Razma, turizëm malor dhe klimë kurative

65

Nga Diana Syla

Razma është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në komunën e Shkrelit, në një distancë 43 km larg qytetit dhe 65 km larg bregdetit (Velipoja). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror.

Historikisht kjo zonë ka qenë bjeshka për veriun e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë nga qyteti i Shkodrës. Razma është një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë, e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldoci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopce.

Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standardeve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.

Rruga për në Razëm

Prej Koplikut ndahen rrugët për Malësi të Madhe dhe kalimi i famshëm për në fshatin Razëm. Për të shkuar atje, udhëtimi nga Shkodra bëhet me furgonë deri në Koplik dhe atje po me furgonë deri në Razëm. Udhëtimi zgjat një orë. Rruga është e rikonstruktuar dhe mund të shkohet edhe me makina të vogla.

Natyra

Boga_Shkoder_BogeSipërfaqja totale e Razmës është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave të tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, midis majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro- karstike të mbuluara nga kullotat alpine.

Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknikë etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor të Veleçik (1724) – Kunorë (1713) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të ahut dhe të pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta.

Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët që ìa ka ënda, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër është e lloj-llojshme, e gjuetia në këto zona është shumë e përshtatshme. Këtu ka disa ekosisteme të paprekura që shihen shumë thjeshtë.

Në këtë zonë mund të aplikohen sporte të tjera: si gara e shëtitje me kuaj, biçikleta etj.

Gjatë dimrit ka hapësira të volitshme për ski, sidomos në Fushën e Zezë, si dhe fushat sportive të kampit të Razmës. Kjo zonë ofron mundësi për zhvillimin e turizmit familjar.

Vendi rrëzë Veleçikut, ku freskia mirëpret turistë nga e gjithë Shqipëria

razmaRruga e asfaltuar deri në qendër të Razmës, afërsia me Shkodrën, çmimet tepër konkurruese, klima kurative, qetësia, ushqimi tradicional (mish fërliku) dhe bukuria natyrore janë këto disa nga arsyet pse Razma gjithnjë e më shumë po kthehet në një qendër dominuese e turizmit malor në Veri të Shqipërisë.

Me bukuritë natyrore dhe peizazhin e mrekullueshëm fillon të takohesh sapo lë Komunën e Kastratit në Malësinë e Madhe. Duke u ngjitur rrugës malore të asfaltuar, pamja përballë arrin fort larg deri te liqeni i Shkodrës. Për të vazhduar më pas rrugën nën shoqërinë e pemëve të larta dhe ajrit të pastër, derisa arrin rrëzë Veleçikut. Fshati me pak shtëpi duket se rron nën hijen e malit të Veleçikut, nga lartësia e të cilit arrin të shohësh Shkodrën dhe Podgoricën. Është fundjavë dhe të bëjnë përshtypje jo makinat e shumta me targa të Shkodrës, por ato me targa kryesisht të Tiranës dhe Durrësit. Të organizuar në ekskursione shkollash apo udhëtime turistike familjare ose shoqërore, Razma bëhet mikpritësja e shumë turistëve nga e gjithë Shqipëria, pse jo, edhe e turistëve të huaj.

Përveç pushuesve nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kjo zonë po frekuentohet edhe nga të huajt. Ata kanë mbetur tepër të impresionuar nga klima, bukuritë natyrore, mikpritja dhe dashuria e banorëve të zonës. Razma u ofron njerëzve edhe shërbim kurativ. Këtu vijnë shumë njerëz kryesisht astmatikë, alergjikë dhe të sëmurë me zemër, pasi ajri këtu ka vlera kurative.

Dreka tradicionale në këtë zonë është mishi i qengjit në fërlik. Në çdo lokal, në kohën e drekës, gjendesh përballë një fërliku.1279011262-feliku-razem

Ajo që të bën përshtypje në Razëm, siç rrëfejnë banorët, është fakti se këtu, gjatë natës, patjetër duhet të veshësh diçka me mëngë të gjata, pasi temperaturat bien ndjeshëm. Duke parë të gjitha këto që ofron Razma, shumë investitorë dhe biznesmenë kanë hyrë fuqishëm në investime, duke nisur ndërtime hotelesh nga më luksozët, ku nuk mungojnë edhe pishinat dimërore dhe verore për të bërë plazh në mal. Razma e ndodhur rrëzë Veleçikut dhe veç turizmit veror është një vend ideal për turizmin dimëror, veçanërisht për sportin e skive, tepër i njohur në zonë.

Rrotull Razmës janë fshatrat tepër të bukur të Vermoshit e Bogës, një perlë tjetër turistike dhe Vuklit, tjetër fshat paksa më tutje. Shpatet e maleve dhe rrafshinat e llojit lug midis tyre, të mbushura me pemë të drejta dhe pisha madhështore, janë një kënaqësi jo vetëm për syrin, por dhe për mushkëritë, të cilat në Shkodër kanë depozituar pluhurin e qytetit të madh dhe të zhurmshëm verior. Qielli gjithmonë blu dhe me nuanca të ndryshme sipas perëndimit, tërheq të apasionuarit e fotografisë, por ai bën garë edhe me ujin Kristal.

Privatët vendas dhe një investues nga qyteti po bëjnë të mundur që Razma, si në dimër dhe në verë, të jetë tërheqëse, me kushte fjetje dhe ngrënie tepër të mira dhe me konceptet e qytetit.

 Rev. Familja, maj-qershor 2015