Të shohësh me syrin e zemrës – Intervistë me të apasionuarën pas fotografisë, Ledina Bala

238

Nga Armida Plumbi

Me profesion ekonomiste, shkodrania e talentuar Ledina Bala, na rrëfen në këtë intervistë pasionin e saj për artin e fotografisë. E dashuruar dhe krenare për vendlindjen e saj Shkodrën, ajo nuk ka lënë cep të këtij qyteti pa e vendosur në objektivin e aparatit të saj fotografik.
Fotografinë e ka nisur para 10 vitesh dhe tashmë për të është një bërë një mënyrë jetese, i ka mundësuar ta jetojë të përditshmen më me entuziazëm dhe të jetojë afër me të bukurën.

Ledina Bala: “Zoti është i Bukur dhe e do të bukurën! Jam shumë e lumtur që, ndër të tjera, fotografia më ka shërbyer si një mjet i mirë për t’ju qasur “të bukurës” dhe më ka bërë të vëmendshme ndaj detajeve.”

– Ju vini nga një familje shkodrane dhe aktualisht jetonin e punoni në Shkodër. A mund të na tregoni diçka më tepër, për këtë qytet të bukur: për natyrën, njerëzit, traditat?
Shkodra për mua është shumë më tepër se një qytet, është vendi ku kam shtëpinë. E nëse nisemi të flasim nga ajo ç’ka përfaqëson ‘shtëpia’ për zemrën e njeriut, kam shumë për të thënë. Duke qenë se është qyteti ku kam lindur, jam rritur, shkolluar e ku aktualisht punoj, është vendi me të cilin lidhen shumë nga kujtimet e mia më të vyera. Ngado që ta shohësh, Shkodra në mënyrë të pashmangshme është e lidhur me të bukurën, nisur jo vetëm nga ajo çka sheh syri i gjithsecilit. Nuk mundem të mos përmend këtu vargun e pasurive natyrore që i ka fal Zoti, një qytet i rrethuar përsosmërisht prej ujërave e maleve. Mjafton të ngjitesh në kalanë e Rozafës, nga ku mund të përjetosh një prej tablove më unike, ku shikimi shtrihet nga muret e lashta mijëra vjeçare tej në horizonte, ku “puthen” lumenjtë Drini e Buna, liqeni, vargmalet e qielli.
Ndiehem fatlume që kam lindur në këtë qytet, jo vetëm për çka thashë më sipër por mbi të gjitha për atë çka mbart memoria e qytetit: artin e kulturën që harmonishëm kanë përvijuar në çdo periudhë jetën shpirtërore të këtij vendi, duke lënë gjurmë që vazhdojnë të shenjojnë jetët tona edhe sot e kësaj dite. Kur ecën rrugëve të Shkodrës, ngado që të ndalet syri, në çdo detaj që mund të jetë, një rrugicë e vjetër, një ndërtesë, një derë e vjetër druri, një mur i lartë guri, një pemë, një biçikletë, një kafene etj., të duket se jehona e një historie të jetuar më parë vazhdon të ndiehet edhe sot e kësaj dite. Të mjafton veç të ndalesh e të marrësh frymë, të ndihesh me fat që mundesh të përjetosh magjinë e një vendi, ku bukuria natyrore me shpirtin njerëzor kanë krijuar një unitet, që do Zoti do të ndiehet gjithmonë në zemrat e atyre që e duan këtë qytet.

Aktualisht me profesion jeni ekonomiste, po fotografinë si e filluat dhe çfarë domethënie ka ajo për ju?
Pasioni për fotografinë tek unë ka filluar herët, që në fëmijëri. E kujtoj mirë veten të vogël, kur ëndërroja të kisha në dorë një aparat fotografik, që do të më lejonte të fiksoja momentet që doja, do më lejonte t’i “vidhja” kohës që ikte aq shpejt atë çka unë kisha frikë se mos e harroja.
Mund të them se fotografinë e kam filluar para 10 vitesh, kur mora dhuratë një kamera digjitale. Që atëherë fotografia për mua nuk është më thjesht pasion, por një mënyrë jetese e cila ka ndikuar shumë tek unë. Them se më ka ndryshuar, më ka mundësuar ta jetoj të përditshmen më me entuziazëm, ta shikoj realitetin si dua unë, “ta filtroj” tablonë e përditshme, pse jo herë-herë edhe ta transformoj. Më ka lejuar të jetoj afër me të bukurën e sigurisht më ka bërë më të vëmendshme ndaj natyrës.
Ajo çka më ka mahnitur gjithmonë tek fotografia është fakti, i ndalimit të kohës, ngurtësimi në imazh i momentit, atij që është gjithnjë në ikje. Ndonjëherë fotografitë më ngjajnë me fletët e një ditari. Mund t’i përcaktoj si, ajo “streha” ku rikthehem për të përjetuar sërish jehonën e emocioneve të përjetuara shumë kohë më parë.

Në cilin lloj zhanri të fotografisë lundroni dhe ku buron frymëzimi për to?
Preferoj kryesisht fotografinë e peisazhit dhe detajit (macro photography). Frymëzimi buron nga natyra, tek madhështia e asaj që ka krijuar Zoti, ku ne na mjafton veç të hedhim sytë për t’u bërë dëshmitarë të asaj “vepre arti sublime”, që na serviret falas çdo ditë. Unë besoj se të bukurën mundemi ta gjejmë kudo, për sa kohë zgjedhim ta shohim me syrin e zemrës!

Çfarë rregullash ndiqni nga ideja deri tek realizimi i fotografisë? Çfarë ju pëlqen më shumë të fotografoni?
Unë vazhdoj ta konsideroj veten amatore në fushën e fotografisë, e cila për mua mbetet thjesht pasion, diçka që më mbush kohën e lirë e duke qenë e tillë, rregullat nuk janë për mua. Në rast se qëllon të bëj një foto të mirë ja kujtoj vetes që: “jam me fat të gjendem në vendin e duhur e në kohën e duhur”. Pjesa tjetër ngelet meritë e teknologjisë (aparatit ose celularit).
Më pëlqen të fotografoj më shumë natyrën, horizontet, dritën. Ndër vendet më të dashura për mua të fotografoj është liqeni i Shkodrës, i cili më mahnit me ndryshueshmërinë e ngjyrimeve të ujërave, falë dritës e reflektimit të qiellit në kohë të ndryshme gjatë gjithë vitit. Tablotë që na dhurohen janë unike në stinë të ndryshme.

Fotot e Ledina Bala i gjeni në linkun: https://www.eyeem.com/u/ledinabala

kolazh 2-Ledina Bala

Nëse ekziston, kush e shënon kufirin midis fotografisë amatoriale dhe asaj profesionale?
Sot nuk jam e sigurtë nëse ekziston më një kufi i tillë ose më mirë të them po zbehet çdo ditë e më shumë, pasi ndoshta edhe falë teknologjisë që disponojmë, secili prej nesh e ka luksin të shkrepë foto kudo e kurdo. Më ka qëlluar shpeshherë të shoh foto shumë të mira të realizuara nga amatorë, qoftë edhe me një celular.

Cili është fotografi juaj i preferuar dhe pse?
Janë shumë mjeshtrat e fotografisë, punën e të cilëve e vlerësoj. Si një nga të preferuarit mundem të veçoj këtu një nga emrat më në zë të kësaj fushe sot në botë, Steve Mccurry, fotograf i National Geographic. Shkrepjet e tij gjithmonë më lënë pa fjalë. Fotografitë e Steve nuk janë thjesht estetikisht të mira, por marrin vlerë si dokumentim i një periudhe dhe hapësire të caktuar. Në shkrepjet e tij të mahnit aftësia e depërtimit në shpirtin njerëzor. Tek secili nga portretet e tij, mundesh të lexosh jo vetëm historinë e një individi, por të krejt asaj çka përfaqëson ai individ, vendin nga vjen, kulturën, gjendjen sociale etj. Punën e Steve, gjithmonë ua rekomandoj me entuziazëm dashuruesve të fotografisë.

Fotografi italian, Ferdinando Sciana, thotë se fotografia ka të bëjë pak me pikturën, që fotot janë kuadro. Janë letërsi. Cili është mendimi juaj, a ka pikëtakime fotografia me letërsinë?
Mendoj se të gjitha format e artit, si shprehi të shpirtit njerëzor janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ju cituat Scianën-n dhe unë po ju citoj një thënie të një prej fotografëve më të njohur amerikan të shekullit të kaluar, Ansel Adams, i cili të njëjtën ide e përmbledh kështu: “Ti, nuk bën një fotografi, thjesht me një kamera. Tek ajo fotografi t’i sjell të gjithë filmat që ke parë, librat që ke lexuar, muzikën që ke dëgjuar dhe njerëzit që ke dashur!”
E thënë ndryshe, n.q.se në të përditshmen tonë ushqehemi me të bukurën, jetojmë me artin, pra lexojmë letërsi të mirë, shohim filma të mirë, dëgjojmë muzikë të mirë etj., si rrjedhojë edhe syri, në çfarëdo mjedisi që të gjendet natyrshëm do të drejtohet kah e bukura.

Cila është ëndrra juaj e mbetur në sirtar, për sa i përket fotografisë? A keni dëshirë të realizoni një ekspozitë me fotografitë tuaja të realizuara deri më tani?
Për mua vetë “fotografia” ka qenë një ëndërr fëminore dhe fakti që e ka gjetur rrugën të dalë nga sirtari dhe mi ka shtuar ngjyra jetës, deri tani është mjaftueshëm. Idenë e ekspozitës nuk e kam menduar. Por për sa kohë ne sot, falë teknologjisë, përhapjes së rrjeteve sociale jetojmë në një botë të hapur për sa i përket shkëmbimit të informacionit dhe ekspozimit të asaj çka bëjmë, besoj se nuk është nevoja të krijojmë evente për të transmetuar kënaqësinë e shijimit të imazheve, që i ndajmë e i diskutojmë çdo ditë në kohë reale me njëri-tjetrin.

Ç’mund të na thoni për realitetin e femrës shqiptare sot? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo dhe si mund të kapërcehen ato?
Në realitetin e sotëm të shoqërisë shqiptare femra nuk e ka aspak të lehtë. Të qenit femër sot në Shqipëri, kërkon të japësh maksimumin në çdo aspekt jetësor, qoftë në familje, qoftë në karrierë dhe shpeshherë të mos ndihesh e vlerësuar dhe e motivuar. Si rezultat, e gjendur brenda një trysnie të tillë, për femrën kufizohet gjithnjë e më shumë mundësia e shprehjes së bukurisë së shpirtit të saj.
Prandaj, mendoj se për një ekzistencë më të paqtë e më dinjitoze femrës shqiptare më së pari sot i nevojitet të shohë më shumë brenda vetes, të njohë veten, të kuptojë vlerën e saj e të gjejë guximin për t’u shfaqur më e plotë.

A ju pëlqejnë udhëtimet? Cili është vendi më i bukur që keni vizituar?

Ah, ku ka njeri që nuk i pëlqen udhëtimet! Për mua udhëtimet janë frymëzim, mbushje me energji të reja. Me aq sa më lejojnë mundësitë herë pas here mundohem të shkëputem nga rutina e t’ja lejoj vetes kënaqësinë e zbulimit të një vendi të ri. Më duket se mbushem me frymë sa herë udhëtoj, kthehem tjetër njeri, pasurohem. Për sa i përket vendit më të bukur që kam vizituar e kam të vështirë të jap një klasifikim. Çdo vend është unik. Besoj se çdo gjë lidhet me ndjesitë tona kur jemi në vend të caktuar, si e përjetojmë, ¬çfarë zgjon tek ne të qenit aty në një moment të caktuar e sa prej atij vendi mbetet me ne kur largohemi.
Por një prej vendeve më të dashura për mua mund të veçoj Alpet tona. Magjia e bukurisë dhe madhështisë së tyre, ajo çka më bëjnë të përjetoj kur jam mes tyre, i bën të pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër.

Cili është libri juaj i preferuar?
Ah, këtu e kam të vështirë të vë gishtin tek njëri, janë shumë librat e mirë që ju rikthehem me dëshirë. Leximi, letërsia e mirë kanë qenë gjithmonë për mua ushqimi më i mirë. Preferencat kanë ndryshuar me kalimin e viteve, duke u rritur e duke lexuar më shumë; duke u njohur me më shumë autorë është shtuar edhe lista e të preferuarve.
Si një prej librave më të dashur për mua, do të veçoja “Profetin” e poetit, filozofit e piktorit libanez, Kahlil Gibran. Një libërth prej 70 faqesh, i ndërtuar në formën e eseve poetike, ngjan si një “manual mbi të jetuarin në harmoni”. Gibrani me stilin e tij shpirtëror më tepër se filozofik, cek të gjitha temat që kanë të bëjnë me ekzistencën e njeriut në këtë botë e përtej. Është një prej atyre librave që ka për t’u lexuar gjithmonë, në çdo moshë, duke e lejuar njeriun të zbulojë më shumë nga vetja, nga shpirti i tij.

22852107_10213345524140072_3290248601053769012_n

Si është lidhja juaj me Zotin dhe me besimin?
Besimi në Zot është forca që më bën të eci përpara. Aty merr kuptim ekzistenca ime në këtë botë. Në kontekstin e bisedës sonë, e ndjej të nevojshme ta theksoj se, për mua një nga format më të mira të adhurimit të Zotit është vlerësimi e studimi i veprës së Tij, natyrës. Kur gjendemi në natyrë e kuptojmë sa të vegjël jemi para madhështisë së krijimit.
Një nga hadithet e profetit Muhamed (a.s.), që dua më shumë, thotë: “Zoti është i Bukur dhe e do të bukurën!” dhe meqë jemi te fotografia, jam shumë e lumtur që ndër të tjera më ka shërbyer si një mjet i mirë për t’ju qasur “të bukurës” dhe më ka bërë të vëmendshme ndaj detajeve. Pra, më ka ndihmuar ta përqafoj me dashuri veprën e Tij dhe për këtë e falënderoj çdo ditë.

Ku e shihni veten pas disa vitesh?
Kjo është një pyetje e vështirë. Duke qenë se jetën e konsideroj më shumë si rrugëtim se sa destinacion, ndoshta më mirë do iu përgjigjja një pyetje, si: “Si do doja unë ta shihja veten pas disa vitesh?” – Kudo ku të jem, në Shqipëri apo larg, duke vazhduar me këtë profesion apo tjetër, uroj të jem në paqe me Zotin, me veten e njerëzit, uroj të gjej kuptim që atë çka do të jem duke bërë, të jem e rrethuar me dashuri, të kem pranë njerëz me shpirt të bukur dhe të jem në gjendje të jap më të mirën time.

Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”
Mesazhi im për lexuesit e revistës “Familja” është i thjeshtë: Jetoni çdo moment me zemrën plot, falënderoni Zotin për çka ju ka dhënë dhe punoni me veten, duke shpresuar në ditë më të mira! Mbi të gjitha jetoni bukur! Gjeni kohë të ndani me të dashurit tuaj, kaloni kohë në natyrë! Ushqejeni veten me art! Ndiqni pasionet tuaja! Pra, bëni më shumë nga ajo çka sjell paqe në zemrat tuaja!
Më besoni, do t’ju ndihmojë të ndiheni më të lumtur!

Revista “Familja”, dhjetor 2017