Gjurmëve të Profetit (s.a.v.s.)

52

“Ju kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”(Ahzab, 21).

Në këtë ajet Allahu xh.sh. na tregon që Profeti ynë (s.a.v.s.) është një profet që mund të merret për shembull në çdo aspekt të jetës. Çdo individ i shoqërisë, qoftë në rang të lartë apo të ulët, do të gjejë në jetën e Profetit Muhamed (s.a.v.s.) shembullin që i përshtatet atij. Profeti ynë (s.a.v.s.) ka qenë bashkëshort i përkryer, një baba i dashur, një shok besnik, një luftëtar trim, një komandant i suksesshëm dhe rob i devotshëm i Allahut. Po t’i numërojmë cilësitë e tij nuk do të na mjaftonte një shkrim i vetëm, por vëllime të tëra librash. Por do të cekim disa aspekte nga jeta e tij për të ringjallur në zemrat tona ndjekjen e Profetit tonë të dashur.

Profeti Muhamed (s.a.v.s.), paqe për tërë njerëzimin

Profeti Muhamed (s.a.v.s.) nuk është dërguar për një grup të posaçëm ose një fis të posaçëm, por është dërguar mëshirë për të gjithë botërat. Botën e njerëzve, atë të xhindëve, botën e kafshëve dhe atë të bimëve, botën e detrave dhe të të ngurtave dhe kështu me radhë. Allahu xh.sh. e ka përmendur këtë veçori të Profetit tonë duke thënë: “Dhe nuk të kemi dërguar ty, vetëm se mëshirë për njerëzimin” (Enbija,107).

Në një ajet tjetër përmendet kjo cilësi e pandarë e të Dërguarit të Allahut, ku thuhet: “Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë ata do të shkapërderdheshin prej teje” (Ali Imran,159).

Dashuria, afrimiteti, butësia dhe mëshira ishin cilësitë që e përkufizonin personalitetin e profetit tonë Muhamed (s.a.v.s.). Biografia e tij është e mbushur plot me shembuj që i tregojnë qartë këto cilësi. Do përmendim mëshirën që ka patur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) me të moshuarit, edhe nëse nuk ishin besimtarë.

Një ditë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ishte duke ecur jashtë Mekës dhe papritur sheh një grua të moshuar që po barte mbi kokën e saj drunj. Vihej re që e kishte kapluar lodhja, e kishte munduar rruga dhe dielli ia kishte djegur fytyrën. Kur pa gjendjen e saj Profeti (s.a.v.s.) e mëshiroi dhe i tha: “O teze, a t’i mbaj drunjtë deri në shtëpinë tënde?” Gruaja e moshuar u gëzua dhe kjo gjë u vu re në fytyrën e saj, që i ndriti nga gëzimi. E pranoi ndihmën e tij pa e ditur se kush ishte. Kur mbërritën në shtëpinë e saj, gruaja e moshuar nuk dinte si ta falënderonte dhe dëshiroi që ta shpërblente me një këshillë. I tha: “Kam dëgjuar që në Mekë ka dalë një i çmendur që thërret që të adhurohet një zot i vetëm. Qëndro larg tij, sepse të gjithë ata që i afrohen ai i magjeps me fjalët e tij!” Profeti (s.a.v.s.) buzëqeshi nga fjala e gruas dhe i tha:  “Unë jam ai i cili thërras të besohet një Zot i Vetëm dhe i Pashoq.” U befasua gruaja nga kjo gjë dhe nuk i mbeti asaj vetëm se të kthehet në besimtare muslimane dhe shqiptoi dëshminë përpara Profetit (s.a.v.s.). Kjo histori që ka ndodhur me Profetin tonë (s.a.v.s.) tregon mjaft qartë mëshirën që ka patur Profeti me njerëzit, por që ajo ndikonte mjaft mirë tek të tjerët, ndoshta ndikonte më shumë edhe se vetë fjalët.

Urtësia e Profetit (s.a.v.s.)  në sjelljet e tij

Patjetër që urtësia e Profetit ishte e frymëzuar prej Allahut (xh.sh.), për këtë arsye sa më shumë kalon koha, aq më shumë zbulohen urtësi të reja në sjelljet e fjalët e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.). Profeti (s.a.v.s.) kur na urdhëron ose ndalon për diçka dihet që patjetër ka dobi për njeriun nga ana morale, psikike dhe shëndetsore. Po ju sjell një shembull të shkurtër:

Dihet që Profeti (s.a.v.s.) na ka ndaluar që të pimë ujë në këmbë, po ashtu edhe të hamë në këmbë. Në kohët që jetojmë shkenca ka zbuluar që pirja e ujit në këmbë dëmton rëndë stomakun, po ashtu edhe zorrët, veshkën dhe shumë dëme të tjera. Ne muslimanët kur e kryejmë këtë vepër kemi për qëllim bindjen e të Dërguarit të Allahut dhe kënaqësinë e Allahut, por që Allahu me urtësinë e tij shpërblen njeriun, si në këtë botë me shëndet, ashtu edhe në ahiret me xhenetin e tij.

Profeti Muhamed (s.a.v.s.), një komandant ushtarak i suksesshëm

Shkaku që Profeti jonë (s.a.v.s.) ka qenë një komandant ndryshe nga ata që i ka njohur historia, është se Profeti ynë (s.a.v.s.) sillej me shokët e tij sikur të ishte njëri prej tyre dhe nuk i urdhëronte ata që të kryenin një mision të vështirë dhe të rrezikshëm në momentin që ai mund të rrinte i qetë dhe pa vënë veten e tij në rrezik. Shokët e tij e vunë re këtë gjë dhe e respektuan dhe po të ishte nevoja jepnin jetën për të. Konsultimi që bënte Profeti (s.a.v.s.) me shokët e tij kishte një ndikim të madh, që të ishte një luftë që bazohej në dëgjimin e urdhrave dhe mosthyerja e tyre, kjo gjë patjetër që ndihmon në mbarëvajtjen e luftës. Profeti (s.a.v.s.) ishte një komandat trim dhe i guximshëm. Sahabët përshkruajnë se kur Profeti zbriste në mejdanin e luftës, ishte i vetmi që kishte guximin t’i afrohej armikut më shumë se të gjithë ne. Le të marrim mësim nga jeta e Profetit (s.a.v.s.), sepse ne edhe pse nuk kemi jetuar në kohën e tij nuk e kemi parë, nuk e kemi njohur, por ne i jemi në borxh ndaj të Dërguarit të Allahut, sepse ai është shkaku i udhëzimit tonë. Ai, me durimin dhe vuajtjet e tij, arriti që të përhapte fenë islame, aq sa ka arritur deri në ditët tona, ku feja islame është feja e cila është përhapur më shumë në mbarë botën.