SHKG në Panairin “Gjithçka për gruan”

67

Në datat 7-9 mars 2014 në Tiranë, Holli i Muzeut Historik Kombëtar u shndërrua në Pallatin e gruas shqiptare. Panairi “Gjithçka për gruan” solli të gjithë flagrancat e kompleksitetit të gruas shqiptare. Për tre ditë me radhë ky panair mikëpriti vizitorë të shumtë, shqiptar dhe të huaj. Ky eveniment u organizua si fryt i bashkëpunimit të Kompanisë “Clover relations and exhibitions sh.p.k” dhe Rrjetit të Grave – Barazi në Vendimmarrje, me mbështetjen e USAID.

DSC_0030Në tre ditët e panairit, përkrah shumë shoqatave, organizatave, institucioneve dhe bizneseve, pjesëmarrje dinjitoze pati edhe shoqata kulturore “Gruaja”, ku në stendën e saj u promovua puna, kontributi dhe vlerat e femrës myslimane në shoqërinë shqiptare.

Në stendën e saj shumëngjyrëshe dhe plot larmishmëri pati vizitorë të shumtë, të cilët shfaqën interes për atë çka ofrohej; piktura, skulptura, punime artizanale, literatura të ndryshme (botime të SHKG-së), veshje islame, produkte natyrale, zbukurime me këna (më e veçanta e stendës sonë) etj. Interes të madh pati për zbukurimin e duarve me këna, të cilat realizoheshin nga piktorja Elida Lugaj dhe skulptorja Majlinda Shala. Gjatë këtyre tri ditëve pati blerje të botimeve të SHKG-së dhe për vizitorët u shpërndanë falas edhe fletëpalosje.

DSC_0241Ndërkohë që të gjithë sektorët ishin të ekspozuar në pavionet përkatëse, surpriza e gjithë eventit, ajo çka përmbylli edhe këtë edicion të parë ishte sfilata me veshje Islame, e para dhe e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, ku spikaste një pjesëmarrje e madhe e zonjave dhe vajzave të moshave të ndryshme.

Prezantuese e këtij eventi ishte znj. Diana Syla, punonjëse pranë SHKG-së. Ajo e hapi sfilatën me prezantimin e punës së SHKG-së dhe shprehu falënderime për të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtoret që ndihmuan në realizimin e kësaj sfilate. Një përvojë e re dhe e mrekullueshme, pasi kjo është sfilata e parë e këtij lloji që organizohet në Shqipëri.

Veshje të bukura dhe mahnitëse ishin pjesë e saj, duke filluar nga fustanet e mbrëmjes e deri tek veshjet zyrtare, sportive, klasike etj. Sfilata u hap me një veshje nga stilistja Anjeza Krasniqi, e cila ishte ajo që prezantoi veshjet.

Më pas u shfaqën disa veshje të mundësuara nga Butik Orient Style “Zana” dhe Butik “Belisa”. Sfilata u mbyll me një fustan të mrekullueshëm nusërie, mundësuar nga Sallon Bukurie Frida Xhoi & Xhei.

DSC_0188Më pas fjalën e mori znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e SHKG-së, e cila bëri një prezantim të institucionit që ajo drejton. Ndër të tjera, ajo theksoi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri, si dhe misionin e SHKG-së, e cila është çdo herë e më shumë në mbështetjen, përkrahjen dhe promovimin e vlerave të gruas shqiptare, e veçanërisht asaj mylimane.

Personalitete që nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë sfilatë ishin znj. Majlinda Bregu, ish-Ministre e Integrimit, aktualisht kyetare e Komisionit të Integrimit dhe deputete e Partisë Demokratike; znj. Ben Galiel, bashkëshortja e ambasadorit të Republikës së Libisë në Tiranë dhe bashkëshortet e dy konsujve të po kësaj ambasade. Ato e përgëzuan SHKG- në për organizimin e kësaj sfilate dhe i uruan asaj suksese të mëtejshme në veprimtaritë e saj.

Këtë organizim e përshëndeti edhe një ndër organizatoret e panairit, znj. Edlira Çepani, drejtuese e Rrjetit të Grave–Barazi në vendimmarrje. Ajo shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen e SHKG-së në këtë panair dhe theksoi vlerën e gruas myslimane dhe kontributin që ajo jep në shoqërinë shqiptare, një meritë që nuk i duhet mohuar.

SHKG-ja falenderon të gjithë bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe kontributin e tyre në organizimin e këtij eventi me përmasa të mëdha.

DSC_0206Falënderojmë Butik Orient-Style “Zana”, Butik “Belisa” dhe Sallon Bukurie “Frida Xhoi&Xhei”, të cilët mundësuan veshjet. Falënderime shkojnë edhe për stilisten, znj. Anjeza Krasniqi, e cila me idetë e saj mundësoi realizimin e suksesshëm të kësaj sfilate.

Eventi u mbyll me një koktejl të organizuar në hollin e muzeut, për të festuar të gjithë bashkë suksesin e arritur. Fotoja në grup skaliti këtë event të këndshëm e të veçantë.

SHKG-ja prezantoi punime të grave artiste dhe vajzave myslimane shqiptare dhe nisma të ndryshme të tyre, si dhe modelet e suksesit dhe shpresojmë që të jetë dhënë mesazhi i duhur i vlerave që mbart gruaja myslimane shqiptare.

Maj-qershor, 2014