Dr. Egesta Lopçi, diplomuar në Bolonja – Një histori e suksesshme në fushën e kërkimeve mjekësore

1368

Egesta Lopçi, studiuesja muslimane shqiptare e diplomuar në Bolonja, Itali, në kirurgj, ka fituar disa herë çmime ndërkombëtare në fushën e kërkimeve mjekësore nga “European Association of Nuclear Medicine”, për idetë e saj novatore në aplikimin e PET-it, si metodë diagnostikimi të kancerit në fëmijë dhe të rritur.

Dr. Lopçi është specializuar në 2011 për Mjekësi Nukleare dhe është aktualisht shumë e angazhuar në fushën kërkimore onkologjike në Itali, thuajse për të gjitha llojet e tumoreve, pranë “Humanitas Clinical and Research Center” në Milano.

Ajo është autore e disa librave dhe kapituj librash në degën e saj dhe autore ose bashkautore e mbi 120 punimeve të ndryshëm të botuar në revista shkencorë ose si akte kongresesh ndërkombëtare.

Ndonëse larg Shqipërisë nga vite, jehona e punës së saj shkencore e kurorëzuar me fitimin e katër çmimeve ndërbombëtare ka mbërritur edhe në trojet shqiptare. Qyteti i saj i lindjes, Shkodra, e ka nderuar në vitin e kaluar me titullin “Mirënjohja e qytetit”. Gjithashtu, jo më larg se në Dhjetor 2015, Qendra Kulturore “Femra Investim i Familjes” (FIF) i ka akorduar edhe çmimin FIF Award 2015 “E dua ventin tim”.

Gjejmë rastin ta përgëzojmë Egestën për sukseset e arritura dhe të marrim një intervistë për t’i bërë disi të prekshme arritjet e saj të deritanishme.

  • Egesta, si e keni nisur karrierën tuaj?
  • Në mënyrë të natyrshme. Bazat e formimit tim të përgjithshëm kanë marrë origjinë nga bankat e shkollës që në Shqipëri, më saktësisht, në Gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Mbas mbarimit të shkollës së mesme mu hapën dyet e Universitetit të Tiranës, falë akordimit të “Medaljes së Arte” në maturë. Studimet universitare pastaj, si shumë bashkëmoshatarë, i kam vazhduar në Itali në degën e mjekësisë dhe kirurgjisë.
  • Sa e vështirë është për një femër myslimane të mbuluar të realizojë ëndrrat e saj profesionale, veçanërisht në një shtet si Italia?
  • Një peshë të madhe në realizimin profesional ka puna e vazhdueshme dhe intensive në rritjen e nivelit shkencor. Në rastin tim konkret, vënia e velit në Itali nuk është bërë pengesë, falë Zotit. Sigurisht, paragjykimet ekzisojnë kudo dhe në çdo kontekst, por asgjë më shumë se virtytet e një myslimani bëhen shkak i mposhtjes së këtyre paragjykimeve.
  • Pse zgjodhët të studioni për mjekësi dhe specifikisht për sëmundjet tumorale?
  • Zgjedhja e studimeve mjeksore më ka ardhur si vazhdimësi e traditës familjare, ndërsa përkushtimi në fushën e onkologjisë bërthamore është rrjedhojë e prirjes personale për kërkime shkencore dhe e dëshirës për të dhënë një kontribut në diagnostikimin e hershëm të kësaj plage mijëvjeçare të njerëzimit.
  • Ku janë të fokusuara kërkimet tuaja?
  • Mjekësia Bërthamore shfrytëzon kapacitetin e disa lëndëve radioaktive në seleksionimin e qelizave, indeve ose organeve të prekura nga sëmundjet tumorale. Studimet e mia janë të përqëndruar kryesisht në identifikimin e këtyre lëndëve radioaktive dhe në përdorimin e tyre për hetimin e tumoreve, jo vetëm në fazat fillestare, por edhe gjatë ecurisë së sëmundjes dhe mbas trajtimit me kemio ose radioterapi.
  • Ju keni marrë për tre vjet rradhazi katër çmime prestigjoze nga Kongresi Vjetor i Shoqatës Europiane të Mjekësisë Bërthamore. Çfarë do të thonë për ju këto çmime?
  • Këto çmime për mua janë një përkrahje morale dhe një shtytje e madhe për të ecur përpara, dhe pa modesti them se jam krenare për femrën shqiptare dhe myslimane që përfaqësoj.
  • Pse zgjodhët temë doktorature studimin mbi patologjinë tumorale të mushkërive?
  • Argumenti i doktoraturës përfshin në mënyrë të përgjithshme patologjitë tumorale të mushkërive dhe përqëndrohet në veçanti në fenomenin e hipoksisë tumorale. Ky fenomen është i lidhur me oksigeninin e ulët të tumoreve, si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të qelizave dhe ushqyerjes jo proporzionale të tyre me oksigjen. Prezenca e këtij fenomeni në indet tumorale influencon negativisht përgjigjen ndaj radioterapisë dhe kemioterapisë, duke nxitur zhvillimin e formave më agresive dhe metastatike. Nëpërmjet PET-it, që përbën një nga strumentet më pararojë të Mjeksisë Bërthamore, bëhet i mundur studimi i hershëm i hipoksisë tumorale dhe si konseguencë adaptimi i dozave terapeutike të nevojshme për kurimin e pacientit.
  • Cilat janë angazhimet tuaja të tanishme?

Sapo përfundova nje libër të ri në gjuhën angleze për Mjekësinë Bërthamore drejtuar kryesisht studentëve dhe specializantëve. Jam aktualisht anëtare e komisionit onkologjik dhe të atij etik të EANM-it, referente për Mjeksinë Bërthamore tek grupi i studimit të linfomës Hodgkin të AIEOP (Shoqata Italiane e Onkoematologjisë Pediatrike), jam anëtare e Imaging Group të EORTC (Organizata Evropiane për Kërkimin dhe Trajtimin e Tumoreve), anëtare e bordit editorial/revisore e rreth 10 revistave shkencore etj. Në muajt e ardhshëm më presin një seri prezantimesh shkencore në Europë dhe Amerikë, ku jam e ftuar si eksperte për diagnostikimin e patologjive të ndryshme tumorale. T’ju them të vërtetën ndonjëherë angazhimet më duken të pafundme.

  • Si e shihni betejën me sëmundjet tumorale dhe a mund të themi që mjekësia bërthamore është fantashkencë?
  • Në mënyrë figurative, betejën me sëmundjet tumorale e krahasojmë me legjendën e Akilit në fushën e betejës. Kjo për faktin se tashmë një pjesë e mirë e karakteristikave biologjike, metabolike, gjenetike dhe kimike tumorale janë zbuluar. Duke njohur mirë kundërshtarin dhe pikat e dobëta të tij, pra “thembrën e Akilit”, në ditët e sotme, mundja e kancerit është një ambicie reale. Pikërisht në këtë stad zhvillimi ka gjetur aplikim Mjekësia Bërthamore dhe përdorimi specifik i lëndëve të saja radioaktive, që godasin në mënyrë selektive qelizat e sëmura dhe jo ato normale. Duket fantashkencë, por ky është realiteti i sotëm shkencor.
  • Konkretisht në vitet e fundit a janë shpëtuar jetë pacientësh nga kjo lloj metode?
  • Pavarësisht nga zhillimet e sotme, rreth 15% e vdekjeve në shkallë botërore i atribuohen kancerit. Një armë e re dhe moderne në gamën e tentativave të njeriut kundër kësaj të keqeje është edhe Mjekësia Bërthamore, që në disa patologji ku lëndët radioaktive përdoren edhe me qëllime terapeutike, si për shembul tumoret neuroendocrine, neuroblastoma, tumoret e tiroides, hepatokarcinoma etj. ka dhënë një përmirësim të ndjeshëm të prognozës së pacientëve.
  • A keni dëshirë që në të ardhmen ta ushtroni profesionin tuaj në Shqipëri?
  • Profesioni im është shumë specifik dhe kërkon prezencën e një teknologjie të avancuar për t’u praktikuar. Po të krijohen kushtet dhe mundësitë për të dhënë kontributin dhe eksperiencën time profesionale në Shqipëri, do ta bëja me gjithë dëshirë.
  • Cila është lidhja juaj me vendlindjen tuaj, Shkodrën? Sa mall dhe nostalgji keni për të?
  • Sa mallë dhe nostalgji mund të ketë një njeri për vendin e tij të dashur? Kjo pyetje nuk ka veçse një përgjigje dhe më lejoni ta huazoj direkt nga titulli i çmimit FIF 2015 “E dua ventin tim”.

Kur u nisa për studime në Itali nuk mendoja kurrë të rrija kaq gjatë larg atdheut, larg Shkodrës. Por ja që jeta dhe studimet më mbajtën larg vendlindjes me vite dhe me ardhjen e prindërve në Itali edhe rastet për t’u rikthyer u bënë më të rralla. Prandaj them se nuk ka fjalë për të përshkruar emocionet që ndjeva dhe përshtypjen e thellë që më bëri pamja e flamurit kuq e zi në aeroportin e Rinasit kur u riktheva vjet sërish pas 16 vitesh larg.

  • Çfarë përfaqëson për ju titulli “Mirënjohja e qytetit”, vlerësuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës?
  • Titulli “Mirënjohja e Qytetit” është për mua një nder i jashtëzakonshëm, një mirënjohje e papritur dhe e pamenduar ndonjëherë. Është provë e prekshme që Shkodër lokja, ndonëse larg, nuk e i harron bijtë e saj. Jam krenare për të dhe lus Zotin të më bëjë gjithmonë të denjë për të mbajtur titullin e dhënë.
  • Cili është mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?
  • Në rradhë të parë dua t’i falënderoj të gjithë për dashamirësinë dhe interesimin e treguar. Gjaku i shqiptarit dhe vëllazëria e tij më janë shpalosur në formën më të përzemërt dhe jam shumë mirënjohëse për gjithë nderimet dhe vlerësimin që Shqipëria dhe shqiptarët më kanë bërë.

Uroj që e ardhmja të jetë gjithnjë e më e shndritshme për Shqipërinë dhe i uroj të gjithë lexuesve shëndet dhe lumturi në jetë, me paqe në shpirt dhe gjithmonë besim në Zotin e Madhërueshëm! Faleminderit shumë edhe ju për intervistën!

Intervistoi: Armida Plumbi

Gazetare në Radio Kontakt