Shkrimtarja e parë shqiptare

6

Ndjenja e të qenit vetëm të frikson vetëm atëherë kur vërtetë je i vetëm. Ngahera jam mësuar me vetminë, shumë herë ndihesha mirë nën shoqërinë e saj, por shumë herë të tjera një ndjesi mbytjeje kaplonte kraharorin tim. Me librin tënd ndër duar, Musine, ndjej që dielli nuk ngroh si më parë edhe pse është pranverë tashmë. Arrij të shikoj rrezet e tij, por nuk e ngrohin shpirtin si më parë. Me shumë mundësi gjatë leximit të librit tënd me kujtimet e tua universitare, dielli përqafoi faqet e tij duke humbur ngrohtësinë si atë ditë Janari kur ti humbe lirinë. Çfarëdo që të shkruaj për ty në këto rreshta, jam i vetëdijshëm që nuk do ta plotësojnë figurën tënde intelektuale.

Si mund të përshkruhet ardhja në jetë e një vajze pas tri djemve? Epo, atë ndjenjë mund të vëreje në fytyrën e Reshat Kokalarit, babait fatlum të Musine Kokalarit. Kam lexuar dhe kërkuar rreth teje Musine për ditë dhe netë të tëra. Sa më shumë lexoja rreth teje aq më shumë ti u bëre pjesë e zemrës sime. Është tepër e lehtë të të duash ty dhe tepër e vështirë të ndalësh mendimet rreth teje. Të quhesh “shkrimtarja e parë shqiptare”, apo “intelektuale” nuk është më e madhe se ajo që ti le pas nga jeta jote. Burra të cilët kanë vuajtur dhjetra vite burg ka shumë, por a do të mund një burrë të vuaj njëzet vite heqje lirie dhe të ketë diturinë tënde Musine? A do të mund dikush të përjetoj vrasjen e dy vëllezërve dhe të vazhdojë aktivitetin e tij intelektual si më parë? A do të mundë dikush t’i përplas idetë e tij një sistemi të egër diktatorial në fytyrë duke e ditur që e pret vdekja? Këtë të fundit përgjigjen do të ta jap unë Musine e dashur; askush në dyzet vite nuk mundi ta shprehë atë që ti e shprehe në atë sallë gjyqi, as burrë dhe as grua, as ministër dhe as kryeministër, vetëm ti Musine, vetëm ti…

U rrite në një familje dijedashëse, me prindër dhe vëllezër intelektualë. Dashuria jote për librin kalon caqet edhe në ditët e sotme. Nuk ndodh shpesh të njohësh dikë që të dashurojë librat dhe leximin sikurse ti Musine. Kur shletoj librat e tu, vërej atë ndjenjë që është e vështirë të dhurohet për këdo, një ndjenjë që i jepet vetëm disa njerëzve të caktuar, por ti nuk u kurseve, ti e dhurove të gjithën atë dhe e bëre në të tre librat e tu. E pyes veten në këtë orë të vonë ku po hedh bojë në fletë të bardhë për ty; si është e mundur që të lanë të vetmuar? Si është e mundur që Musine Kokalarin, nderin e femrës shqiptare e lanë në harresë? Si mund ta donin jetën më shumë sesa Musinenë e dashur? Unë nuk do të lija Musine. Shikon? As sot nuk po të lë. Jam i ulur, shkruaj dhe mendoj për ty, sepse ti nuk ishe një femër e zakonshme, nuk ishe një si ato femra që kanë bërë zgjedhjen e humbjes. Ti zgjodhe dritën. Mund ta them me bindje dhe me zë të lartë që ti zgjodhe burrërinë. Të kërkosh të ketë gra si ty, kjo është e tepërt për mendjet e ditëve të sotme. Do të ishte e mrekullueshme të kishte të paktën burra si ty.

Do të ishte e lehtë për ty të bashkoheshe me parinë dhe të përfitoje një kolltuk të ngrohtë, sikurse bënë shumë nga ato që quhen sot shkrimtarë të nderuar të Shqipërisë, por ti zgjodhe të drejtën, të vërtetën dhe nderin e gruas.

Pas gjashtëmbëdhjetë viteve heqje lirie ti vazhdove jetën sërish e vetme, por heroike, pa shprehur kurrë pendim për atë mëkat që ti u akuzove. Si mund të pendohesh për diçka që ti nuk e ke bërë? A e di Musine? Kur të shikoj në sallën e gjyqit, shikoj ata sy të pa trembur. por të zhgënjyer. Të zhgënjyer nga pabesia e bashkëatdhetarëve të tu. E si mund ta dënosh me vdekje një person që nuk friksohet prej saj? Mendoj që kjo është arsyeja e vetme që të kursyen, vuajtja.

Ndjenjat e tua janë të gjalla në shkrimet që ti ke lënë pas, por janë edhe më të gjalla në jetën që ti jetove. “E kuptova që liria gjindet brenda nesh”, janë fjalët e tua prej një vajze që ishte në kërkim të përgjigjeve të jetës. Ishte një dhuratë për ty që arrite ta kuptosh këtë gjë para se të të bëhej padrejtësia. Nëse ti Musine, krenoheshe me Sami Frashërin, unë krenohem me ty. Vajzat e mia krenohen me ty. Gruaja shqiptare krenohet me ty dhe ti je zëri i shqiptarëve intelektualë.

Dëshiroj që çdokush të njihet me ty edhe pse të dua vetëm për veten time. Të paktën sot ti nuk je vetëm.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Lysien Disha