Gjuha është instrumenti me të cilin formulohen mendimet, ndjenjat etj. Me anë të saj ndajmë mendimet me të tjerët, shprehim besimet, ndjenjat e vendosim lidhjet. Ajo ka forma e teknika të ndryshme përdorimi.
Zhvillimi gjuhësor është veç një nga aspektet e zhvillimit. Ai ndërvepron ngushtë me zhvillimin kognitiv, social, fizik dhe emocional të fëmijës. Përdorimi i gjuhës rrit fuqinë e njohjes, shton mundësitë e ndërveprimit me të tjerët, ndihmon për të organizuar dhe artikuluar përjetime emocionale. Buzëqeshja, e qeshura, e qara janë instrumenta paralelë të shprehjes. Sfida më e madhe në vitet e para të jetës së fëmijës është bashkëshoqërimi i gjëndjes së perceptimeve, përjetimeve me format respektive të shprehjes verbale.
Tingujt e parë të bebit janë të qarat dhe zhurmat fiziologjike. Gugatjet shfaqen rreth 2 muajsh, ndërsa belbëzimat e përsëritura rreth moshës 6 muajsh përfshijnë një numër të madh vokal. Nga fundi i vitit të parë belbëzimat bëhen të ngjashme me të folurën si në tingull ashtu edhe në intonacion. Periudha paraverbale është faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e gjuhës së mëvonshme. Duhet të kuptojmë se pa të qara, pa belbëzime, pa gugatje nuk ka gjuhë.
Kujdes!
Në qoftë se fëmija juaj është shumë aktiv, mos prisni fjalën e parë! Nëse vini re se diçka nuk shkon tek ai vraponi tek specialisti dhe mos i besoni këshillës së rrugës: “Do të flasë më vonë.”
Të dashura nëna!
Të folurit është një nga aktivitetet më të rëndësishme të jetës. Ai zhvillohet në fëmijëri dhe ndikon fuqishëm në të gjithë jetën e fëmijës suaj, çdo fjalë e thënë nga ju regjistrohet nga ai dhe e ndihmon fëmijën të nxjerrë tingujt e parë e më pas të flasë bukur e rrjedhshëm. Në fëmijërinë e hershme nëse ka pengesa në të folurin e fëmijës, mos u alarmoni, por kërkoni ndihmë sepse sa më herët të kapet problemi aq më shumë mundësi ka të kalohet pa lënë gjurmë.
Etapat e zhvillimit të gjuhës
4 Muajsh
Tek foshnjat të thirrurat, klithmat e të qarat kanë domethënie të ndryshme. Jini të vëmendshëm t’i kuptoni e t’i dalloni! Tregojini fëmijës se e kuptoni.
6 Muajsh
Gugatjet, të qeshurat, vështrimet provojnë se fëmija juaj kupton shumë gjëra.
9 Muajsh
Shfaqja e rrokjeve të dubluara “ma-ma”, “ba-ba” etj. tregojnë se foshnja përpiqet të imitojë të folurën rreth tij. Ai ushtron muskujt e tij, bën “jo” me kokë, “bravo” me duar. Vërtetë është një gjuhë ndryshe nga e jona, por është një dëshirë për të komunikuar.
12 Muajsh
Vihen re fjalët e para dhe duhen inkurajuar. Konsiderojeni fëmijën tuaj si bashkëbisedues të vërtetë. Ai kupton shumë edhe pse nuk shprehet aq qartë sa ju.
18 Muajsh
Fëmija është i aftë të formojë 2 fjalë për të shpjeguar idetë apo dëshirat e tij. Mund ta ndihmoni dhe ta stimuloni duke i propozuar, por pa i imponuar fjali më të gjata sipas situatës.
2 Vjeç
Fjalitë ndërtohen mirë e fjalori pasurohet tek fëmija çdo minutë. Fëmija ndërgjegjësohet për veten e tij; thotë emrin e tij ose “mua” për veten e tij. Meqenëse ai ka aftësi të kuptojë më shumë sesa të shprehet, do të flasë me nxitim prandaj edhe mund të gabojë.
3 Vjeç
Fëmija juaj thotë “unë”. Fillon e përdor emra abstraktë, mbiemra, përemra, ai kupton gjuhën e aktiviteteve të tij të përditshme, por është normale që disa tinguj të mos i vargëzojë dot me njëri – tjetrin.
4 Vjeç
Gjuha pothuajse është konsoliduar, ai kupton mirë çfarë i thoni dhe mundohet të shprehet mirë, pyet vazhdimisht, di të numërojë etj.
5 Vjeç
Vendos foljen sipas vetës, manovron mirë me të folurin me ndonjë pasaktësi gramatikore dhe shqiptimin jo të mirë të ndonjë tingulli. Ato zhduken pothuajse plotësisht rreth moshës 6 vjeç, moshë në të cilën është gati dhe kërkon të shkojë në shkollë.
Më poshtë do të sjellim renditjen e zhvillimit të dy planetëve të mëdha të gjuhës:
Mosha | Të kuptuarit | Të shprehurit |
0-4 Muajsh | Ø Kthehet nga vjen zëri
Ø Vëzhgon objektet Ø Qesh kur i flasin Ø Njeh nënën Ø Shpreh kënaqësi dhe dhimbje |
Ø Qan kur lind
Ø Nxjerr klithma Ø Vokalizon Ø Nxjerr zëra kur i flasin |
4-8 Muajsh | Ø Duartroket kur ia kërkojmë
Ø Kupton emërtimet e ndonjë sendi Ø Reagon kur i flet me emër |
Ø Kombino disa zanore bashkë
Ø Nxjerr tinguj të veçantë Ø I përgjigjet emrit të tij |
8-12 Muajsh | Ø Njeh pjesëtarët e familjes
Ø Ka një fjalor pasiv rreth 10 fjalë Ø Ndalon kur i themi jo |
Ø Shprehet me mimikë
Ø Ka thënë fjalët e para |
12-18 Muajsh | Ø Kupton një urdhër të thjeshtë dhe e zbaton atë
Ø Jep objekte kur ia kërkojmë Ø Fillon të thotë “jo” Ø Përqafon prindërit |
Ø Përdor fjalë të tjera përveç “mama” dhe “baba”
Ø Përsërit fjalë një rrokëshe Ø Shprehet me fjalë – fjalë |
18 Muajsh –
3 Vjeç |
Ø Rrit ndjeshëm kuptimin e fjalëve
Ø Përsërit fjali me 3-4 fjalë Ø Luan me fëmijët e tjerë Ø Luan me veten në pasqyrë |
Ø Ka filluar të flasë
Ø Fjalori aktiv fillon të pasurohet Ø Bën fjali me më shumë se 2-3 fjalë Ø Bën shumë pyetje Ø Përdor për emrat përemrat pronorë si : i mi, i yti etj. |
3-4 Vjeç | Ø Kupton shumë fjalë dhe njeh 4-5 ngjyra.
Ø Vizaton një njeri , shtëpi etj. |
Ø Përdor intonacionin për pyetjet që bën
Ø Fjalori i tij përmban rreth 1000 fjalë Ø Flet me vete kur luan Ø Tregon çfarë i ka ndodhur Ø Bën fjali të gjata Ø Përdor shumësin |
4-5 Vjeç | Ø Vendos objekte në vendin e duhur
Ø Ndjek me interes përrallat |
Ø Përdor fjali të përbëra
Ø Tregon histori pa ndihmën e figurës Ø Përshkruan një objekt dhe shpjegon përdorimin e tij |
5-6 Vjeç | Ø Kupton dhe njeh disa shkronja
Ø Njeh disa profesione Ø Kupton shakanë Ø Ka miq Ø Respekton radhën kur luan |
Ø Pyet për fjalët që nuk i kupton
Ø Përdor të ardhmen e të shkuarën Ø Përdor “sot” , “nesër” , “dje” Ø Flet rrjedhshëm e me korrektësi |
Zhvillimi gjuhësor
Ndodh që krahasimet e bëra nga prindërit mes zhvillimit gjuhësor të fëmijës së tyre me fëmijë të tjerë me të njëjtën moshë të bëhen burim shqetësimi për ta. Një fëmijë ka folur që 9 muajsh ndërsa tjetri po bëhet 2 vjeç dhe akoma nuk flet. Ky mund të jetë një shqetësim primar. Mjeshtërit e zhvillimit të fëmijës theksojnë se zhvillimi është individual e çdo fëmijë ka veçantinë e tij të zhvillimit. Fëmijët kanë nevojë t’i japin kuptim botës sapo ata lindin dhe për këtë përdorim gjuhën. Që në orët e para i porsalinduri tenton të ndjekë dhe t’ju japë kuptim pamjeve, erërave dhe tingujve. Ata fillojnë të komunikojnë përmes gjuhës jo verbale. Ata me të qeshurat apo me të qarat e tyre i drejtohen personit që kanë përballë për të dhënë mesazhe plot kuptim. Ata rriten, fillojnë të buzëqeshin, të flasin në mënyrë të brishtë, ndonjë pasaktësi e më në fund flasin lirshëm e janë gati të përballen me të rejat e të panjohurat.
Migena Kurushi, terapiste zhvillimi
Revista “Familja”, janar 2017