Intervistë me avokaten Rovena (Tujani) Klinaku, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Dialog dhe Mosdiskriminim, Prishtinë

4469

Intervistë me avokaten Rovena (Tujani) Klinaku, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Dialog dhe Mosdiskriminim, Prishtinë

Intervistoi: Armida Plumbi

Rovena (Tujani) Klinaku ka lindur në Tiranë, më 12.11.1988. Ka mbaruar Medresenë e Tiranës dhe më pas ka ndjekur studimet për Drejtësi. Është diplomuar në grupin e studenteve me rezultatet më të larta. Më pas ka ndjekur studimet Master shkencor në Universitetin e Tiranës, dega “E drejtë Publike”. Paralelisht ka ndjekur studimet Master shkencor për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në një universitet privat. Në vitin 2014-2015 ka ndjekur Shkollën e Avokatisë dhe me 30.10.2015 ka fituar Licensën e Avokatisë dhe të drejtën për ta ushtruar profesionin.  Me këtë rrugëtim bën pjesë në femrat e para në trojet tona, me shami si avokate. Prej një viti punon si koordinatore projektesh në Këshillin e Bashkësisë Islame,Vushtrri. Aktualisht është gjithashtu drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Dialog dhe Mosdiskriminim, Prishtinë. Gjithashtu është aktiviste me artikuj, konferenca dhe opinione.

Sa aktive është Rovena?

Gjithmonë kam ndjesinë që nuk jam aktive aq sa duhet dhe mendoj se kam të drejtë. Sigurisht gjatë kohës së studimeve kasha me shumë kohë të lirë dhe ja dedikoja të gjithën aktiviteteve dhe angazhimeve akademike. Unë kam rreth 16 muaj që kam lindur djalin tim Reisin dhe kohën më të madhe ja kam dedikuar atij. Por gjatë kësaj kohe kam punuar me projekte part-time dhe me artikuj, opinione, shkrime, konferenca. Tani sapo kemi themeluar dhe Institutin për Dialog dhe Mosdiskriminim ku shpresojmë që të merremi më çështjet që i godasin shpesh muslimanët, me diskriminimin dhe me shanset jo të barabarta. Synojmë të sjellim një frymë bashkëpunimi, dialogimi dhe të merremi konkretisht qoftë dhe ligjërisht me rastet e cënimit të të drejtave të muslimanëve në tërësi.

Kur keni vendosur të mbartni shami dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

Shaminë kam rreth 12 vite që e kam vendosur. Në vitin e dytë ne medrese ishim në muajin e bekuar të Ramazanit, në 10 ditëshin e fundit. Kisha kohë që doja ta vendosja shaminë por frikësohesha nëse do isha e denjë ta mbaja atë përgjegjësi morale dhe etike përpara njërëzve. Faleminderit Zotit e mora guximin dhe xhumanë e fundit të atij muaji u mbulova. Shamia simbolizon përgjegjësi para njerëzve. Në atë moment që je me shami nuk je vetëm Rovena, por je “muslimanja”. Çdo motër e mbuluar e di çfarë do të thotë kjo përgjegjësi. Në të njëjtën kohë sa herë e mbuloj veten me shami ndiehem e mbuluar nga paqja, siguria dhe qetësia.

Pse vendosët të studioni drejtësi?

Në fakt drejtësia nuk ka qenë dega ime e preferuar, por ishte dega ime e përzgjedhur. Në vitin që do rregjistrohesha në fakultet po diskutohej në media që pasaportat e reja biometrike që të ishin të gjitha të një standarti, dmth që dhe femrat e mbuluara në foton e pasaportës duhet të dilnin pa shami. Kjo ishte nxitja ime pasi e pashë që po shkeleshin të drejtat e muslimaneve dhe mendova të studioj drejtësi me qëllimin dhe dëshirën që kur të ketë shkelje të drejtash të muslimanëve pse mos ketë avokate që t’i mbrojë ato. Lus Zotin të jem prej atyre që përfitojnë muslimanët në këtë aspekt!

Si ndihesh sot pas marrjes së titullit Avokate?

14362602_10208746708319827_7020583025232555980_o

Avokate ka shumë por të mbuluar me shami ka shumë pak dhe për këtë ndiehem shumë e lumtur. Në total nuk jemi më shumë sesa 3 avokate me shami në trojet shqiptare. Çdo herë që ndiqja leksionet e avokatisë e shihja që mes 200 studenteve isha e vetmja me mbulesë që pretendoja të bëhesha avokate. Kjo ishte sfidë, herë pas herë jam ballafaquar dhe me vështirësi të rënda por të gjitha i kam kapërcyer. Tani avokatia është tërheqje vëmendje që të jem vigjilente dhe ta shfrytëzoj në interesin tonë.

Prej pak vitesh ju keni krijuar familjen në Kosovë. Duke qenë që e njihni nga afër realitetin e saj, në këndvështrimin tuaj cilat janë sfidat që përballet gruaja muslimane?

Po e vërtetë prej dy vitesh jetoj në Kosovë. Jam e martuar dhe kam krijuar familjen time. Sfidat që ballafaqohet femra në Kosovë në fakt janë sfidat ballkanike të femrave. Femrat muslimane mbi të gjitha vuajnë nga barrierat që ja kanë vendosur vetes dhe si rrjedhojë e ka vendosur dhe shoqëria duke e marrë të mirëqenë. Deri vonë sfidë ka qenë arsimimi, por fal Zotit arsimimi i femrave muslimane është i kënaqshëm dhe cilësor. Them cilësor pasi femrat me mbulesë në shumicën e rasteve janë studentet më të suksesshme të fakulteteve. Sfida aktuale është punësimi. Diskriminimi që vjen si pasojë e mbulesës ka qenë dhe mbetet një sfidë në shoqëritë tona.

Aktualisht jeni aktive në artikuj dhe analiza. Si ju ka lindur pasioni për shkrime?

Në përgjithësi shkrimi është një formë e reagimit rreth një realiteti që nuk pajtohesh por e ke të vështirë ta ndryshosh. Një profesor i nderuar kur lexonte artikujt dhe analizat që bënim gjatë studimeve më komplimentonte dhe thoshte që duhet të nisja të shkruaja rreth problematikave aktuale.  Fillimisht kisha ndroje dhe mungesë besimi por kur e botova shkrimin tim të parë u ndieva shumë mirë. Komentet ishin shumë inkurajuese. Unë nuk shkruaj shpresh, nuk synoj përfitime ekonomike, por mundohem të sjell një ide ndryshe, mendim ndryshe, apo alternativë ndryshe. Ky është kontribut modest dhe i sinqertë nga ana ime.

Cili është raporti juaj me familjen e veçanërisht me motrën tuaj?

12248194_1698828677030203_3027366300017150617_o

Në përgjithësi njihem si njeri i lidhur shumë me familjen time. Dhe pse jetoj në Kosovë dita ime nuk nis dhe nuk përfundon pa biseduar disa minuta me familjen në Tiranë mbi të gjitha me mamin. Kjo është një rutinë e pandryshueshme pasi nuk mundem ndryshe. Kam nevojë për to aq sa ato kanë nevojë për mua.

Me bashkëshortin dhe djalin kemi krijuar dhe ne një familje të vogël. Bashkëshorti për mua është mbështetje, shok dhe ndihmës i mrekullueshëm. Me familjen e tij kam raporte shumë të mira.

Sa i përket motrës Sarës, ajo studion prej vitesh në Turqi. Ne kemi diferencë në moshe dhe kjo më ka bërë gjithmonë të mendoj që është shume e vogël. Kujtoj një rast ku në një debat akademik në universitet, gjatë studimeve master, Sara më shoqëronte. Në një moment profesori i kalon fjalën Sarës duke menduar që është student e universitetit dhe Sara dha një përgjigje të shkëlqyer. U ndieva shume krenare dhe aty reflektova dhe rikujtova që Sara tanimë nuk është vetëm motra ime e vogël por ajo është rritur duke u kthyer në shoqe. Ndiej që nuk kemi diferencë në moshë, por vetëm diferencë në mendime. Ajo karakterizohet nga natyrë paksa të ndryshme nga e imja. Por ndryshimet mes nesh e bëjnë lidhjen tonë dhe më të veçantë pasi ne jemi me njëra-tjetrën gjithmonë, pavarsisht mendimeve të ndryshme. Ajo tani është mikja ime, shoqja ime, kritikja ime dhe motra ime e shtrenjtë.

Falënderoj Zotin me gjithë shpirt për familjen që më ka dhuruar, ndiehem me fat!

Po me shoqërinë?

Në raport me shoqërinë jam një tip i qëndrueshëm. Kam shumë të njohura por pak shoqëri të afërt. Prej vitesh shoqërohem me një grup të vajzave që ndajmë deri diku të njëjtat ide ose të paktën të njëjtat qëllime të jetës. Çuditërisht jemi të ndara në qytete të ndryshme Shkup, Mitrovicë, Tiranë, Durrës etj. por gjithmonë gjejmë kohë për t’u takuar. Kam pak mikesha, por e falënderoj Zotin që më ka bashkuar me vajza të mira dhe me vlera.

Cila është lidhja me djalin tuaj Reisin?

Që në momentin e parë që dëgjoj apo lexoj emrin Reis, zemra më rreh. Lidhja imja me Reisin është një lidhje që nuk mund ta përshkruaj. Ai i ka dhënë çdo gjëje kuptim. Çdo hap që ai hedh e zbukuron vendin në sytë e mi. Çdo veprim që bën më duket veprimi më i bukur. Ai për mua është më i shtrenjtë se çdo gjë dhe se çdo njeri. Çdo nënë e kupton çfarë dua të them. Reisi im më ka mësuar një mënyrë tjetër të menduarit, të vepruarit. Tani për mua dhe bashkëshortin tim Reisi është qendra e botës dhe më shumë se kaq. Ai është drita jonë, jeta jonë, lumturia jonë, gëzimi jonë, shpirti jonë, vullneti jonë dhe motivi jonë.

Si ka ndryshuar jeta pasi jeni bërë nënë?

15036210_1223442191032576_5033336149791611838_n

Statusi “nënë” është një status i ri dhe i mrekullueshëm, por në të njëjtën kohë me përgjegjësi të mëdha. Është status i vështirë për t’u ambientuar. Çdo nënë e re e kupton që ndjehet e panjohur me botën e re në të cilën ballafaqohet. Në duart tua tani qëndron një engjëll i vogël që mbështetet plotësisht tek ty. Ti i siguron ushqimin, sigurinë, dashurinë, ngrohtësinë, rritjen. Ndonjëherë kjo përgjegjësi të kaplon plotësisht dhe e sheh veten që je plotësisht e përfshirë vetëm në rritjen e engjëllit të vogël. Dhe unë në fillim jam marr vetëm dhe ekskluzivisht me djalin tim duke lënë çdo gjë mënjanë. Më pas fillova të merresha pak me projekte nga shtëpia për shkak të pamundësisë që të dilja. Kjo gjendje vazhdoi derisa djali mbushi 1 vjeç. Pasi ai nisi të hedhë hapat e para vetë, atëherë fillova pjesërisht të merresha bashkë me kolegen time me themelimin e Institutit. Jeta ka ndryshuar me Reisin pasi ai e ka bërë atë më të bukur, por edhe më të lodhshme.

Raporti juaj me dijen dhe librin?

Dija për mua është përgjegjësi dhe amanet që ja ka dhënë Zoti njeriut. Përgjegjësia është e dyfishtë, për ta mësuar dhe praktikuar. Pra për mua dija nuk është fakultative por obligative. Në çdo ambjent të shtëpisë sonë shihen libra të vendosur. Ato lexohen dhe rilexohen nga bashkëshorti dhe unë. Çdo besimtare duhet të jetë e lidhur me dijen aq sa me ekzistencën e vetes. Mendoj dhe lus Zotin që rrugëtimi im me dijen dhe librat të mos përfundojë kurrë!

A keni ndonjë thënie të preferuar që mund të thoni që është filozofia jetës suaj?

Po patjetër. Kam përmbledhjen më të mrekullueshmë që mund të lexoi njeriu ndonjëherë. Është e shkurtër por përmban të gjitha rregullat më të përparuara për jetën dhe socializimin e njeriut. Është “Hutbja Lamtumirës” e Profetit Muhamed (a.s.). Aty kam gjetur kushtetutën më të moderuar të njerëzimit, ku çdo kategorie i jep të drejtat e tyre. I trajton në mënyrë dinjitoze, të drejtë, të ndershme. Nuk ka diçka më brilante që mund të thuhet a lexohet sesa kjo hutbe.

Cilat janë angazhimet tua aktuale dhe planet për të ardhmen?

Prej një viti punoj si koordinatore projektesh në Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri. Punoj me departamentin e gruas për projekte që janë në kuadër të socializimit të gruas muslimane në Vushtrri. Kjo është një punë e pjesshme, por që e bëj me shumë dëshirë. Në Institutin për Dialog dhe Mosdiskrimin me zyrë në Prishtinë, mbaj përgjegjësinë e drejtoreshës ekzekutive. Në këtë institut ndiehem më e lirë të punoj sipas përgatitjes sime profesionale. Kemi shumë plane dhe projekte. Duam që ky institut të bëhët zëri i shumë muslimanëve. Duam të denoncojmë rastet e diskrimimimeve me karakter fetar, duam që të ndihmojmë në dialogun kombëtar. Zoti na ndihmoftë!

Mesazhi juaj për revistën “Familja”.

Revista “Familja” ka arritur t’i tejkalojë të gjitha sfidat falë punës së mrekullueshme që bëhet. Fjala e shkruar është përgjegjësi, lodhje dhe sakrificë dhe nga ana tjetër është bukuri e madhështi. Mesazhi im është që çdo fjalë që do ta “mbillni” në këtë revistë, të mbijë prej saj aromë e mirë, dashuri për njerëzit dhe Krijuesin!

 

Revista “Familja”, dhjetor 2016