Pasioni im: Arti i të jetuarit – Intervistë me poeten dhe gazetaren nga Prishtina, Znj. Radije Hoxha

230

Nga Armida Plumbi

Radije Hoxha (Dija) është gazetare, poete dhe noveliste, e lindur në Shkup para 57 vitesh.
Shkollën fillore dhe të mesme (të mjekësisë, dega infermiere) i kreu në Shkup. Studioi mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Diplomoi për Mjekësi Tradicionale Kineze, dega Akupresurë dhe Tui-na masazh (“Belladona bimed”, në Shkup).
Për 25 vjet punon radiogazetare (në disa radio stacione; në Shkup, Teheran (Iran) dhe pas luftës në Prishtinë, gazetare (moderatore) në një program nate në Radio Televizionin e Kosovës – Radio Kosova.
Ka botuar librat:
1.“Zoti më do natën” 1995.
2. “Unë bëhem Ajo” (poezi), botuar në vitin 1997.
3.“Mosdija” roman, botuar në vitin 2000
4. “Gjeniu pleqnon çmendinë time” në vitin 2005.
5. “Ha” (urë mes Lindjes dhe Perëndimit): bejte, poezi bashkëkohore dhe vargje me metrikë japoneze (haiku, tanka…) në vitin 2016.
Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë dhe botuar në disa antologji, kurse librat (nga i pari te i fundit) janë shpërblyer me çmime letrare.
Pas luftës në Kosovë realizoi dhe një libër me zë – 2 CD me 8 tregime (të autorëve shqiptarë të Kosovës), dedikuar fëmijëve të verbër të shkollës “Xheladin Deda” në Pejë.

Radije Hoxha: “Kemi ardhur në këtë botë si njerëz dhe le të vdesim si njerëz!”

– Znj. Radije, publiku e njeh më së miri zërin tuaj, pasi ju jeni drejtuese e disa programeve kulturore radiofonike, si ju bën të ndiheni ky fakt?
Përvoja në gazetari të familjarizon dhe kjo nënkupton mishërim me problemet. Në këtë kontekst, unë (mbi 25 vjet) jam munduar të mbaj një balancë mes kodit profesional dhe atij njerëzor, fillimisht si “gazetare për gjithçka” e pastaj si gazetare e profilizuar për kulturë (si Pitagora, “përmes Matematikës të mësoj mjekësinë”), përmes kulturës të pikas problemet tona shoqërore.
– Prej disa vitesh, çdo të premte në mesnate, ju drejtoni emisionin e mirënjohur “Portat e natës” në Radio Kosova. Mund të na flisni pak më hollësisht për ideimin dhe realizmin e programeve tuaja?

maxresdefault (2)
Ky program si projekt ka filluar para 18 vjetësh, fillimisht me katër e më pas me tri orë program nate (në disa kontinente – orë dite) dhe ka për qëllim zbulimin dhe afirmimin e së bukurës, si vlerë universale; në shkencë, kulturë dhe art, ku muzika (e të gjitha rrymave dhe kontinenteve) mban fronin! Me dhemb shpirti kur mendoj rininë shqiptare, gjithandej në trojet tona (në Kosovë përafërsisht 70 % janë të rinj të moshës deri në 30 vjeç) që ëndërrojnë botën, pa ditur kush janë: Marie Kraja, Mentor Xhemali, Sabahate Vishnja, Tefta Tashko Koço, Qemal Kërtusha, Zeliha Sina, e plot e plot artistë të tjerë, për të cilët një shekull më parë ka ditur bota! Këto të meta i kemi edhe në shkencë, gjuhësi dhe në fusha të tjera!
– Cili nga emisionet, ka lënë mbresa të veçanta tek ju, qoftë nga personazhi i ftuar ose tematika?
Duhet të jenë afërsisht mbi 800 programe nate me mysafirë të ndryshëm (secili më interesant se tjetri); nga luftëtari i tri luftërave (në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë) që u shpëtoi tri tentativave për vetëvrasje (falë shkollës “Art of living”!?…) deri tek astrofizikanti që bën projekte për NASSA-n; përfaqësuesi i shqiptarëve në botën arabe, Muhamed Mufaku; kultivuesi i shafranit (me 4 klasë shkollë fillore), i cili shpëtoi nga varfëria dhe sot promovon turizmin rural në Artanë; i apasionuari pas fotografisë artistike (të teqeve), ish ambasadori amerikan në Kosovë; varrmihësi që u vonua në programin tim të natës, sepse vdekja kishte thirrur një grua (dhe hyrjen e programit e dëgjoi në makinë, duke transportuar kufomën); motra Paulinë Micakaj, koordinatore e Karitasit (motër nderi në luftë dhe në paqe); Mahmud (Abdulkadër) Arnauti, djali i hadithologut shqiptar me famë botërore; Edit Durham e ditëve tona, Elizabeth Gowing. Kam patur të ftuar njerëz të profileve të ndryshme; albanologë, shkrimtarë… një armatë e tërë vlerash nga vendi e bota.
– Shumëllojshmëria e mediave në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, mendoni se ia ka zbehur rolin radios?
Përkundrazi, në këtë shumëllojshmëri të mediave, ne jemi pa konkurrencë dhe do të fuqizohemi edhe më shumë, me kusht që të punojmë si duhet (pa u shërbyer interesave të ngushta klanore e fisnore)!
– Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Cila është tema dhe motivi në veprat tuaja?
Botoj nga viti 1995. Kam shkruar 6 libra dhe kam botuar 5, një novelë dhe poezi, por suksesin më të madh e quaj projektin “Libër me zë” (përralla nga 8 autore shqiptare), dedikuar fëmijëve të verbër në shkollën “Xheladin Deda” në Pejë.
– Kur e pushtoi shpirtin tuaj pasioni për poezinë?

14671197_1214260171980996_1529881020035817356_n
Poezia është ushqimi i çdo njeriu që e çmon jetën si art dhe Zotin, si Krijuesin e së Bukurës, i Cili na ka shpërblyer me dhuratën më të çmuar, jetën! Këtu nis dhe zanafilla e zhgarravinave të mia në poezi, në kohën kur lexoja ekskluzivisht prozë dhe anasjelltas!
– Sa e vështirë është të lëvrosh vargjet me metrikë japoneze (haik, tanka…)?
Në japonisht nuk di, por në shqip është shumë vështirë të shkruash një varg haiku (që si rregull nuk ka titull), me metrikë 5 + 7 + 5 rrokje, të sintetizosh mendimin dhe imagjinatën duke iu referuar një stine, në një bote ndjesish e filozofish dhe të zbulosh diçka që për sytë e tjerë është e fshehur, e padukshme! Në të gjithë botën poetët kanë provuar të shkruajnë haiku, tanka dhe forma letrare japoneze, por ma merr mendja që ky stil shkrimi është ekskluzivitet gjuhësor apo ADN e një populli, në këtë rast popullit japonez, prandaj Matsuo Basho, Kobajashi Isa dhe mjeshtra të tjerë të Haikut do të mbesim përgjithmonë të pakapërcyeshëm në këtë gjini letrare!
– Ku e gjeni më shumë veten në poezi apo në prozë?
Jemi stërngopur me fjalë dhe kohët e fundit veten e kërkoj në poezi minimaliste (së fundmi botova librin “Ha”), se kur do ta gjej veten dhe a do ta gjej, një Zot e di!
– Përveç letërsisë dhe gazetarisë, cilat janë disa nga pasionet e tjera tuajat?
Arti i të jetuarit është pasioni im kryesor. Në të përfshihen: natyra, gastronomia, sporti, artet pamore (kaligrafia, piktura, vitrazhi), muzika, filmi…

22405982_1677419045665104_3843992038220746364_n
– Kontributi juaj është në disa rrafshe, në atë krijues dhe mediatik. E shihni veten edhe në mjekësi, meqë keni studiuar në këtë fushë?
Unë kam punuar pak në mjekësi, si infermiere gjatë studimeve (një kohë kam studiuar Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, por kam diplomuar për Mjekësi Tradicionale Kineze, në klasën e Dr. Anton Xhasuria për akupresurë, kiropraktikë dhe mesazh kinez). Sot, përkundër zhvillimit global teknologjik (të klonimit të majmunëve, të shpikjes së sinapsave artificiale të neuroneve, robotikës e nanoteknologjisë), më mirë ndihem në lëkurën time si gazetare dhe letrare, me profesion dhe pasion!
– Opinioni juaj: kemi mjaft botues, ankohemi për lexues. A u ofrojmë kënaqësinë e duhur lexuesve?
Fakti që kemi shumë botues dhe nuk kemi lexues, mendoj që është pasojë e mungesës së kritereve të botimit! Sot mund të botojë kush të dojë, çfarë të dojë, vetëm po pati para! Dhe në këtë shumësi librash që botohen përditë, është fat të gjesh libra të mirë, sidomos të autorëve më pak të njohur!
– Cili është raporti i Radijes me vendlindjen, Shkupin? Ndiheni më shumë prishtinase apo shkupjane?
Ka kohë që raporti im me vendlindjen i ngjan raportit të mjekut me pacientin! Vendlindja ime po vuan nga një sëmundje e rëndë imunodefiçitare, kronike!
“Zoti nuk ndryshon gjendjen e një populli, përderisa populli nuk ndryshon veten e vet”! (Hadith)
– Si është lidhja juaj me Zotin dhe me besimin?
Lidhja ime me Zotin është lidhja më e qëndrueshme sesa me krijesat e Tij (këtu ndoshta fshihet dhe defekti im individual)! Lidhja ime me Krijuesin është lidhje organike, fiziologjike, metafizike! E vetmja lidhje që forcohet sa më shumë lexoj!

22424264_1677417335665275_1545242551680964519_o
– Si e shihni në optikën tuaj realitetin e shoqërisë kosovare?
Për mua shqiptarët janë njësoj kudo dhe si një komb kemi të njëjtat të meta! Por frikë i kam virtytet që po na pakësohen çdo ditë, ndërkaq në rrafshin global ajo që po ndodh me njerëzimin është një tmerr!
– Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?
Sot, një pjesë e grave është shndërruar në karikaturë ku botoksi dhe silikonat (përveç fizikut), kanë përfshirë dhe botën e saj intelektuale dhe emocionale! Një pjesë tjetër e femrave është ende në kërkim të vetvetes, kurse pjesa më e zgjuar e femrave janë ato që punojnë me vetveten; lexojnë e përfitojnë çdo ditë dije, në mënyrë që të organizohen më mirë në familje dhe në shoqëri, të jetojnë pa komplekse duke përmbushur të gjithë detyrimet që kanë!
– Sa gjen kohë Radija t’i përkushtohet rrethit të saj familjar dhe shoqëror, përveç angazhimeve që ka?
Gjithkush duhet të ketë kohë për rrethin familjar e shoqëror! Angazhimet e mia janë përditë në rritje, mirëpo kjo jetë ka prioritete dhe ato duhen respektuar!
– Si një personalitet i kompletuar dhe mjaft aktiv, cila do të ishte porosia e juaj për të gjithë lexuesit tuaj dhe tanë?
Nuk e shoh veten “të kompletuar” dhe nuk do të doja të më shihnin ashtu! Sado që të vetquhemi “krijues”, ne nuk jemi në gjendje të krijojmë një milingonë! Prandaj, porosia ime për veten dhe gjithë dynjanë është: të kthehemi nga vetvetja, nga natyra, dija dhe shkenca! Zoti i gjithë njerëzimit e do njeriun në trajtën më të mirë, më të zgjuar, më të pastër dhe më njerëzore!
Kemi ardhur në këtë botë si njerëz dhe le të vdesim si njerëz (“së paku derisa shkenca të provojë të kundërtën”- S. Jerzhi Lec)!

dija

NUK E PËRFUNDOVE SHKRIMIN E VETMISË
(poetit boshnjak Admiral Mahiq)

Me korin e atyre që penguan ujin
të depërtojë në këpucët tua,
këmbët sajuan një rekuiem në A-dur,
për të gjitha pishat në formë trekëndëshi…
që lidhin lotët me imazhet e fundit,
në peronat ku koten
dashuritë e humbura.
Martohu me një vetmi tjetër miku im!
Në Deja vu-të boshnjake
pushojnë shikimet e përhumbura të Mitrovicës,
Sahara e Ajshes nga Maroko në Drenicë.
Kaçubat e manaferrave rimojnë me qepallat e vajzave
që fshihen nga dielli i vitit 1999.
Martohu me një vetmi tjetër miku im!
Ti thua:
Paramendoji puthjet që këmbehen si të burgosurit…
Sa shumë të burgosur kemi për të këmbyer, miku im!
Sa fjalë të pathëna të dashurisë kemi për të liruar nga burgu i vetmisë!
Ky Rekuiem në A-dur (që nuk përkthehet në anglisht),
ia bën: Pssst!
botës në gjoksin tënd
dhe
përkund foshnjën
që futet në parajsë,
bashkë me një dorëshkrim të zbehur.
Martohu me një vetmi tjetër miku im!
Shkelja syrin mësyshit!
***

KUR MENDOJ PËR MARKO (E)MILION
Për 24 vjet botën përshkoi Marko (Emilio) Polo
Rrëfeu një milion kujtime
Një milion gjëra nga parajsa e ferri
Rruga e mëndafshit një milion bekime
Nga Buharaja tek Fusha e sheqerit (persisht Samarkanda).

Marrëzisht dashuroi
Bibi Hanumen e vet, Timur Lenk-u i Uzbekistanit
Marko Emilio Polo (Apo Mark Pali nga Korçulla!?…)
Zbuloi numrin Një Milion.
“Il milione” u bë libri i tretë pas Biblës dhe Kuranit

Kur e mendoj Marko (E)milion
Vras një milion herë mendjen
Pse nuk vdiqa në Samarkandë

Sot do të isha Mumtazja e Shah Xhahanit

***

radije-hoxha

Landër helmuse
Në këtë kohë ndarjesh
Mos prek shpirtin tim.
***
Ah! Theva syzet
E qau Halil Xhubrani
“Bufin e verbër”.
***
Kohë për dioptri
Sytë gjysmë të mbyllur
I mban luledielli.
***
Muzat kuvendojnë
Për cilin laps të mbajmë
Një minut heshtje.

(Haik – vargje me metrikë japoneze)

 

Revista “Familja”, mars 2018