Intervistë me mjeken, Dr. Emanuela Fejzolli

4

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

E.F.: Unë quhem Emanuela Fejzolli. Jam lindur dhe rritur në Korçë, por që prej fillimit të studimeve universitare jetoj në Tiranë. Vij nga një familje e thjeshtë, me dy prindër punëtorë që nuk kanë pasur arsim të lartë, por gjithmonë më kanë edukuar me frymën e studimit, punës dhe padyshim sjelljes dhe moralit të lartë. Pas përfundimit të studimeve erdhi momenti që dhe unë të ndërtoja familjen time dhe falë Zotit jam dhe mamaja e një vajze të vogël 18 muajshe. Mëmësinë përpara se ta përjetoja e quaja si frikë, si sfidë, ndërsa tani e them me krenari që jam mami. Kurse, me frymën e islamit jam edukuar nga nëna ime dhe më pas erdhi u rrit te unë gjithmonë edhe më shumë.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

E.F.: Shkollën 9 vjeçare dhe gjimnazin i kam përrfunduar në Korcë, në shkollat më të mira në qytet, Stavri Themeli dhe liceu «Raqi Qirinxhi». Të qenurit liceist në Korçë ishte privilegj i madh pasi në pjesën më të madhe të lëndëve i kryenim frëngjisht dhe në përfundim të maturës kam mbrojtur dhe gjuhën frënge, niveli B2. Prindërit më kanë edukuar me rëndësinë e arsimit dhe të paturit e një profesioni të mirë, duke qenë se vetë kanë qenë punëtorë, por asnjëherë smë kanë krijuar presion për rezultate të larta. Dëshira për të mësuar dhe për të dhënë maksimumin tim ka qenë pjesë e imja, e karakterit tim dhe kjo gjë më ka shoqëruar gjatë gjithë viteve të arsimimit tim. Në vitin 2013 fillova studimet e larta për mjekësi, ku u diplomova në vitin 2019 dhe më pas kam punuar si mjeke familje që pas marrjes së licensës në dy qendra shëndetësore në Tiranë. Gjatë viteve të fakultetit kam ndjekur trajnime dhe praktika klinike. Kam qenë pjesë e disa konferencave kombëtare, të cilat kanë qenë shumë të frytshme për formimin profesional. Po ashtu, për disa vite kam praktikuar kryerjen e Hixhameve, por duke qenë se kërkonte goxha impenjim dhe unë isha ende me studime kjo eksperiencë nuk zgjati shumë.

A.H.:  Çfarë ju shtyu të studionit për mjekësi? 

E.F.: Nuk mund të them që kam qenë nga ato rastet që e kam pasur endërr që në fëmijëri mjekësinë, biles as nuk e kam menduar. E vogël, nuk e di pse më kanë pëlqyer profesionet si rrobaqepse, parukiere. Më pëlqente puna që kishte një përfundim të bukur. Dëshira për t’u bërë mjeke filloi në gjimnaz. Dëshira për të patur një profesion fisnik dhe të isha në ndihmë të njerëzve. Normalisht kisha dhe rezultatet e kënaqshme, të cilat më jepnin «luksin» për të zgjedhur një degë të mirë, por edhe përgjegjësinë që përderisa kam rezulatet, pse mos i përkthej në një fushë shumë të dobishme dhe me shpërblime të mëdha si para Zotit, por edhe te njerëzit. Familja asnjëherë nuk ka ndikuar apo nxitur domosdoshmërisht për këtë vendim. Shoh prindër që duan të kënaqin egon e tyre te fëmija duke bërë presion që  fëmija i tyre duhet të dalë patjetër vetëm mjek. Normalisht me kanë përkrahur për çdo gjë, por më shumë më kanë orientuar drejt profesioneve që unë si femër do isha komode, e qetë dhe normalisht të kisha kohë të merresha edhe me impenjimet familjare.

A.H.: Jeni e kënaqur me vendimin tuaj?

E.F.: Deri diku po. Edhe ky profesion si çdo gjë tjetër në jetë që duket e bukur nga jashtë ka edhe një lugë helm, në kuptimin që përgjegjësia është shumë e lartë, stresi po ashtu. Njerëzit kur drejtohen te ty presin zgjidhje, presin shërim dhe impenjimi i mjekut duhet të jetë maksimal, për të shëruar me fjalë dhe me vepra. Dhe kjo gjë në fund të ditës, por sidomos edhe tani gjatë dy viteve pandemi të shteron. Na është dashur të komunikojmë me pacientet edhe në 10 të darkës dhe të ndjekim ecurinë e tyre. Por, normalisht kënaqësia është e madhe kur sheh që njerëzit dalin të kënaqur nga dera jote, dhe kur thonë një fjalë të mirë. Pavarësisht çdo gjëje shoh që njerëzit në Shqipëri e respektojnë figurën e mjekut dhe e duan.

A.H.: Përgjatë viteve të shkollimit e deri tani, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet tuaja dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj? 

E.F.: Mendoj që bazat e karakterit dhe personalitetit i kam nga familja, madje në shumë gjëra i ngjaj babit. Pastaj këto elementët e tjerë formohen dhe fitohen gjatë jetës. Unë kam kaluar një sprovë të madhe në moshën e adoleshencës sepse kam humbur një njeri shumë të afërt dhe kjo më ka bërë të jem shumë e fortë në shumë situata dhe e ftohtë, pasi mund të them që kam përjetuar pragun e dhimbjes dhe pjesa tjetër pastaj me dukej e kotë të vrisja shumë mendjen. Pastaj jetesa në Tiranë për një vajze të re që vinte nga Korça… Kam jetuar me studente në konvikt te Qytet Studenti dhe te ato muslimane. Kjo eksperiencë mund të them që më ka mësuar shumë, ka qenë shkollë më vete. Mendoj që më shumë ka patur rol pjesa familjare dhe sociale në personalitetin tim sesa shkolla. Shkollimin e kam kaluar me atë që e kisha të fituar tashmë.

A.H.: Më tregoni diçka më shumë rreth eksperiencës tuaj në punë.

E.F.: Punën e fillova herët kur vajzën e kisha ende shumë të vogël. Fillova te QSH 1 si provizore, pra si mjeke zëvendësuese për 6 muaj, por ishte një eksperiencë që më mësoi shumë. Praktika dhe puna është shumë ndryshe nga ajo që ne kemi bërë në shkollë, në teori. Pata fatin që te puna e parë ishte një mjeke që më ndihmoi shumë, me sinqeritet, me çdo gjë të punës nga ato madhoret e deri te detajet më të vogla dhe ku duhej të kisha kujdes. Nuk do e harroj kurrë atë ndihmë dhe gjithmonë ia kujtoj këtë me mirënjohje. Pastaj te puna aktuale, në QSH 8 e kisha pak më të lehtë se shumë gjërave ia kisha marrë dorën edhe pse në mjekësi gjithmonë dalin raste të reja, te komplikuara, apo edhe mjekime te reja.

A.H.: A paragjykoheni për shkak të shamisë?

E.F.: Paragjykime dhe shikime që të venë në siklet ka. Ndonjëherë edhe rrudhje buzësh, por fatmirësisht deri më tani këto nuk kanë ndikuar te ajo që mua më takon. Gjatë fakultetit nuk ma ka ngrënë njeri hakun për shkak të shamisë. Edhe në portalin e mjekut ku unë aplikova në fillim për vendin e punës çdo gjë u bë sipas meritokracisë. Por vazhdimisht ndeshemi me shikime në punë, rrugë, apo edhe kur merr kafen. Të gjitha shikimet kanë thelbin: «Edhe ju?» Pra, edhe ju dini t’i bëni këto? Edhe ju dini të jetoni. Ndonjëherë kjo habi vjen ngaqë njerëzit janë të keqinformuar, ose skanë informacion, ose shpeshherë kjo vjen nga natyra e tyre. Shqipëtaret janë të prirur të paragjykojnë çdo gjë që është ndryshe nga e tyrja. Edhe kur shprehen me fjalë të rënda, fyese, kjo vjen se mbartin mllef dhe boshllëk brenda vetes dhe jo se kanë një arye me ne. Pra problemin e kanë me veten.

Të puna kam fatin që infermierja me të cilën unë punoj është një zonjë grua. Ka shumë seriozitet edhe në pamje. Njerëzit që nuk më njohin dhe vijnë për herë të parë i drejtohen asaj si mjeke, sepse e lë këtë imazh. Më pas kur ajo i orienton se kush është mjekja kjo shoqërohet me një frazë: « Pse ju jeni mjekja?» Habia e tyre tregon çdo gjë. Tregon që ata nuk mund ta besojnë që edhe një me shami mund të jetë dhe mjeke. Edhe pse mërzitem pak në fillim më vonë ndihem e kënaqur që ai/ajo kur doli nga dera pa që mori shërbim nga një mjeke me shami dhe ‘PO’ ajo ishte mjekja.

A.H.: Çfarë ka ndryshuar tani në jetën tënde?

E.F.: Fakti që më duhet të jem njëkohësisht vajzë, bashkëshorte, nuse, mjeke dhe roli me madhor nënë. Më duhet t’i jap prioritetet e duhura çdo roli që kam. Duke qenë se vajza është ende e vogël lodhja është më e madhe pasi do doja të kisha më shumë kohë te merresha me edukimin dhe rritjen e saj, por lodhja te puna ndonjeherë edhe nuk më lë. Pra, sfida më e madhe tani është t’i japësh hakun që i takon çdo gjëje. Ka ndyshuar edhe statusi social. Kur isha studente dhe akoma në marrëdhënie pune sikur isha më rehat. Skisha shumë përgjegjësi dhe shumë detyrime ndaj familjes, farefisit apo rrethit social. Kurse tani që jam në marrëdhënie pune normalisht rritet ky rol dhe po ashtu edhe dëshira për t’iu gjendur pranë njerëzve dhe për t’i respektuar ata në gëzimet ose sikletet e tyre.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

E.F.: I falenderoj për kohën e tyre në leximin e kësaj interviste. Revista Familja është botim i Shoqatës Kulturore «Gruaja», stafin e të cilës gjithmonë do e kem pjesë të memories time pasi kam qenë pjesë e saj për disa muaj dhe dora që zgjatet dhe të ndihmon nuk harrohet kurrë. Stafit të Shoqatës dhe të revistes i uroj më të mirën, jetëgjatësi dhe të vazhdojnë me këtë kontribut kaq të mirë për kategoritë e ndryshme sociale në Shqipëri, nga ato më vulnerabël, që i siguron ushqimin e përditshëm, ashtu edhe për kategoritë më të arsimuara që përmes kësaj reviste ju siguron edhe ushqimin e mendjes dhe të zemrës.

Zoti i shpërbleftë të gjithë sipas nijetit dhe Zoti na bëftë të sinqertë në punët që i bëjmë dhe me të cilat përfaqësojmë fenë e Tij!

  • Revista “Familja”, mars 2022