Modele pozitive dhe frymëzuese të kontributit në shoqëri

462

Nga Armida Plumbi

Femrat besimtare me kontribut në shoqërinë shqiptare nuk mungojnë. Edhe pse jemi ende në valën e paragjykimeve që i adresohen shpesh herë femrës muslimane, këto të fundit po i shfaqin pjesës tjetër të shoqërisë, vlerat e tyre dhe kontribute në fusha të ndryshme të jetës. Ato po vërtetojnë dita -ditës se dinë të jenë në të njëjtën kohë bija të mira, nëna dhe bashkëshorte të mira, si dhe punonjëse serioze e të suksesshme, si në sektorin shtetëror, po ashtu edhe në sektorin privat.

Në këtë numër të revistës “Familja” do të njiheni me tri prej tyre, zonja të nderuara, që prej vitesh e kanë brendësuar në qenien e tyre besimin islam. Por kjo si ka penguar të shkollohen, të jenë aktive dhe të punojnë.

INTERVISTË ME ANJEZA XHAFERAJ – Pedagoge në Shkenca Politike në UET

anjeza xhaferaj - Graduation Sussex

Anjeza Xhaferaj: “Një grua muslimane mund të vetëaktualizohet duke ndjekur rrugën e duhur dhe duke e kodifikuar jetën e saj në përputhje me vlerat e Islamit.”

Anjeza Xhaferaj ka kryer studimet Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës (UET) në Fakultetin e Shkencave Politike dhe studimet Master në Universitetin e Sussex në Mbretërinë e Bashkuar në po të njëjtin profil. Aktualisht vazhdon studimet për doktoraturë në Shkenca Politike në UET, ku është njëkohësisht edhe pedagoge.

Znj. Xhaferaj është aktive në botën akademike, ka marrë pjesë në shumë konferenca brenda dhe jashtë vendit, si dhe vazhdimisht është pjesë në emisione dhe debate televizive. Gjithashtu është bashkëautore e botimeve të fushës së shkencave politike dhe e dhjetërave artikujve shkencorë.

Znj. Xhaferaj, kur e keni vendosur mbulesën islame dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

Mbulesën islame e kam vendosur para 9 vitesh. Erdhi si rezultat i një reflektimi të gjatë. Momenti i vendosjes ka qenë menjëherë pas muajit të Ramazanit. Mesa duket bindja ime e kahershme se shamia është urdhëresë në Islam, si dhe ndjesitë dhe emocionet e muajit të Ramazanit më bënë që më në fund të merrja vendimin për ta vendosur.

Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, pra t’i përkushtoheni tërësisht Islamit?

Besoj se ka qenë e natyrshme dhe graduale. Nuk e kam përjetuar si ndryshim. Kam qenë ende studente gjimnazi kur feja u lejua në Shqipëri dhe natyrshëm kërkova të merrja informacion mbi Islamin. E konsiderova veten që në fillim muslimane. Normalisht e gjitha kjo ndodhi në gjirin e familjes, e cila po aq natyrshëm e konsideroi veten muslimane.

Si mund t’i thyejë gruaja muslimane barrierat me shoqërinë?

Nuk mendoj se ka një recetë për këtë gjë, të paktën jo një nga ato recetat e tipit “10 gjëra që duhet të bëni për të…”. Mendoj se e vetmja mënyrë që një grua muslimane të vetëaktualizohet është të ndjekë rrugën e duhur, pra të kuptojë sa më mirë se ç’është Islami dhe cilat janë tiparet e muslimanit, por sigurisht ta kodifikojë jetën e saj në përputhje me normat dhe vlerat e Islamit.  Mund të tingëllojë e përgjithshme, por besoj se vetëm në këtë mënyrë gruaja mund të vetëaktualizohet, të përparojë dhe padyshim të sheshojë barrierat që mund të ekzistojnë mes saj dhe atyre që mund ta paragjykojnë dhe ta pengojnë atë.

Sa kapacitet dhe potenciale ka gruaja muslimane shqiptare?

image-0-02-04-6f88c10d40ed319341e6274de025d65cb68b67e94dad32d0c140f2c885f54d30-V

Është e vështirë të përgjigjesh me terma sasiorë në lidhje me këtë. Kapacitetet dhe potencialet janë, besoj të larmishme, pra shprehen në fusha të ndryshme. Besoj se gruaja muslimane shqiptare reflekton shoqërinë, pjesë e së cilës është, të gjitha tiparet e saj, për sa i përket kapaciteteve, potencialeve, vështirësive që mund të hasë për t’u vetëplotësuar.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane shqiptare në aspektin e punësimit? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

Punësimi është sigurisht një problematikë me të cilën përballet gruaja muslimane. Sigurisht që punësimi është një problematikë me të cilën haset e gjithë shoqëria shqiptare dhe gruaja muslimane nuk mund të bëjë përjashtim. Gruaja muslimane, me këtë nënkuptoj vajzat dhe gratë me shami, pa dashur aspak të përjashtojë nga kategoria ‘grua muslimane’ edhe ato gra dhe vajza që e njohin veten si të tillë, pra si muslimane, por nuk mbajnë shami, ka hasur pengesa për punësim veçanërisht në sektorin publik, ku konceptet mbi laicitetit të shtetit janë keqpërdorur për të përjashtuar këtë katetori grash nga hapësira publike. Me kalimin e kohës, diçka ka ecur përpara dhe tashmë mund të shihen gra dhe vajza me shami në institucionet shtetërore por gjithsesi mbetet shumë për të bërë.

Cila është ëndrra juaj në aspektin profesional?

Besoj se është një ëndërr që e kanë të gjithë: të prezantohem sa më mirë dhe të përparoj në profesion.

Sa mbështetje keni nga familja juaj?

Familja është mbështetja kryesore, si në aspektin ‘infrastrukturor’ në lidhje me menaxhimin e kohës dhe hapësirës, ashtu edhe atë emocional.

Mesazhi juaj për gjeneratat e reja të cilët po përballen me sfidat e jetës dhe punësimit?

Mesazhi im, modestisht, është ai që përmenda edhe më sipër kur fola për mënyrën se si mund të sheshohen barrierat: Kapuni fort pas ‘litarit’ të Allahut (xh.sh.). Vetëm besimi tek Allahu (xh.sh.), dashuria dhe respektimi për parimet dhe vlerat e Islamit, rendja pas së mirës dhe largimi nga e ndaluara, është e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat që të shfaqen në jetë.

 

 INTERVISTË ME SHPRESA BASHËN – Drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Femra, investimi i familjes” (FIF).

Shpresa Basha (4)

Shpresa Basha: “Gratë muslimane sot, janë në pozita më të favorshme dhe më pak të diskriminuara se ç’kanë qenë disa vite më parë dhe ‘vetëviktimizimi’ është i tepërt.”

Znj. Shpresa Basha aktualisht është drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Femra, investimi i familjes” (FIF). Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Znj. Basha prej vitesh jep kontributin e saj madhor në OJF-në në të cilin drejton, ku fokusi është femra dhe familja.

Znj. Shpresa, kur e keni vendosur mbulesën islame dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

Mbulesën islame e kam vendosur para afro 20 vjetësh, në kohën kur isha studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në mënyrë të përmbledhur, mbulesën islame do ta përkufizoja si bindje dhe adhurim ndaj Zotit, devotshmëri, shenjë dalluese të besimit tonë, krenari, mbrojtje të dinjitetit dhe fisnikërisë, tregues të modestisë dhe thjeshtësisë, si dhe mburojë për trupin e muslimaneve.

     Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, pra t’i përkushtoheni tërësisht Islamit?

Unë rrjedh nga një familje muslimane, e cila ndër breza e ka praktikuar fenë islame. Që në fëmijërinë e hershme, megjithëse në atë kohë feja ishte e ndaluar, jam edukuar nga nëna ime me principet kryesore të Islamit. Me rrëzimin e regjimit komunist dhe lejimin e fesë në Shqipëri, edhe unë si shumë të rinj dhe të reja, filluam praktikimin e fesë dhe ftimin e njerëzve në Islam, me ato pak njohuri që kishim, por me një dëshirë dhe përkushtim mjaft të madh. Më pas, gjatë viteve studentore, rënia në kontakt me organizata islame dhe njohja me motra të nderuara muslimane, qenë një shtysë e fuqishme për t’iu përkushtuar edhe më shumë Islamit. Vitet që pasuan, e deri më sot, janë vite me angazhime në disa organizata jofitimprurëse islame, të cilat kanë kontribuar në përhapjen e Islamit dhe në ndihmë të shoqërisë sonë.

Si mund t’i thyejë gruaja muslimane barrierat me shoqërinë?

Gratë muslimane duhet të arsimohen në shkenca të ndryshme, krahas dijeve fetare, me qëllim që të jenë aktive në fusha të ndryshme, në të cilat mund të kontribuojë më së miri gruaja. Gjithashtu, ato duhet të jenë njohëse të realitetit në vend, problemeve të shoqërisë sonë, si dhe arritjeve kulturore e shkencore. Kështu, duke qenë të zonja në punën e tyre dhe duke dhënë produktivitet në terren, ato do të lënë ndikim pozitiv në shoqërinë tonë dhe do t’a bindin atë, për aftësitë dhe kapacitetet e muslimaneve, e rrjedhimisht, do të thyhen barrierat dhe stereotipat e krijuar, si dhe do të zbutet edhe një lloj presioni psikologjik e kulturor që bëhet mbi to.

Sa kapacitet dhe potenciale ka gruaja muslimane shqiptare?

Gratë muslimane shqiptare, ashtu si edhe të gjitha gratë e tjera, patjetër që zotërojnë kapacitete dhe potenciale, por mbi të gjitha, posedojnë besimin në Zot, i cili është privilegj për to dhe një burim i fuqishëm, që ato të kontribuojnë në familje dhe shoqëri sipas mundësive që ju ofrohen, kushteve social-ekonomike, kulturore dhe intelektuale, si dhe në përputhje me zakonet dhe traditat familjare, gjithmonë, duke mbajtur parasysh rolin e tyre parësor, të cilin ua ka ngarkuar Allahu, rolin e të qenit nënë dhe bashkëshorte.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane shqiptare në aspektin e punësimit? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

Papunësia është një nga problemet dhe sfidat më të mëdha globale, kështu që edhe vendi ynë nuk bën përjashtim dhe shquhet për nivel të lartë papunësie. Punësimi është një nga preokupimet kryesore të shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe gratë muslimane, të cilat për hir të së vërtetës, gjejnë hapësira punësimi kryesisht në institucione dhe ndërmarrje private, institucione me karakter islam dhe më pak, në institucione shtetërore, edhe këtu, nëse drejtuesit e tyre tregojnë një lloj “tolerance” apo dashamirësie për t’i pranuar ato, sigurisht, bazuar edhe në aftësitë dhe arritjet profesionale të tyre. Gjithsesi, personalisht mendoj se gratë muslimane sot janë në pozita më të favorshme dhe më pak të diskriminuara se ç’kanë qenë disa vite më parë dhe se “vetëviktimizimi” është i tepërt.

Sfidat me të cilat përballen gratë muslimane sot janë të shumta, ndër të cilat veçoj si më kryesoren, sfidën e edukimit të fëmijëve dhe mbarëvajtjes së familjes së shëndoshë, e cila kapërcehet duke kultivuar vlerat e besimit në Zot dhe vlerat e larta islame në një shoqëri, e cila lëngon nga plagë të shumta, si imoraliteti, droga, alkooli, dhuna në familje, kriza ekonomike dhe kriza morale e shpirtërore. Sfida të tjera mund të përmend sfidat ekonomike, të arsimimit, familjare, shoqërore, të paragjykimeve etj. Dhe në fund, mendoj se sfidë më vete është edhe gjetja e balancave apo ekuilibrimit, ndërmjet kryerjes së obligimeve parësore që ka një grua muslimane në familjen e saj dhe dëshirës për të qenë e angazhuar dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në shoqëri.

Cila është ëndrra juaj në aspektin profesional?

Dëshira e gjithkujt që ka një profesion, është që ta kryejë sa më mirë punën e tij dhe të arrijë rezultate të kënaqshme. Dëshira ime është që të punoj me zgjuarsi, efikasitet, përkushtim, ndershmëri, korrektesë dhe të jap maksimumin në çdo punë që marr përsipër. Gjithashtu, dëshiroj që eksperiencën dhe njohuritë e fituara ndër vite t’i ndaj edhe me koleget, studentet dhe të interesuarat e tjera.

Sa mbështetje keni nga familja juaj?

Padyshim, pa mbështetjen e pakursyer të familjes do të ishte i pamundur kontributi jashtë saj. Prandaj i falënderoj familjarët me mirënjohjen më të thellë, të cilët janë përkujdesur për familjen në shumë raste, në të cilat më është dashur të punoj me orare të zgjatura, në ditë pushimi, nën presionin e kohës, në ngarkesa psikologjike etj. Gjithashtu, falënderoj edhe njerëzit që më besuan, duke më dhënë mundësinë për të shërbyer në institucionin që drejtoj.

Mesazhi juaj për gjeneratat e reja të cilët po përballen me sfidat e jetës dhe punësimit?

Mesazhi im për gjeneratat e reja është t’i kthehen besimit në Zot dhe të arsimohen e edukohen sa më mirë, në mënyrë që të bëhen qytetarë të denjë të këtij vendi dhe t’i shërbejnë atij me devocion. Natyrisht, kjo fillon me marrjen prej gjithsecilit të roleve, përgjegjësive dhe kontributit në familje, e cila është themeli i shoqërisë.

 

 INTERVISTË ME ANJEZA BOJAXHIUN – Koordinatore vendore kundër dhunës në familje pranë Drejtorisë së Mbrojtjes & Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës.

Anjeza Ceco1

Anjeza Bojaxhiu:Përgjegjësia kryesore për thyerjen e barrierave me shoqërinë është gruaja muslimane, përmes sjelljes dhe shembullit të mirë.”

Znj. Anjeza Bojaxhiu ka kryer studimet Bachelor në Universitetin e Mancesterit (Mbretërinë e Bashkuar), në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale dhe studimet Master për të drejtat e njeriut. Aktualisht ajo është koordinatore vendore kundër dhunës në familje pranë Drejtorisë së Mbrojtjes & Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës.

Znj. Bojaxhiu, kur e keni vendosur mbulesën islame dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

Prezantimi i parë me Islamin ndodhi gjatë studimeve të larta në Angli në vitin 2005. Mbulesën e vendosa me dëshirë dhe në mënyrë spontane po atë vit. Ajo për mua simbolizon përmbushjen e një obligimi hyjnor dhe një ndër mënyrat për të arritur qëllimin e vërtetë të ekzistencës, që është të adhurojmë Zotin.

Largësia nga familja dhe nga vendi im mendoj që e bëri hedhjen e këtij hapi më të lehtë për mua. Pjesë e vështirë ishte koha kur duhet të kthehesha pranë familjes për pushimet verore. Familja nuk kishte dijeni për mbulesën time. Isha në tension pasi nuk dija si do të pritej ndryshimi. Në fillim shtangën duke mos ditur si të reagonin. Pastaj u përpoqën me çdo kusht të më bindnin për ta hequr mbulesën. Më thonin vazhdimisht se më kishin çuar në Angli dhe jo në Arabi, më kishin çuar për t’u kthyer e arsimuar, jo e mbuluar. U vinte rëndë nga farefisi dhe shoqëria, gjithashtu ishin të shqetësuar për të ardhmen time. “Nuk do të hysh dot në punë” më thonin, “do të shkojë shkolla dhe mundi dëm.”

Vitet e para pasi u mbulova, marrëdhëniet me familjen dhe me farefisin ishin shumë të vështira. U përpoqa t’u flas për Islamin me shumë durim dhe butësi, duke e lutur shumë Zotin që të arrinin të më kuptonin. Të tronditur nga ndryshimi im, prindërit filluan të lexonin rreth Islamit, babai shkoi në xhami të pyeste dhe kështu me kalimin e viteve më pranuan mua, po ashtu pranuan dhe Islamin. Tani janë krenarë për mbulesën time. Këtë vit, u bëmë dy të mbuluara në familje, pasi dhe mamaja ime, e cila kreu ritualet e haxhit, vendosi të mbajë shami.

Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, pra t’i përkushtoheni tërësisht Islamit?

Gjatë studimeve në Angli njoha shumë vajza dhe gra muslimane nga shtete të ndryshme tek të cilat më pëlqeu modestia dhe sjellja e mirë që i karakterizonte. Ato më dhuruan shumë libra rreth Islamit. Libri i parë që lexova ishte “Muhamedi (a.s.) – Jeta e tij sipas burimeve më të hershme” i autorit anglez Martin Lings, libër që ka lënë gjurmë të thella në zemrën dhe qenien time. Kisha kaluar gjithë periudhën e adoleshencës, në kërkim të një modeli. Kisha lexuar dhjetëra biografi dhe autobiografi të njerëzve të suksesshme. Asnjë nuk më kishte përfshirë dhe ndikuar siç bëri jeta dhe vepra e Muhamedit (a.s.). Njohja me sakrificat e tij (a.s.) në shërbim të njerëzve, përkushtimin për ta përçuar mesazhin e paqes, më shtyu ta përqafoj Islamin në tërësi. E lus Zotin të na bëjë pasues të denjë të profetit Muhamed (a.s.)!

Si mund t’i thyejë gruaja muslimane barrierat me shoqërinë?

Nuk është aspak e lehtë të përballesh me opinione apo stereotipe të cilat kthehen në barriera mes gruas muslimane shqiptare dhe shoqërisë. Ndonjëherë arsyeja për këto barriera duhet kërkuar tek vetja, jo tek tjetri. Duhet kërkuar tek shembulli ynë, tek mënyra si ndërveprojmë me të tjerët.

Nuk është e lehtë ta përfaqësosh denjësisht Islamin. Jam e mendimit që përgjegjësia kryesore për thyerjen e këtyre barrierave me shoqërinë bie mbi gruan muslimane. Këtë ajo mund ta arrijë përmes sjelljes dhe shembullit të mirë. Kam besim që një grua muslimane e pajisur me karakter fisnik, modeste, e butë në të folur dhe e kujdesshme me të tjerët, është në gjendje t’i çrrënjosë të gjitha stereotipet që shoqëria ka për të.

Profeti a.s. na mëson që ta kthejmë të keqen me të mirë. Mirësjellja ka efekt zbutës dhe afrues me njerëzit, në gjendje t’i shndërrojë dhe armiqtë në miq.

Sa kapacitet dhe potenciale ka gruaja muslimane shqiptare?

Gruaja muslimane shqiptare ka potencial dhe energji të jashtëzakonshme. Ajo ka shumë për të ofruar dhe ndikimi i saj është i drejtpërdrejtë në shoqëri duke qenë edukatore e brezave, njëherësh aktive në fusha të ndryshme, si arsim, mjekësi, biznes etj. Një pjesë e konsiderueshme e grave muslimane shqiptare që unë njoh, janë të arsimuara në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Ato zotërojnë disa gjuhë të huaja, janë kërkuese ndaj vetes, e duan vendin e tyre dhe kërkojnë të jenë faktor pozitiv në shoqëri.

Rastet e suksesit po shtohen çdo ditë e më shumë duke dëshmuar për potencialin e madh të gruas muslimane shqiptare si rregullatore dhe promotore e vlerave të shoqërisë.

Megjithatë mbetet ende shumë për t’u bërë prej saj, që zëri dhe kontributi i saj të jetë mjaftueshëm domethënës dhe i prekshëm brenda shoqërisë shqiptare. Së pari, lidhet padyshim me rritjen dhe forcimin e edukimit të saj shpirtëror pa anashkaluar as atë profesional në lëmi të ndryshëm të dijes. Së dyti, lidhet me faktin e të qenit promovuese e vlerave në humbje në kohën që jetojmë; ato të dashurisë, bamirësisë, mirësjelljes, mbajtjes së marrëdhënieve të forta brenda familjes dhe me farefisin, marrëdhënie të cilat reflektohen edhe në pasjen e një shoqërie më të mirë.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane shqiptare në aspektin e punësimit? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

Megjithëse rastet e grave muslimane të punësuara në shtet dhe në privat kanë ardhur në rritje, në realitet gratë muslimane shqiptare përballen me vështirësi gjatë punësimit dhe hasin diskriminim në tregun e punës. Diskriminimi në tregun e punës është i dyfishtë, duke qenë jo vetëm i natyrës fetare por edhe asaj gjinore. Përveç që janë muslimane njëkohësisht janë gra të cilat garojnë me burra, gjë e cila shkon akoma më shumë në disfavor të tyre.

Megjithatë vlen të përmenden iniciativat e ndryshme për fuqizimin e gruas përmes nxitjes së punësimit dhe përfshirjes së grave në tregun e punës. Bashkia Tiranë për të dytin vit radhazi ka vendosur të mbështesë me një projekt të veçantë gratë sipërmarrëse që kanë një ide mbi ngritjen e një biznesi të sukseshëm apo që duan të zgjerojnë një biznes ekzistues. Nga fondi i alokuar gjatë vitit 2016, kanë përfituar 17 gra, një ndër të cilat me mbulesë islame.

Cila është ëndrra juaj në aspektin profesional?

Ëndrra ime në aspektin profesional është bërë realitet në funksionin që kryej prej pothuaj 5 vitesh si koordinatore vendore kundër dhunës në familje në Bashkinë e Tiranës. Kontakti i përditshëm me gra dhe vajza, të cilat kanë pësuar dhunë dhe trauma të mëdha në familje, mbështetja e tyre me qëllim rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, më bën të ndihem e përmbushur profesionalisht dhe shpirtërisht.

Ndiej që puna që bëj, përputhet me esencën e besimit islam dhe me shembullin profetik, që nxit për t’u shërbyer dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Besimi më bën më të kujdesshme ndaj kërkesave, halleve dhe vështirësive që kalojnë njerëzit me të cilët punoj. Fakti që jam me mbulesë, i bën qytetarët të më afrohen për ndihmë, pasi mbulesa u ngjall besim. “E dimë që ti do të na ndihmosh dhe nuk do të na gënjesh” më thonë shpesh “se ke frikë Zotin.”

Në realitet, ndiej se përfituesja kryesore prej shërbimit që bëj në punë, jam unë vetë. Përjetoj shumë qetësi dhe rehati shpirtërore sa herë i zgjidh hallin apo i largoj brengën dikujt. Nëse në përputhshmëri me shembullin profetik, do të ndihmonim të brengosurit, do të vizitonim të sëmurët, do të ushqenim të uriturit, mendoj që do të ishim njerëz më të lumtur në një shoqëri më të mirë.

Sa mbështetje keni nga familja juaj?

Nëna dhe babai im kanë qenë dhe mbeten mbështetja ime më e madhe. Bashkëshorti, edhe pse kritiku im më i madh, më nxit dhe motivon vazhdimisht për t’u përmirësuar dhe rritur profesionalisht.

Të qenit nënë, më bën më të ndjeshme ndaj vështirësive me të cilat përballen njerëzit në nevojë në përgjithësi dhe gratë e dhunuara në veçanti; të cilat për shkak të rrethanave detyrohen shpeshherë t’i rritin fëmijët e tyre të vetme, pa asnjë përkrahje.

Ndihem falënderuese për familjen time dhe e lus Zotin me shpirt që t’i bëjë të gjitha familjet fole paqeje, dhembshurie dhe dashurie!

Mesazhi juaj për gjeneratat e reja të cilët po përballen me sfidat e jetës dhe punësimit?

Mesazhi im për gratë dhe vajzat është që të jenë të përkushtuara ndaj kërkimit të diturisë dhe të vendosura për të dhënë kontributin e tyre në shoqëri. Kur përballen me sfidat e punësimit, të mos heqin dorë nga qëllimet e tyre, të jenë këmbëngulëse. Nuk ka asgjë që nuk arrihet me mbështetjen e Zotit, por duhet vendosmëri dhe punë për të arritur atë që synon. Përkushtimi në zhvillimin profesional do t’ju ndihmojë të jeni të pavarura dhe model pozitiv e fymëzues në shoqëri.