Misvaku, furça natyrale për dhëmbët tuaj

56

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Sikur të mos ia vështirësoja umetit tim, do t’i urdhëroja që ata të përdorin misvakun sa herë që marrin abdes”.

Ç’është misvaku?
Me mijëra vite është përdorur nga njerëzit duke arritur veti shumë pozitive nga të mirat e kësaj brushe natyrale, e cila nxirret nga rrënjët e drurit të misvakut që njihet me emrin shkencor Salvadora Persica. Ajo rritet në zonat e ngrohta dhe prej saj përgatiten shumë ilaçe. Kjo pemë i ngjan shegës, është e bukur dhe e gjelbër gjatë gjithë vitit.

56228_107319936007738_105273549545710_61993_4429823_oRëndësia e misvakut në Islam

Misvaku ka status të lartë në Islam. Ai ka qenë përdorur për pastrimin e dhëmbëve shumë kohë para ardhjes së Profetit (alejhi selam). Ebu Ejubi (r.a.) na ka treguar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Katër gjëra janë sunete të pejgamberëve: synetimi, parfumosja, misvaku dhe martesa” (Ahmedi dhe Tirmidhiu). Ky hadithi na tregon se misvaku është sunet dhe praktikë e të gjithë pejgamberëve (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Ndaj mund të themi se praktika e përdorimit të misvakut është e vjetër sa edhe vetë njerëzimi, meqenëse prejardhja e njerëzve në tokë është prej pejgamberit të parë, Ademit (alejhi selam). Në anën tjetër, ata që e lënë pas dore përdorimin e misvakut, ata e privojnë veten nga sevapet (shpërblimet) për shkak të mospraktikimit të këtij suneti fisnik. Aliu (r.a.) ka thënë: “Bëjani vetes detyrë përdorimin e misvakut dhe përqëndrohuni në përdorimin e tij, sepse në të është kënaqësia e Allahut dhe ai (misvaku) e rrit shpërblimin e namazit prej 90 deri në 400 herë”.

148683_107319826007749_105273549545710_61987_8136499_nDobitë e misvakut

Shkencëtari gjerman Rowadart, drejtori i Institutit të Mikrobiologjisë në Universitetin Rostock, thotë: “Kam lexuar rreth misvakut, të cilin e përdorin arabët si furçë dhëmbësh dhe të them të drejtën m’u duk qesharake dhe prapambetje e këtij populli, të cilët i pastrojnë dhëmbët me një copë druri në shekullin e 20-të. Thashë me vete: ‘Po sikur pas kësaj të ketë ndonjë të vërtetë shkencore?!’ Menjëherë fillova studimet e mia. Pasi e bluajta misvakun dhe e përzieva me ujë, e vendosa mbi një zonë të mbjellë me mikrobe, ku befas filluan të shihen pasojat, ashtu siç vepron penicilina”.

Ndërsa doktori Frederik Fister, që prej shtatë vitesh po përdor vetëm misvakun në këtë fushë. Nëse do të shikojmë përbërjen e misvakut atëherë do të kuptojmë shkakun e zgjedhjes profetike, ku burimi i tij është vetëm shpallja hyjnore. Studimet e fundit vërtetojnë se dobitë e misvakut janë të shumta dhe ndër to mund të përmendim:

  • Pastron gojën dhe ndërpret gjakderdhjen nga mishrat e dhëmbëve, duke i forcuar ato.
  • Lëngu singirin ka një erë të fortë dhe shije djegëse, që ndihmon në shkatërrimin e bakterieve.
  • Prania e kloraidit dhe silicës shtojnë bardhësinë e dhëmbëve, ndërsa prezenca e lëndës ngjitëse i mbron dhëmbët nga prishja.
  • Gjithashtu në përbërjen e misvakut ka një sasi të  konsiderueshme fluori, i cili i jep rezistencë dhëmbëve dhe lufton ndikimin e aciditetit ndaj prishjes.
  • Ndihmon në mënjanimin e dhimbjeve të dhëmbit, si dhe parandalon rritjen e mëtejme të prishjes.
  • Analiza e misvakut tregon se ka një sasi acidi që ndihmon në largimin e sekrecioneve nga mushkëritë.
  • Në të gjendet edhe 1% lëndë vajore me aromë të mirë, që parfumos gojën me erë të mirë.
  • Analistët zbuluan edhe inthralitonin, që ka një dobi të madhe në shtimin e oreksit.
  • Është ilaç për kokëdhembjet dhe qartëson (pastron) zërin.
  • Dobia më e madhe e përdorimit të misvakut është fitimi i kënaqësisë së Allahut. Ibn Umeri (r.a.) na ka treguar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: Përdoreni rregullisht misvakun, se me të vërtetë është e shëndetshme për gojën dhe është kënaqësi për Krijuesin (d.m.th. Allahu është i kënaqur me muslimanët që përdorin misvakun)” (Buhariu).

Përdorimi:

  • Para përdorimit të parë shpëlajeni misvakun me ujë që të zbutet pak. Misvaku është më i mirë nëse përdoret pasi të jetë futur në ujë trëndafili.
  • Qëroni lëvoren e misvakut në majë përafërsisht 1-2 cm.
  • Nëse misvaku është tepër i thatë, atëherë zbuteni majën e misvakut në ujë për një kohë të shkurtër.
  • Përtypeni pak, derisa të jetë formuar një lloj brushe në majë.

Pastrimi: Misvaku duhet të mbahet në atë mënyrë që gishti i vogël dhe gishti i madh të mbahen nën misvak, ndërsa gishtat e tjerë të mbeten në pjesën e sipërme të saj. Më pas bëhet pastrimi i dhëmbëve. Duhet patur kujdes që gjatë përdorimit të misvakut të mos e shtypni shumë në mishin e dhëmbëve, sepse mundet që me anë të shtypjes së madhe të lëndohet mishi i dhëmbëve. Për pastrim normal mjafton një shtypje e butë e misvakut në dhëmbë.

Ruajtja: Ruani misvakun në një vend të pastërt dhe të thatë.

Rivendosja: Nëse fijet e misvakut janë bërë shumë të buta dhe të çara, ju mundeni thjeshtë ta preni atë pjesë dhe të filloni prap nga pika 1. Pas 2-3 ditësh të përdorimit është e preferuar që të preni pjesën e përdorur dhe të përdorni pjesën tjetër. Një dru i misvakut është përafërsisht 15 cm. Përdoret gati 4 javë, pavarësisht si dhe sa herë e përdorni në ditë.

57082_107320062674392_105273549545710_61996_2083358_oStudime mbi misvakun

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar përdorimin e misvakut në vitin 1986, ndërsa në vitin 2000 në një raport ndërkombëtar për higjenën orale është arritur në përfundimin se janë të nevojshme kërkime të mëtejshme për të vërtetuar efektet e misvakut.

Dr. Rami Muhamed Diabi ka bërë më shumë se 17 vjet kërkime për efektet e misvakut mbi shëndetin e njeriut dhe sidomos për efektet e saj kundër varësisë ndaj duhanit (anët kuruese dhe parandaluese).

Një kompani farmaceutike zviceriane kreu studime dhe eksperimente për të parë nëse vendosja e elementëve të misvakut te një pastë dhëmbësh do bënte apo jo të mundur që pasta të kishte të njëjtat vlera si misvaku. Pasi e nxorri në treg pastën e dhëmbëve arriti në përfundimin se rezultati nuk ishte ai që pritej, pra si ai i vetë misvakut. Pra, cili ështe shkaku i kësaj dhe sekreti i misvakut? Kjo ndodh sepse te misvaku gjenden edhe elementë të tjerë, të panjohur që shfaqen në momentin kur misvaku bashkëvepron me pështymën. Këta elementë janë natyralë te misvaku dhe ndikimi i tyre del në pah kur enzimat hyjnë nën veprimin e pështymës dhe arrijnë të vrasin 97% të mikrobeve në një kohë shumë të shkurtër.

Kompania Wrigley bëri një studim mbi misvakun, i cili u botua në Gazetën e Bujqësisë dhe kimisë së Ushqimit. Studimi arriti në konkuzionin se pastat e dhëmbëve të pasuruara me ekstraktin e misvakut ishin 20 herë më efektive në vrasjen e baktereve se pastat të zakonshme. Një dëshmi të vogël për këtë fakt është se pas gjysmë ore, pastat e dhëmbëve me ekstrakt misvaku vranë rreth 60% të baktereve, kurse ato të zakonshmet 3.6%.

Kini kujdes! Sot po dëgjojmë shumë prej shkencëtarëve të ngrenë zërin se furça dhe pasta e dhëmbëve është më e mirë, por zbulimet e fundit nga Organizata e Dentistëve në Amerikë thonë se, bakteriet rriten dhe zhvillohen tek furça plastike 14 ditë pas përdorimit të saj. Pas këtyre që thamë, shtrohet pyetja: Vallë, a është përdorimi i misvakut prapambetje?

Ringjallja e praktikimit të misvakut në vend të përdorimit të zëvendësimeve të ndryshme është i rëndësisë më të madhe për muslimanët. Në kohërat e tilla kur jemi të ballafaquar dhe rrethuar nga fuqi djallëzore jofetare, materialiste, ateiste është shumë e rëndësishme që muslimanët të orvaten me entuziazëm, që të rivendosin praktikimin e sunetit të Pejgamberit tonë të dashur (alejhi selam), e ndër to bën pjesë edhe misvaku. Zëvendësimet, si p.sh. pastat e dhëmbëve dhe furçat etj., duhet që të përdoren vetëm në rast kur është i pamundur përdorimi i misvakut, sepse me të vërtetë përdorimi i tij është një sunet i vlefshëm.