Heronjtë e përrallës së jetës

218

Nga Sherife Kalaja

Jeta ecën me hapat e saj të shpejtë dhe pa e kuptuar vëmë re që nuk jemi më të vegjël si dikur. Vogëlushë pesë vjeçarë që prindërit dhe gjyshërit u tregojnë përralla për të zhvilluar sa më shumë imagjinatën dhe ndjenjën e krijimtarisë estetike. Më pëlqen të kthehem pas në kohë,në çaste meditimi dhe të kujtoj kohën kur imagjinata ime ecte me hapa të shpejtë drejt fjalëve që buronin prej shpirtit të prindërve të mi nga bota e përrallave.

Heronjtë ishin gjithmonë aty, për të shpëtuar ndonjë mace të mbetur në një degë peme, për t’i dhënë ëmbëlsira një vajze të vogël që po qante, për të shpëtuar qytetin nga ndonjë përbindësh. Më pëlqenin heronjtë me fuqitë e tyre duke filluar nga ato të thjeshtët e deri tek shpëtimtarët e botës. Ata ishin të ndryshëm si në fizik ashtu edhe në fuqi, por të gjithë i bashkonte diçka e madhe, mirëbërësia. Të qenit të dobishëm për komunitetin ku jetonin. Pra, ishte pikërisht kjo cilësi që i lejonte ata të formonin bashkësinë e heronjëve.

Tablosë së përrallave i zbehet shkëlqimi për të kaluar në një realitet përrallor, vjen një kohë që e kuptojmë që nuk ekzistojnë heronjtë e përrallave, jo për ndonjë arsye tjetër por për faktin e thjeshtë se përrallat nuk janë të vërteta. Pavarësisht se në këtë fazë kuptojmë diçka, sërish vazhdojmë të jetojmë lumturinë e pakufishme, me besimin se të gjithë janë të mirë dhe se çdo dëshirë e jona mund të bëhet realitet dhe me përpjekjekjen për të plotësuar ëndrrat me bazë imagjinate. Puzzle-i i jetës dalëngadalë po formon një figurë, figurën e personalitetit tonë.

Përpiqesh të ngjisësh shkallët e jetës, por më parë të duhet të kapërcesh barrierat e realitetit që të plagosin thellë në shpirt duke të treguar që imagjinata dhe ëndrrat do të mbeten gjithmonë të tilla. Jeta të tregon fytyrën e saj më të egër, por ndoshta edhe më të vërtetë duke të thënë se ashtu sic ekziston e mira, e vërteta, morali, kultura, dashuria, sinqeriteti, po aq ekzistente dhe të fuqishme janë edhe të kundërtat e tyre.

Jeta të sfidon të hedhësh tutje syzet e imagjinatës dhe të shohësh me ato të realitetit.

Befas zhduken të gjithë heronjtë e tu dhe aty duke ecur në rrugën e jetës, të vetëm por gjithmonë bashkë, të lodhur por të lumtur, të thyer por krenarë sheh dy njerëz të kërrusur nga barra e problemeve të jetës që vazhdojnë të çapiten edhe pse në një terren të vështirë. Ata të dy, prindërit, nga të cilët njerëzit e mençur krijuan mishërimin e heronjve të jetës. Është i dhimbshëm fakti se heronjtë shpëtuan botën vetëm një herë, me posedimin e një fuqie të caktuar, ndërsa ata të dy të shpëtuan ty me mijëra herë dhe pa asnjë fuqi mbi njerëzore, gjithçka mbeti në kufijtë e njerëzores përveç sakrificës së tyre. Heronjtë njihen, mbahen mend, u flitet për ta pasardhësve, ndërsa ata të dy mjaftohen me prezencën e tyre në shpirtin tënd, nuk duan t’u thuren lavde e të përmenden deri në përjetësi, por duan thjesht nga ti, pra nga vetëm një person respektin dhe ndjenjën e të qenit krenarë.

Ata, njerëzit që sakrifikuan kohën, jetën, rininë, pasurinë e tyre për ty, duan shumë pak ose e them sinqerisht asgjë në raport me sakrificën e vetëmohimit. Dua t’i bëj këta njerëz të lumtur pranë meje dhe të ndihen krenarë për mua dua t’u tregoj se sakrificat e tyre mbinjerëzore is vlejtën dhe se unë u bëra ajo që ata në ëndrrat e tyre më të bukura mendoni se do të bëhesha.

Ndiej dhimbje kur shoh se filmi me metrazh të shkurtër i jetës së tyre po mbaron, mos është kjo një padrejtëti që unë ua imponova atyre, që duke jetuar për mua harruan që edhe jeta e tyre e ka një fund, ndoshta edhe më të afërt se ajo e imja që ata po përpiqen me forcën e krahut dhe të shpirtit që unë të arrij objektivat dhe të notoj me sukses në detin e jetës.

Për heronjtë e mi të përrallës së jetës, për prindërit e mi, për ata që sakrifikuan për mua deri në skajet e njerëzores deri aty sa edhe unë vetë nuk do të kisha sakrifikuar për veten time, për ata që më plotësuan dëshirat e fëmijërisë, për ata që më bënë realitet ëndërrat e rinisë, pragmatikisht nuk mund të bëj asgjë sepse edhe po të bëj gjithçka mundem ajo përpjekje dhe mundi im do ishin një hiç i madh përballë jetës së tyre të harxhuar, përballë jetës së tyre të harxhuar për mua.

Shpirti më lëndohet kur kuptoj se jam e paaftë t’ua shpërblej për ato që kanë bërë për mua por gjej pak ngushëllim kur mendoj se ekziston një botë tjetër, një jetë tjetër, një kohë e pambarimtë, pas këtij kufizimi kaq të shkurtër ku po jetojmë.

Atëherë me atë pak fuqi që më kam mbetur ngrej duart lart qiellit për të thërritur Atë që i përgjigjet lutësit të lutjes kur lutet dhe nga fundi i shpirtit thërras me zërin e lartë të ndërgjegjes e them: “O Zot, mëshiroi ata të dy siç më edukuan kur isha e vogël! O Zot, Ti je më i Dituri por unë mendoj se vendi i tyre është Xheneti, mjaft kanë vuajtur për mua, mjaft kanë sakrifikuan për mua, mjaft janë lodhur për mua dhe e gjithë kjo për të më rritur dhe edukuar me kodin e moralit dhe sjelljes së profetit Tënd! O Zot, largoji ata të dy nga zjarri i Xhenemit ashtu siç më larguan ata mua nga harami! O Zot, afroji ata të dy me Xhenetin ashtu siç më orientuan ata mua drejt hallallit!”

Çfarëdo që të bëj unë është thellësisht e pamjaftueshme! A mund të krahasohet një kokrrizë rëre me shkretëtirën e pafund?! Jo, kurrsesi ato nuk janë të barabarta! Kështu që mund të bëj është që të lutem për ta dhe t’i le ata të dy të shpërblehen nga Madhështia dhe Mëshira e Zotit Tim. Shpërblimin e tyre ua besoj vetëm Atij, Allahut!

Tetor 2017