Ekziston fjala e mirë që t’i të tresësh dëshpërimin, nëna…!

318

Nga Elton Dema

Pas çdo gjëje ka një histori por pas çdo historie tuajën, gjithmonë është historia e nënës, sepse tek e saja fillon e jotja… Një nënë është lumturia mbi gjith­çka, është qënie tek e cila ekziston roli i pazëvendësueshëm. Ka shumë arsye mbi të cilat dashuria jote nuk duhet të shterojë, nuk duhet të shndërrohet në urrejtje por në respekt për sakrificën e saj. Nëna ishte forca tek e cila ti u ngrite në këmbë për të parën herë, ishte ngrohtësi për shpirtin dhe burim i dijes sate. Janë të gjitha momentet e jetës tek të cilat ajo jeton vetëm për ty. Loti i saj vjen si shkak i sjelljes tënde, i asaj vazhdimësie që ti përfaqëson. Kaq gjë nuk mundemi të kuptojmë se ne i japim jetë dëshpërimit të saj, ne me fjalët dhe veprat tona. Falënderojmë Allahun që ka bërë të mundur që dashuria e saj të mos tretet kurrë, që sakrifica e saj të ekzistojë edhe në momentet kur trupi nuk ka fuqi të zvarritet. Falënderimi i takon Allahut për gjithë qetësinë dhe dashurinë që fali mes nesh. Mëso që nënës t’i sjellësh gëzim, atje ku ti e bëre të vuajë, mëso t’i dhurosh forcë atje ku ti i zgjove dëshpërimin, mëso ta bësh këtë duke i thënë thjesht një fjalë të mirë, një fjalë e cila do t’i thaje lotin! Duaje pa kushte, kurrë nuk mundesh t’i shpërblesh gjithçka të cilën ajo ta fali ty!

Nëna… a e di rëndësinë e saj? Ajo është shkaktare e ekzistimit të njeriut. Asaj i takon përkushtimi më i madh. I takon për shkak të lindjes dhe përdëllimit që ka ndaj teje. Ajo të gjitha shpresat e saja i ka të varura tek ti, aty ku sheh lumturinë e jetës dhe bukuritë e saj. Ishte nëna ajo e cila qe e denjë të përballej me çdo dhimbje, me çdo frikë, thjesht për të më dhënë atë që më mungonte. Më fal nënë nëse kam bërë diçka që të ka lënduar! Të kërkoj falje që ndonjëherë të kam ngritur zërin për arsye pa vlerë! Më fal që të kam zhgënjyer ndonjëherë, unë nga ti kam mësuar gjithçka pa të cilën nuk mund të jetoj sot! E ndiej obligim që të të heq dëshpërimin atje ku zemra të copëtohet dhe aty ku syri të loton. E qeshura duhet të jetë arsye mbi të cilën t’i falësh lumturi nënës, sepse e qeshura nuk do të thotë se je gjithmonë i lumtur, thjesht do të thotë se je një person i fortë dhe i dashur kundrejt nënës sate. Gjithçka që bëj kundrejt saj është miratim i ecurisë drejt një jete tjetër, andaj bëj diçka për të cilën qenia jote ka më shumë nevojë!

 

Revista Familja, mars 2017