KU PO SHKON FAMILJA SHQIPTARE?

114

Më është bërë zakon që kohë pas kohe, kur gjej pak kohë mëngjeseve, dëgjoj blloqe informative, ato të medias së shkruar kryesisht e më pas përgjatë titujve kryesorë më ka rastisur që të kap me veshin e asaj gruaje që nuk e ka mendjen krejtësisht aty, por tek shumë gjëra, me të cilat gdhihemi, lajme që vërtet ma prishin lumturinë që jep lindja e një dite të re.

largea_dhune-familjare1370444216   Kështu lajmet që nuk shqiten, kryeshit ato me dhunë në familje, atë mes çifteve, vrasjet makabre, historitë ç’njerëzore mes tyre, ndodhitë e padëgjuara më parë – janë gjithë ai kortezh zie që më shoqëron ditën, duke prishur qoftë edhe atë kafenë e mëgjësit të çdokujt prej nesh, e cila nuk pihet asnjëherë pa dëgjuar kësisoj ndodhishë që të ndalin hapin, e që nxijnë agimin e sapo dalë e të errësojnë çdo minutë deri e deri në muzg.

Me dëgjimin e këtyre lajmeve të kobshme marr rrugën për në punë, ku shpeshherë nga goditje të tilla psikologjike e shpërqëndrime të vëmendjes, rastis të ngatërroj dhe rrugën, humbas mendjen, mendoj shumë ndryshe për meshkujt dhe për femrat. Rrëzoj pa dhimbje gjithë atë piramidë ëndrrash që kam ngritur një ditë më parë, fshij çdo shënim e takim në axhendën time…

Jam e frikësuar. Asnjëherë nuk do e artikuloja këtë frazë kaq lirshëm, por dhuna shfaqur kohëve të fundit, lajmet tejet të fryra dhe me mungesë të thekur profesionalizmi, që shfaqen orë e pa orë në radio, televizor e në çdo hapësirë mediatike, trishtojnë!

Asnjëherë nuk do ta shqiptoja këtë frazë, – thoja me vete. Se me veten time kam besimin që më bën të kaloj çdo gjë, të përjetoj shumë frikëra, por pa qenë e frikësuar, se më mjafton t’i bindem Zotit tim, e ai do më orientojë nga qetësia.

201167_10151840930681165_888548658_oDhe e gjitha kjo sepse mbaj mend në fillimet e islamit tim, pata lexuar si për çudi, ndër mësimet e para, një thënie të Profetit tim të dashur ku thotë: “Gjëja më e mirë që mund të bëjë një baba për fëmijët e tij është të dojë sa më shumë nënën e tyre!” Ky hadith është shumë kuptimplotë. Ne jemi mësuar që nëse ua do të mirën fëmijëve, ushqeji, veshi e mbathi me gjëra që duan nënat e tyre. Shumë larg nga kuptueshmëria e fjalës së Profetit, fjalë kjo më afër shpirtit, më afër besimit, më afër Zotit dhe asaj të natyrshmes e jo materies!

Të duash nënën e tyre! Me këtë lajtmotiv jeton dhe ecën në botën plot sprova besimtari i sotëm, por këtij besimtari i takon të jetojë në këtë shoqëri që nuk e kanë dëgjuar këtë thënie, nuk e dinë a nuk e kanë lexuar. Kur thotë Profeti i Zotit, gjëja më e mirë që një baba mund t’u bëjë fëmijëve të tyre është pikërisht kjo gjë. Çfarë mbetet të presim kur ka baballarë të tillë në këtë botë që dëbojnë, dhunojnë  e vrasin  nënat e fëmijëve të tyre? Si mund të jenë këta? A do kishte epitet për ta kërkuar në çdo fjalor kushedi sa shkronjësh qoftë.

220222_10151808950021165_1148700038_oBabait i ka dhënë Zoti mundësinë të quhet i tillë, pasi ka shumë prej tyre që nuk e kanë përjetuar atësinë. Ai ka mirësinë të thërritet i tillë nga fëmijët. Pasuria e tij, dashuria e tij, shpëtimi dhe dënimi i tij – siç edhe janë fëmijët – transmetuar në një hadith tjetër, nuk janë thjeshtë ushqimi i mirë, as çdo kërkesë tjetër jetike, por është shumë më thjesht se këto që thamë: ajo vjen pa shumë harxhime në kohë, në lodhje, djersë e mund, siç vjen çdo plotësim, dëshirë tjetër materiale. Ajo është dashuria e lindur, e dhuruar  nga Zoti për njëri-tjetrin, është urtësia e babait, është përkëdhelja e tij, është urata që ai jep, është shumëçka për një familje të ngrohtë e të begatë, që do të priste vetëm shpërblimet e Zotit e jo dënimet e Tij.

Ajo që bie në sy është fakti se kjo dhunë dhe këto vrasje brenda familjes nuk janë më pjesë e një filmi të keq të stisur nga një regjizor amator, ku në qendër të vëmendjes stigmatizon vendet apo  shtëpitë ku lulëzon varfëria, skamja, padija, mentaliteti analfabetik etj., por përkundrazi, çudia që po tallazon me gjithë psikologjinë tonë të këtyre ditëve është se këto krime vijnë nga familje të arsimaura, të mesme, për të mos thënë të kamura. Vijnë nga çifte të mbajtur mirë e që kanë jetuar mirë më njëri-tjetrin, duke përjashtuar si në çdo ligj tjetër edhe rastet e tipit të krimeve të ardhur nga varfëria. Por si do të ishte kjo situatë nisur nga varfëria nëpër botë? Po të ishte e vërtetë kjo që ndodh në Shqipëri, i takon të zhduken të varfërit duke vrarë njëri-tjetrin e duke mos i vrarë skamja e tyre.

Parë në rang republike, në rang numrash e shifrash, këto krime kanë pasur një shpërndarje të çuditshme hapësinore, duke filluar që nga metropoli i çoroditur e deri te provincat apo periferitë  që nuk kanë lënë cep pa i kopjuar më së keqi këtij kryeqyteti pa krye.

Ku po shkon familja shqiptare duket si një nga vargjet e një balade folklorike, që kryesisht  dallohet për nga thirrjet revolucionare që nuk i artikulon më sot “folku”, mbarë populli, por kanë mbetur relike të teorive të psikologëve analistëve, politikanëve për të hedhur ndonjë mendim a ide se çdo bëhet me këtë familje që deri dje numërohej si një familje shqiptare ku qëndrueshmëria mes çiftit është shtylla tek e cila ndizet drita e shtëpisë.

Rastet kur varfëria është bërë shkak janë të dhimbshme, por janë në minorancë nga ato që rrodhën së shpejti  në vendin tonë. Askush nuk do i shpëtonte varfërisë po të vritej a vetëvritej, e aksush nuk i shpëton turpit, hiles a hidhërimit, nëse do prezantohet një ditë para Krijuesit të tij si vrasës apo qoftë edhe i vrarë.

Ka momente më të denja për ta mbyllur jetën për njeriun, që Zoti e bëri mëkëmbës të Tij në tokë. Ka çaste më të këndshme që çdo kush prej nesh, prej të gjallëve, por edhe prej atyre të vdekurve do donin të prezantoheshin para jetës së varrit me më pak halle, e para Zotit të tyre me më shumë krenari e shpresë për shpëtim.

Shkak tjetër, i cili është bërë stacioni i errët për vrasjet brenda familjes ka qenë edhe xhelozia, një temë e trajtuar nga çdokush, i madh e i vogël, deri në banalitet dhe sërish nuk është nxjerrë asnjë mësim. Asnjë mësim! E kryesisht kur “nxënësit” kanë qenë 40 e kusur vjeç. Një martesë brenda një çifti që gëzon këtë moshë është për të ardhur çudi sesi nuk është gjetur rruga e njohjes midis tyre prej vitesh martese. Kjo pasi po të ndodhte një vrasje ardhur nga xhelozia për një çift të saponjohur edhe do merrnim frymë e do thonim se nuk arritën të njohin mirë njëri-tjetrin dhe panë anët e errëta të çdonjërit, dhe aty goditën.

Por jo, janë vrasje dhe krime brenda familjes që vijnë nga mesomosha, deri edhe tek mosha e tretë. A nuk është ky një paradoks? Kësaj moshe i është mveshur urtia e butësia që iu mungon të rinjëve, iu është mveshur qetësia e durimi që nuk u është mveshur të vegjëlve? Çfarë po ngjet vallë, ku po shkon familja shqiptare kështu?

Për të ardhur më pas tek shkaku më prapanik që do thotë çdokush, shkaku i mosgjetjes të asaj të mesmes mes çiftit. Kjo e ardhur kryesisht nga relacionet trekëndore nuse-djalë-vjehërr, ku ky i mesmi i bie të jetë “mes dy drinave të zi”, siç thoshte gjyshja ime, duke mos patur kurrë guximin t’u tregojë “vendin” secilës prej të dyjave. Ndërhyrjet e shpeshta të vjehrrave në jetën e çiftit, kryesisht tek çështjet e nuses, kanë bërë që shpesh lidhja më magjike, që quhet edhe mes filozofëve e psikologëve, lidhja nënë-bir të katranoset si mos më keq, duke humbur çdo shenjë njerëzillëku mes të tre palëve.

Qëndrimi i mesëm i bashkëshortëve shqiptarë mes bashkëshortes dhe nënës ka bërë që zgjidhja të gjendet më shkurt dhe lehtë tek bashkëshortja, e kjo për t’u dukur në sytë e nënës “ai djali i fortë i saj që ajo mezi e rriti”. Nga ana tjetër, po kjo vjehërr harron se në krahun tjetër vritet një vajzë, po ajo vajzë e huaj për të, por që edhe ajo ka një nënë që mezi e ka rritur gjithashtu.

A ka akoma për të thënë për shkaqe dhe për pasoja? Ka mjaft. Ka shumë!

Zoti i Madhërueshëm nuk e do as edhe divorcin mes çiftit, imagjononi vrasjen mes tyre. Zoti i Lartë nuk e do gjakderdhjen. Ju mund ta dini mjaft mirë dënimin e atij që vret qoftë edhe një njeri. Ju mund ta dini mirë, e një dhunë në familje, një vrasje në të mund të ngelet një vrasje, por lë shumë jetimë, shumë të varfër që kërkojnë një baba t’i ushqejë e një nënë t’i përkëdhelë.

Po ajo dhunë dhe vrasje lë prapë ëndrra panumër, dëshira të parealizuara, nijete ndoshta të papërfunduara, qëllime të larta ndoshta, ide e projekte që do ia vlente po të jetonin sërish të dy bashkë me të mirat dhe dobësitë e tyre?

Shtator-Tetor 2013