rob të Allahut e vëllezër, ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu” (Buhari dhe Muslimi).

2. Dhe ka thënë: “Në zemrën e njeriut nuk bashkohen besimi dhe zilia”.

3. Dhe ka thënë gjithashtu kur është pyetur, se cili njeri është më i miri, ai u përgjigj: “Çdo person i pastër në zemër dhe me gjuhë të sinqertë”. Ata thanë: “Gjuhë të sinqertë, këtë e kuptuam, por çdo të thotë i pastër në zemër?” Ai tha: “Ai është i devotshmi, i cili s’ka gjynah në të e as armiqësi, as urrejtje të fshehur e as zili” (Tra. Ibni Maxheh, 4216).

Si mund të mbrohemi nga ziliqarët?

Dijetari i madh Ibni Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “E keqja e zilisë së ziliqarit largohet duke përfillur dhe realizuar dhjetë çështje:

1. Të mbrojturit me Allahun nga sherri i ziliqarit duke iu kthyer vetëm Atij.

2. Frika nga Allahu, devotshmëria, zbatuar urdhrat dhe ndalesat e Tij,

3. Tregimi i durimit kundrejt armikut të tij, e jo duke iu kundërvënë atij me të njëjtën gjë, por nuk fitohet ndryshe ziliqari veçse përmes durimit.

4. Të mbështeturit në Allahun me zemër, kjo i mjafton robit nga çdo gjë dhe e largon çdo të keqe që s’ka mundësi t’i ruhet, qofshin ato padrejtësi apo hasmëri.

5. Robi nuk duhet të ndalet të mendojë për zilinë dhe xhelozinë e ziliqarit, duhet ta largojë atë nga mendja e tij sepse kështu e shpërfillë zilinë e tij.

6. Pendimi nga mëkatet, mëkate të cilat i kanë shkaktuar atij robi mbizotërimin e armiqëve të tij personal, pasiqë edhe Allahu i Madhërishëm në Kur’an (42:30) thotë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia)”.

7. Sadakaja dhe bamirësia e parreshtur, këto kanë ndikim të madh në largimin e fatkeqësive”.

“Nëse Allahu të provon me ndonjë të keqe, atë s’mund ta largojë kush pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij”.

KORRIK-GUSHT 2013