Filozofia e Ditës së Sakrificës

60

Adhurimet si elementë shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut, e mbajnë në këmbë atë dhe shpirtin e tij. Namazi, agjërimi, haxhi, zekati etj., padyshim që të gjithë këto adhurime kanë anën e dukshme të tyre, por ajo çka i bën të vlefshëm dhe më të vaçantë ata është pjesa e padukshme që ata kanë. Kështu ndodh edhe me qëllimin e prerjes së kurbanit. Ai është i padukshëm, por me shumë vlerë para Krijuesit nëse është për Të.

Në përgjithësi të gjithë muslimanët e festojnë Kurban Bajramin, ose më e pakta kanë dëgjuar për këtë festë, por për fat të keq një pakicë kanë arritur ta kuptojnë filozofinë e tij. Prerja e kurbanit është më shumë se therja e një kafshe. Ajo është sakrifica që tregon robi për hir të Allahut. Prerja e tij është një mënyrë falënderimi për mirësitë e panumërta që na janë dhuruar nga Krijuesi ynë. Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtja e nefsit që gjithmonë kërkon të jetë para…

Festa e kurbanit është ngritur mbi sakrificën dhe mbështetjen e Ibrahimit (a.s) dhe nënshtrimit të djalit të tij Ismailit (a.s) tek Allahu i Madhëruar. Ibrahimi (a.s), në ëndërr kishte parë që duhej ta bënte kurban të birin e tij. Kjo ëndërr u përsërit tri herë, derisa ai u sigurua që ëndrra ishte prej Allahut (xh.sh). Ibrahimi (a.s), qëndronte në mes dashurisë për të birin dhe zbatimit të urdhrit të Zotit (xh.sh), por më në fund arriti me një vendosmëri dhe mbështetje shumë të madhe të zbatojë kërkesën e Krijuesit. Gjëja e parë qe ai bëri ishte që këtë çështje e diskutoi me djalin e tij Ismailin (a.s). Kështu që duke iu drejtuar atij i tha: “O djali im, kam parë një ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O babai im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (Saffat, 102).

Madhështia e këtij dorëzimi e dëshpëroi djallin e mallkuar, i cili bëri të pamundurën që që t’i pengonte Ibrahimin (a.s) dhe familjen e tij që ata të mos e realizonin këtë urdhër të Zotit. Arriti momenti i ndjeshëm. Babai e shtriu djalin e tij të dashur dhe thikën ia vendosi në fyt e filloi t’ia presë fytin. Por thika e mprehtë nuk po e priste fytin e Ismailit (a.s). Padyshim se Zoti i Madhërishëm vrasjen e një njeriu e konsideron krim kundër gjithë njerëzimit. Por sakrifikimi i Ismailit (a.s) ishte vetëm një sprovë për të parë robërinë dhe devotshmërinë e Ibrahimit (a.s). Në këtë moment sprove zbriti ajeti: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” (Saffat, 104-105). Allahu i Madhëruar dërgon një kurban pët t’u prerë në vend të Ismailit (a.s).

Kjo sprovë e madhe njerëzve u mëson që duke u mbështetur në Zotin mund të heqin dorë nga epshi dhe dëshirat boshe të kësaj bote. Tani për të përkujtuar këtë sprovë madhështore, haxhinjtë dalin në Mina dhe presin kurbanet e tyre, po ashtu vendosin të heqin dorë nga epshi dhe lakmia për këtë botë. Në këtë mënyrë ata shprehin dhe devotshmërinë përballë Krijuesit. Sprovën e kaloi Ibrahimi (a.s), por për të gjithë ne u la përkujtim që të marrim mësim, e ky nuk është asgjë tjetër vetëm se mësimi i Kurban Bajramit, i dashurisë që tregon Allahu ndaj krijesave të Tij, dhe mësimi se sa Bujar dhe Mëshirues është Ai.

Po ashtu nuk  duhet harruar se në këtë dynja ndonjëherë mund të sprovohesh me pasuri, ndonjëherë me veten e ndonjëherë sprovohemi me të dashurit tanë. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji durimtarët ” (Bekare, 155).  ”Ismaili ynë” mund të bëhet dhe një frut ose dicka më e vogël se fruti që ne nuk arrijmë ta sakrifikojmë.

Duhet theksuar se kurbani përveç të tjerash përcjell tek ne edhe një mesazh social. Sepse me zbatimin e ibadetit të kurbanit bashkohen qëllimi i ndihmës sociale me qëllimin e afrimit të robit me Zotin e tij. Në lidhje me këtë në Kuranin Famëlartë thuhet: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (Haxhxh, 28).

Rëndësia e dhjetë ditëve të para të muajit Dhu’l-Hixhe

Dhu’l-Hixhe është një nga muajt e kalendarit hënor. Në përgjithësi ky muaj është muaj i adhurimeve të llojllojshme dhe muaji i begative të ndryshme. Dita e dhjetë e këtij muaji është dita e Kurban Bajramit, e cila njihet edhe si dita e Haxhit të Madh. Ndërsa një ditë para tij është Dita e Arafatit për agjërimin e ditës së Arafatit Profeti (s.a.v.) ka thënë: “Agjërimi i Ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm” (Muslimi). Adhurimet e dhjetë ditëve të para të këtij muaji janë më të mira tek Allahu sesa adhurimet e kryera në muajt e tjerë. Profeti (s.a.v.) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa në këto ditë (10 ditët e para të Dhu’l-Hixhes)” (Buhariu, Ebu Davudi).

Duhet pasur parasysh që ndër veprat më të mira është largimi e keqja dhe e ndaluara. Allahu në këto ditë e preferoi agjërimin duke e përjashtuar këtu ditën e dhjetë, për shkak se ajo është dita e Kurban Bajramit. Në këto ditë po ashtu preferohet shpeshtimi i përmendjes së Allahut, falënderimi i Tij, madhërimi i Tij dhe është mirë që të ngrihet zëri gjatë përmendjes së Allahut nëpër tregje. Allahu i Madhëruar thotë: “…të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara” (Haxh, 28).

Gjatë tërë ditëve të dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes dhe ditëve të bajrameve, është sunet të thuhen tekbiret në çdo kohë. Kurse në mëngjesin e ditës së Arafatit, pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë është sunet pas çdo namazi farz këndojmë tekbiret. Forma e tekbireve është: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu uallahu Ekber. Allahu Ekber ue lilahil hamd”.

Në këtë muaj të begatshëm bien edhe ditët e ashtuquajtura “të caktuara”, të cilat janë ditët e qëndrimit në Mina. Këto tre ditë janë pas ditës së Bajramit. Imam Muslimi transmeton se Profeti (s.a.v.s) ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut”.

Këto ditë janë ditë të cilat Allahu i thekson edhe në Kuran: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)” (Bekare, 203).

Allahu (xh.sh) thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (Bekare,198-203).

Shtator-Tetor 2013