PËR KU, KËTO MARSHIME?!

50

Nga Albana Muja

Sa afër e sa larg, sa çuditshëm e turpshëm del në sipërfaqen  e 365 ditëve,  realiteti i një fillim për shqiptarët, por  me të rendur ditët e para të janarit edhe për mbarë evropianët.

Shpesh, shkencëtarët dhe mendimtarët e urtë, në mendimet e tyre dhe filozofinë e jetës, bëjnë thirrje për kohezion mes të shkuarës dhe së tashmes, pasi kjo do të ishte alfa dhe omega e një itinerari të gjatë, përgjatë të cilit duhet të dimë se me çfarë mjeti udhëtojmë dhe se sa i gjatë do jetë ky udhëtim.

E në këtë sens, gjatë këtij itinerari ka patur ecje të çala, autostope të vragëta, hapa të shkujdesur e ndalesa fatkeqe, të cilat e copëtuan udhëtimin e nisur dhe na hodhën në një vit si ky.

Viti që kaloi u stigmatizua me lloj-lloj epitetesh, frazash, qëndrimesh, ku përmes arritjesh dhe sfidash, gjëja e përbashkët mes tyre ishte arritja për ngujimin e terrorizmit dhe si sfidë të mëtejshme luftimin e po këtij të fundit. Pikënisje, e pikëarritje si kjo, nuk kisha parë të artikulohet më së prapthi, se sa ajo që u artikulua pafund në çdo medium.

Tek lajmet, që çdokush pret t`i dëgjojë apo t`i shohë, kemi qenë vetëm dëgjues dhe jo informues me to, dhe kjo pasi inofrmimi na është servirur në skaje të dopjimit të standarteve, të abuzimit dhe dezinformimit multimedial.

Hyrja e janarit erdhi me tronditjen e rradhës, tronditje me të cilat bota sot është mësuar t`i presë jo më me hidhërime e zi, por me marshime, proklamime mbi unitet, barazi e vëllazëri. Në fakt, të tre këto asete kanë qenë, thujase gjatë gjithë kohërave demokratike, në gjuhën e francezëve por jo universale. Këtë gjë e kupton fare mirë një shtet kolonialist në të shkuarën e tij. Gjendur në zemër të Europës, me qindra vite qytetërim, ky shtet ka ditur fare mirë të harrojë damkën e tij dhe epshet kolonialiste si dhe ka ditur të mbajë mend fort mirë qytetërime të një bote tjetër, e cila vetëm duke qenë ndryshe nga ajo, është përçudnuar gjithnjë, e është  shigjetuar gjithmonë.

Kështu, tek këto buletine lajmesh të çuditshme na takon të mësohemi vetëm në vendin tonë, mësojmë të ketë ndodhur diçka që në realitet nuk do ta legjitimonte askush.

Përtej çdo lajmi a emisioni, fjalimi a demonstrate, marshimi apo qëndrimi, bota ka ditur t`i tregojë vetes se nuk është krijuar për të qënë e tillë. U godit e gjithë shoqëria, jo vetëm ajo franceze por edhe ajo shqiptare, për gjithëçka ndodhi në Francë.

Për çudinë e shumëkujt, përveçse Francës që iu dhimbsën bijtë e saj, po sërish për çudinë e shumëkujt edhe Gazës, Sirisë, Burmës iu dhimbsën qytetarët e tyre, madje u dogjën  në shtëpitë e tyre, u shtypën me tanqe rrugëve të tyre, u vranë në përgjërim e në sexhde dhe askush, përveçse në ëndërr ndoshta, nuk bëri marshime qoftë edhe nga këto të fundit hipokrite dhe nuk qau qoftë edhe paskrupullisht, nuk u përbetua histerikisht, se tani e tutje do të dinte si të sillej  me botën që po i kanoset somnambulisht.

Të qënit paradoksal me veten, së fundmi është  kthyer në një trend epik, por të qënit paradoksal me një mozaik të tërë vlerash etike dhe qytetare, sa humane e hyjnore, u kthye papritur në një aktualitet  tronditës folklorik.

Marshimi i popullit francez drejt lirisë, tërhoqi rreth rrathëve të saj të gjithë botën që është mësuar t`i bashkohet shpejt turmës dhe është mësuar keqazi të jetë e njëanshme.

Fakti që në botën islame vriten jo kaq episodikisht, por në minuta dhe orë njerëz,  nuk nxorri jo në shesh, por as para një mikrofoni  kaq burra shteti e kaq  gazetarë.

Të marshuarit drejt standarteve të shumëfishta, duke u shfaqur më shigjetues së kurrë, shumëkujt i ra në sy se bota e perëndimit lundron në shumë standarte, ku veçmas ushqehen të bardhët nga të zinjtë, oksidentalet nga lindorët, etj.

A nuk është ky paradoksi i madh i shteteve të kryqëzuara në qorrsokaqe të padrejtësisë dhe shtrirjes së hegjemonisë së vlerave të shumta e kuptimpakëta?!

Ku janë ato media, që si për çudi aparati i tyre nuk i kap lotët, gjakun humbjet që ndodhin sot kudo e kudo përtej Francës?!

Përse një agjensi e tillë apo politikë redaksionale zgjedh të argëtohet dhe të shfryjë artin e disa karikaturistëve me padije e të çorientuar mbi realitetin e botës së besimit islam?!

Dihet fare mirë se kush është më i lënduari në këtë valle të stisur siç është edhe e stisur retorika se po luftohet e drejta e shprehjes.

Sot, shoqëria ka shumë sfida dhe fenomene drejt të cilave mund të ngresh jo vetëm lapsin por edhe zërin dhe revoltën për ta ndertuar mirë atë. Por të zënit e kohës me blasfemi dhe me zemëratat e besimtareve, kjo nuk përbën diçka më shumë se sa një punë 8-faqëshe, e cila nuk do i kalonte qarqet e godinës ku botohej.

Ndoshta,  nuk është e udhës edhe kjo dozë revolte e lapsit tim, pasi edhe po të qëndroja fare pa bërë asgjë, lidhur me këtë realitet janari, përsëri Profeti im është po aq afër me Zotin e tij, është po aq lart ku e ka ngritur Ai, po mes të mirëve ku e ka dalluar vetëm Ai dhe nuk e përligj as lapsi i revistës Charlie.

Ajo që bie qartazi në sy është njëanshmëria e këtij pushteti të katërt. Dhe ajo që më ka lënduar pa masë si gazetare është se përveç letrave të ndalura boje të të dashurave të gazetarëve të vrarë, tek shprehnin zemërimin për ndarjen, nuk pashë e nuk dëgjova lëngatat e një gruaje apo edhe më shumë që u lëndua për vdekje, ku dhe humbi fëmijën e saj 4 muajsh nga vandale parizienë që nuk e di se si mbinë nga e gjithë ajo qytetari me të cilën krenohet Parisi. Nuk shkruajti më asksuh dhe u këput çdo lajm.

Kjo qe per momentin, sepse në orët e rradhës, doli lajmi se kjo revistë 8- faqëshe  do shpërndahej në 1000 kopje, dhe akoma me tej më afër marrëzisë siç e quajtën disa analistë, e më larg profesioanlizmit  u vendos në redaksinë e përkulur e të lodhur nga lavdia,  ribotimi i karikaturave   blasfeme.

Duke qenë njohëse e mirë e gjuhës dhe civilizimit francez,  po e mbyll  duke thënë : – “Tant pis”.

 

Rev. Familja, shkurt 2015