Vëllimi me poezi “Rrjetë shpirti” – Arbërie Abdushi

99

Vëllimi me poezi “Rrjetë shpirti” i autores Arbërie Abdushi është një tekst që të përfshin në vorbullën emocionale dhe në dallgëzimet e një shpirti vibrant. Qysh në titull autorja të grish për të bashkëudhëtuar imagjinativisht nëpër fijet më të imëta që endin brendësinë e njeriut.

Tipari dominues i poezisë përvijohet në filozofinë e qenies, vështrimin e vetvetes në thellësi dhe abstragimin për botën rrethuese dhe ekzistencën e Krijuesit të gjithëdijshëm. Kjo frymë filozofike përcillet përmes një gjuhe të thjeshtë e konkretizuese dhe vargut klasik, që synon ritmin e rimën më shumë sesa shprehjen abstrakte të mesazhit poetik. Arkitektura e ngrehinës poetike strukturohet përmes një figuracioni të pasur, ku spikat metafora, simboli dhe krahasimi. Ky figuracion ndërton kontrastin mes të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, të drejtës dhe të padrejtës, që janë edhe motivet kryesore të këtyre vargjeve.

Arbërie Abdushi vjen më një zë individualizmi poetik në botën e poezisë, sepse nuk përpiqet të eksperimentojë me vargun, por ruan të njëjtën linjë natyrshmërie nga poezia në poezi. Të bie në sy një tipar krejt i mëvetësishëm i vargut të saj, që është pikërisht fundi befasues. Subjekti lirik mendon e vepron në një vijë logjike, por në fund devijohet mjeshtërisht nga kjo vijë dhe jepet zgjidhja befasuese për lexuesin. Për shembull në poezinë “Do ta çmend atë njeri” qysh në titull, duket sikur “lufta” zhvillohet mes unit lirik dhe një njeriu, ku kërkohet mposhtja deri në trajtat e çmendurisë së atij njeriu, por në fund të poezisë autorja zbulon se ky njeri është pikërisht vetvetja. Është uni ynë ai që shpesh zhytet në dyzime, mëdyshje dhe dyluftime. E njëjta teknikë shkrimore shpërfaqet edhe në poezinë “Buzë fantazisë”, “Tjetër” e shumë poezi të tjera ku fundi shenjon jo vetëm befasi por edhe pikën kulmore të mesazhit poetik.

Motivi më i zakonshëm i këtyre vargjeve është edhe prania e Krijuesit të botës, që herë shenjohet drejtpërdrejt përmes fjalës “Zot”, e herë ndryhet në tekstin poetik, duke nxjerrë krye në formë të nënkuptuar. Ky nënkuptim e poetizon më tepër dukurinë dhe u jep më shumë forcë emocionale, veçanërisht kur motive të Kuranit apo hadithe të ndryshme përthyhet të kontekstualizuara në vargje. Një formë e tillë komunikimi përbën risi në traditën e poezishkrimit me frymë islame dhe shpresojmë që kjo rrugë të përthellohet akoma më shumë edhe me poezi të tjera nga autorja.

Vëllimi poetik “Rrjetë shpirti” i autores Arbërie Abdushi është mirëpritur nga shqiptarët e Maqedonisë përmes botimit të parë dhe urojmë që libri të ketë të njëjtin fat edhe në këtë botim të Shoqatës Kulturore “Gruaja”, si një kontribut për përcjelljen e poezisë me fryme besimi tek lexuesit shqiptarë.