Përkushtoju gruas tënde!

2060

 Nga Rejhana Çekrezi

Në një shkrim të dijetarit Muhamed Hasan thuhej: “Respekto gruan tënde, është Sunet” (Traditë Profetike)!

Përse ai që ia hap derën e veturës gruas së tij, shikohet si një njeri i dobët?

Përse ai që tërheq karrigen që të ulet gruaja e tij, shikohet si një njeri i dobët?

Dhe përse disa persona e ndiejnë veten të liruar nga këto veprime dhe nuk duan që t’i shohë dikush në shërbim të gruas sepse ju humbet burrëria!!!

Profeti (a.s.) e përkulte gjurin që gruaja e tij Aishja (r.a.), të hipte në devenë e saj. Gjuri i tij ishte bërë si një shkallë për të.

Profeti (a.s.) e priste Aishen (r.a.) derisa ajo të pinte ujë, pastaj e merrte enën prej së cilës kishte pirë dhe kërkonte vendin se ku i kishte vendosur buzët ajo dhe pinte nga ai vend.

Ka thënë Omeri (r.a.): “Më mahnit një burrë që në familjen e tij është sikurse një fëmijë (nuk shkakton probleme), ndërsa kur largohet prej tyre është një burrë.”

Shumë burra e kanë ngatërruar kujdestarinë dhe mirësinë, me gratë e tyre mes dashurisë dhe mëshirës.

A e konsiderojnë veten më të mirë se Profeti Muhamed (a.s.)?!

Duket qartë përkushtimi dhe dashuria e fortë e Profetit (a.s.) për Aishen (r.a.), ndërsa burrat e sotëm (nuk dua t’i përfshij të gjithë pasi disa kanë një marrëdhënie për t’i patur zili), por shumica sot e kanë mendjen vetëm te puna ose qëndrimi me shoqërinë dhe harrojnë që kanë familje, gruan dhe fëmijët, të cilët kanë nevojë për dashurinë e burrit dhe të babait në shtëpi.

Gruaja të kërkon që të kthehesh herët në shtëpi, sepse ka nevojë për ty, të ndiejë praninë e burrit dhe jo të rrijë e vetmuar mes katër mureve, e të kalojë në gjendje stresi dhe depresioni. Kur gruaja të flet, përgjigju me dashuri dhe ëmbëlsi sepse ajo ka nevojë për ato fjalë, nuk ka nevojë vetëm për makina apo vila në një kohë kur ti nuk arrin ta bësh të lumtur, në një kohë kur ti nuk ke durim të lexosh ato që të shkruan ajo dhe pas bisedës ti thuash “Ik se kam punë”, a është kjo sjellja e një muslimani të devotshëm, kjo është dashuria që ndjen ti për të, jo kurrsesi. Kjo është një situatë kur ti s’po di se ku do të arrish, ajo jeton për inerci dhe jo nga dashuria, ajo dashuri që ishte sado e vogël në fillim të martesës, tashmë ka marrë rrugëtimin e largët të harresës.

Duket qartë se dikush po ndërhyn, duket qartë se dashuria ka filluar të zhduket bashkë me pëlhurën e saj të mirësisë. Ti o burrë musliman, jep maksimumin për familjen tënde, mos dëgjo botën se çfarë thotë, jep maksimumin për fëmijën tënd sa nuk je vonë! Jeta nuk shtyhet në këtë mënyrë, tregohu më i rregullt dhe më i sinqertë! Kur të shkosh në shtëpi mos shko të shtrihesh direkt, të kapësh telefonin dhe të fillosh të luash, por hap një bisedë, se gruaja jote ka nevojë të konsultohet me ty, ka nevojë për dashurinë tënde dhe për përkushtimin tënd. Në qoftë se nuk e jep ti atë dashuri, kush do t’ja dhurojë vallë…KUSH?!

Ishe ti ai që e kërkove dorën e saj në fillim të martesës, ishe i sinqertë e i dashur, po tani, ku ikën këto? Ku ikën dy gjërat më të rëndësishme në një lidhje? Ne kemi shumë ajete kuranore dhe hadithe që flasin për etikën në familje dhe të drejtat e burrit e të gruas. A nuk i merr për bazë fare ato?

Ah, sa shumë që kam për të shkruar, por s’di çfarë të shkruaj më parë, ah sa shumë më dhemb ky shpirt sa që Zoti i Lartësuar e di. Ai i di të fshehtat e gjithësecilit, Ai është i Lartmadhërishmi, i Plotfuqishmi, Sundues i Botërave. Kini frikë Zotin tuaj dhe silluni mirë me gratë tuaja, pasi janë amaneti juaj!

Zoti i ndriçoftë zemrat e muslimanëve dhe e shtoftë dashurinë në zemrat e tyre!

Revista “Familja”, janar 2017