“Aspekti praktik i edukimit islam”, botimi më i ri i Shoqatës Kulturore “Gruaja”

55

“Ndoshta ata do të gjejnë në mesin e rreshtave të këtij libri, atë çfarë i ndihmon të ndreqin gabimet e tyre, do të gjejnë në të atë çfarë i ndihmon në zbatimin e përhershëm të veprave të frytshme që kënaqin Zotin e Lartësuar dhe në zbatimin e ligjit të Tij në Tokë” (Dr. Lejla Abdurrashid El Attar).

Del në qarkullim botimi më i ri i Shoqatës Kulturore “Gruaja” me titull “Aspekti praktik i edukimit islam”, me autore  Dr. Lejla Abdurrashid El Attar.

Ky libër vjen i përkthyer në gjuhën shqipe si fryt i punës së Departamentit të Botimeve të SHKG-së, e cila përpiqet që t’i vijë gjithnjë lexuesve shqiptar me tituj interesant dhe të dobishëm, si dhe për të pasuruar bibliotekat familjare.

“Aspekti praktik i edukimit islam” është një kërkim shkencor rreth një tematike të neglizhuar, në hulumtim e studim apo edhe në praktikimin nga ana e myslimanëve. Bëhet fjalë për largimin nga metodologjia kuranore dhe burimet e tij të pastra. Kjo mungesë ka bërë që qenia njerëzore të shndërrohet në diçka boshe, të zhveshur nga vlerat morale, shpirtërore, psikologjike, sociale dhe kulturore.

Njeriu bën një jetë konfuze dhe harron që është mëkëmbës i Zotit në Tokë. Por Kurani ka ardhur me një domethënie madhështore, me ligjet, etikën, edukatën, moralin, sistemin dhe organizimin islam të jetës, duke mos lënë asgjë të vogël apo të madhe pa e kuruar sipas mënyrës që i shkon përshtat natyrës njerëzore. Mbi to u edukuan myslimanët e parë të cilët e merrnin Kuranin si mënyrën e tyre të jetesës dhe Profetin (a.s.) si  udhëheqës e model të zbatimit të fesë, i cili u mësoi të ushqenin zemrat me Kuran.

Ndaj ky libër tregon pikërisht mënyrat se si mund të jetësojmë tekstet fetare në jetët tona, sepse pa praktikën njerëzore ato mbeten të pajetësuara. Kurani është modeli me i arrirë teoriko-praktik për edukimin e çdo brezi.

Libri “Aspekti praktik i edukimit islam” përmban disa piketa kryesore për edukimin e brezave të tanishëm me edukatën islame të saktë, duke marrë si pikënisje metodologjinë e drejtë qiellore dhe mënyrën edukative unike të tij. Gjithashtu ka edhe shumë norma të tjera edukuese, vlera morale për të cilat kemi nevojë në orientimin e brezave besimtar.

Shoqëria islame duhet të jetë shembulli real i praktikimit të Islamit në të gjitha nivelet e saj, qofshin ato politike, sociale, ekonomike etj. Kështu, kjo shoqëri nëpërmjet praktikimit të Islamit, do të krijojë një ambient edukativ të vlefshëm që individët të kenë një zhvillim të mbarë, të moralshëm, të angazhuar, tolerantë dhe solidarizues kundrejt interesit të përbashkët dhe progresit të shoqërisë.

Vetëm në këtë mënyrë bëhemi trashëgimtarë të denjë të paraardhësve tanë e bashkë me ta meritojmë përshkrimin e Allahut kur thotë: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqia dhe të besoni në Allahun” (Ali Imran, 110).

Bëjeni edhe ju pjesë të bibliotekave tuaja familjare këtë libër dhe do të gjeni në të orientimin e duhur për një jetë më të mirë!

 

Titulli: “Aspekti praktik i edukimit islam”

Autore: Dr. Lejla Abdurrashid El Attar

Përkthyes dhe redaktor fetar: Ilir Curri

Redaktor letrar: Krenita (Hakrama) Xhaferi

Design & layout: Ermelinda (Agalliu) Kurti

ISBN: 978-9928-4220-2-6

Nr. i faqeve: 200

 

Rev. Familja, prill 2015