Pse quhet “Bukë peshku”?

158

Polistirenit – atij materiali plastik të lehtë si pupël, që e përdorin për të ambalazhuar pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronike – dhe që në anglishte njihet edhe si styrofoam, në shqipen bisedore i kanë pasë thënë, dhe ndoshta i thonë akoma, bukë peshku.

Emërtim i çuditshëm ky yni, për një material që nuk duket të ketë lidhje me peshqit; edhe pse e ka një farë ngjashmërie me bukën, për nga konsistenca dhe ngaqë mund të shkërmoqet në thërrime.

Një shpjegim fare spekulativ do të ishte që blloqet e polistirenit i gjeje ndonjëherë buzë detit, në plazhin e Durrësit, së bashku me lloje të tjera plastike, shishe, bidonë, kova, voza e të tjera si këto që i hidhnin anijet në Adriatik, si plehra; dhe njerëzve blloqet e polistirenit u dukeshin si “bukë”; atributi peshku vinte pastaj nëpërmjet shoqërimit me detin.

Në fakt, kur u shfaq në krye në ambalazhet, polistireni do të jetë perceptuar si material i jashtëzakonshëm, i pakuptueshëm, ngaqë ishte edhe shumë i lehtë, edhe shumë i pastër, edhe për nga struktura alveolare, si me flluska ose sumbulla ose prej shege. Ne përpiqeshim t’u gjenim ndonjë përdorim blloqeve të mëdha, kur na binin në dorë; duke shpresuar se një gjë aq magjike, do të ishte edhe e vyer.

Cuttlebone casting Step 2
Shkumë deti

Një lidhje tjetër, që më shkon në mendje, ka qenë ajo mes polistirenit dhe një lloj guaske që në anglishte njihet si cuttlebone dhe në italishte si osso di seppia, dhe që ndonjëherë e gjeje edhe atë të nxjerrë nga deti në plazh.

Ndryshe nga buka e peshkut, kjo kërkohej nga amatorët e zogjve këngëtarë, për t’ua vënë këtyre në kafaz, për konsum ushqimor, si burim i pasur kalçiumi.

Nuk ia kam gjetur emrin në fjalorët që kam; ne i kemi pasë thënë “shkumë deti” (më vonë, siç më thotë një shok tani, edhe “shkumë sepie”), edhe pse e ka një farë ngjashmërie me bukën e peshkut, sidomos ngaqë është e bardhë dhe më e lehtë se uji (pluskuese) dhe njëlloj e mbushur me ajër; shto pastaj edhe përdorimin si bukë zogu. Por ky shpjegim është edhe më spekulativ se i pari.

Shoku me të cilin u këshillova (G.Ç.), më sugjeron edhe një shpjegim tjetër: arkat prej polistireni përdoreshin shpesh për të transportuar peshkun me akull brenda; dhe ngaqë për nga forma dukeshin si arka buke (ja një objekt tipik i asaj kohe), kur përdoreshin për peshkun do të quheshin arka buke peshku, dhe që këtej u krijua edhe emërtimi bukë peshku për materialin; sipas transformimit: arka + buke peshku = arka polistireni.

Një shpjegim i tretë, gjithnjë sipas G.Ç., do të ishte asocimi me tapat e rrjetave të peshkatarëve (floats), të cilat i improvizonin ndonjëherë me polistiren, si material lehtësisht pluskues.

Nga ana tjetër, studiuesit anembanë botës kanë vënë re që disa lloj peshqish i hanë me qejf flluskat e polistirenit, madje duke krijuar një lloj varësie ndaj tij. Me gjasë, peshkatarët në brigjet e Shqipërisë do ta kenë vrojtuar këtë sjellje të çuditshme të peshqve, që gjerbin grimca polistireni, duke sulmuar ndonjë copë pluskuese të këtij materiali – si të ishte “bukë”./ Burimi: https://shqipologji.wordpress.com

image