Gjakova, qyteti që i dha frymë kulturës

45

Gjakova gërsheton historinë e vjetër dhe moderne, me arkitekturën e çarshisë së Vjetër, ndër më të mëdhatë në Ballkan. Gjakova është qytet i tokës pjellore të atdhetarëve, intelektualëve, politikanëve, artistëve, zejtarëve e sportistëve. Qytet që ka ruajtur lidhjet e ngushta me Shkodrën dhe Shqipërinë gjatë historisë, ndryshe nga shqiptarët e tjerë të Kosovës që shpërnguleshin në Turqi, gjakovarët u vendosën në Shqipëri, duke u organizuar në luftë për çlirimin e vendit.
Gjeografia dhe klima
Qyteti i Gjakovës ka një siperfaqe prej 708 km² dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të Rrafshit të Dukagjinit, në mes të rrugës Prizren-Pejë. Zona e Gjakovës shtrihet në perëndim të Çabratit, në një lartësi 440-460 m mbi nivelin e detit, ndërmjet maleve të Junikut dhe Shkëlzenit, pjesë të Bjeshkëve të Nemuna.
Malet e ulta me qafa si ajo e Prushit, e Dobrunës, e Morinës etj, mundësojnë ndikimin e erërave të Detit Adratik nëpër luginën e Drinit, prandaj Gjakova dhe rrethinat kanë klimë të mesme kontinentale me elemente të asaj mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë. Vera është e thatë, ndërsa dimri me lagështi. Prandaj, nëse vizitoni Gjakovën gjatë verës, duhet të visheni sa më lehtë.

Burimet natyrore
Në mes të qytetit kalon lumi Krena që sjell freski sidomos gjatë verës.
Lumi i Erenikut buron nga liqeni i akullnjajave të Gjeravicës dhe derdhet në lumin Drini i Bardhë dhe përshkon njërin skaj të Gjakovës. Gjatë verës është shumë i preferuar për plazh.
Vetëm 10 minuta larg nga qyteti është liqeni artificial i Radoniqit me rreth 120 km², i cili mori emrin e fshatit të përmbytur për krijimin e tij. I vendosur 600 m mbi nivelin e detit, Radoniqi ka ujë të pastër si loti dhe kaltërsia e tij ngjan më shumë me detin, ndërkohë që gjelbërimi përreth ia shton akoma më tepër bukurinë. Liqeni furnizon me ujë rreth 215.000 banorë të qytetit të Gjakovës dhe të Rahavecit dhe të fshatrave përreth, si dhe shfrytëzohet edhe për ujitjen e 10.500 ha tokë. Për këtë arsye, larja në të është e ndaluar, por aty mund të kalohet koha e lirë duke peshkuar.
Lumi i Drinit të Bardhë buron në malin e Zhleb i Pejës, afër fshatit Radavc. Gjendet vetëm 9 km nga Gjakova. 18 m mbi këtë lumë ngrihet Ura e Fshenjtë, e cila është pika më e vizituar e turistëve sidomos në verë.
Kodra e Çabratit paraqet një përmendore të rëndësishme kulturore e historike, ku u zhvilluan beteja të armatosura gjatë gjithë historisë së Gjakovës deri në luftën e fundit të UÇK-së, por edhe përmendore natyrore, ku gjakovarët zbaviteshin gjatë gjithë historisë. Është simbol i qytetit të Gjakovës dhe ka frymëzuar shumë këngëtarë popullorë dhe shkrimtarë. Nga restorantet mbi kodër, panorama e qytetit përjetohet me kënaqësi.
Këtu gjendet edhe kompleksi i varrezave të martirëve të luftës së UÇK-së.
Shkugëza është një pyll është artificial, i krijuar në vitet 40. Lartësia e pemëve shkon deri në 25m dhe ka një biodiversitet të theksuar dhe vegjetacion të larmishëm. Kjo e bën Shkugëzën tërheqëse edhe për ajrin e pastër. Mund të vizitohet në çdo stinë për ecje, vrapim, sporte të lira, biçiklizëm etj.. Në restorantet e ngritura rishtazi, mund të shijohet edhe kuzhina e pasur gjakovare.
Tradita dhe kultura
Gjakovarët njihen si krijues, dashamirës dhe kultivues të mirë të muzikës dhe humorit. Tradita për këngën është kultivuar brez pas brezi, sikurse edhe humori, të cilin e ndesh kudo. Këto dy karakteristika e bëjnë Gjakovën shumë të afërt me Shkodrën.
Gjakova ka traditë të pasur edhe në arsim e kulturë.
Më 1707, Murat pasha themeloi Medresenë e Madhe në gjuhën shqipe, ndërsa më 1770, Tahir efendi Gjakova themeloi Medresenë e Vogël.
Në Gjakovë ndodhet edhe Muzeu Etnokgrafik, Muzeu i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Arkivin Historik të Qytetit,
Kur është periudha më e mirë për të vizituar Gjakovën?
Gjakova është tërheqëse gjatë gjithë vitit, falë monumenteve të shumta të trashëgimisë kulturore e historike, por edhe falë lumenjëve të shumtë dhe liqenit të Radoniqit, që kanë ujë të pastër dhe rërë natyrale bashkë me pishinat e hapura.
Në verë mbahen shumë manifestime tradicionale: Mitingu i Poezisë, garat tradicionale të kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë, Festivali i këngës për fëmijë, manifestimi “Sofra gjakovare”, si dhe shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive. Po ashtu, gjatë verës mbahen edhe dasmat tradicionale të Gjakovës të cilat karakterizohen nga ritet e tyre të veçanta, muzikën qytetare, si dhe kuzhinën e pasur.
Edhe gjatë dimrit Gjakova është e vizitueshme. Në këtë periudhë, në shpatet e çabratit mbahen garat e skive.

Si mund të shkojmë në Gjakovë?
Mund të shkohet në Gjakovë nga aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës, rreth 65 km larg, por me Rrugën e Kombit, mund të përdoret edhe aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës, rreth 3 orë larg. Megjithatë, 2 km nga qyteti, Gjakova ka edhe aeroportin e vet të ndërtuar nga Italia, e që aktualisht është në shërbim të KFOR-it dhe pritet të jepet për shfrytëzim për fluturime civile.
Nga deti, në Gjakovë mund të mbrrihet duke shfrytëzuar portin e Durrësit prej nga kalohet nëpër autostradën Durrës-Kukës-Prizren-Gjakovë, por edhe nëpërmjet portit të Shëngjinit, në drejtimin Milot-Morinë-Prizren-Gjakovë.
Nëpërmjet rrugës automobilistike në Gjakovë mbërrihet nga Prishtina, 92 km larg, ndërsa nga Mali i Zi duhet zgjedhur kalimi në Pejë, si qyteti më i afërt kufitar me këtë shtet, 36 km larg Gjakovës. Nga Shqipëria, udhëtimi është më i lehtë, falë autostradës Durrës-Kukës- Prizren-Gjakovë.

Zyra e Turizmit dhe e Këshillimit Familjar

Revista Familja,  shkurt 2016