Intervistë me Shejma Ramadanin, mbesa e Mulla Jakup Asipit

3691

Në gjurmët e frymëzuesit të përjetshëm fetar të popullit

“Tash le t’i përvishemi punës e të bëhemi edhe ne personalitete të shquara

për kohën që po jetojmë…”

  • Zonjushë Shejma, cila është origjina e familjes suaj?

-Familja ime është një familje me tradita fetare dhe kombëtare nga fshati Sllupçan i Kumanovës (Maqedoni). Mulla Jakup Asipi (Zoti e mëshiroftë!) ka qenë xhaxhai i babait tim. Unë kam patur fatin ta njoh, pasi kam qenë 14 vjeçe kur mulla Jakup Asipi ndërroi jetë.

  • Kur keni vendosur të mbartni mbulesën islame? Çfarë simbolizon ajo për ju?

-Siç thashë edhe më lart familja jonë është me tradita islame dhe mbulesa në familjen tonë është pjesë e jetës sonë dhe normale për femrat kur mbushin moshën rreth 15 vjeç. Edhe unë në fillim të shkollës së mesme kam vendosur të mbart mbulesën islame. Shamia për mua është një normë fetare e rekomanduar nga Kurani që prezanton pamjen e femrës muslimane.

  • Pse vendosët të studionin për profilin Ekonomi në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup?

-Universiteti Ballkanik ishte një trend i ri në Maqedoni dhe kishte edhe kushte të përshtatshme për mua, kuptohet nëse e fiton bursën. Prandaj dhe konkurrova dhe fitova bursën. I jam falënderuese stafit të universitetit. Që në shkollë të mesme jam përcaktuar për drejtim ekonomik, prandaj edhe shkollën e mesme e kam bërë në këtë drejtim. Marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare ishte për mua një drejtim ku më dha më shumë kureshtje për ta studiuar nga fakultetet tjera dhe më hap më shumë rrugë për të ardhmen.

  • Data 2 maj 2001 është një ditë historike për fshatin Sllupçan të Kumanovës, sa e njihni ju historinë e vendlindjes suaj?

12973398_942423102539355_122739666416537069_o

-2 maji është një ditë e re për zonën tonë por me një domethënie të veçantë. Në këtë datë UÇK e shpalli zonë të lirë, dmth nga 2 maji zonën nuk e kontrolloi më shteti por Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Unë në atë kohë isha 9 vjeçe. Vendi ynë ka patur shumë herë rezistenca për mbijetesë të traditave të veta. Një moment që e mbajnë mend të vjetrit e fshatit është 5 shkurti i vitit 1951. Atë ditë ka qenë i tërë fshati në shtet-rrethim për heqjen e mbulesës së femrave që deri në atë kohë nuk ka patur femër pa mbulesë. Për heqjen e mbulesës është dashur një makineri e tërë ushtarake-policore. Një rezistencë gati të ngjashme e ka patur fshati edhe në vitin 1988 me rastin e rrënimit të rrethimeve (mureve) të oborrit. Ka qenë një aksion gjithashtu shtetëror për rrënimin e këtyre mureve për shkak të traditës islame që ishte në këtë rajon. Në këtë vit gjithashtu ka patur disa nga fshatarët tanë që u mbyllën nëpër burgje për shkak të protestave për hapjen e shkollave shqipe meqë shteti i pati mbyllur ato. Edhe në vitin 1982 nga ky fshat ishin dënuar me burg disa nga profesorët e shkollave të mesme, që të ndalohej shkrimi në gjuhën shqipe nëpër ditare të orëve mësimore.

  • Në maj të vitit 2010 babai juaj, z. Sead Ramadani, ka qenë pjesë e anijes ndërkombëtare me furnizime për palestinezët. Si e mbani mend momentin kur babai juaj u kthye në atdhe?

– Ai moment më kujtohet shumë mirë, ku të gjithë ishim të gëzuar, kishin dalë qindra persona për përkrahjen e popullit palestinez dhe njëkohësisht për pritjen e tre humanistëve. Arritja e tyre ishte madhështore për të gjithë ne sepse i krahasonim si heronj, kurse unë isha shumë e lumtur për kthimin e babait tim në shtëpi, por njëkohësisht edhe e mërzitur për mos përfundimin e rrugëtimit që kishte ndërmarrë.

  • Si është sot gjendja e gruas muslimane në Maqedoni dhe veçanërisht në Sllupçan, ku ju jetoni?

-Gruaja muslimane në Maqedoni në pjesën më të madhe është zonjë shtëpie, por shumë e respektuar. Gruaja muslimane ka ecur drejt studimeve nëpër fakultete dhe shkolla të larta. Ajo është ende e paragjykuar nga strukturat shtetërore. Në fshatin Sllupçan (Kumanovë) gruaja muslimane është edukatore në shkolla, jeton një jetë të lirë me standarde të barabarta të nivelit të femrave.

  • Si e mbani mend hoxhë Jakup Asipin? Na e përshkruani në pak rreshta personalitetin dhe kontributin e tij.

12963401_1141663585894271_1009184604392824794_n

– Duke qenë se kam qenë 14 vjeçe kur ai ka ndërruar jetë, mbaj mend që Mulla Jakupi na vizitonte shumë shpesh. Ai ishte një njeri që dinte të na gëzonte me fjalë të ngrohta dhe inkurajuese. E mbaj mend si një njeri që dinte të na gëzonte gjithmonë me ndonjë humor të këndshëm. Dinte të na përgëzonte për sukseset dhe të na inkurajonte sidomos kur dëgjonte për sukseset e shkollës. E mbaj mend si një njeri që dinte të afrohej shumë shpejt dhe nuk të linte të dyshoje në afërsinë me të.

  • Prej pak muajsh ka dalë ilahia më e re e Adem Ramadanit kushtuar Mulla Jakupit. Cila ishte ndjesia juaj kur e dëgjuat për herë të parë?

-Ilahia e Adem Ramadanit i dha një publikim hoxhës Jakup Asipi, duke marrë përmasa shumë të mëdhaja në mbarë trojet shqiptare, ashtu siç ishte edhe vetë hoxhë Jakup Asipi. Ndjenja ishte edhe një gur mbi themelin e përjetësisë së Jakup Asipit në mesin e popullit.

  • A keni ndonjë thënie të Mulla Jakupit, të cilën e preferoni më shumë dhe që mund të thoni që është filozofia e jetës suaj?

– Thënia ime e preferuar e mulla Jakupit është: “Lexo! Lexo gjithçka që është për t’u lexuar në këtë botë, sepse pa lexim jemi popull i prishur! Pa lexim jemi qumësht i prishur!”

  • Aktualisht ju jeni aktiviste pranë shoqatës edukative “Vllazania”, cila është veprimtaria e kësaj shoqate?

-Nuk jam aq aktive sa do doja në shoqatën “Vllaznia” për shkak të angazhimeve të mia në studimet universitare. Megjithatë jemi gjithmonë aty pranë aktivistëve të tjerë që janë aty rregullisht. Shoqata edukative “Vllaznia” ka disa sektorë që veprojnë në kuadër të saj:

  1. Sektori i jetimëve, B. Sektori për edukim, C.Sektori për mirëqënien sociale (familjet e varfëra), D.Sektori mbi veprimtarinë e Jakup Asipit.

Në kuadër të sektorit mbi veprimtarinë e Jakup Asipit në këtë shoqatë janë bërë disa aktivitete. Fillimisht kasetat që kanë qenë të inçizuara të derseve (mësimeve) të Jakup Asipit janë transferuar në CD. Më pas është bërë shumimi i tyre dhe janë shpërndarë në mbarë trojet shqiptare. Këtë aktivitet e kanë bërë edhe njerëz të tjerë por edhe shoqata. Gjithashtu janë botuar librat “Për diturinë”, “Sinqeriteti”, “Mbi edukatën islame”,“1000 thëniet e Jakup Asipit” dhe është përgatitur filmi dokumentar “Një hoxhë si ky”. Aktiviteti më i fundit ishte simpoziumi shkencor “10 vjet pa hoxhë Jakup Asipin”, zhvilluar në janar të këtij viti.

  • Cili është raporti juaj me familjen? Po me shoqërinë?

naa

– Familja ime është dhe do të mbetet gjëja më e shtrenjtë për mua ndërsa prindërit e mi do të mbeten njerëzit më të mrekullueshëm në botë, shpesh jua shpreh dhe jam shumë e lidhur me ta dhe për çdo vendim pres pëlqimin e tyre.
Kurse për sa i përket shoqërisë, asaj të ngushtë jam shumë e lidhur mund të them që i konsideroj si motra pasi që mirëkuptohemi shumë mirë dhe e përkrahim njëra-tjetrën gjithashtu dhe këshillohemi për çdo gjë, ata janë që më kanë dhuruar momentet më të mira në jetë.

  • Cilat janë disa nga angazhimet tuaja aktuale?

-Jam e angazhuar si aktiviste në Forumin Rinor Islam, dega Kumanovë, kurse për momentin i jam përkushtuar më shumë fakultetit pasi jam në përfundim të studimeve.

  • Raporti juaj me dijen dhe librin. Keni ndonjë libër të cilin e preferoni më shumë?

-Dijen e kërkoj kudo dhe nga çdo kush por shumicën e rasteve kërkimi më i mirë është përmes librave. Raporti im me librin është i mirë dhe jo perfekt, sepse më shumë i përkushtohem literaturës shkollore dhe në shumë raste edhe literaturës së përgjithshme. Kam lexuar shumë libra, i lexoj të gjithë, sepse më pëlqejnë pasi na furnizojnë me dije dhe me njohuri shumë të thella dhe të begatshme. Kam shumë libra të preferuar por do të përmendja veçanërisht librin “Përmirësimi i zemrave” me autor Amër Halid.

  • Cili është vizioni juaj për të ardhmen? Ku e shihni veten tuaj pas disa vitesh?

13103378_1186168314757288_6694697086136733322_n

– Me çfarëdo që të merrem shpresoj të jem në shërbim të popullit e të ndihmoj me çdo gjë që të mundem. Në të ardhmen e afërme dua që të vazhdoj studimet master në shtetin e Turqisë, drejtimi Diplomaci apo Komunikim Ndërkombëtar, kurse pas disa vitesh shpresoj të bëj pjesë në institucione ose organizata të ndryshme ndërkombëtare ose në shërbimin diplomatik të Republikës së Maqedonisë.

  • Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

– Nëse dëshironi të ndodhë ndryshimi, ai nuk ndodh brenda natës, por nëse çdo njëri nga ne do t’i zbatonte obligimet e veta, ditë pas dite gjithçka do të ndryshonte. Filloni të mendoni si të ndikoni në botë! Bëhuni pjesë e zgjidhjes!

Intervistoi: Armida Plumbi

Revista “Familja”, qershor 2016