Nga Marjeta Çurumi
Edhe pse ngrihem, buzëqesh dhe flas
edhe pse sorollatem, kërkoj dhe thërras,
edhe pse lodhem, ëndërroj, buzëqesh,
edhe pse iki,
mos u mërzit,
kthehem, shpejt do më gjesh.
Edhe pse zgjas dorën, lyp ndjenjë dhe mirëkuptim,
unë jam kjo që jam, pa asnjë ndryshim.
Unë jam kjo që jam,
edhe pse s’më kupton,
zvarritem mes ëndrrash,
e tretur në iluzion
Kapitem mes dëshirash, shpresash pa bazë,
kërkoj të kem një gjuhë,
që më mirë të mos flasë.
Unë jam ajo, që kërkoj rimën
në jetën e parimuar,
kërkoj emocionin në zemrën e trishtuar,
kërkoj përmbajtjen
në sytë e dashuruar,
kërkoj besimin në shpirtin e harruar.
E dua vetveten, edhe pse…
besoj, më kupton
shpeshherë e urrej kur ajo gabon,
shpeshherë më vjen ta qëlloj, ta dënoj, ta braktis,
me mendimin naiv, që kaq shumë më bezdis.
Por kjo jam unë, që lutem, kërkoj
kjo jam unë, që kërkoj të ndryshoj
Nuk kam çfarë të them,
unë fluturoj,
por shpejt rrëzohem, sa prek në një sprovë
Dhe zgjas duart drejt Zotit,
me shpresën se do ndryshoj!
Rev. Familja, prill 2015