Intervistë me Gjinekologen dhe Obstetren, Dr. Samira Ademi (Lutolli)

4

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

S.A.: Unë quhem Samire Ademi Lutolli, e lindur në qytetin e Prishtinës. Kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, ku edhe kam jetuar prej 10 vitesh. Më pas kam udhëtuar drejt Sarajevës, Bosnjë Hercegovinës për t’u specializuar në Gjinekologji, Obstetri. Edhe aty kam jetuar për 10 vite të tjera. Më pas jam kthyer me familjen në Kosovë, për t’u larguar sërish nga Kosova për të vazhduar subspecializimin në mjekësinë riprodhuese për sterilitet dhe vertilitet. Jam e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Jam përkrah një bashkëshorti bashkëudhëtar me mua në rrugën e mjekësisë.

Dua të prek faktin se tashmë ka kaluar ajo periudhë kur gratë krenoheshin me suksesin e burrit dhe se ato ishin të suksesshme prej suksesit të burrave apo fëmijëve të tyre. Unë përpiqem të jem në mesin e të gjithë emrave dhe epiteteve që më janë dhënë dhe që nëpërmjet tyre arrij të promovoj shëndet, dashuri dhe humanizëm. Mendoj se kam përmbushur qëllime shumë të mëdha sepse kam njohur besimin; kam themeluar familjen, e cila më jep dhe i jap dashuri; me profesionin tim kam arritur të jem e dobishme për të tjerët e sidomos për gratë; dhe se kam kënaqësinë që fëmijëve të mi t’i jap shembullin e mirë se çdo sfidë është kalimtare dhe se asnjëherë nuk mund të ekzistojë pengesë përveçse vendosmërisë dhe se ata do të kenë modelin e prindërve të tyre ndaj çdo sfide, pasi prindërit e tyre kanë bërë çdo sakrificë për të arritur deri këtu. Tani unë mbaj dhe bëj me krenari profesionin tim dhe po ashtu dua të jem një nënë e mirë, amvisë e mirë, bashkëshorte e mirë në mënyrë që të arrij kënaqësinë e Zotit me premtimin që më ka dhënë Zoti duke më dhënë jetën. Vetë jeta është ëndërr dhe premtim. Me ndihmën e Zotit dua që këtë jetë ta shfrytëzoj duke qenë e dobishme për të tjerët.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

S.A.: Atëherë siç e përmenda edhe më lart, kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, me mesatare 9.5.  Jam zgjedhur dy herë si studentja e gjeneratës. Më pas kam udhëtuar drejt Sarajevës, Bosnjë Hercegovinë, për t’u specializuar në Gjinekologji, Obstetri. Atje edhe kam punuar dhe kam marrë pjesë në një serë aktivitetesh akademike. Po ashtu, aktualisht, jam studente për PhD në Sarajevë dhe vazhdoj specializimin për ngritje profesionale jashtë shtetit në mjekësinë riprodhuese për sterilitet dhe vertilitet.

A.H.: Na tregoni pak më shumë rreth angazhimit tuaj profesional.

S.A.: Për sa i përket angazhimit tim profesional, aktualisht po punoj si mjeke gjinekologe dhe obstetre pranë Poliklinikës Natal në Prishtinë, ku bëjmë edhe aktivitete dhe specializime të tjera. Aty jam edhe menaxhere e klinikës. Gjithashtu, jam edhe drejtuese e fondacionit «Zemër për ty», që është e themeluar në Prishtinë dhe që operon në një serë aktivitetesh humanitare. Tjetër angazhim imi profesional është që merrem me edukimin dhe vetëdijësimin e masës në lidhje me promovimin dhe ruajten e shëndetit; promovimin e vlerave sociale, motivuese; si dhe vlerave të tjera mjekësore nëpërmjet grupit Natal, portalit të poliklinikës, kanalit YouTube të klinikës si dhe profilit tim personal, duke qenë se jam në dispozicion të pacientëve dhe po ashtu edhe te grupi i Ismail Lutollit. Me bashkëshortin drejtojmë së bashku një qendër, e cila promovon shëndetin dhe jemi të angazhuar rreth ngritjes së vetëdijes, ndërgjegjësimit të pacientëve dhe njerëzve për ruajtjen e shëndetit, njohjen e hershme të sëmundjes dhe trajtimin për edukimin dhe informimin e duhur në kohë.

A.H.:  Si është të punosh në fushën e mjekësisë?

S.A.: Në lidhje me këtë pyetje, dua të them se kam menduar se mjekësia është një fushë ku më së miri dëshmohet edhe besimi edhe humanizmi. Gjithashtu, e kam ditur se do të mund t’i përkushtohesha si në aspektin e studimeve, ashtu edhe të punës dhe profesionit. Mendoj se çdo njeri që mendon dhe planifikon të studiojë mjekësinë e di se në mjekësi duhet që të jepet me të gjithë qenien e tij, sepse nuk është vetëm një profesion. Të gjithë ne që jemi në këtë rrugë duhet ta pranojmë këtë thirrje. E para në këtë thirrje është sakrifica. Në shumë aspekte nëse jeni besimtar/e do të lehtësoheni. E dyta në këtë thirrje do të thoja se është kënaqësia. Vetë studimi dhe përpjekja për të mësuar e bën një pjesë të jetës më të bukur. Kënaqësia më e madhe për mua është të jem e dobishme për të tjerët. Jeta është një shans, një mundësi dhe këtë mundësi e shfrytëzoj duke studiuar mjekësinë, duke e vënë në zbatim atë që kam mësuar dhe të gjithë eksperiencën time në këtë rrugëtim e ruaj si një pasuri shumë të çmuar sepse e ndjej veten të privilegjuar që më është dhënë mundësia të studioj dhe t’i përfundoj studimet e të jem me pacientët. Megjithatë, kjo rrugë nuk është aq e lehtë dhe e përsosur siç mund të tingëllojë sepse jetën me mjekësinë e marr dhe e përballoj si një sfidë të jetës dhe si një luftë që nuk mbaron. Do të doja që të citoja një mjek zviceran, Jakob Laurenz Sonderegger, i cili thotë: «Nuk ka asgjë më sublime apo më të bukur në botë se njeriu. Ai është detyra më e vështirë dhe më e madhe e të menduarit dhe të vepruarit. Ekzistenca dhe vdekja e tij, jeta dhe vuajtja e tij, e gjithë kjo është shumë e mahnitshme dhe prekëse. Ti që dëshiron të jesh mjekues, duhet të kesh sy depërtues dhe veshë të mprehtë, të  kesh të dhuruar aftësinë  për vëzhgim, durim dhe sërish durim për mësim të pafund.»

Duke punuar në këtë fushë, do të thoja se profesioni i mjekut në kohën moderne, gjithnjë e më shumë po shkon drejt shuarjes. Në lidhje me këtë do të përmend një thënie nga një ekonomist francez Jaques Attali nga vepra e tij e famshme «Urdhëri kanibal», ku thotë: «Mjekët janë gjithnjë e më të paaftë për të ruajtur rendin, për t’i dhënë kuptim vdekjes, për të ndaluar sëmundjet dhe për të rritur jetëgjatësinë e një personi. Dominimi dhe reputacioni i tyre po bie kudo».

Pra, koha moderne ka sjellë gjithnjë e më shumë një sjellje arrogante të mjekut ndaj pacientit, i cili pastaj nuk ndihet mirë dhe për shkak të së cilës është e vështirë që të kuptohet problemi i pacientit. Prandaj është edhe më e vështirë që të mjekohet dhe të shërohet. Në lidhje me këtë është bërë një sondazh në Amerika, si vendi më i zhvilluar dhe më i përkushtuar për sa i përket fushës së mjekësisë, dhe ku rezultoi se brenda 10 viteve besimi në mjekësi është vetëm 31%. Kjo do të thotë se mënyra e mbarëvajtjes së historisë së sëmundjes, të shkruajtjes së çdo ndryshimi te gjendja e pacientit nuk mund ta anashkalojmë dhe është po aq e rëndësishme gjatë punës së një mjeku bashkëkohor. Duke e parë nga kjo perspektivë, mjekësia nuk është vetëm një armë kundrejt forcave të cilat na shpërqendrojmë, por është ajo dije, aftësi, virtyt dhe zgjedhje që mjekët, dhe sidomos ata besimtarë, duhet që t’i përkushtohen dhe ta promovojnë shëndetin dhe mirëqenien në këto kohë moderne.

A.H.: Përse e keni zgjedhur specializimin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës?

S.A.: Zgjedhja e këtij specializimi është bërë gjatës kohës kur isha nënë e dy fëmijëve dhe e kam kuptuar rëndësinë e tyre. Gjinekologjinë dhe Obstetrikën i kam gjetur si një rrugë për të ndihmuar pacientët. Një fotografi e një gjinekologie dhe një obstetre na paraqet më shumë se një person që ka mbaruar shkollën apo specializimin, por na tregon një gjendje të një personi që ka ngulitur në vetvete besimin, stabilitetin, seriozitetin, sakrificën, mendjemprehtësinë, sigurinë, saktësinë dhe një gjendje qetësie dhe vetëbesimi. Gjinekologu dhe obstetri ndërmjetësojnë në dy dimensione të kësaj jete: lindje dhe vdekje. Këta janë persona që kur gruaja lind dhe nuk e ka parë asnjëherë atë mjek, në momentet e saj më të bukura dhe njëkohësisht më të vështira ia beson jetën e saj dhe të fëmijës së saj këtij personi. Po ashtu, edhe gjinekologët që merren me gjendjet shëndetësore të grave dhe sëmundjet e ndryshme gjinekologjike, në momentet më delikate të një sëmundje të rëndë mjeku duhet të jetë i ndjeshëm dhe i duruar që t’ia lehtësojë pacientit vuajtjet, sidomos kur kanë një prognozë jo të mirë. Pra, të kurojë pacientin dhe jo vetëm sëmundjen.

Për arsyen se në këtë fushë përjeton mjaft emocione të ndryshme edhe e zgjodha. Emocionet mund të jenë si: kur jep lajmin e shtatzanisë, apo dëgjohen rrahjet e para të zemrës së foshnjes, apo kur lind një fëmijë, por edhe në momentet më të vështira, kur kemi një ecuri jo të mirë të sëmundjes, dhe që do duhet t’ia themi pacientëve në mënyrën më të ndjeshmë. Pra, mund të japim lot nga gëzimi, por duhet të japim edhe buzëqeshje në dëshpërim.

A.H.: Si ka ndikuar jetesa juaj në tre shtete: Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë?

S.A.: Atëherë Ardela, unë kam jetuar 10 vjet në Shqipëri, 10 vjet në Kosovë dhe 10 vjet në Bosnjë Hercegovinë, ku edhe jam formuar si nënë, bashkëshorte dhe si mjeke. Këto vende i konsideroj si vendet e mia ku kam gjetur lumturi dhe kam marrë nga secili vend më të mirat e tij. Po ashtu kam arritur të bëj dallimet që më kanë bërë më përzgjedhëse për vlerat e formimit të personalitetit tim.

Eksperienca në Shqipëri me jetimët dhe të sëmurët ka vazhduar edhe në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, duke bërë një simbiozë midis aktivitetit mjekësor dhe atij humanitar. Kjo ka qenë në përputhje me vlerat morale, fetare dhe më ka përmbushur në besimin tim. Mendoj se po përmbush mision, që ndjej që jam obliguar, pra për t’i shërbyer të tjerëve.

I jam falenderuese Zotit për të gjitha këto lëvizje në kërkim të dijes, ku edhe pse kam qenë mysafir dhe kam hasur vështirësi, asnjëherë nuk jam zmbarpsur. Këto udhëtime kanë qenë realizim i ambicjes time profesionale. Kur meditoj rreth këtyre udhëtimeve dhe lëvizjeve të shumta, gjithmonë them me bashkëshortin tim se ia ka vlejtur dhe se ndryshe nuk do të isha kurrë e përmbushur profesionalisht. Edhe pse vështirësitë kanë qenë të mëdha dhe ndonjëherë më është dashur të lë edhe një punë dhe jetesë të mirë për t’u zhvendosur diku tjetër. Gabimi më i madh është të heqësh dorë, kurse dështimi më i madh është të humbasësh motivim. Motivim e kam gjetur në optimizëm kurse forcën më të madhe ma ka dhënë bësimi im.

Jetesa në disa vende më ka dhënë mundësinë që të provoj kufijtë e mi personalë dhe të njoh më mirë njerëzit. Pasi kam bërë një analizë timen kam dalë në përfundimin se nuk do të mundja t’ia dilja kaq mirë në këtë profesion timin pa këto eksperienca. E gjithë kjo ka qenë një shkollë për mua,  për të ardhmen time dhe një shans dhe shkolla ime më e mirë e jetës time dhe të fëmijëve.  Diferencat më kanë bërë që t’i pranoj më lehtë të tjerët. Më kanë bërë madje edhe më tolerante dhe më kanë zbutur.

A.H.:  Ju gjithashtu edhe shkruani. Një libër tuajin e ka botuar edhe Shoqata Kulturore “Gruaja”, “Sakrifica për pijen magjike”. Ç’mund të ndani me ne në lidhje me shkrimin?

S.A.: Dua të them se përveç këtij libri kam botuar edhe dy libra të tjerë, «Alkoli, Duhani dhe Efekti te gratë», «Aborti i Qëllimshëm, Nënë mos më Vrit», janë tre libra dedikuar femrave. Këto libra prekim temat më të ndjeshme për gratë. Nuk jam feministe, por luftoj për promovimin e vlerave të grave.

Për sa i përket librit të parë rreth abortit, shkurtimisht do të thoja se aborti është një fenomen që ka ekzistuar që në kohet e hershme, por që tani në një pjesë të vendeve është legalizuar. Shqetësuese është numri i madh i aborteve, përafërsisht 46 milion aborte në vit. Në libër flitet për shkaqet e abortit që janë disa, si joinformimi për pasojat e tij, pamaturia e nënës etj. Qëllimi i këtij libri është sensibilizimi dhe njohja e grave se aborti i qëllimshëm paraqet rastin ku rrezikohet shëndeti i gruas dhe një kategori që është krejtësisht e pambrojtur, pra foshnjet. Çështja nuk është aborti, por se pse arrijmë deri te ai. Ne si shoqëri duhet të edukojmë dhe informojmë fëmijët tanë në aspektin e edukimit seksual të shëndetshëm.

Në librin e dytë theksohen efektet në shëndetin e njeriut dhe të gruas në veçanti dhe në procesin riprodhues të saj, pasi akoma gratë nuk janë plotësisht të qarta për pasojat e tyre. Ky libër shërben sidomos për gratë dhe partnerët e tyre që duan dhe po planifikojnë një shtatzani, presin një fëmijë apo janë prindër tashmë.

Për sa i përket librit të fundit, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore «Gruaja», është libër që ka marrë 1 vit e gjysëm përkushtim. Vetë si nënë kam hasur shumë pyetje rreth gjidhënies. Pas studimeve, vështirësia për të gjetur një punë dhe po ashtu shtatzënë me fëmijën e dytë, bënë që të kisha kohë dhe dëshirë të përkushtohesha në kërkimin për t’iu përgjigjur pyetjeve që kisha rreth gjidhënies. Ky libër është shkruar paralelisht me periudhën që unë isha në gjidhënie me fëmijën tim të dytë. Pra ndërkohë që shkruaja edhe e vendosja në praktikë. Në periudhën kur është botuar libri ka pasur pak informacion rreth kësaj teme, edhe në internet, prandaj edhe ka qenë shumë i nevojshëm si libër dhe është pritur mjaft mirë. Shumë nëna janë bazuar në të. Libri ka për qëllim që për çdo pyetje apo dyshim, gratë të gjejnë përgjigje. Zoti e ka bërë obligim dhe me ton urdhërues gjidhënien dhe po ashtu me ton kritikues kur ia ndalojmë gjidhënien pa arsye. Po ashtu nga një citim i UNICEF thuhhet se një  million e gjysmë  jetë do të  kurseheshin çdo vit duke parandaluar sëmundjet e rënda përmes ushqyerjes me gji.

A.H.: Me çfarë ju pëlqen të merreni në kohën tuaj të lirë?

S.A.: Unë do të thoja se të merresh me këtë profesion, kërkon mjaft impenjim. Nuk besoj se sot ka një profesion që nuk ka stres, por në këtë aventurë timen, kështu e quaj jetën time pas këtij specializimi, më ndihmon familja ime. Edhe pse e kam punën mjaft impenjative, gjej momente kur këndoj me fëmijët, lexoj me to, dhe dalim bashkë. Nuk e kam atë luks që të kem kohë të lirë për veten, por unë kohë të lirë i them përkushtimit tim jo vetëm profesionit, por edhe familjes. Unë i organizoj aktivitetet në atë mënyrë që i quaj kohë e lirë. Për shembul, leximin e bëjmë bashkarisht me fëmijët, apo zgjedhim një film me mesazh edukues. Këto janë pjesë të formimit tonë familjar në kuadër të kohës së lirë. Kam gjithashtu, disa talente që nuk dua ti zbeh apo harroj për shkak të profesionit si, piktura, puna me grep, puna e dorës, por edhericiklimi i sendeve të ndryshme bashkë me fëmijët. Po ashtu bëj edhe qepje, qendisje, apo spila për rroba. Marr pjesë në aktivitete humanitare bashkë me fëmijët. Ajo që po merrem aktualisht është krijimi i parukeve për fëmijët me kancer, një aktivitet ku janë angazhuar shumë fëmijë mbarë Kosovës dhe që shumë shpejt do ta vëmë në jetë. Pasion tjetër imi gjatë kohës së lirë, por që e bashkalidh me profesionin tim është shkrimi. Unë bëj publikime me tema rreth shëndetit, tema sociale e psikologjike. Pra koha ime e lirë mbushet gjithmonë me aktivitete të dobishme, jo vetëm personale por kolektive. Përsa i përket aktiviteteve të ndryshme sportive, si noti apo të bërit ski, me ardhjen time në Kosovë i kam neglizhuar, por do i bëj sërish pjesë të rutinës time siç kanë qenë.

A.H.: Më thoni, si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

S.A.: Ndonjëherë më duket sikur nuk e menaxhoj, pasi dita ime do të duhet të zgjaste 48 orë dhe jo 24 orë. Megjithatë, arrij ta organizoj dhe të shoh prioritetet. Ajo që është e rëndësishme është që nuk harroj që t’i kushtoj kohë familjes, dhe kohën e dashurinë e duhur fëmijëve, prindërve dhe të afërmve të mi. Pastaj, duke mos sakrifikuar aspak fenë time, jam gjithmonë në dispozicion të pacientëve. Jam edhe online me pyetjet që marr në inbox, videove dhe shkrimeve për pyetjet e tyre.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

S.A.: Kam kënaqësinë që kësaj radhe në revistën «Familja» jam e ftuar për intervistë, ndërkohë që për vite kam qenë autore me shkrimet e mia për këtë revistë, ku kam promovuar shëndetin bashkë me bashkëshortin. Më vjen mirë që pas kaq shumë vitësh, akoma edhe sot revista «Familja» vazhdon dhe promovon vlerat familjare, vlerat shoqërore, promovimin e shëndetit dhe gjithçka që është aktuale për kohën. I ftoj lexuesit e saj të vazhdojnë ta lexojnë dhe të përfitojnë nga kjo revistë.

A.H.: Të falenderoj për këtë intervistë të bukur.

S.A.: Ju falenderoj edhe unë.

  • Revista “Familja”, dhjetor 2021