“Çmimi AIITC” nxjerr në pah vlera të krijimtarisë në shqip

58

“Mendjet e mëdha diskutojnë idetë, mendjet mesatare diskutojnë ngjarjet dhe mendjet e vogla diskutojnë njerëzit…”

Mungesat e shumta të shfaqura në politikat e institucioneve që kanë në epiqendër librin, si dhe mungesa e planeve afatgjata e permanente në promovimin e vlerave të punës shkencore e kulturore, ka bërë që mjaft institucione jopublike të ndërmarrin iniciativa të dobishme në shërbim të krijimtarisë. Ndër më të rëndësishmet për shqipfolësit është iniciativa e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me një çmim të përvitshëm ku vlerësohen autorët e përkthyesit më të mirë të librit në shqip dhe në gjuhë të huaj, poetët e rinj dhe piktorët – “Çmimi AIITC”. Pas akumulimit, klasifikimit dhe vlerësimit të konkurrentëve në të katër fushat e konkurrimit: autori më i mirë, përkthimi më i arrirë, krijimi më i bukur për moshat e reja, si dhe piktura më shprehëse. Juritë e përhershme profesionale shpallin fituesit e këtij çmimi.

Vlerësuar që nga fillimet e tij në vitin 1996 e në vijim, si çmimi më prestigjioz për krijimtarinë, ajo që e bën unik këtë çmim është dhe natyra religjioze e kulturore e tij. Janë mbi 960 krijimtari në fushat e shkencës, filozofisë, publicistikës, gjuhës, prozës e poezisë, artit e kulturës që kanë konkurruar për këtë çmim të madh ndër vite. Autorë me emër e krijimtarë të rinj që me penat e tyre e talentet kanë zënë piedestalin e vlerësimit.

Libri, në luhatjet e tij mes vlerave krijuese e ordineres që imponon mjedisi aktual, endet mes një të shkuare të ndritur, ku ai ishte dera nga navigoheshin perceptimet mbi gjithçka e mes së sotmes ku gjithçka mbi të navigohet në faqet e panumërta të internetit. Mes mesazheve që libri përcjell, që në të shumtën e herës janë shumë më të zbehta se vetë mesazhet e dhëna mbi vlerat e tij, në ikjet kah pragmatizmi dhe komercialiteti, forca të tëra përpiqen ta sjellin në qendër sërish.

Lexueshmëria, tematika apo kostot e botimit janë pjesë e një të pandare në lidhje me të. Ngritja e kontesteve të shumta e të llojllojshme i shërbejnë kthimit të librit në kultin e vet. Stili i të shkruarit, zhanri, brendësia e mesazhet, figurat e përdorura e deri tek  zhdërvjelltësia në shprehjen e mendimit, bëjnë që një libër të konsiderohet i arrirë. Peisazhet dhe mesazhi që përcjellin, dimensionet e ideve që bartin janë vendimtare për të fituar një konkurs, siç është “Çmimi AIITC”.

Si rezultat i shpalljes së këtij çmimi, kemi sot në dorë një numër veprash me vlera të pazëvendësueshme. Nxitja e motivimi i krijimtarëve, promovimi i vlerave dhe kthimi në fokus i rëndësisë së kultivimit të dijes janë nga objektivat kryesore të kontestit.

Këto e të tjera vlera kanë bërë që Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam të kthehet në qendër takimesh të shkrimtarëve, përkthyesve e piktorëve shqiptarë, institut i cili synon të vërë në lëvizje energjinë njerëzore, frymëzimin e pastër, në të mirë të shoqërisë.

Ky çmim tashmë zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Mbështetja kryesore e tij janë idetë e mëdha që përcjell dhe risitë që prezanton çdo vit në fushën e krijimtarisë e artit, duke pasuruar rrënjët e veta dhe kthyer në një standart të ri të vlerave bashkëkohore. AIITC mirëpret penat e mendimit, kulturës e artit të garojnë për kurorën e madhe “ Çmimi AIITC”.