Shkupi i njëmijë kujtimeve

80

E kam thënë dhe e rithem: të rivizitosh të njëjtat vende është shumë herë më kënaqësi se të vizitosh vende të reja. Ka gjithmonë diçka të re për të zbuluar, ndërsa kujtimet dhe nostalgjia e bëjnë këtë përjetim akoma më të veçantë.
Shkupin e kam vizituar me dhjetëra herë dhe gjithmonë e kam parë nga këndvështrime të ndryshme. Në disa raste me hartë në dorë, në disa të tjera me udhërrëfyes (qoftë shqiptarë apo maqedonas, për të kuptuar të dyja pikëpamjet) dhe në shumë raste, thjeshtë e kam lejuar veten të “humbas” rrugëve të qytetit.
N’Matkë

Matka2
Matka në shumë aspekte ma kujton Syrin e Kaltër në Shqipëri, edhe pse në fakt është një shteg mes kanionesh dhe kodrash të thepisura. Matka është një mrekulli. Por më mirë mos pyesni për emrin, vetë rrugëtimi tregon për simbolikën e saj. Në Matkë gjendet dhe liqeni artificial më i vjetër në botë. Matka është një ndër rrethinat e Shkupit që duhet vizituar patjetër, është shumë afër qytetit dhe mund të shkohet pa ndonjë mund të madh; ka plot thesare për të zbuluar.
Xhamia e Mustafa Pashës (1492)
Kjo xhami ëshë konsideruar si një nga faltoret më elegante dhe më madhështore të Shkupit, falë dhe pozitës strategjike në kodër të Pazarit të Vjetër dhe m’u përballë me Kalanë. Portiku i saj është i zbukuruar me stalaktite, ndërsa minaret me kaligrafi të vjetër osmane. Oborri i vogël që e rrethon nga të treja anët të dhuron një ndjesi qetësie dhe paqje të papërshkrueshme.
Thuhet se Mustafa Pasha e ndërtoi këtë xhami për nderë të njërës prej katër vajzave të tij, Umi, e cila e dashuronte Shkupin dhe shkonte shpesh ta vizitonte.

mosque-in-skopje-macedonia
Çarshija e vjetër
Për të zbuluar perlat e Shkupit duhet më parë të thyhet “guacka” e qytetit që është një ndër lagjet më të vjetra e që përfshin Pazarin e Vjetër, Kalanë dhe Çarshinë. E gjithë kjo zonë është një dëshmi e gjallë e kulturës osmane dhe dëshirës për t’i dhënë Shkupit një identitet të ri.
Gjatë sundimit Osman, Shkupi përjetoi një periudhë të artë, gjatë së cilës ekonomia lulëzoi, qyteti mori një pamje të re falë xhamive me blloqe mermeri, hamameve dhe medreseve. Kalldrëmet gjithashtu janë një thesar i çmuar i qytetit që ende vazhdojnë të ruhen plot xhelozi.

Skopje-Old_Bazaar10

 
Çfarë përfaqësojnë dordolecat (statujat) për Shkupin?

Kujtesa kulturore është një term shumë i gjerë dhe përfshin elementë mediatikë, rituale, mite, monumente, njohuri kulturore etj.
Kultura mund të shihet si një kornizë tridimensionale që përbëhet nga aspekti social (njerëzit, marrëdhëniet shoqërore dhe institucionet); aspekti material (punimet artizanale përfshi këtu monumentet, skulpturat dhe statujat) dhe aspekti mendor (mentalitetet, mënyra e të menduarit etj).
Në këtë rast monumentet mund të shihen si përcjellëse të një nocioni historik nga e kaluara (në këtë rast figura historike) që pa elementin historik do të ishin instrumente të kota dhe do të dështonin në misionin e tyre për të lënë shenjë dhe për të pasur ndikim në shoqëri.
Nocioni i kujtesës kulturore duhet të jetë në përputhje me lidhjen që ekziston midis të kaluarës së një kombi dhe identitetit kombëtar aktual.

Macedonia_142027159_sRGB_fc (1)
Nuk kam dëgjuar njëri të ndiejë ndonjë tërheqje nga ky lloj projekti, që përfshin ndërtesa dhe statuja madhështore deri diku të ekzagjeruara, vetëm se të shprehet i zhgënjyer dhe i indinjuar, sidomos vendasit. Disa thonë se është një përpjekje e dështuar promovuese për të tërhequr turistët. Disa të tjerë janë të mendimit se është një përpjekje politike për t’i vënë vulën atij aspekti të trashëgimisë historike dhe kulturore që vetë qeveria dëshiron të promovojë.
Për mua është thjeshtë një gjetje qesharake, që edhe pse në pamje të parë të dhuron një “uau”, kur gjendesh më pas mes gjithë atyre statujave të shëmtuara që ta zënë frymën, kupton se sa patetik është ky projekt. Për të mos përmendur mediokritetin dhe pafytyrësinë për të kopjuar kryevepra të arkitekturës botërore si Harku i Triumfit, Kulla Eiffelit apo Shtëpinë e Bardhë. E preferoja Shkupin pa to, siç ishte kohë më parë, ku shkrirja midis pjesës së vjetër të qytetit dhe pjesës së re vinte natyrshëm. Ura e Gurtë ishte kurora lidhëse që këndshëm bashkonte të dyja anët.

350px-Skopje_landmarks
Nada Dosti

Revista “Familja”, janar 2017