“Katrorë”, një rikthim në traditat e hershme të vjershërimit

83

Së fundmi vërehet një rikthim në traditat e hershme të vjershërimit dhe një nga këto botime është ai i autorit Roald Hysa me titullin intrigues “Katrorë”. Katrorët e Hysës janë në fakt një libër me rubaiate, katërvargëshe, një gjini që i atribuohet kryesisht poetit pers Omar Hajam, që e bëri këtë gjini të njohur ndërkombëtarisht. Rubairat e Khajamit u sollën në shqip mjeshtërisht nga Fan Noli dhe janë të mirënjohura për publikun e gjerë, por kemi edhe një version tjetër të rubaijateve të Hajamit të përkthyera nga Hafiz Ali Korça. Rubairat e Nolit erdhën në shqip nga anglishtja, ndërsa të Hafiz Aliut nga gjuha origjinale, persishtja.

Ndërsa në rastin e Katrorëve të autorit Roald Hysa, kemi një përpjekje të parë autoriale në këtë lloj gjinie. Vetë autori e ka ndarë librin e tij në tri pjesë: ‘Ab initio’, ‘Ilham’ dhe ‘U…’. Tri terma nga latinishtja, arabishtja dhe shqipja janë emërtimet e këtyre tri pjesëve, ku secila prej tyre ka një kuptim të thellë e të gjerë. Numri i rubairave është 56, kurse periudha e shkrimit të tyre i përket një 8-vjeçari, atij 2008-2016. Tek ‘Ab Initio’- ‘Nga fillimi’, rubairat i përkasin temave të përgjithshme. Në pjesën e dytë ‘Ilham’- ‘Frymëzimi’, gjejmë që autori shpreh dashurinë e tij ndaj Zotit të Madhëruar dhe Fjalës së Tij të lartë, që buron nga Kurani, si dhe për të Dërguarin e Tij Muhamedin (a.s.). Pjesa e tretë është shumë personale dhe nëpërmjet vargjeve të ndjera ai dëshiron të shprehë universin e tij, përjetimet e ndryshme në kohë. ‘U…’ është përemri vetor unë në trajtën e shqipes së vjetër, që e tejkalon edhe shqipen e Buzukut.

Ja se si shprehet vetë autori për këtë libër:

“Momenti i parë ka qenë si një rrufe në qiell të hapët, ku edhe vetë ngjyrat e asaj dite përshkoheshin nga një ndriçim i jashtëzakonshëm. Brenda 24 orëve e kam projektuar idenë se si do të ishte libri, paraqitjen dhe si do të niste. Ajo ditë ka qenë e përjetuar lart emocionalisht, jetoja diku tjetër për vetë faktin se doja të ishte një botim i veçantë. Rubaia e fundit në libër ka qenë ndër të parat e shkruara, dhe ajo që gjendet në hapje të saj ka qenë e fundit që kam shkruar. Një numër rubaish nuk janë futur në këtë libër, se nuk ma mbushën mendjen që mund të shohin dritën e botimit. Dashuria për Zotin e Madhëruar dhe Muhamedin (a.s.) është një fill, që e ka përshkuar poezinë time edhe më herët.”

27164623_2296023013756620_2772379696063475636_o

E veçanta e këtij botimi është se autori ka përdorur teknika të posaçme për paraqitjen grafike të këtij libri. Është përdorur makina e shkrimit për t’i shkruar rubaitë, libri nuk ka numra faqesh, letra e përdorur me ngjyrë të verdhë të sjell ndërmend vjetërsinë dhe librat shumë të vjetër. Libri më tepër i ngjan një albumi fotografik me lidhje speciale, ku çdo rubai është një pamje më vete, një peizazh i fantazuar nga autori.

Rubairat si korniza poetike

“Jo vetëm një pikturë a tablo fizike, por çdo figurë në përgjithësi, qoftë edhe një imazh i përfytyruar, qëndron gjithmonë brenda një kornize. Sepse edhe përfytyrimi ynë për një objekt a rrethanë estetike abstrakte ka kornizën e vet brenda imagjinatës sonë. Ai objekt a ajo rrethanë qëndron brenda kornizës që ndërtojnë kufizimet tona personale, të cilat janë rrjedhim i mënyrës se si ne e shohim atë objekt a rrethanë në subjektivitetin tonë. Ndaj edhe teoricieni gjerman i artit, Hans Belting, ka të drejtë kur thotë: “Që figura është ajo që qëndron brenda një kornize, është një nga zbulimet më të mëdha.”

Me “Katrorët” e vet, Roaldi, gjithashtu, ka sot rastin që të rindërtojë në përfytyrimin tuaj një kornizë. Ndërsa “rubaitë” apo, fjalë për fjalë, “katrorët”, si katërvargësha të vjershërimit pers e osman, janë të njohur për lexuesin shqiptar kryesisht përmes Omar Hajamit, lidhja ndërtekstuale e zgjdhur nga Roaldi që në titullin e librit mundëson që lexuesi të fantazojë e ta rindërtojë kornizën e imazhit të vet mbi “katrorët” perso-osmanë duke zgjuar të tjera përfytyrime të reja në aktualitet.

Dhe sa herë që arti vetë bëhet objekt i artit në një përmasë metaartistike, ka diçka të veçantë që tërheq e shijon. Ky është rasti me “Katrorët” e Roaldit që na zhvendosin nga një kornizë e vjetër në një të re, pa ndryshuar në asnjë rast realitetin, gjithashtu, katror të kornizës. Shijojini, pra, “katrorët” në katror, bashkë me një kafe, që gjithashtu është pjesë e tablosë orientale brenda kornizave tona imagjinare.”

(Edvin Cami, studiues)

Mars 2018