Intervistë me Sara Tujani -Mes botës së artit dhe kinematografisë

1968

Intervistë me Sara Tujani -Mes botës së artit dhe kinematografisë

 Intervistoi: Armida Plumbi 

-Kush është Sara Tujani?

Unë jam Sara nga Tirana. Jam 22 vjeç. Momentalisht jam duke kryer studimet master në fushën e kinemasë, televizionit dhe radios në Stamboll. Qershorin e kaluar përfundova me sukses studimet bachelor për kinema dhe televizion në Universitetin e mirënjohur “Istanbul Sehir University”.  Falë backgroundit të pëlqyeshëm, Zoti e bëri të mundur që të fitoja masterin me të drejtë bursë të plotë në një universitet tjetër të mirënjohur në Stamboll, në Universitetin Marmara. Një nga shtysat që më çuan mua në dëshirën e profesionalizimit në fushën e artit dhe kinematografisë patjetër që është e gjithë eksperienca ime gjatë kohës së gjimnazit, por edhe më herët në medresenë e Tiranës.  Mësueset e kësaj shkolle spikatën tek unë talentin për të recituar.  Kjo solli që çdo vit duke filluar nga mosha 12 vjeçare të recitoj në skenën e Pallatit të Kongreseve përballë një salle me 3000 njerëz nëpër evenimentet fetare.  Duke u ushtruar vit pas viti mora pjesë edhe nëpër konkurse në të cilat pata mundësinë e konkurimit mes rreth 100 shtetesh nëpër skena që arrinin mbi 30 mijë spektatorë dhe falë Zotit mundi i mamasë sime, i mësuesve të mi, si edhe mundi im duke qëndruar me ore para pasqyrës për të perfeksionuar perfomancat, solli fitoren e medaljes së artë. Këto minisuksese më mundësuan njohjen me profesionistë në fushën e artit. Bashkëpunimet me autorin e mirënjohur kosovar, Fatmir Muja, janë ndër kujtimet më të bukura të adoloshencës sime. Udhëtimet nëpër qytete të Kosovës, Maqedonisë, po ashtu edhe të Zvicrës duke recituar poezitë e thella kushtuar Zotit dhe njeriut të Zotit, së bashku me pritjen mjaft të ngrohtë të njerëzve të cilët janë të etur të shohin të bukurën që Zoti na e meson, ishte vërtet zgjerim zemre. Projekti më i fundit ku isha pjesëmarrëse është ai i dokumentarit mahnitës “Etja dhe uji i Zemzemit”.  Të gjitha këto përjetime gjatë periudhës nga vegjëlia deri në rini më rriten dashurinë për skenën. Sot dashuria ime është të qëndroj pas skenës.

– Kur keni vendosur të mbartni mbulesën islame dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

12823246_1744076159172121_1787559227369230995_o

 

Për mua suksesi i parë i jetës sime, hapi i parë i dhënies së një kuptimi të jetës sime është dita kur Zoti zbriti mëshirë mbi mua dhe më zgjeroi zemrën për të arritur të kuptoj sublimitetin e mbulesës. Unë jam mbuluar në dhjetorin e vitit 2008 në ditët e Kurban Bajramit. Kjo parandiqej me muaj reflektim dhe analizim tepër objektiv së bashku me mamanë dhe motrën të cilat kishin vite të mbuluara. Duke qenë se ishte një moshe delikate ajo e imja, mosha e adoleshencës në të cilën duhet një kujdes tepër detajist në vendimet afatgjata që merren, familja u përpoq të mbante një qëndrim asnjanës, edhe pse nuk do kishte gëzim më të madh për prindërit e mi se sa unë të mbulohesha. Por duke qenë se ky është një vendim i cili i takon vetë individit, familja tregoi kujdes në mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Falënderimi i takon Zotit që mundësoi zemrën time të mos mësohej veç me një kazan të vogël, siç thuhet në historitë e Rumiut, por përkundrazi e bëri zemrën time të kërkonte për më shumë në rrugën e fitimit të kësaj bote e tjetrës.  Në çështjet e të drejtave të femrës, si në literaturën fetare po ashtu edhe në literaturën botërore, më është dhënë mundësia e studimit te tyre. Duke i mbledhur mendimet feministe, liberale, revolucionare, çdo literaturë tek unë merrte formën e lirisë së femrës së të jetuarit jetën duke marrë për themele rregullat dhe parimet e caktuara nga Allahu, të përshtatura në kohën dhe në shoqërinë në të cilën socializohet. Për mua shamia është mburoja ime, është krenaria ime, është kurora ime. Çdo moment më kujton Ahiretin dhe kjo më mundëson të rivlerësojë veprimet. Çdo ditë shamia është mikja ime më e mire, e cila më thotë “ndal” dhe më thotë “vrapo”.

– Pse vendosët të studioni për kinematografi në Istanbul Sehir University në Stamboll?

Unë tashmë jam e diplomuar nga Istanbul Sehir University. Aty kam kaluar 4 vite domethënëse që patjetër kanë lënë shenja të dukshme në krijimin e hershëm të personalitetit tim. Në lidhje me arsyen përse vendosa të studioj për art, zgjedh t’jua tregoj duke ndarë momentet reale gjatë marrjes së këtij vendimi.  Unë kisha një dashuri dhe emocion të madh për skenën. E në momentin e vendosjes së degës, e cila me shumë mundësi do më përgatisë për profesionin tim në të ardhmen, mendja dhe zemra ime nuk mendonin diçka tjetër përve­ç kinemasë. Por kjo ishte një peshë shumë e madhe mbi supe duke qenë se kinemaja mund të jetë tepër dredharake në vendosjen e limiteve të etikave. Nëse Zoti do, unë dëshiroj që jetën time t’ja kushtoj Islamit.  Kjo ndoshta mund të arrij vetëm në dimensionin personal, ndoshta dimensioni i mundësisë dhe aftësisë mund të jetë veç dhënia e selamit. Por unë sot kam energji, kam talent dha kam dëshirë për të mësuar. Të gjithën këtë dashuri që kam për kinemanë unë dëshiroj ta vendos në shërbim të Islamit. Unë dëshiroj që gjuha e shpërndarjes së mesazhit islam të jetë kinemaja.

– Si lindi ideja për realizimin e një dokumentari me titull “Burrneshat”?

 

13331071_1777916859121384_8770422883507874098_n

Për projektin final me të cilën do mbroja diplomën zgjodha të bëj një dokumentar, pasi doja të krijoja diçka e cila ishte reale dhe jo një trillim artistik, i cili do të ishte komplet vepër e mendjes sime. Gjatë kohës së gjimnazit u ndesha me fotot e fotografit të mirënjohur Jill Peters, i cili kishte realizuar një set me burrneshat shqiptare në të gjitha rrethet tona. Në atë moment u mahnita nga fenomeni dhe nga ndryshimi drastik në pamje, në mënyrën e jetesës, në perceptimin e të jetuarit. Aty ëndërrova që edhe unë të merresha me një projekt të tillë. Kur erdhi koha që unë të krijoja një dokumentar timin, padyshim që zgjidhja e parë ishte tema e “Burrneshave”. Kjo për dy arsye: Arsyeja e parë është se unë studioj jashtë Shqipërisë dhe si çdo student që është larg vendit të tij dëshiron që në çdo punë të tyre të vendosin një shenjë të tokës sonë dhe të identitetit tonë.  Arsyeja e dytë ishte përkatësisht veçantia e këtij fenomeni dhe faktit që tashmë në Shqipëri nuk janë më shumë se 100 gra të tilla. Dokumentar biografik në lidhje me këtë çështje, prodhim shqiptar nuk kishte. Online zotëroheshin vetëm disa reportazhe të fundviteve 90 nga National Geographic. Lajmi i mirë është se kohët e fundit projektet lidhur me këtë fenomen janë shtuar. Qëllimi im ishte që ky fenomen i rrallë, i cili në llojin e vet është i vetëm, të kishte një evidencë virtuale që do të futej në arkivën e historisë së vendit tonë. Po ashtu një nga temat të cilat e kam primare veçanërisht në këto hapat e para të fillimit të karakterit dhe veprimtarisë sime profesionale është tema e të drejtave dhe lirive të femrave.  Fenomeni i burrneshave midis tjera arsyesh, një nga shkaktarët drastike është mungesa e dimensionit së lirisë sociale për femrat si në Shqipëri po ashtu edhe jashtë. Burrnesha ishte fjala ime e parë në kinema.

– Aktualisht një ndër pasionet tuaja është fotografia, si u gjetët pjesë e botës së fotografisë?

Është e vërtetë që fotografia është një nga pasionet e mia. E dua aq shumë sa që në çdo moment që dal nëpër rrugë mendja automatikisht punon se si mund ta kisha shkrepur atë çast. Në fakt bota e fotografisë nuk është e ndarë nga bota e artit. Madje jam e mendimit se për të krijuar diçka në kamera duhet patjetër të kesh perfeksionuar artin e fotografisë. Kjo për arsye se një video përbëhet nga korniza për çdo sekond vazhdueshmërie. Ajo kornizë në vetvete në gjendje të ngurtë është një foto. Edhe në fillimet e kinematografisë në fund shekullin 19 videot e para janë bërë nga korniza fotosh, të cilat u bashkuan me shpejtësi dhe morën formën e lëvizjes. Kjo më bën mua të mendoj dhe besoj se thelbi është korniza në vetvete. Fotografia të jep mundësinë të ndalesh një moment dhe t’i japësh jetëgjatësinë që dëshiron. Po ashtu, fotografi zgjedh se çfarë të vendosë në kornizë dhe çfarë të lërë jashtë, si dhe i jep shikuesit hapësirën e zgjedhjes së të analizuarit të kuptimit të fotos. Fotografia ofron një mendim dhe ofron hapësirën e lirinë për të krijuar mendimin tënd personal.

– Cili është raporti juaj me familjen e veçanërisht me motrën tuaj?

Unë jam rritur nga një familje e cila ka vënë gjithmonë primare mirëqenien e njëri-tjetrit. Jam pjesë e nje familjeje, e cila vendoste në të njëjtën sofër trishtimin dhe lumturinë. Të gjithë janë për një dhe një është për të gjithë. Kam fatin që kam prindër të cilët nuk i janë ndarë të vërtetës dhe të drejtës as edhe për një moment të jetës së tyre. Zoti më ka dhuruar motrën dhe vëllanë që kanë një shpirt shumë të madh dhe gjithmonë më kanë mbajtur si pjesë të tyre. Kam fatin që kam vëllanë, i cili është shoku im më i mirë dhe që e dua me shumë se shpirtin tim. Kam fatin që kam motrën e cila që herët mori rolin e një mamaje të dytë në përkushtimin ndaj meje.  Ne jemi dy botë të ndryshme, në shumë pak gjëra ndajmë të njëjtin mendim. Por kjo e bën më të veçantë dhe më të fortë lidhjen. Ajo është kritikja ime më e fortë, është mësuesja ime më vigjilente, është shoqja ime më e afërt dhe është motra e shpirtit tim. Dashuria për të është dyfishuar me ardhjen në jete të të shtrenjtit nipit tim, Reis.  Respekti per Rovenen si femër, si grua në karrierë e tashmë si nënë vetëm se rritet. Unë e kam brenda familjes shembullin e gruas muslimane, e cila punon fort të jetë një nënë e grua e përkushtuar, po ashtu edhe një grua të suksesshme në karrierë. Familja është pika ime më e dobët dhe pika ime më e fortë. Lus Zotin që t’i kem gjithmonë pranë!

Po me shoqërinë?

13307231_10153835714809412_6812329188571625809_n

 

Duke qenë se po bëhet viti i pestë i të jetuarit jashtë, kam pasur fatin e shkëmbimit të kulturave me miqësi të ndryshme. Sot unë kam shoqe nga Kina, Nigeria, Bosnja, Turqia, Amerika, Tunisia e nga shumë vende të tjera.  Të jetuarit larg familjes bën që familja jote e dytë të bëhet shoqëria me të cilën t’i jeton dhe kalon të gjithë kohën tënde. Nuk kam shoqërinë perfekte. Por besoj s’jam e para dhe as e fundit e cila përjeton zhgënjime. Por gjithsesi unë falënderoj Zotin që kam disa shoqe të cilat i konsideroj si motra dhe pavarësisht situatave apo distancave ne jemi gjithmonë për njëra-tjetrën.  Njeriu lind dhe vdes vetëm. Por gjatë këtij udhëtimi në tokë kemi nevojë për njerëz. Një nga duatë më të shpeshta të miat është që Zoti të më takojë me njerëz të mirë.

– Cilat janë disa nga angazhimet tuaja aktuale?

Aktualisht sapo kam filluar studimet master në Universitetin Marmara në Stamboll me bursë të plotë. Nga ana profesionale mund të them që jam përkohësisht pa impenjime. Ndodhem në fazën kërkimore mbi tema të veçanta e delikate të shoqërisë, të cilat në dashtë Zoti në kohë jo shumë të largët kthehen në filma apo dokumentare. Jam në periudhën e vëzhgimit që shumë shpejt kthehet në një vepër artistike.

-A keni ndonjë thënie të preferuar që mund të thoni që është filozofia e jetës suaj?

Rumiu thotë: “Dje isha i zgjuar dhe doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur dhe dua të ndryshoj (përmirësoj) veten.” E filozofia ime është të përmirësoj veten në mënyrë që çdo vepër e imja të jetë në shërbim të plotë të së mirës, të së drejtës, të së vërtetës.

– Raporti juaj me dijen dhe librin.

Do ishte shumë klishe të përgjigjesha “e dua dijen, e dua librin”.  Zoti në një nga suret e Kuranit thotë: “Ikra”-“Lexo”. Unë kam arritur të kuptoj se nëse dua të bëj një ndryshim, më duhet të filloj nga vetja. Nëse dua të luftoj për një çështje, më duhet të di dyfish. Prandaj them se dija është nga armët më të forta që mund të zotërojë njeriu. Jam e përkushtuar ndaj kërkimit të dijes. Por gjithmonë i lutem Zotit të më dhurojë dije, e cila është e dobishme dhe dije të cilën përherë ta përdor në të mirë.

  • Keni ndonjë libër të cilin e preferoni më shumë?

Për mua një nga njerëzit e penës më të rëndësishëm është Mevlana Xhelaludin Rumi. Seritë e librave “Divani” janë një nga pasuritë më të mëdhaja që kam. Më pëlqen sufizmi dhe misticizmi deri në pikat e shëndetshme të tij. Më pëlqen bota që Rumiu vizaton dhe mënyra e kapërcimit të dimensioneve, duke pasur në qendër nënshtrimin total ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

– Përsa i përket karrierës suaj, a keni plane konkrete për të ardhmen?

Padyshim që ëndrra kam. Deri më sot kam punuar për t’i realizuar ato. Kam plan të punoj deri sa Zoti të më lejojë.  Të bëj plane konkret që pas një viti do të filloj këtë punë, apo që pas kaq vitesh do realizoj këtë projekt; jo nuk bëj. Synimi im për karrierën time është të punoj, të punoj dhe të punoj. Të jem gjithmonë në shërbim të Islamit dhe artit islam. Pastaj, Zoti është planifikuesi më i mirë. Atij i dorëzohem me përulësi.

– Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

Dëshiroj shumë që komuniteti ynë i vëllezërve dhe i motrave muslimane në Shqipëri të jetë më i bashkuar. Dëshiroj që duke filluar nga vetja ime së pari, të përpiqemi të mbështesim njëri-tjetrin dhe të mos shohim me lupën zmadhuese të tjerët, përkundrazi t’ju gjendemi pranë dhe të mos harrojmë që fitorja është e përbashkët. Të gjithë kemi qëllim përcjelljen e mesazhit të paqes së Islamit. Nëse bie njëri prej nesh, kemi rënë të gjithë. Nëse ngrihet njëri prej nesh, jemi ngritur të gjithë.

Revista “Familja”, dhjetor 2016