Drita Maliqi-Misini, doktoreshë e shkencave të ekonomisë

1137

1) E nderuar dr. Drita, mbrojtja e doktoraturës nga ana juaj në një temë shumë specifike dhe jo shumë të njohur në katedrat dhe universitetet tona qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë në Ballkan ka ngjallur shumë interes tek specialistët e fushës por edhe tek intelektualët dhe njerëzit e zakonshëm… Nga se morët spunto për të mbrojtur dizertacionin me temën: “Tregjet dhe institucionet financiare islame”?

Fillimisht ju falënderoj nga zemra që më dhatë nderin të jam mysafire në revistën tuaj. Sa i përket pyetjes, të them të drejtën, hulumtimi në një lëmi të tillë ka datuar qysh moti. Si ekonomiste myslimane, gjithmonë kam dashur të përvetësoja për financat islame, ndjeja obligim nëse mund ta quaj kështu, edhe pse një gjë të tillë nuk na e mësonin në studimet universitare. Përmes hulumtimeve të mia atëbotë fillova të promovoja idenë e bankimit Islam te mësimdhënësit dhe kolegët e mi. Natyrisht duhej të gjeja përgjigjet e shumë pyetjeve dhe kjo vetëm sa ma shtonte dëshirën e vullnetin për specializim në këtë fushë. Por me pak njohuri elementare që kisha, gjithmonë kam pasur bindjen se një sistem i tillë është më i drejti, më i sigurti dhe më i miri, gjykoja sidomos nga fakti se kishte prejardhjen nga vlerat islame. Duke u nisur edhe nga fakti se ky sistem i cili po përfshin botën i dizenjuar për mirëqënien e të gjithëve, është kundërpërgjigje ndaj mashtrimeve dhe manipulimeve që rrjedhin nga sistemi i padrejtë kamator konvencional.

Drita Maliqi (2)Para tre vjetësh përpilova skicën ideore në konsultim me mentoren time dhe të njëjtën e dorëzova para Këshillit për aprovimin e temave të doktoraturës pranë Institutit Ekonomik, Universiteti publik “Shën Qirili dhe Metodij” – Shkup, çka vlen të theksohet se ajo ngjalli interesim të madh dhe qysh në takimin e parë të Këshillit më dhanë dritën jeshile për ta filluar hulumtimin. Megjithatë, ky hulumtim mund të ishte ndër të paktët në vendin tonë, gjersa në Evropën Perëndimore po bëheshin me qindra të tilla, sidomos nëpër qendra të njohura universitare të cilat vetëm se kishin hapur katedra dhe qendra për këtë temë. Me ndihmën e Allahut, edhe mbrojtja u realizua suksesshëm. Dizertacioni im është mirëpritur dhe vlerësuar pozitiv nga shumë institucione relevante financiare ndër to edhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë, po dhe nga universitetet tona këtu në Maqedoni, duke e cilësuar atë si punim shkencor domethënës në fushën e bankimit islam dhe kontribues i mendimit shkencor në vend.

2) A mund të tregoni për lexuesit e revistës “Famija” se cilat janë specifikat dhe të veçantat e Financave dhe Bankimit Islam?

Institucionet financiare islame duhet të punojnë dhe veprojnë në kuadër të Sheriatit, në bazë të Kuranit dhe Sunetit (traditës profetike). Si rrjedhojë, të gjitha aktivitetet e tyre, transaksionet, aktet, marrja e vendimeve dhe praktikat duhet të jenë në përputhje me parimet e këtij sistemi. Të punohet me bankimin islam apo veprimtari bankare islame do të thotë të respektohen parimet bazë në vijim, të cilat janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre, nga të cilat veçojmë: 1) Kamata/interesi (apo riba në gjuhën e Sheriatit) është e ndaluar në të gjitha transaksionet, 2) Ndalimi i aktiviteteve, mallrave dhe shërbimeve që janë të ndaluara sheriatikisht, 3) Pasiguria dhe spekulimi është i ndaluar, 4) Pjesëmarrja dhe shpërndarja e rrezikshmërisë 5) Etikat e punës si dhe kontributi në qëllimet social-ekonomike të shoqërisë, 6)  Transaksionet duhet të janë direkt të lidhura me sektorin real. E veçanta e këtij bankimi është se është i përshtatshëm për të gjithë, pa dallim kombi e feje.

3) Ku qëndron ndryshimi mes Financave Islame dhe atyre Konvencionale?

Dallimi qëndron pikërisht se këto dy sisteme financiare në parimet e tyre janë aq të kundërta, ku njëri sistem themelohet mbi parimet e Sheriatit duke i vëne theks të veçantë etikës dhe moralit si dhe dimensionit shoqëror të transaksioneve, ndërsa tjetri përjashton rregullat fetare në transaksionet e tij. Nga këtu mund të nxjerrim një mori dallimesh në principin e tyre të punës. Shërbimet komerciale që i ofrojnë institucionet financiare islame, e kanë të përjashtuar interesin dhe rrezikshmërinë e lartë në transaksionet financiare. Në anën tjetër, të gjithë jemi të vetëdijshëm se pikërisht interesi (kamata) apo tregtimi me borxhe është ai që i karakterizon bankat konvencionale. Islami për paranë definon funksionin ruajtës të vlerës dhe si mjet këmbimi dhe assesi paraja nuk është mall, andaj tregëtimi me të është i ndaluar. Mes tjerash, institucionet financiare islame mbikqyren nga Bordi Sheriatik, i cili miraton vetëm ato transaksione apo produkte financiare që janë në pajtim me parimet sheriatike.

Drita Maliqi 34) A mendoni se vendet ballkanike por jo vetëm, mund të përfitojnë nga benefitet e financave islame dhe si mund të realizohet kjo më konkretisht?

Natyrisht që po, modeli i financimit sipas parimeve islame mund të jetë shpëtim për vendet e Ballkanit. Parimet themelore të financave dhe sistemit bankar islam, janë të zbatueshme edhe për shtetet e Ballkanit. Ballkani përmes modelit të financave islame mund të gjejë interes të madh sidomos në sektorin e ekonomisë, bizneset familjare, bujqësi për të mbledhur depozitat e kooperativave bujqësore, ndërtim dhe në të gjitha tregjet dhe institucionet e tjera financiare. Përveç kësaj, zgjerohet rrjeti bankar i cili mund të pretendojë të pranohet edhe në tregun ndërkombëtar me produkte financiare islame. Të gjitha këto mund të realizohen përmes modeleve të financimit sipas parimeve islame e që janë: Musharaka (formë e financimit ku partnerët bashkërisht marrin pjesë në kapitalin aksionar dhe fitimi bëhet me marrëveshje), Mudaraba (partneritet në investim, ku njëra palë siguron kapitalin financiar ndërsa pala tjetër kapitalin sipërmarrës), Murabaha (financim i shitjes/blerjes), Kard al Hasen (hua pa kamatë për disa kategori njerëzish), financimi Salam (shitja e produkteve të caktuara, të përshkruara saktësisht paraprakisht) dhe modele të tjera të financimit janë njëra nga format e financimit të cilat mund të jenë alternativë më e mirë e financimit sesa mënyra e financimit konvencional kamator. Model i bankave islame stimulon kursimin dhe i kanalizon suksesshëm ato në investime produktive, të cilat kanë për qëllim rritjen dhe mirëqënien ekonomike të vendit.

5) Çfarë pengesash ligjore mund të hasen në integrimin e financimit islam dhe si mund të tejkalohen ato?

Është e ditur se sistemi aktual monetar nuk është i përshtatshëm për financimin islam, nga kjo rrjedhin edhe pengesat ligjore nga më të ndryshmet. Shtetet e Evropës Perëndimore në të cilat funksionojnë bankat islame, e kanë rregulluar këtë çështje, duke bërë ca ndryshime dhe plotësime në ligjet e tyre të cilat i përshtaten parimit të punës së bankave. Pra, këto pengesa mund të tejkalohen vetëm me ndryshimet e duhura të cilat mund t’i përmbushin standardet sheriatike për institucionet financiare.

Mendoj se fillimisht duhet të hapet debat shkencor në lidhje me këtë temë. Ngritja e vetëdijës së qytetarëve për bankim islam është e rëndësisë së madhe që ata ta mirëpresin këtë industri  financiare. Studimet në këtë lëmi që mund të bëhen janë hapi tjetër që duhet të ndiqet, sidomos nëse shkojmë drejtë një kuadri kualifikues për një bankim të tillë. Përveç kësaj, edhe institucionet financiare konvencionale apo bankat konvencionale duhet të kërkojnë interesin e tyre në zbatimin e modeleve financiare islame, apo edhe të konvertimit të tyre në bankë islame. Kjo edhe për faktin se edhe përkundër uljes së normave të interesit, kreditë jofunksionale apo kreditë e papaguara janë në rritje. Të gjitha këto mund të shtyjnë bankën popullore të vendit për të shkuar drejtë këtyre ndryshimeve për ta integruar financimin islam në vend.

6) A keni njohuri për bankat më të mëdha (në vendet islame, por edhe në Evropë) se sa janë ato në përputhje me parimet islame, më konkretisht rregullatorët islam, sa janë të përkushtuar në mbikëqyerjen e tyre dhe si veprojnë ato kur hasin praktikat e papërshtatshme në bankat islame?

Çdo bankë dhe institucion financiar islam ka në gjirin e saj bordin sheriatik, i cili monitoron përputhshmërinë e produkteve financiare përkatëse me rregullat dhe dispozitat e Sheriatit Islam. Sigurisht që ka dallime midis bordeve në vlerësimet dhe qasjet e tyre juridike, gjë që buron nga vetë natyra dhe struktura fleksibile e ligjit islam, e që në këtë natyrë nuk dallon nga ligjet pozitive konvencionale. Fleksibiliteti juridik i vlerësimeve juridike në fushën e financave islame nuk ka të bëjë me kontraditat në bazat juridike të tij, ashtu siç dallimet juridike të mendimeve gjyqësore në kuptimin e neneve ligjore nuk kanë kuptimin e kontraditës, por, në të vërtetë kanë kuptimin e fleksibilitetit të ligjeve dhe gjerësisë së predispozicionit të praktikimit të tij. Do të gjejmë në drejtim të avancimit të unifikimit të kritereve sheriatike në fushën e financave dhe bankimit islam se si kriteret sheriatike të aprovuara nga Organizata e Kontabilitetit dhe Auditimit për Institucionet Financiare Islamike me seli në Bahrejn, kanë gjetur pranim tejet të gjërë nga institucionet financiare islamike anembanë botës, pranim ky, qoftë në formë udhëzuese apo detyruese.  Në këtë mund të gjejmë shembujt e Bahrejnit, Sudanit, Jordanisë, Sirisë, Libanit, Malajzisë, Singaporit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Afrikës së Jugut.

7) Përveç faktit që jeni e para e cila trajtoni një temë të tillë e cila rezulton të jetë me shumë vlerë dhe rëndësi, dëshirojmë të na tregoni se cilat janë disa nga benefitet dhe risitë që sollët përmes këtij punimi shkencor dhe mënyrën se si këto risi mund të vihen në praktikë.

Përmes këtij punimi shkencor arritëm të sjellim argumente teorike dhe praktike se sistemet bankare të cilat ndërtohen në konceptin e partneritetit në rrezikshmëri (në fitim dhe humbje), midis bankës dhe klientit, janë më të mira se ato sisteme konvencionale në të cilat vetëm njëra palë bartë rrezikun. Për shkak të natyrës së tyre të punës, institucionet financiare islame kanë treguar performance më të mirë sa i përket krizës së fundit financiare dhe ekonomike.

Mosmarrja me shit-blerje të borxheve dhe largimi i këtyre bankave nga spekulimet e mëdha të cilat ndodhen në bankat euro-amerikane, përveç kësaj mosmarrja e bankave islame me kamatë dhe transaksione të rrezikshmërive të larta, të gjitha këto kontribuan në imunitetin e institucioneve financiare islame. Të gjitha këto besoj fuqishëm se do të janë arsye të forta që edhe vendet tona, të janë praktikues të bankimit islam, duke ndjekur shembullin e shumë bankave në Europë.

Maj-Qershor, 2014