Nënë, ti je frymëzimi im..

101

Umejma Abdul Aziz Zahed

Nënë, aromë e shpirtit tim! Sa herë mundohem t`i shpreh ndjenjat e mia për ty, lotët më pengojnë. E kam provuar shpesh këtë gjendje, aq sa jam bindur se nuk ka shkronja apo fjalë që të shpreh ndjenjat e mia për ty.

Më ke mbajtur me vete për nëntë muaj. Teksa unë rritesha, ti rëndoheshe e dobësoheshe. Ti e shtrejnta ime, ëndërroje ditën kur unë do të vija në këtë jetë, të cilën e prisje me padurim. Kur unë linda, lotët e gëzimit tënd u përzinë me qarjet e mia të para… Për ty, unë u bëra motiv i jetës. Lodheshe derisa të më vije në gjumë. Nata ime, ishte ditë për ty dhe rrahjet e zemrës tënde, ninullë e ëbmël për mua. Gjiri yt ushqimi im. Në duart e tua o dritë e dashurisë, mësova të jetoj. Sa herë që jam rrëzuar, kraharori yt ka qenë prehja ime. Kur kisha dhembje, vetëm  ninullat e tua më qetësonin. Sa herë mi ke fshirë lotët me ato duar të ngrohta. Kur frikësohesha isha e sigurtë se me ty pranë do të më largoheshin menjëherë. Rënkoje me dhimbjet e mia dhe të drithërohej zemra për shqetësimet e mia. E shtrejnta ime, lutjet e tua kanë qenë bekimi për mua. Ato më janë gjendur si freski e shpirtit dhe më kanë dhënë forcë për të ecur përpara.

Ti je frymëzimi i të gjitha sukseseve të mia. Në çdo pengesë që kam kapërcyer për gjatë jetës sime, ti nënë, ke qenë burim force për mua.

E dashura nëna ime! Ti më ke drejtuar për në rrugën e drejtë, i ke dhënë dritë paqartësive të mia.

Asnjëherë nuk ndjeve lodhje për mua… Asnjëherë nuk u ankove…

Asnjë sukses i imi nënë, nuk do të kishte kuptim pa ty. Shpirti im, është shpirti yt. Gjaku im është gjaku yt. Sado të rritem dhe të arrijë majat e suksesit, përherë do të kem nevojë për dashurinë tënde dhe për bekimet e tua. Gjithmonë do të qetësohem kur ta vendos kokën në prehërin tënd sepse çdo lodhje e imja tretet nga prekjet e tua.

I lutem Zotit të ma mundësojë që ta gëzoj zemrën tënde.

Prandaj sot pranë teje qëndroj në gjunjë dhe të kërkoj falje për të gjitha dhembjet që të kam sjellë. Në këtë dynja nuk kërkoj më shumë veç të fitoj bekimet e tua. Të ta gëzoj zemrën sepse nëpërmjet teje do ta fitoj Parajsën time.

I lutem Allahut të Madh të të dhurojë mëshirë nga Mëshira e Tij e pafund. Të të shpërblejë për mundin tënd karshi meje dhe vëllezërve të mi. Të të ruajë nga sëmundjet, të ta zgjasë jetën dhe të t`i falë gjynahet. Në fund të na bashkojë të gjithëve në Parajsën e Firdeusit të Lartë.

Rev. Familja, mars 2015