Në labirintet e urtësive

90

Islami karakterizohet nga një larmishmëri adhurimesh. Këto adhurime demostrohen nëpërmjet fjalëve siç janë duaja, dhikri i Allahut, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja; adhurime që pasqyrohen përmes veprave fizike aktive siç është namazi, financiare siç është zekati dhe të dyfishta siç është haxhi; adhurime që s’janë as thirrje dhe as vepra aktive por që demonstrohen përmes privimit apo ndalimit siç është agjërimi, privim nga të ngrënit dhe të pirit e të tjera nevoja të natyrshme prej agimit e deri në perëndim të diellit.

Por duhet pasur parasysh se ky lloj privimi dhe ndalimi pavarësisht se në aparencë duket pasiv në realitet dhe esencën e tij është një vepër aktive, për arsye se është ndalimi i egos nga diçka që e lakmon, për hir të Allahut të Madhëruar. Kështu që është një punë shpirtërore e vullnetshme që ka rëndësinë dhe peshën e vet në peshoren e të drejtës, të mirës dhe pranimit te Allahu i Madhëruar.

Njëri nga emrat e Allahut të Madhërishëm është El-Hakim (i Urti). Urtësia është atribut i bërjes së gjërave në mënyrë të përsosur dhe në perspektivën e duhur të tyre. Prandaj, çdo gjë që krijoi Allahu ose që na urdhëroi neve ta kryejmë duhet të jetë për shkak të një urtësie të lartë, të cilën ne ndoshta mundemi ose nuk mundemi tërësisht ta kuptojmë.

ramadan-0aAgjërimi është një adhurim i vjetër që e kanë njohur edhe fetë para Islamit edhe pse për arsye të ndryshme e të padrejta pasuesit e atyre feve e patën deformuar dhe devijuar. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm” (Bekare 185).

Por duhet pasur parasysh se agjërimi në Islam ndryshon nga të gjitha llojet e agjërimeve të tjera.

Këtij adhurimi të madh, Allahu i Madhëruar i ka zgjedhur një muaj të begatë dhe bujar i cili gëzon një pozitë dhe respekt të veçantë në zemrat dhe shpirtërat e muslimanëve. Muaj në të cilin ka zbritur grupi i parë i ajeteve kuranore të mbartura nga Xhebraili për te zemra e më të nderuarit Profet me vargjet “Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi” (Alak 1).

Agjërimi është një akt adhurimi, përmes të cilit muslimani përpiqet ta kënaqë Zotin e tij duke abstenuar nga gjërat siç janë ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime, në mënyrë që ta fitojë miratimin e Allahut dhe të fitojë botën tjetër.

Në këtë mënyrë myslimani përmes vetëmohimit të vet tregon se, në vend të asaj që ai e pëlqen, e ka pëlqyer atë që e ka zgjedhur Allahu dhe se në vend të kësaj jete, ai e ka zgjedhur jetën e amshuar.

Pse agjërojmë?

S’ka dyshim se Allahu i Madhëruar e ka obliguar agjërimin e Ramazanit për objektiva të larta dhe urtësi të rëndësishme. Besimtarit i del për detyrë të meditojë dhe perceptojë urtësinë e Allahut që qëndron pas kësaj urie dhe etje dhe të konstatojë objektivin dhe sekretin hyjnor të agjërimit që ky obligim të kryhet ashtu siç e dëshiron Allahu dhe jo si e lakmojnë njerëzit.

Qëllimi kryesor i adhurimit është që ta ngrejë njeriun në nivelin më të lartë të devotshmërisë. Këtë e mësojmë shprehimisht në librin plot urtësi të Allahut (xh.sh.), Kuranin Famëlartë.

Agjërimi, duke e futur besimtarin në një edukim shpirtëror, i mundëson atij që ta çlirojë shpirtin dhe trupin nga gjynahet e mbledhura gjatë kohës. Këtu besimtari bëhet i denjë shpirtërisht të kuptojë dhe arrijë sekretin e ajetit “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin do të shpëtojë” (Shems, 91/09). Agjëruesi duke thyer zinxhirët e nefsit kapet fort pas litarit të Allahut. Ndërkohë që nefsi duke e bërë njeriun egoist e shtyn drejt vetmisë, duke u kapur pas litarit të Allahut, njeriu kujton dhe ndjen edhe një herë se është një qenie sociale. Në shpirtin e njeriut futet thellë ndjenja e solidaritetit dhe duke u mbledhur rreth tryezave shtohet ndjenja e vëllazërisë. I pasuri falet në një rresht me të varfrin, ulet rreth një tryeze dhe duke shpërndarë fitrah, u ndihmon njerëzve në nevojë duke i dhënë atyre atë që Zoti u ka caktuar.

ramazani_miniere_thesaresh_te_Edukimi i vullnetit dhe i durimit

Nuk mund të ketë shkollë për edukimin e vullnetit dhe të durimit, si shkolla e detyrueshme e agjërimit që i hap dyert e saj një muaj në vit. Çka e ndalon njeriun të mos hajë, të mos pijë e të kufizohet ndërkohë që gjithçka e ka pranë?! S’ka gjë tjetër veç vullnetit dhe durimit të ndërgjegjshëm e të lirë që janë të lidhura me Allahun. Profeti a.s. thotë: “O ju të rinj, kush ka mundësi le të martohet sepse martesa të ruan shikimin dhe nderin. E nëse s’keni mundësi, atëherë agjëroni, sepse ai është mburojë për ju”.

Duke u nisur nga fakti se agjërimi të mëson durimin, Profeti (a.s.) e ka quajtur muaji i Sabrit (Durimit): “Ç’do gjë ka zekat, zekati i trupit është agjërimi dhe agjërimi është gjysma e durimit”.

Mirënjohje ndaj mirësive të Allahut

Të jetuarit e vazhdueshëm me mirësitë dhe begatitë e Allahut, shpesh e humb ndjesinë e vlerësimit të tyre dhe ul nivelin e falënderimit të tyre. E duke u shkëputur për një farë kohe nga këto begati, ndjenja e vlerësimit dhe e falënderimit të tyre rigjenerohet. Transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar më ofroi të ma shndërronte luginën e Mekes në flori. Unë i thashë: O Allah, më mirë pranoj një ditë të ngopem e një ditë të kem uri. Kjo është më e mirë për mua. Sepse kur më kap uria, të kthehem Ty e të kujtoj. E kur ngopem, të falënderoj Ty”.

Përkujtim dhe përjetimi i gjendjes së të varfërve dhe të privuarve.

Ky përjetim praktik i të varfërve është një sekret apo urtësi shoqërore e agjërimit. Mbase ai që është rritur në djepin e bollëkut, mendon se s’ka prej atyre që vuajnë për bukën e gojës. Ndërsa agjërimi është rast që të gjithë të përjetojmë gjendjen e të vobektit e si rrjedhojë të kujtohemi për të.

Transmetohet se Profeti i Allahut Jusufi (a.s.) agjëronte shpesh pavarësisht se ishte administrator i hambarëve të tokës. Kur u pyet pse e bënte këtë, ai tha: “Kam frikë se nëse ngopem harroj urinë e të varfërit dhe të vobektit”.

Agjërimi është dorëzim i plotë përpara Allahut

Mbi të gjitha ajo që më së shumti demonstrohet është dorëzimi i plotë para Zotit të gjithësisë si dhe bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij, gjë e cila është e përbashkët për të gjitha adhurimet. E ky dorëzim del në pah përmes agjërimit më shumë se kurdoherë tjetër. Çdo gjë besimtari e ka para syve të tij, ujin, ushqimin e të tjera por bindja ndaj Allahut dhe dashuria për Të e bëjnë që të mos u afrohet. Ndaj Allahu e specifikon agjërimin duke ia atribuar Vetes dhe duke sipërmarrë në formë të drejtëpërdrejt shpërblimin e tij: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë di si ta shpërblej. Robi im lë ushqimin, ujin, kënaqësitë e tij për Mua”.

Agjërimi është shëndet

Agjërimi veç edukimit të shpirtit është edukim edhe për trupin, sepse shumë prej sëmundjeve janë pasojë e stomakëve të mbushura e të tejngopura.

Profeti (a.s.) thotë: “Njeriu nuk mbush enë më të keqe se stomaku i tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata sa për të mbajtur drejtë shpinën e tij. E nëse dëshiron të hajë më shumë se kaq, një të tretën le t’ia lërë ushqimit, një të tretën ujit, e një të tretën ajrit”.

Një studim i ri ka vërtetuar se agjërimi zgjat jetën e qelizave dhe ngrit sistemin imunitar të njeriut, e si rezultat agjëruesit në krahasim me të tjerët jetojnë më gjatë.

Këto janë disa sekrete të agjërimit që ftojnë besimtarin të shijojë ëmbëlsinë e këtij adhurimi sidomos në Ramazan. Ngritja e fuqisë efektive tek agjëruesit si pasojë e abstenimit nga ushqimi dhe pija dhe shtimi i fuqisë së qelizave imunitare për të kryer punën e tyre dhe për të freskuar dhe aktivizuar sistemin imunitar nënkupton një gjë të rëndësishme, e cila është: fuqia e trupit të agjëruesit për të shëruar të gjitha sëmundjet pa përjashtim. O Zot, pa të meta je!

Ky është agjërimi në Islam, një mënyrë për të zgjuar shpirtin, shëndoshur trupin, për të forcuar vullnetin, për të përfituar durimin, për të ngjallur ndjenjën e falënderimit, për të edukuar ndjenjën e mëshirës dhe bindjes dhe dorëzimin ndaj Zotit të gjithësisë e kështu të ngrihet në gradat më të larta të devotshmërisë.

Ibn Kajjim el Xheuzije në lidhje me këtë ka thënë: “Qëllimi i agjërimit është frenimi i vetes nga epshet dhe tekat, ndërprerja nga rutina e zakonshme me të cilën është i ambientuar, rregullimi dhe ekuilibrimi i dëshirave të brendshme ashtu që të përgatitet për të kërkuar arritjen e synimit kulmor të lumturisë dhe kënaqësisë, përgatitet për të pranuar shkaqet e jetës së përjetshme, duke qenë uria dhe etja mjet për thyerjen e lakmisë tekanjoze dhe epshore. Agjërimi i përkujton njeriut gjendjen e të varfërve të uritur, i ngushton rrugët e shejtanit tek njeriu duke i ngushtuar rrugët e ushqimit. Në këtë mënyrë frenohet fuqia e gjymtyrëve nga çoroditja dhe shfrenimi në gjëra të cilat janë të dëmshme për njeriun në këtë dunja dhe në Ahiret, duke u kontrolluar gjymtyrët dhe forca njerëzore me frerët e agjërimit sepse realisht agjërimi për të devotshmit është në rolin e frerëve, është mburojë e luftëtarëve (që luftojnë me veten dhe shejtanin), është kopshti i begative për ata që i afrohen Allahut. Agjërimi është adhurim i veçantë që i kushtohet Zotit të botërave dhe që dallon nga veprat e tjera. Agjëruesi nuk vepron diçka të dukshme por heq dorë nga epshi, ushqimi dhe pija e tij, për hir të Atij që adhuron. Agjërimi ne vetvete është të heqësh dorë nga ato që shpirti i do dhe është i ambientuar t`i shijojë, duke i dhënë përparësi dashurisë së Allahut dhe arritjes së kënaqësisë së Tij. Agjërimi është diçka e fshehtë mes robit dhe Zotit. Megjithëse njerëzit mund të vërejnë distancimin e tij nga ushqimi, pija apo epshi, por ndjenjën e brendshme, faktin që kjo braktisje është për hir të Atij që adhuron, kjo është diçka që askush nga njerëzit nuk mund ta zbulojë dhe ky është realiteti i agjërimit. Agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe forcave të brendshme, në mbrojtjen e organizmit nga dëmet që i vijnë si pasojë e përzierjes së lëndëve të ndryshme të dëmshme, të cilat në një moment mund të mbizotërojnë organizmin dhe ta shkatarrojnë atë. Agjërimi mundëson zbrazjen e këtyre lëndëve si dhe lëndëve të padobishme që pengojnë një shëndet normal…”

Të mirat, begatitë dhe urtësitë e agjërimit janë të shumta. Është shumë e rëndësishme që njeriu të ushqejë mirë mendjen, zemrën dhe shpirtin gjatë Ramazanit, në mënyrë që të zbërthejë në qenien e vet urtësitë e mëdha të agjërimit. Për të gjitha këto qëllime dhe urtësi, të cilat janë të pranuara dhe të dëshmuara nga llogjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër, Allahu e ligjëroi agjërimin si mëshirë për robërit e Tij mirësi ndaj tyre, mburojë dhe dietë për ta.

Përfundimisht, sado që të hulumtojmë për urtësi të agjërimit, fundin nuk do e arrijmë kurrë. Dobitë e agjërimit nuk mund të numërohen por retorika hyjnore është ajo që të gjitha këto urtësi na i përmbledh me pak fjalë: “Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare 184).

Korrik-gusht, 2014