Rrugëtimi im drejt njohjes të së vërtetës – Intervistë me gazetaren e parë me mbulesë në Maqedoni, Farije (Dauti) Bakiu

3629

 Intervistoi: Armida Plumbi

Farije Bakiu është gazetarja e parë e mbuluar në Maqedoni, e cila punon në terren. Vite më parë nisi karrierën e saj të suksesshme si spikere dhe prezantuese emisionesh. Më pas vendosi të heqë dorë nga fama, pasi vendosi të mbulohet. Ajo tani i mungon ekraneve televizive, ashtu siç ishte prezente në çdo edicion të lajmeve. Tashmë ajo e ushtron me të njëjtin pasion dhe përkushtim profesionin e saj të gazetares në terren, duke mos patur asnjë kompleks nga mbulesa e saj.
Në këtë intervistë për revistën “Familja”, ajo rrëfen eksperiencën dhe rrugëtimin e saj drejt njohjes të së vërtetës..

Znj. Bakiu, ju keni qenë moderatore e njohur në Maqedoni. Mund të na thoni se si e morët vendimin për t’u mbuluar me mbulesën islame, kur ju ishit ballafaquar me shumë sfida e vështirësi për të ndërtuar një karrierë të suksesshme?

Në fakt unë kam qenë prezantuese lajmesh dhe drejtuese emisionesh, por pasi u mbulova u largova nga ekrani për të ushtruar detyrën e gazetares së terrenit, sepse për drejtuesit e institucionit ku unë punoj, mbulesa shfaqet si pengesë për paraqitje publike. Mbulesa ishte një dëshirë e fshehur thellë brenda meje të cilën kurrë nuk e kam shprehur, sepse ka ndikuar rrethi shoqëror ku besimtarët i shihnin si objekt talljeje dhe kjo më bënte të jem e ndrojtur për ta shprehur. Gjithmonë nëse dikush mundohej ta njolloste Islamin jam munduar ta mbroj me ato pak njohuri që kam patur, pavarsisht nëse unë nuk kam qenë në rrugën e duhur, e dija se ajo ishte e vërteta. Mënyra se si kam jetuar nuk përkonte fare me Islamin, prandaj ky vendim për të gjithë ishte i papritur por jo edhe për ata që më njohin mirë dhe i kishin vërejtur ndryshimet e mia dy vitet e fundit, para se të mbulohem. Ka pasur faza në jetën time kur i jam përkushtuar besimit në vetmi, por shpejt jam larguar sepse është e pamundur në të njëjtën kohë edhe të falesh edhe të bësh vepra të cilat bien ndesh me Islamin, kur paralelisht bëhen të dyjat njëra sigurisht do të dështojë. Në momentin që mora vendimin për t’u mbuluar, isha duke falur namazin e jacisë, ka qenë dita e dytë e Fitër Bajramit. Deri sa falesha e vetme dhe plotësisht e nënshtruar para Krijuesit Madhështor në sexhde iu luta fort: “O Zot më jep guximin të mbulohem”, sepse natyrisht sa herë që kam tentuar ta bëj një gjë të tillë më ka munduar ajo, se çfarë do të thonë njerëzit për mua? A do të më gjykojnë për të kaluarën time jashtë të vërtetë? Si do të përballem me ata? Pastaj edhe profesioni si prezantuese të cilin e kam bërë me shumë pasion dhe për ndërtimin e të cilit më janë dashur shumë vite. Në atë çast vendosa të mos mendoj për asgjë, sepse e dija se do të hiqja dorë, ia dorëzova të gjithë çështjen Zotit me bindje të plotë se Ai do mi hapte të gjitha dyert e jetës, nëse unë e mbyllja njërën derë, pra kjo ishte karriera ime e ndërtuar për kaq vite. Pasi bëja adhurimin e fundit në namaz, duke medituar pyeta veten: “Përse i kërkoj Zotit diçka që e kam? (mbulesën që ia kërkoja e kisha në kokë). Thashë, nuk do ta heq më pas këtij namazi”. Thjesht ishte përgjigjja e shpejtë e Zotit ndaj lutjes që bëra.

Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, pra t’i përkushtoheni tërësisht Islamit, duke u mbuluar dhe praktikuar obligimet fetare si besimtare muslimane?

Të ndryshosh vizionin për jetën, bindjet, planet dhe të gjithë mënyrën e jetesës duke përfshirë edhe shoqërinë, normalisht kjo kërkon kohë dhe nuk bëhet brenda natës por gradualisht. Dy vite përpara se të mbulohem fillova të lexoj literaturë fetare, të ngre dilema për shumë çështje dhe të kërkoj përgjigje për shumë pyetje që më mundonin, dëgjoja ligjërata të dijetarëve të ndryshëm por në ligjëratat e dr. Zakir Naik kam gjetur shumë përgjigje të argumentuara shkencërisht, pastaj fillova të fal namazin rregullisht dhe të largohem nga vendet të cilat e hidhërojnë Zotin. E kështu me rradhë.

Si ka qenë jeta juaj kur ishit aktive në ekranet televizive maqedonase?

IMG_2916

Pasi fillova të punoj në Shkup, u shpërngula nga vendlindja ime, Kërçova, duke jetuar e vetme larg familjes. Këtu u përballa me shumë vështirësi për të realizuar ëndrrat. Zoti më mundësoi t’i arrij të gjitha synimet në jetë, ndoshta për ta kuptuar se asgjë nuk është ashtu siç duket. I kisha arritur të gjitha por jo edhe paqen shpirtërore. Shkoja dhe vija në punë, shëtisja ku më shihnin sytë dhe ku më dëshironte zemra, nuk kisha limite në asgjë, por ndihesha e thyer dhe e zhgënjyer sepse ëndrrat ngelën vetëm ëndrra dhe asgjë të vërtetë s’kishte në to. Njerëzit më përgëzonin vazhdimisht për hapat që bëja por mua më mungonte Zoti, e ndieja se ishte koha t’i afrohem dhe kisha nevojë dikush të më motivonte.

Gjatë kohës që punonit si gazetare, çfarë dinit për Islamin dhe muslimanët?

Përveç besimit në njëshmërinë e Zotit dhe shtyllave themelore të Islamit, nuk kam ditur më shumë. As nuk jam përpjekur të mësoj, sepse e dija se po të futesha aty, e vërteta do të më rrëmbente, por në të njejtën kohë isha e ndrojtur të marr hapin e madh dhe t’i braktis të gjitha. Unë e doja Islamin me ato pak njohuri sipërfaqësore por njëkohësisht e shihja si pengesë për arritjet e mia, mendoja se kjo më kufizonte për të qenë e “lirë”. Por në fakt burgu më i madh dhe më i rrezikshëm i njeriut është epshi-lakmia dhe kur këtë arrin ta kuptosh, kërkon mekanizma mbrojtës të cilët vetëm në Islam i gjen duke u mbështetur në Zotin Fuqiplotë. Njeriu pa Zotin nuk është njeri. Pasi isha mërzitur me veten dhe fillova ta urrej, ta humb vetëbesimin e tepruar që kisha duke ndjerë hera-herë edhe neveri nga vetja, ishte momenti i duhur kur unë iu gjunjëzova Zotit duke i kërkuar të më falë dhe të më udhëzojë sepse e pashë që tjetër shpëtim nuk ka. Gjërat ndryshuan rrjedhën pasi njoha bashkëshortin tim, ndihmëtarin e këtij rrugëtimi. Ai erdhi në kohën e duhur, pikërisht atëherë kur unë kisha nevojë për shtysë. Pas dy vitesh në Shkup (TVM2), ai u punësua si gazetar në të njëjtin televizion dhe nuk mund ta mohoj ai më dha motiv duke e lexuar tek unë dëshpërimin dhe shkëndinë e besimit. Pra këtu fillova të njoftohem më hollësisht me Islamin dhe ta jetësoj atë, sepse atë e kisha si model dhe bashkëudhëtarë të këtij rrugëtimi.

Si e pritën të afërmit dhe shoqëria juaj këtë vendim? Cili ishte reagimi i tyre?

Për të afërmit ky ishte një hap i guximshëm që meritonte respekt, babai im i ndjerë tashmë, të cilin u rrita duke e parë sesi falej na edukoi me frikën dhe dashurinë ndaj Krijuesit, ishte personi i parë që i lajmërova në telefon dhe i tregova për mbulesën, më përgëzoi duke më paralajmëruar për sfidat që mund të më presin. E kisha mbështetjen e të gjithë të afërmive të mi, sa për shoqërinë shumica ndryshuan tërsisht mendimin që kishin për mua dhe filluan të largohen, kjo nuk më brengos sepse unë tani nuk kam “shoqëri’ por motra dhe vëllezër të besimit, miqësia e të cilëve i tejkalon të gjitha interesat e kësaj bote.

Si ndiehesh tani pas gjithë këtij ndryshimi?

Tani ndiehem si një “ushtare e armatosur” në betejë me veten, i kam të gjitha “armët për luftë” (namazi dhe adhurimet) dhe kjo më bën të fortë për të reduktuar gabimet por jo edhe për t’u bërë të pagabueshëm, sepse ne jemi njerëz dhe njeriu është gabimtar. Kjo më jep mundësi të vetëgjykohem dhe jo të gjykoj. Besimi më mundëson të filloj ndryshimin nga vetja. Kur ndiehem e dobët kam ku mbledh fuqi, ngrej duart drejt qiellit dhe më vjen furnizimi, kur më rëndojnë mëkatet ia derdh tokës mes lotësh në sexhde. Kur më pushtojnë brengat mbështetem tek Krijuesi.  Tani unë ndiehem e gjallë sepse mbështetja tek Zoti më jep siguri dhe prehje. Njeriu ashtu apo kështu është krijesë e nënshtruar, se kujt do t’i nënshtrohet është zgjidhja tij, t’i nënshtrohesh Zotit me dëshirën tënde apo të të nënshtrojë epshi me dëshirat e tij. Te e para njeriu është i lartësuar përpara të gjitha krijesave, te e dyta të nënshtron epshi nëpërmjet krijesave.

Presentation1

Sot ju jeni gazetare terreni, a është e vështirë përballja me njerëzit në momentin kur ju shohin të mbuluar?

Në fillim ka qenë e vështirë, shpesh herë jam ndjerë në siklet, jo vetëm nga reagimet e njerëzve por edhe nga shikimet gllabëruese me plot çudi, ma vështirësonin qëndrimin kur pyesnin: “Po ç’do t’i këtu?”, apo “Ju gazetarët hyni brenda ndërsa t’i dil jashtë”. E kam treguar edhe për një portal, rastin kur shkova në një konferencë për gazetarët, rojet e sigurimit u sollën si patrulla policore, më shikonin me skepticizëm, nuk besonin që jam gazetare deri sa e nxorra bexhin e punës më pas u futa ta ndjek ngjarjen e asaj dite. Tani shumica e dinë por vazhdimisht pyesin se, ç’të shtyu ta bësh një gjë të tillë? Në pamundësi për t’ju shpjeguar të gjithëve, u kthej përgjigjen e njëjtë: “kështu ndjehem më mirë” dhe e kam më të lehtë sepse rreshtin së pyeturi. Disa ndiejnë keqardhje për mua, më shohin sikur të kem humbur diçka të vyer nga jeta. Natyrisht secili ka mendimin e vet, larmia e mendimeve na ndihmon të ndërtohemi si personalitet. Diversiteti i Zotit në Tokë duhet të na shërbejë për të përfituar nga njëri-tjetri dhe jo për t’u ndeshur deri në armiqësi. Më ka ndodhur edhe të më fyejnë duke më quajtur “trushplarë”, por nuk humb kohën të debatoj me njerëz të tillë të cilët u japin përparësi emocioneve dhe urrejtjes, prandaj i lë ta derdhin vrerin e tyre, kupa vjellë atë që ka brenda, injorimi është gjëja më e mirë. I shoh si sprovë që më ndihmojnë për t’u ndërtuar, ata janë të ndikuar nga mediat të cilat e paraqesin Islamin si fe të dhunës dhe muslimanët si terrorristë. Mund të kenë edhe tituj Dr., Mr., e Prof. përpara emrave të tyre dhe të kenë studiuar mbi të gjitha krijesat, por nëse nuk arrijnë që nëpërmjet kësaj ta njohin Krijuesin, për mua mbeten injorantë. Thjesht, kam filluar t’u iki debateve kur shoh që qëllimi nuk është të përfitojnë dije ata që flasin, por përpiqen të dalin triumfues duke të nënçmuar.

Ju keni qenë e njohur jo vetëm si gazetare por edhe si këngëtare, ku keni marrë pjesë në edicionin e tretë të spektaklit “Ethet e së premtes”. Pse nuk keni vazhduar të këndoni ilahi?

Çdo gjë tjetër është e tepër dhe ngarkesë për mua, pasi jam nënë e tre fëmijëve të vegjël të cilët kanë nevojë për përkushtim, ndonjëherë më duket i tepërt edhe angazhimi profesional sepse për mua prioritet është famija. Prandaj mundohem pjesën më të madhe të kohës ta kaloj me ata. Pastaj arti në përgjithësi është në natyrën time, si piktura, aktrimi dhe këndimi dhe nëse përpiqem t’i prek të gjitha këto dhunti që Zoti mi ka fal, mendoj se asnjërën nuk e përvetësoj si duhet, sepse secilën mund ta lësh mangët dhe të çalë. Prandaj mjafton njërën ta zgjedhim dhe të japim më të mirën nga vetja për ta bërë profesionalisht si duhet.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane në Maqedoni? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

10923716_525013760973548_1919915916708222455_n

Mendoj se femra muslimane në Maqedoni të inkuadrohet në shoqëri dhe të jetë më aktive, në momentin që do të përpiqet të inkuadrohet si e tillë (e mbuluar) asaj mendoj se mund t’i shfaqen barrikadat dhe problemet për të ecur përpara. Por fatkeqësia më e madhe tek ne qëndron, sepse preferojmë të rrijmë të heshtura duke u pajtuar të jemi të anashkaluara. Maqedonia është shtet multietnik dhe historikisht dihet se ne gjithmonë kemi qenë nën thundër të sllavo-maqedonasve, si pasojë e kësaj, çështja e arsimit ka pasur ngecje të mëdha. Kohën e fundit shoh femra me mbulesë mjeke, avokate, arkitekte etj, dhe zemra më bëhet mal më besoni, sepse kështu e dua femrën muslimane.  Ajo deri dje ka qenë një grua e pashkolluar që është shikuar me nënçmim nga pala maqedonase. Aktualisht ne ndodhemi në një fazë transformimi, jemi duke u zgjuar nga gjumi i thellë. Dihet se periudhat e transformimit janë të ndjeshme si tek individi ashtu edhe tek shoqëritë, prandaj kjo ëstë një kohë ku kërkohët vigjilencë e madhe në veprimet që bëjmë sepse mund të marrim çdo lloj etiketimi. Shoqëria jonë zhvishet nga injoranca. Mbulesa sa do që të duket e thjeshtë, ajo është përgjegjësi e madhe, sepse çdo veprim i joni është në qendër të vëmendjes dhe mund t’i shërbejmë dikujt si model për ta ngushëlluar veten nga gabimet që bëjmë apo t’ia mveshim Islamit vepimet tona të pamatura.  Sfida jonë më e madhe është të pranohemi kudo në shoqëri kështu siç dukemi, ne nuk mund ta fitojmë këtë betejë nëse nuk jemi krenare me mbulesën që bartim. Nëse turpërohemi dhe nuk e vlerësojmë këtë mirësi, të tjerëve u japim shteg për të na mundur.

Cili është raporti juaj me dijen në përgjithësi dhe me librin në veçanti?

Unë mund të them se jam e etur për dije, por jeta është shumë e shkurtër për ta kënaqur veten me të. Njeriu që është vënë në kërkim të dijes nuk fryhet por tkurret dhe ndihet i vogël përpara të gjithë asaj që ekziston, përhumbet dhe frikësohet të thotë se di diçka, prandaj lus Zotin që të na furnizojë nga Dija e Tij duke ma ruajtur dhe shtuar modestinë njëkohësisht. Nuk mjafton vetëm të dijmë por duhet ta jetësojmë atë që dijmë. Libra lexoj vazhdimisht edhe pse kohët e fundit jam shumë e angazhuar me fëmijët, të cilët janë plotësist të varur nga unë. Por përsëri gjej ndonjë boshllëk për të shfletuar nga pak. “ENDALUZI-përkujtim dhe vërejtje” është libri i fundit që kam lexuar dhe ndiehem shumë keq, sa më vjen të qajë kur e lexoj se kush kemi qenë dhe në çfarë gjendje kemi rënë ne muslimanët. Kemi humbur qëllimin e vërtetë i cili na bashkon, na bën të vlefshëm si për veten edhe për shoqërinë.

Na tregoni diçka për familjen tuaj. Sa mbështetje keni nga bashkëshorti juaj, i cili po ashtu si ju ushtron profesionin e gazetarit?

Me bashkëshortin tim ushtrojmë të njëjtin profesion. Përveç përpjekjes që bëjmë për të edukuar fëmijët në formën më të drejtë, i ndihmojmë njëri-tjetrit edhe në punët e profesionit. Kjo është një mirësi shtesë nga Zoti e cila gjithmonë i bën të frytshme diskutimet tona, marrim mendimin e njëri tjetrit në raste dilemash. Këto gjashtë vite martesë Zoti na ka bekuar me tre fëmijë njëri pas tjetrit, dy djem dhe një vajzë. Është shumë e vështirë për femrën të angazhohet me punë jashtë familjes, sepse është barrë e tepërt sidomos kur bëhesh nënë, por mundohem të jap maksimalen nga vetja. Pushimet e lindjes më kanë ndihmuar mjaft dhe fëmijët nuk e kan ndierë thuaj se fare mungesën time. Fatmirësisht kam edhe vjehrrën e cila kujdeset për fëmijët dhe i jam falënderuese për këtë, ndryshe nuk do të kisha punuar sepse nuk mund t’ia besoj fëmijët e mi çdo kujt, ata janë amaneti im dhe kanë përgjegjësi të madhe.  Shpresoj që të bëhen hafiza dhe dijetarë të mëdhenj. Kjo është ëndrra ime të cilën Zotit ia kërkoj pa rreshtur, të lëmë pasardhës të devotshëm në Tokë dhe mëkëmbës të fjalës së Tij. Zoti kurrë nuk më ka kthyer duar bosh, prandaj e jona është të punojmë me ata dhe me vetet tona.

avdibakiu1

Përsa i përket karrierës suaj, a keni plane konkrete për të ardhmen? 

Aktualisht punoj gazetare e edicioneve informative, por në të ardhmen shpresoj të jem më e dobishme me këtë profesion dhe ta shfrytëzoj më të mirën. Dëshira ime është të inkuadrohem në emisione sociale për t’u ndihmuar skamnorëve ose të drejtojë ndonjë emision me karakter fetarë, por duke mos lënë pa prekur problemet sociale delikuente bashkëkohore të cilat kanë nevojë për trajtim. Thjeshtë të mos preken temat vetëm nga dimensioni islam por të trajtohen nga të gjitha këndet dhe fushat shkencore. Nuk e di sa është e realizueshme kjo, por ndoshta në të ardhmen më ofrohet një mundësi e këtillë.

Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

Për lexuesit e revistës “Familja” për fund do të citoj atë që Allahu e shpalli në fillim: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi gjithçka”. Unë fjalë më të bukur, më drithëruese dhe që ta trazon shpirtin nuk di të them, jashtë kësaj çdo fjalë tjetër e imja është shterpë.