Dhurata martesore në Islam (mehri)

54

Pa dyshim martesa është domosdoshmëri jetësore, ku njeriu me anë të saj krijon lidhjet me njerëzit e tjerë. Ajo gjithashtu është burim dashurie, mëshire dhe qetësie ndërmjet dy bashkëshortëve. Allahu (xh.sh.) thotë në Kuranin Fisnik: “Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato, dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë” (Err-Rrum, 21). Ky ajet kuranor zbriti në një kohë kur femra konsiderohej kafshë, pa shpirt dhe kur deshën të tregoheshin të drejtë me të, u mblodhën në Francë në vitin 586, ku rezultati i kësaj konference ishte: “Femra është njeri dhe jo kafshë, por ajo u krijua për t’i bërë shërbim mashkullit”. Por kjo nuk ishte gjendja e saj vetëm në Evropë, por edhe te arabët. Islami i ktheu femrës respektin dhe të drejtat e saj, ku përgjatë kohës së injorancës ishte e privuar prej tyre. Një prej të drejtave që Islami i garanton asaj është ‘mehri’, i cili konsiderohet dhuratë e detyruar që ajo e merr gjatë aktit të martesës ose pas tij. Allahu (xh.sh.) e përmend atë në Kuranin Fisnik, ku thotë: “Grave jepini dhuratën e kurorës së tyre (nikahun) me të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i tyre ju falin diçka nga ajo, atëherë hajeni atë hallall, të mire.” (Nisa, 4).

Mehri në kohën e Profetit (a.s.)

Mehri në kohën e Profetit (a.s.) ishte i ndryshëm, sepse vetë gjendja ekonomike e njerëzve në atë kohë ishte e ndryshme. Imam Muslimi transmeton nga Ebu Seleme, i cili thotë: “Pyeta Aishen (r.a.) se sa ishte mehri i Profetit (a.s.)”. Ajo tha: ‘Mehri i grave të Profetit (a.s.) ishte 12 ukije dhe gjysmë ukije”.

Atëherë sa ishte mehri i grave të Profetit (a.s.)?

12 ukije dhe gjysmë ukije = 500 dirhem dhe dirhemi është monedhë argjendi. Një ukije te shumica e dijetarëve është e barabartë me 119 gr argjend, atëherë 12.5 x 119 gr = 1487.5 gr argjend. Megjithatë kjo nuk do të thotë që mehri duhet të jetë patjetër sa ai i grave të Profetit (a.s.), jo vetëm kaq, por ne gjejmë që shumë martesa në kohën e tij (a.s.) dhe gjithashtu me lejen e tij, kanë përfunduar me mehr shumë modest. Imam Nesaiu tansmeton nga Ibnu Abasi (r.a.) që thotë: “Kur u martua Aliu (r.a.) me Fatimen (r.a.), Profeti (a.s.) i thotë Aliut (r.a.): ‘Dhuroi asaj diçka’. Ai i thotë: ‘Nuk kam se çfarë t’i jap’. Profeti i thotë: ‘Ku e ke parzmoren tënde, jepja atë asaj?’”.

Kur u martua Umu Sulejm (r.a.) me Ebu Talhën (r.a.), mehri i saj ishte islami i tij (Imam Nesaiu). Gjithashtu një burrë donte të martohej me një grua në kohën e Profetit (a.s.), por ai nuk kishte se çfarë t’i dhuronte asaj. Profeti (a.s.) i martoi ata dhe mehri i saj ishte disa sure nga Kurani, që ai do t’ia mësonte asaj. Këtë hadith e shënon imam Buhariu.

Këto ndodhi, dhe shumë të tjera të papërmendura, tregojnë që mehri mund të jetë vlerë materiale, por edhe shpirtërore.

Por ç’mendojnë dijetarët e Islamit rreth vlerës së mehrit dhe a ka ndonjë sasi minimale që vlera e tij nuk duhet të jetë më poshtë apo maksimale ku kjo vlerë nuk duhet tejkaluar?

Islami nuk ka vendosur kufi për sa i përket vlerës maksimale të mehrit, por e ka lënë atë sipas mundësisë së njerëzve. Gjithashtu dijetarët janë të një mendimi në këtë çështje. Ndërsa sa i përket vlerës minimale, ata kanë mendime të ndyshme.

Imam Ebu Hanifja mendon se vlera minimale e mehrit është 10 dirhem. Ai arriti në këtë konkluzion duke u argumentuar me hadithin profetik që thotë: “Nuk ka mehër më pak se 10 dirhem”. Një dirhem te ai është i barabartë me 14 kijrat. Një kijrat është 0.2125 gr argjend, që d.m.th. vlera minimale e mehrit sipas tij është 14 x 10 x 0.2125 = 29.75 gr argjend.

Vlera minimale e mehrit te imam Maliku është 1/4 e dinarit (monedhë ari e pastër) ose 3 monedha argjendi (të pastra), dhe në mungesë të tyre vlerën e këtyre monedhave. Imam Maliku arriti te ky përfundim sipas një analogjie që i bëri mehrit me vlerën që penalizohet njeriu për vjedhje. Atëherë një dinar konvertohet me 4.25 gr ar, që do të thotë se vlera minimale e mehrit te ai është 4.25 / 4 = 1.0625 gr ar. Një monedhë argjendi te shumica e dijetarëve, ku ndërmjet tyre është dhe imam Maliku, është e barabartë me 2.975 gr. Atëherë mehri me argjend është 3 x 2.975 = 8.871 gr. Për sa i përket pjesës tjetër të dijetarëve, si: imam Shafiu, imam Ahmedi etj., janë të mendimit që vlera minimale e mehrit nuk ka kufi dhe se çdo gjë që ka vlerë mund të konsiderohet mehr.

Aktualiteti i muslimanëve

Islami e shikon aktin e martesës të shenjtë, i cili bashkon dy njerëz që do të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në çdo moment të jetës, në çaste të vështira dhe në të lumtura gjithashtu. Kjo lidhje ndërtohet mbi dashurinë, që secili do t’i dhurojë palës tjetër, ndërtohet mbi ngrohtësinë që do të gjejnë te njëri-tjetri. Duke parë këto qëllime të larta të martesës, femra nuk duhet të shikojë te bashkëshorti i saj pasurinë që ai do t’i japë si dhuratë, por duhet të presë prej tij moralin e lartë dhe sjelljen e mirë. Aishja (r.a.) tregon nga Profeti (a.s.), i cili thotë: “Nga begatia e femrës është lehtësimi në fejesën e saj dhe lehtësimi në mehrin e saj.”, (Imam Ahmedi). Gjithashtu njerëzit që jetuan në shekujt e ndritur nuk shikonin te djemtë pasurinë e tyre, por kërkonin një qenie njerëzore me virtyte të mira dhe fisnikërinë në natyrën e tyre, duke u argumentuar me thënien e Profetit (a.s.): “Ai i cili vjen për t’ju kërkuar për martesë vajzat tuaja dhe ju mbeteni të kënaqur me fenë dhe moralin e tyre, atëherë jepjani ato. Në qoftë se ju nuk keni për ta bërë këtë, atëherë do të ndodhë shthurje e madhe dhe anomali në tokë.” (Imam Tirmidhiu).

Siç e dimë në Shqipëri shoqëria nuk punon me ligjet islame. Shumë gra muslimane, me naivitetin e tyre, mjaftohen vetëm me ndonjë dhuratë simbolike, si p.sh. Kuran, shami etj. Por shpeshherë dëgjojmë të kundërtën, dëgjojmë për gra të cilat i vendosin bashkëshortët e tyre të ardhshëm në pozita të vështira, duke kërkuar edhe shuma të mëdha. Të dyja rastet nuk janë normale dhe mund të shkaktojnë probleme. Mehri i pakët në vlerë mund të jetë shkak që bashkëshorti ta konsiderojë gruan e tij si diçka jo me më shumë vlerë se vetë dhurata që ajo kërkon. Por gjithashtu edhe mehri i shtrenjtë mund të nxisë te bashkëshorti ndjenjën e të qenurit i shfrytëzuar.

Shpeshherë informohemi me problemet që kalojnë individët e kësaj shoqërie, të cilat karakterizohen nga padrejtësia dhe më së shumti shprehet nga ana e bashkëshortit. Kjo vjen si pasojë e anashkalimit të mësimeve profetike dhe duke mos qenë i qartë në qëllimin e martesës. Neglizhimi i këshillave të Profetit (a.s.) nga njëra anë dhe duke mos e marrë atë shembull nga ana tjetër, ka sjellë mosmarrëveshje mes çifteve muslimane, që është shoqëruar me shtimin e numrit të divorceve të nxituara. Një femër e divorcuar përballet me një jetë të vështirë, sepse nuk janë të rralla rastet ku ajo nuk gjenë mbështetjen e familjes së saj. Por në qoftë se ajo do kishte diçka në dorën e saj, kjo do t’ia lehtësonte disi gjendjen asaj.

Juristët e islamit (fukahatë) për të parandalur padrejtësitë e mundshme, për t’i ardhur në ndihmë grave të divorcuara apo dhe për t’ia lehtësuar të rinjve martesën, kanë lejuar ndarjen e mehrit në të përshpejtuar (muaxh-xhel) dhe të vonuar (muexh-xhel), ku vlera e këtij të fundit është më e madhe se vlera e të parit. Gruaja ka të drejtë të kërkojë pjesën e përshpejtuar të mehrit (el muaxh-xhel) në çdo kohë, qoftë gjatë kryerjes së aktit të martesës apo edhe më vonë. Kurse pjesën tjetër të mehrit apo siç quhet të vonuarin (el muexh-xhel), që konsiderohet si garanci për gruan, ia vendos kusht bashkëshortit në rast të zgjidhjes së aktit martesor me ndarje apo dhe me rast vdekje. Për këtë pjesë të mehrit ajo është e lirë dhe mund t’ia falë bashkëshortit të saj.

Ndarja e mehrit në këtë mënyrë bën shumë dobi. Kjo e bën bashkëshortin e ardhshëm të mendojë gjatë para se të hedhë hapin për të konfirmuar dëshirën e tij. Gjithashtu atij i bëhet e qartë se guaja nuk është diçka pa vlerë, që mund ta marrësh kur të duash dhe ta lësh atë kur të duash. Më poshtë po përmend efektet negative që sjell mehri i lartë:

  1. Vonon moshën e martesës te të rinjtë.
  2. Rrit numrin e të pamartuarve, dhe kjo dukuri sjell pasoja të dëmshme, që lidhen me moralin e tyre.
  3. Humb vlerat njerëzore, sepse lidhja së tepërmi me materien sjell mosinteresim ndaj moralit dhe besimit të bashkëshortit.

Kjo është e drejtë, por gjithashtu në të njëjtën kohë duhet pasur parasysh që mehri shumë i lirë sjell këto pasoja:

  1. Shpesh mund të abuzohet me bujarinë e femrës që kërkon mehër të lirë, duke mos e konsideruar atë si diçka me vlerë.
  2. Duke mos dhënë bashkëshorti diçka me vlerë për një njeri të shtrenjtë, nuk do t’i dhimbsej në qoftë se do të shpërdoronte ndjenjat e saj dhe shpërdorimi i tyre është divorci i saj.

Ndarjen e mehrit në këtë mënyrë e kanë marrë si zgjidhje shumë vende islamike, ku divorci është gjëja më e lehtë që mund të bëjë një çift për të zgjidhur problemet që ka. Kjo zgjidhje nuk mund të merret si model për shoqërinë shqiptare, sepse ndërmjet shoqërisë tonë dhe atyre islamike ka shumë dallim, për sa i përket traditave dhe zakoneve. Gjithashtu kjo ndarje mund të jetë e dëmshme. Ajo mund të shfrytëzohet nga bashkëshortja si presion kundër palës tjetër, duke i privuar atij një të drejtë që ia ka dhënë Sheriati, në qoftë se jeta me gruan bëhet e pamundur.

Rruga më e mirë që duhet ndjekur është e mesmja, të vihet një masë minimale që përcakton vlerën e mehrit, duke ndjekur kështu mendimin e imam Ebu Hanifes ose të imam Malikut. Në këtë mënyrë asnjë prej bashkëshortëve nuk do të mendojë që tjetri i ka bërë padrejtësi dhe nuk do të ndiehet i shfrytëzuar.

Disa njerëz nuk e dinë se çdo të thotë mehër dhe se çfarë simbolizon ai. Ata akuzojnë me këtë fjalë Islamin, duke thënë që ai nuk i jep vlerë gruas, por e konsideron atë si plaçkë që i shitet dhëndërit dhe fitimin e merr babai i vajzës.

Ky është një gabim fatal dhe akuzë dashakeqëse. Mehri është një e drejtë e vajzës, të cilën ia ka garantuar Islami dhe nuk i lejohet babait të marrë diçka prej saj. Këtë gjë Islami e ka vendosur që gruaja të vlerësohet e të mos konsiderohet siç mendonin evropianët apo dhe të tjerë, që ajo është krijuar vetëm për t’i shërbyer burrit të saj. Përkundrazi, ajo është njeri me vlerë dhe në qoftë se dikush dëshiron të martohet duhet të marrë konfirmimin e saj, dhe në qoftë se ajo pranon t’i jepet diçka për dhuratë.

Janar- Shkurt 2013