Si ta mbajmë Ramazanin, si dietë shpirtërore dhe fizike

190

Nga Arjeta Dema

Për një Ramazan sa më frytdhënës për ju, ndiqni këshillat që me kënaqësinë më të madhe duam t’ju servirim!

Ramazani është muaji i Mëshirës dhe i Sakrificës Sublime, është koha kur njeriu duhet të bëjë të pamundurën për t’u lidhur me Krijuesin e tij, për të rigjeneruar shpirtin dhe për të qartësuar dhe qëllimet e tij.

Por sigurisht, një stomak bosh dhe një organizëm i dehidratuar na e vështirëson përqëndrimin në adhurime dhe në aktivitetet që Ramazani na kërkon të përfshihemi.

Ja disa këshilla të mençura për një iftar të këndshëm, që të mos jua rëndojë tretjen dhe vështirësojë adhurimet tuaja:

• Çelni iftar me 3 hurma, veçanërisht nëse vuani nga dhimbja e kokës ose keni marrje mendsh për shkak të niveleve të ulëta të sheqerit në gjak gjatë periudhës së agjërimit.

• Sigurohuni që të pini ujë mjaftueshëm, lëngje të shëndetshme ose kos para se të filloni të hani, pasi në këtë mënyrë do të parandaloni dehidratimin.

• Një supë e lëngshme është e domosdoshme në vaktin e Ramazanit, pasi përgatit stomakun për të marrë pjesën tjetër të ushqimit dhe ndihmon të plotësoni lëngjet trupore të humbura gjatë ditës.

• Hani një sallatë, sepse ajo është e pasur me vitamina, minerale dhe fibra. Sa më e freskët të jetë, aq më e shëndetshme është. Gjithashtu, ju jep një ndjesi ngopjeje, duke bërë që të hani më pak gjellë dhe t’ja lehtësoni punën stomakut.

• Konsumoni një sasi të moderuar të gjellës kryesore për të mbajtur organizmin të stabilizuar. Pjata kryesore duhet të përmbajë një burim të karbohidrateve, si oriz, makarona, patate, si dhe proteina nga mishi i viçit, pulës ose peshkut, përveç perimeve të gatuara.

• Shmangni ushqimet e skuqura dhe ëmbëlsirat, sepse këto ushqime janë të pasura me yndyrna, kripë dhe sheqerna.

16 ushqime e syfyrit që ju ndihmojnë të frenoni urinë dhe etjen

Më poshtë do t’ju rendisim 16 ushqime që mund t’i konsumoni në Syfyr dhe 7 ushqime që duhet t’i shmangni pasi jua vështirësojnë agjërimin.

1. Ushqimet e pasura me proteina, si gjeli i detit, mishi i pulës dhe peshku.

2. Bollguri: Futet tek ushqimet që janë të pasura me fibra, të cilat ju mbajnë me energji për një kohë më të gjatë sepse treten më ngadalë.

3. Molla: Mollët janë të pasura me fibra, por gjithashtu përmbajnë sasi të lartë uji. Kafshoni një mollë para se të mbyllni syfyrin.

4. Avokadoja: Ajo është e mbushur me nutrientë dhe gjithashtu përmban yndyrna të shëndetshme dhe vitamina të tretshme në yndyrë, që ju bëjnë të ndiheni më energjikë.

5. Bananja: Përmban sasi të lartë kaliumi dhe ndihmon në zvogëlimin e etjes.

6. Fasulja: Përveç se është mjaft e pasur me proteina, ajo tretet shumë ngadalë, që do të thotë se ajo vazhdon të lëshojë energji për një kohë të gjatë pas konsumit dhe do t’ju mbajë larg nga uria dhe plogështia.

7. Frutat dhe perimet: Jo vetëm që janë të pasura me fibra, por përmbajtja e lartë e ujit që gjendet tek ata na mban të hidratuar gjatë kohës që asimilohen nga organizmi.

8. Orizi dhe makaronat: Janë të mbushura me fibra dhe karbohidrate, ndaj na japin energji deri në syfyrin e ardhshëm.

9. Thjerrëzat: Janë të pasura me fibra dhe proteina, si dhe përmbajnë sasi të konsiderueshme mineralesh, të cilat ndihmojnë në punën e muskujve duke na bërë më aktivë.

10. Hurmat dhe fiqtë: Juu japin energjinë që ju nevojitet, pa jua vështirësuar tretjen, duke ju bërë ta ndjeni stomakun shumë të lehtë dhe një gjumë më të rehatshëm.

11. Vezët: Të pasura me proteina dhe të varfëra me yndyrna, janë përfekte për t’ju mbajtur me energji gjatë një dite të nxehtë agjërimi.

12. Frutat e thata: Arrat, lajthitë, bajamet etj. janë burime të mëdha të proteinave dhe nutrientëve dhe të pasura me kalori, kështu që konsumojini në ¬çdo iftar dhe syfyr.

13. Kosi: Ju redukton etjen. Shtoni fruta në kos pasi ata kanë sasi të larta uji dhe ju ndihmojnë ta mbani trupin të hidratuar gjatë ditës.

14. Qumështi: Ashtu si kosi ndihmon shumë në reduktimin e etjes, përveçse ju jep energji dhe forcë për shkak të sasisë të lartë të kalciumit që ajo përmban.

15. Kastraveci: Njihet si një ndër perimet që përmban sasi më të lartë uji, kështu që ndihmojnë mjaft mirë në hidratimin dhe largimin e etjes gjatë agjërimit.16. Shalqiri: Shalqiri ka kryesisht 92% ujë, por gjithashtu ky frut freskues është i pasur me lëndë ushqyese, si vitamina dhe likopene. Pra, ju mban mjaftueshëm të hidratuar, ndërsa nutrientët që ai përmban ju japin energji për ditët në agjërim.

Gjatë agjërimit do t’ju këshillonim të shmangni:

– Ushqimet me shumë sheqer
– Ushqimet më shumë kripë
– Pijet me kafeinë
– Ushqimet pikante
– Ushqimet e skuqura dhe me shumë yndyrë.

Ndiqni këshillat tona për të bërë disa ndryshime gjatë periudhës së bashkëjetesës me Ramazanin, që të përfitoni më së miri prej tij. Le të jetë ky Ramazan një kohë ringjalljeje në mendje, shpirt dhe trup!