Libri – pasuri dhe kulturë

15

Nga: Emine Boriçi

Disa fleta të shkruara plot me shkronja, fizikisht, përshkrojnë nocionin libër. Por, libri edhe më gjerë përkufizohet si arkitektura që modelon sjelljen, jetën, edukatën dhe kulturën e qenies njeri. Më gjerë të shoqërisë dhe akoma më gjerë të kombit. Nëse njeriu është i kulturuar dhe i edukuar përçon sjellje në shoqëri e si rrjedhim rrit nivelin e mirëqenies social-kulturore të të gjithë individëve të shoqërisë dhe po ashtu edhe të identifikimit të kombit si të tillë: kulturë e gjerë dhe nivel i lartë kulturor. Por, kjo arrihet vetëm nëse librin e bëjmë bashkëudhëtar në galaksinë shumëngjyrëshe të jetës sonë.

Libri është metonimi e mirëqenies së lartë ekonomike. Libri nuk të fal vetëm një profesion ku ti siguron jetën në ditët e mëvonshme, por, libri të fal kulturën modestore për të mjeshtëruar shkathtësisht në prakticitetin e jetës ekonomike. Ambreola e një jete me jetë, estetika e një oratorie e kolaritur me pjekurinë modestore plot argument, plot respekt janë mbiveshja që libri i mundëson sjelljes së individit.

Libri nuk të mëson vetëm të flasësh, të sigurosh të ardhura, por të mëson të mësosh, si edhe të heshtësh atëherë kur kjo heshtje të mbërthen më shumë se fjala e thënë. Libri shpesh nënkupton botën artistike në kuptimin e lirë të fjalës. Por edhe artistikisht libri riprodhon copëza realitetesh. Çfarë janë librat e Petro Markos, Ismail Kadaresë, Anton Pashku, Stefan Cvajgut, Nikolla Gogol-it, përveçse copëza realitetesh me nota shkrimore e stilistikore alegorike-simbolike. Por libri nuk është vetëm letërsi. Libri është informacion, ideologji, i cili përçon dije dhe kulturë. Libri është makrobotë e shkruar ku ne si individë marrim nga ajo dhe krijojmë mikrobotën tonë.

Konkretisht, fëmija lindet rritet me edukatën prindërore dhe kulturën shkollore. Por, rritja e tij e vërtetë, rritja e inteligjencës së tij, e edukatës, e zgjuarsisë dhe e dobisë që ai sjell në shoqëri varet drejtpërdrejt nga leximi.

Individi përmes leximit monoton, përhershëm zhvillohet dhe mbarëson vlera, parime dhe njohës mjaft të denjë të së keqes, për ta larguar atë e për ta zëvendësuar me diçka që i shërben shoqërisë. Si rrjedhim nëse shoqëria është përqindshmërisht me nivele të larta të individëve me lexueshmëri të shëndetshme edhe kombi, madje edhe shoqëria globale është e shëndetshme dhe virtytshmërisht në arritje të një bote të edukuar, të qytetëruar dhe të ndershme, që në ditët e sotme është kthyer në idealitet.

Vendet e zhvilluara si Kanadaja, Filanda, Suedia, etj. janë metodika e një sistemi mjaft të arritur për shkak të psikologjisë që ato ndjekin. Atje përdorin mënyra të ndryshme për të arsimuar fëmijët e të rinjtë si dhe vihet re një nivel mjaft i vogël mbi vrasjet dhe vetëvrasjet, apo edhe krimi mjaft efektiv. Por, një gjë e tillë ka ardhur përmes dijes, të lexuarit dhe metodikës së të aplikuarit të arsimimit dhe jetesës. Ka ardhur nga një mirëorganizim i njohurive leximore përmes arkitektëve të mendjes: njeriu që do dijen dhe përkushtohet për të.

Libri, të lexuarit, dija janë triada më e pathyshme për një jetë më të mirë dhe një psikologji që lufton problemet psiko-social-ekonomike, pa të cilën njeriu ngel një hap mbrapa jetës. Një libër, një dije mjaft e madhe është edhe jeta, por në këtë mënyrë njeriu jeton që të dijë. E nëse i kushton rëndësi dijes, ai nxë për të jetuar.

 

Revista “Familja”, qershor 2022