Acar në zemrat e të varfërve

120

Oriola Sula

Për herë të parë pas 32 vitesh qytetarët e Tiranës iu gëzuan dëborës së bardhë që mbuloi me vellon e saj rrugët dhe gjithçka. Jo vetëm fëmijët por të gjithë u magjepsën nga ky fenomen që rrallë ndodh në kryeqytet. Në rrjetet sociale bëhej garë se kush bënte foton më të bukur në dëborë, a thua se ky fenomen natyror ishte një bekim dhe jo një sfidë e madhe për qytetarët. Sigurisht, kur jeton në një shtëpi të ngrohtë dhe ke mundësi të vishesh e ushqehesh mirë për të përballuar të ftohtin e madh që sjell dëbora me vete, i shijon në maksimum ato dy ditë të bardha në kryeqytet. Por vallë çfarë ndodh në ato qytete e fshatra ku dëbora arrin të mbulojë dyert e shtëpive dhe bllokon çdo rrugë? Kjo situatë e përvitshme është një sfidë e vërtetë për banorët e këtyre zonave të cilët për ditë të tëra izolohen brenda 4 mureve derisa presin një rreze dielli, që të shkrijë borën e akullin e t’i rikthehen jetës normale. E kështu, të mësuar me këtë situatë të përvitshme, këto familje mundohen të përgatisin zahiret e dimrit që në verë, me qëllim që, kur të vijë i ftohti i acartë, t’i gjejë të përgatitur më së miri.

Thanë se i ftohti i këtij viti ishte vërtet drithërues e nuk kish ndodhur prej kohësh, çka i gjeti të papërgatitur edhe popullin por edhe vetë shtetin. Temperaturat e ulëta disa gradë nën zero stimuluan edhe përhapjen e shpejtë të gripit duke e kthyer në një epidemi që mbipopulloi urgjencat e spitalet. Madje 5 persona humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga gripi. Si rrallë ndonjëherë shkollat dhe kopshtet u mbyllën për 2 javë me rradhë. Kjo pasi në shumë prej tyre mungon sistemi i ngrohjes e në disa të tjera kaldajat nuk funksionojnë. Masat drastike shkuan edhe më tej. Pothuajse të gjitha institucionet shtetërore u mbyllën për shkak të kësaj situate që nga qeveria u konsiderua alarmante e që nuk ndodhte prej më shumë se 30 vitesh në Tiranë… Tirana, Tirana dhe vetëm Tirana… Gjithçka rrotullohet rreth saj. Askush nuk shqetësohet se çfarë ndodh jashtë metropolit ku çdo vit shumë zona izolohen me ditë të tëra për shkak të dëborës që bllokon gjithë rrugët e shtigjet. Vërtet  Ministria e shëndetësisë dhe ajo e arsimit dhanë urdhër për mbylljen e shkollave e kopshteve për fëmijët, por ky urdhër ishte një gëzim vetëm për fëmijët e kryeqytetit, ndërsa për fëmijët e zonave të bllokuara nga dëbora, kjo ishte një rutinë e zakonshme që nuk u bënte aspak përshtypje pasi kjo u ndodh pothuajse çdo vit. Nëse fëmijët e qytetit mbyllen në shtëpitë e tyre të ngrohta, në pritje të një urdhëri të dytë për hapjen e shkollave, fëmijët në fshat, me ata gishtat e vegjël, të skuqur nga i ftohti, përpiqen të ndihmojnë sadopak prindërit e tyre për të bërë drutë gati për ngrohje apo për të pastruar dëborën që u ka bllokuar dyer e dritare. Ata i gëzohen sikur edhe një pjate të ngrohtë me fasule, me bukën e sapodalë nga furra, pranë zjarrit të një oxhaku apo sobe që u ngroh shpirtin dhe trupin. Gëzohen pasi ka edhe më keq. Ka familje që nuk e kanë këtë “luks” dhe për shkak të varfërisë ekstreme rrezikojnë të mbeten viktima të këtij të ftohti të idhët që u ka hyrë deri në palcë. Pavarësisht ndihmave të pakta e modeste me veshmbathje e ushqime që u siguron shteti apo shoqatat e ndryshme bamirëse, sfida më e madhe e këtyre familjeve është të jetosh në banesa që nuk i plotësojnë as kushtet më minimale, ku i ftohti hyn nga të katër anët. Familje me shumë fëmijë ku prindërit me zemër të thyer mundohen të ngrohin duart e të vegjëlve duke mos menduar aspak për veten. Cdo shtet duhet të mendojë për mirëqënien e qytetarëve të tij, para se të jetë shumë vonë. Ky ishte rasti më i mirë për të treguar kujdesin dhe rëndësinë e duhur ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Por, siç ndodh ngahera, me ndihmat e dërguara në zonat e izoluara u abuzua pasi ato nuk u shpërndanë me drejtësi në familjet e varfëra. Është e dhimbshme por ata që kanë vërtet nevojë, mesa duket kanë turp nga skamja dhe varfëria e tyre e për pasojë nuk e ngrenë zërin për të kërkuar ndihmë. Ata që marrin pa të drejtë këto pako me ushqime e veshmbathje nuk i vret aspak ndërgjegja se ka familje edhe më të varfëra që me këto ndihma do të mbanin frymën gjallë. Megjithatë të kesh një çati mbi kokë, edhe pse i varfër, në këto ditë të acarta është vërtet bekim pasi kjo do të thotë t’i mbijetosh vdekjes. Kishte edhe nga ata që dëbora e akulli i gjetën pa një strehë mbi kokë, ata të cilët në kohët “moderne” i quajmë endacakë. Edhe pse mbajnë mbi supe histori të dhimbshme njerëzore, pesha e këtij të ftohti ishte më e rëndë për ta. Me batanije të vjetra dhe “rrecka” të gjetura apo të falura, ata luftuan me të ftohtin duke u strukur nëpër hyrjet e pallateve apo ndonjë vrimë tjetër si e si për të shpëtuar nga ky “makth”. Ndërsa ata që patën më shumë fat, u “rekrutuan” nga bashkia dhe u dërguan nëpër Qendra sociale duke u ofruar pak ngrohtësi dhe ushqim. Lajmi më tragjik e që i trishtoi të gjithë ishte vdekja e disa endacakëve për shkak të të ftohtit. Cudi…! Ata të cilët deri dje i përçmonin kur i shihnin të lypnin nëpër trotuare, sot ndjejnë keqardhje për vdekjen e këtyre njerëzve që jeta i përballi me vështirësi para të cilave shumë do të dorëzoheshin. Shteti nuk u krijoi atyre as kushtet më minimale, gjetjen e një strehe për të jetuar. Një detyrim mbi të gjitha moral e njerëzor më shumë sesa ligjor. Një endacak u gjend i pajetë në bodrumin e një pallati, në përpjekje për t’i shpëtuar të ftohtit, mbuluar me kartona e batanije të vjetëra. Askush nga banorët nuk e hapi derën për ta afruar pranë zjarrit, a thua se ai ishte një “kavie” që do t’i ndoste apartamentin. Disa të tjerë u gjendën në orët e para të mëngjesit të ngrirë anës një rruge apo një trotuari, larg vëmendjes së njerëzve. Mesa duket dëbora nuk ftohu vetëm motin por edhe zemrat. Askush nuk mendon më përtej pragut të shtëpisë së vet dhe kjo është për të ardhur keq….