Çrregullimet e gjumit

63

Gjumi është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë. Të gjithë lodhemi gjatë ditës dhe mënyra më e mirë për t’u çlodhur është gjumi i rehatshëm. Njeriut i nevojitet të paktën 1/3 e kohës brenda 24 orëve të jetë për fjetje. Gjatë kohës së gjumit funksionet fiziologjike dhe psikike të organizimit bëhen më të dobëta dhe më të ngadalshme. Pagjumësia mund të shkaktojë ndalimin e qelizave të reja në tru, të cilat me kalimin e  kohës mund të na krijojnë probleme.

InsomniaGjumi kalon në disa faza apo periudha

Faza e parë – Fillimi i gjumit është hyrja graduale në gjumë, ku muskujt lirohen, ndërsa bioritmi largohet.

Faza e dytë – Fillimi i gjumit të thellë, i cili pason pas gjumit të lehtë. Bisedat në gjumë dhe somnambulizimi zakonisht shfaqen në këtë fazë.

Faza e tretë – Gjumë që shoqërohet me impulse të forta bioelektike nga truri.

Faza e katërt – Është gjumi më i thellë. Marrim frymë ngadalë, e kemi të vështirë të zgjohemi, zemra rreh më ngadalë, ndërsa temperatura e trupit bie.

Gjatë një nate normale, kohën më të madhe e kalojmë në stadin e 4-të, i cili ka një rëndësi të veçantë për ne.

Çrregullimet e gjumit përfshijnë disomitë dhe parasomitë

Në disomnitë, siç janë insomnia (pagjumësia) dhe hipersomnia, simptoma kryesore është çrregullimi i sasisë dhe cilësisë së gjumit të bërë. Në parasomnitë, siç janë tmerrimi në gjumë, urinimi në shtrat dhe të ecurit në gjumë, simptoma kryesore është një ngjarje e pazakontë që çrregullon gjumin. Llojet e insomnisë:

• Insomnia primare. Probleme vetëm me gjumin, pa pasur probleme të tjera.

• Insomnia sekondare. Personat nuk mund të flenë për shkak të një shqetësimi mjekësor (depresion, kancer, roumatizëm). Efekti i përdorimit të ilaçeve për qetësimin e dhembjeve mund të ndikojë tek pagjumësia.

Insomnia akute dhe ajo kronike

Pagjumësia varion në shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e saj. Mund të jetë për një periudhë të shkurtër (akute) ose për periudha të gjata (kronike). Insomnia quhet akute kur kemi probleme me gjumin nga një natë deri në një javë, ndërsa kronike kur zgjat më shumë se një muaj.

Shkaqet e insomnisë

Disa nga shkaqet e insomnisë akute janë:

• Prishja e orarit të gjumit (rastet kur ndërrojmë shtet, i cili ka orar tjetër);

• Stresi i madh (vdekja e ndonjë të afërmi, divorci, ndryshimi i shtëpisë, ndryshim i punës);

• Shqetësim emocional ose fizik;

• Faktorët e ambientit.

Shkaqet e pagjumësisë kronike:

• Depresioni, ankthi apo çrregullime të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e trurit;

• Dhembja që shkakohet si pasojë e ndonjë sëmundjeje;

• Stresi i vazhdueshëm.

Simptomat e insomnisë:

• Probleme me përqendrimin ose memorien;

• Përgjumësi gjatë ditës;

• Lodhje gjatë ditës;

• Irritimi me veten, njerëzit dhe ambientin;

• Dëshira për të mos punuar.

Si mund ta diagnostikojmë insomninë?

Personi, i cili ka këto problematika që i përmendëm më lart, e ka të lehtë ta kuptojë në qoftë se vuan nga pagjumësia. Është e rëndësishme që të bëhet vizitë tek mjeku, në mënyrë që të ekzaminojë problemet që mund ta shkaktojnë pagjumësinë. Në rastet kur problemet vijnë nga çrregullime mendore është i domosdoshëm konsultimi me psikologun.

Teknologjia – “armike” e gjumit

Teknologjia ka arritur majat e saj. Gjithsecili nga ne mund të ketë të paktën nga dy celularë, kompjuter, televizor etj. Mund të themi që këto janë bërë pjesë e pandashme e jona dhe nuk e imagjinojmë ta nisim ditën pa praninë e tyre. Mund të na ndodhë që të zgjohemi në mëngjes dhe të ndiehemi më të lodhur se ç’kemi qenë. Kjo mund të vijë nga prezenca e pajisjeve elektronike në ambientet ku ne pushojmë.

Gjërat që duhet të evitojmë para se të shkojmë të flemë

Mbajtja e telefonit pranë nesh ose në rastin më të keq mbajtja e tij poshtë jastëkut. Kjo gjë ndikon në cilësinë e gjumit, por dhe në gjendjen e përgjithshme të shëndetit. Mund të shkaktojë sëmundjen e insomnisë, por edhe ankth, mungesë përqëndrimi dhe depresion.

Televizori – Përveç efektit narkotik, të shikosh televizor në dhomën e gjumit nuk është ide e mirë, pasi ndikon negativisht në sistemin tonë mendor.

Kompjuteri – Drita artificiale që buron nga ekrani i kompjuterit ka një efekt stimulus, i cili ndikon në cilësinë e gjumit. Përdorimi i kompjuterit deri vonë është i lidhur me simptoma stresi, depresioni. Po ashtu duhet të evitojmë e-mailet e punës, pasi në këtë mënyrë mund të rrezikojmë të çojmë në krevat stresin e ditës. Më e mira është që mos të përdorim kompjuterin para se të vendosim që do të flemë.

Videolojrat – Në rastet kur ne luajmë lojëra të tilla para se të flemë, mund të zvogëlojmë ndienjën për gjumë dhe cilësinë e tij. Më shumë ndikojnë në fazën e gjumit të thellë, që është thelbësor për rigjenerimin nga lodhja që kemi kaluar gjatë ditës.

Çfarë mund të bëjmë që të kemi një gjumë sa më të rehatshëm?

• Fjetja dhe zgjimi në të njëjtën orë duhet shndërruar në një zakon të përditshëm;

• Bëni ushtrime në mëngjes, nëse nuk keni mundësi ecni;

• Gjej pozicionin e përshtatshëm. Sipas studimeve pozicioni më i mirë i gjumit është në krahun e djathtë, sepse në këtë pozicion zemra dhe organet e tjera punojnë më lehtë;

• Krijo ambientin e përshatshëm, dhoma duhet të jetë e errët dhe pa zhurmë;

• Temperatura e dhomës të jetë e përshtatur me temperaturën e trupit. Nuk duhet të jetë as shumë ftohtë, as shumë ngrohtë;

• Sa më e thjeshtë dhe e pangarkuar të jetë dhoma, aq më rehat do të flini;

• Mos konsumoni kafe para se të flini;

• Fikini të gjitha pajisjet elektrike para se të flini, sepse shpërndajnë valë elektomagnetike dhe ndikojnë negativisht në tru;

• Përdorni çajëra bimore sepse ndikojnë pozitivisht. Mund të përdorni çaj të lules së blirit, sherebel, xhinxher etj.;

• Merruni me aktivitete që qetësojnë mendjen ose lexoni ndonjë libër.

Gjumi në Islam

Islami është një sistem i tërë jetese dhe trajton çdo çështje me detaje. Po ashtu është përmendur se si ne të bëjmë një gjumë sa më të rehatshëm. Është e pëlqyeshme që para se të flemë gjumë të marrim abdes. Po ashtu është sunet fjetja në krahun e djathtë. Transmeton Bera Ibn Azibi se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Nëse shkon për të fjetur merr abdes si për namaz, pastaj shtrihu në anën e djathtë”. Nuk lejohet fjetja përmbys me bark, është shumë e dëmshme për shëndetin pasi bllokon funksionimin normal të organeve. Ibn Kajjim El Xheuzi ka thënë: “Pozicioni i shtrirë përmbys në bark është më i dëmshmi për shëndetin e njeriut”. Lidhur me këtë temë nga Ebu Umame është transmetuar se i Dërguari i Allahut kishte parë një njeri në xhami duke fjetur përmbys. Ai e zgjoi dhe e qortoi: “Kështu shtrihen banorët e xhehenemit”.

Para se të flemë duhet të bashkojmë shuplakat e duarve dhe të lexojmë suret: Ihlas, Felek, Nas të fryjmë në to dhe të fërkojmë trupin. Po ashtu duhet të lexojmë ajetin Kursij, të themi nga 33 herë SubhanAllah, Elhamdulilah dhe 34 herë Allahu Ekber. Po ashtu mund të lexojmë duatë, të cilat janë tek libri “Mburoja e muslimanit”. Mund të lexojmë Kuran, në mënyrë të veçantë suren Mulk.

MAJ-QERSHOR 2013