Mbrojtja e fëmijëve tuaj nga i nxehti

8

Përktheu: MSc. Ardela hyka

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të sëmuren gjatë motit shumë të nxehtë. Shëndeti i tyre mund të ndikohet seriozisht nga:

  • dehidratimi
  • lodhja dhe goditja nga i nxehti
  • djegie nga dielli

Provoni këto këshilla për ta mbajtur fëmijën tuaj të lumtur dhe të shëndetshëm gjatë të nxehtit.

  • Mbrojtja nga dielli

Mbajeni fëmijën tuaj të freskët dhe mbrojeni nga dielli.

Foshnjat nën 6 muajsh duhet të mbahen larg rrezeve direkte të diellit. Lëkura e tyre përmban shumë pak melaninë, e cila është pigmenti që i jep lëkurës, flokëve dhe syve ngjyrën e tyre dhe siguron njëfarë mbrojtjeje nga dielli.

Foshnjat e rritura, gjithashtu, duhet të mbahen sa më shumë që të jetë e mundur larg nga dielli, veçanërisht në verë dhe midis orës 11:00 dhe 15:00, kur dielli është më i fortë. Nëse dilni kur është vapë, vendosni një çadër ose mbulesë dielli në karrocën e fëmijës suaj për t’i mbajtur ata larg nga rrezet direkte të diellit.

Aplikoni një krem ​​kundër diellit me faktor mbrojtës nga dielli (SPF) të paktën 30 në lëkurën e foshnjës tuaj. Sigurohuni që produkti mbron edhe nga rrezet UVA dhe UVB. Shumë marka prodhojnë krem ​​kundër diellit, posaçërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi këto produkte kanë më pak gjasa të përmbajnë përbërës që mund të irritojnë lëkurën. Sigurohuni që fëmija juaj të mbajë kapele për të mbrojtur kokën dhe qafën nga dielli.

  • Shmangni dehidratimin

Ashtu si të rriturit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël duhet të pinë shumë lëngje për të shmangur dehidratimin.

Nga 0 deri në 6 muaj

Foshnjat e ushqyera plotësisht me gji nuk kanë nevojë për ujë derisa të kenë filluar të hanë ushqime të ngurta. Gjatë motit të nxehtë ata mund të dëshirojnë të ushqehen me gji më shumë se zakonisht.

Nëse e ushqeni me formulë, si dhe me produkte të tjera të qumështit, mund t’i jepni fëmijës tuaj pak ujë të zier të ftohur.

Prej rreth 6 muajsh

Pasi të keni filluar t’i prezantoni fëmijët me ushqime të ngurta, duhet t’i ofroni atyre gllënka uji nga një filxhan ose gotë për të shoqëruar vaktet përkatëse. Mos harroni se qumështi i gjirit ose formula për foshnjat duhet të jenë pijet e tyre kryesore gjatë vitit të parë. Në mot të nxehtë, mund t’ju duhet t’i jepni pak ujë shtesë jashtë orarit të vaktit.

Nga 12 muaj e tutje

Uji, qumështi i gjirit ose qumështi i plotë i lopës duhet të jenë pijet kryesore të fëmijës suaj. Në mot të nxehtë, mund të provoni t’u jepni kasata të freskëta të bëra me ujë të thjeshtë ose me lëng frutash shumë të holluar për t’i mbajtur fëmijët të hidratuar. Kasatat e bëra nga lëngu i frutave i holluar duhet të jepen vetëm gjatë vakteve sepse mund të shkaktojnë prishje të dhëmbëve.

Për fëmijët më të rritur, jepini shumë fruta dhe sallatë që t’i ndihmoni në mbajtjen e lartë të niveleve të lëngjeve në trup. Mos harroni se lëngjet e frutave të paholluara ose smoothie-t nuk duhet t’u jepen fëmijëve deri në moshën 5 vjeç, pasi këto mund të shkaktojnë edhe prishje të dhëmbëve.

  • Freskia

Ndiqni këto këshilla për t’i mbajtur fëmijët tuaj të freskët dhe të sigurt gjatë motit të nxehtë.

  • Loja në një pishinë të vogël është një mënyrë e mirë për të mbajtur të freskët foshnjat dhe fëmijët. Mbajeni pishinën në hije gjatë motit shumë të nxehtë dhe mbikëqyrni fëmijët me kujdes gjatë gjithë kohës.
  • Bëjini një banjë të freskët para gjumit.
  • Mbajeni dhomën e gjumit të fëmijës tuaj të freskët gjatë ditës duke mbyllur grilat ose perdet. Ju, gjithashtu, mund të përdorni një ventilator për të qarkulluar ajrin në dhomë.
  • Vishini rroba gjumi të lehta. Nëse foshnja juaj godet ose i shtyn mbulesat gjatë natës, kini parasysh t’i vendosni ato në gjumë vetëm në një pelenë me një çarçaf të vetëm të fiksuar mirë, që nuk do t’i mbulojë fytyrën apo të ngatërrohet gjatë natës.
  • Një termometër do t’ju ndihmojë të monitoroni temperaturën e dhomës së foshnjës tuaj. Fëmija juaj do të flejë më rehat kur dhoma e tyre është midis 16 dhe 20 gradë Celsius.

Revista “Familja” – gusht 2022