Autizmi, fenomeni i ri global

52

Kur Ana shkoi në shtëpinë e mikeshës së saj të re, Erës, ajo u takua me vëllain e saj 4-vjeçar, Erjonin. “Ç’kemi?” – tha Ana, duke buzëqeshur. Erjoni e shikoi atë, por nuk tha asgjë. Pastaj ai u kthye përsëri të luajë me lodrën e tij. Më vonë Ana i tha Erës: “Më duket së vëllai yt nuk më ka qejf mua.” “Ky nuk është faji yt, – tha Era. Nuk është se ai nuk të ka qejf. Erjoni ka autizëm dhe është e vështirë për të që të flasë dhe të komunikojë me të tjerët, por nëse ti dëshiron unë mund të të tregoj se si mund të luash me të.” Ana kërkoi të dinte se çfarë është autizmi…

Çfarë është autizmi?

Njerëzit zakonisht e quajmë atë autizëm, por emri i tij zyrtar është çrregullime të spektrit të autizmit. Pse?

Sepse mjekët e përfshijnë autizmin në një grup të problemeve që fëmijët mund të kenë, duke përfshirë sindromin e Ajsbergerit dhe të tjerë. Këto probleme ndodhin kur truri i tyre zhvillohet ndryshe dhe ka probleme për të kuptuar drejt botën që i rrethon.

Ai konsiderohet tashmë si një fenomen i ri global. Dita 2 prill njihet ndryshe edhe si Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit. Autizmi është çrregullim i zhvillimit, i cili paraqitet në fëmijërinë e hershme. Çrregullimi karakterizohet me pengesa në planin verbal (në të folur), komunikim të dobët, mungesë të interesit për botën përrreth dhe paaftësi për aktivitete shoqërore. Autistët shpesh përshkruhen si persona të cilët janë në botën e vet. Shkaktari ende mbetet i panjohur!

Çdo ditë truri ynë i interpreton (kupton) gjërat që ne shohim, ndiejmë, dëgjojmë, shijojmë, prekim apo provojmë. Por kur truri i dikujt ka probleme në të interpretuarit e këtyre gjërave, ajo mund të shkaktojë vështirësi në të folur, në të dëgjuar, në të kuptuar, në të luajtur dhe në të mësuar.

Shenjat e para të autizmit paraqiten që në tri vitet e para të jetës, ndërsa disa në muajtë e parë. Shenjat e këtij çrregullimi shpesh janë të pahetueshme. Simptomë është kur fëmija nuk reagon nga ngacmimet e jashtme dhe prindërve mund t’iu duket sikur fëmija nuk dëgjon apo kupton. Po ashtu në rastet kur fëmija nuk tregon interes për rrethin, apo kur shikon ndërsa shikimin e ka të zbrazët, dhe dëgjon mirëpo është indiferent ndaj zërave; nuk u buzëqesh anëtarëve të familjes, por qesh me vetveten.

Fëmijët me autizëm, në të shumtën e rasteve, nuk mund të krijojnë lidhje me fëmijët e tjerë. Për shembull kur njerëzit buzëqeshin, ju e dini se ata ndiehen të lumtur apo miqësor, kur njerëzit duken si të çmendur, ju mund ta shikoni atë në fytyrat apo zërin e tyre. Por fëmijët të cilët kanë çrregullime të spektrit të autizmit kanë vështirësi pëë të kuptuar se çfarë emocionesh ka tjetri apo se çfarë është duke menduar personi tjetër. Ata mund të veprojnë në një mënyrë që duket e pazakontë, dhe kjo mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar pse ata veprojnë pikërisht kështu.

Tek fëmijët autik çrregullohet ushqimi, por edhe fjetja. Kur këto çrregullime shfaqen të ndara nuk janë tregues të autizmit, mirëpo kur manifestohen (shfaqen) disa prej tyre në të njëjtën kohë, atëherë ka arsye për shqetësim.

Zbulimi i hershëm i simptomave autike te fëmija mund ta ndihmojë që të krijojë aftësi për të ndërtuar marrëdhënie ndërnjerëzore dhe mëvetësi.

Sipas qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), 1 në 88 fëmijë ka një çrregullim të spektrit të autizmit. Sot të paktën 1 në 100 vetë në botë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku. Në Shqipëri statistikat flasin për rreth 500 fëmijë në vit, të cilët janë diagnostikuar në forma të ndryshme të çrregullimeve.

Autizmi prek më shumë djemtë sesa vajzat. Nëse tek femrat në 88 lindje 1 është autik, tek djemtë në 54 lindje ka 1 autik. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti etj. Simptomat më karakteristike te fëmijët autikë evidentohen kur fëmija nisë të flasë, prandaj dhe problemet në të folurin e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese.

Një fëmijë me çrregullim të spektrit të autizmit mund të ketë probleme me mësimin e kuptimit të fjalëve; të bëjë të njëjtën gjë vazhdimisht, si duke thënë të njëjtën fjalë; të lëvizë krahët e tij /saj ose trupin në një mënyrë të caktuar; të has vështirësi për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve, si: futja e ushqimeve të reja, ardhja e një mësuesi zëvendësues apo lëvizja e lodrave nga vendet e tyre të zakonshme.

Çfarë e shkakton autizmin?

Shkencëtarët edhe sot e kësaj dite janë të paqartë se cilat janë shkaqet e autizmit, por janë të bindur që faktorët gjenetikë bashkëveprojnë me faktorët ambiental. Disa fëmijë mund të kenë më shumë gjasa për të pasur autizëm, sepse mund ta kenë të trashëguar në familjet e tyre.

Mendohet që shkaqet kryesore janë:

– Gjenetike

– Viruset

– Vaksinat

– Mbetjet toksike dhe pluhurat.

Megjithatë shkaktari i vërtetë i autizmit është vështirë të kuptohet për shkak se truri i njeriut është shumë i komplikuar. Truri përmban më shumë se 100 miliardë qeliza nervore të quajtura neurone. Çdo neuron mund të ketë qindra ose mijëra lidhje që mbartin mesazhe për qelizat e tjera nervore në tru dhe në trup. Lidhjet dhe dërgesat kimike që ata dërgojnë, të quajtura neurotransmetues, bëjnë të mundur funksionimin e mirë të trurit. Kur ata e bëjnë këtë gjë ju mund të shihni, të ndjeni, të veproni, të mbani mend, të keni emocione, përvojë, të komunikoni dhe të bëni shumë gjëra të tjera të rëndësishme. Në trurin e një fëmijë me autizëm disa prej këtyre qelizave dhe lidhjeve nuk zhvillohen normalisht ose nuk janë të bashkërenduara siç duhet. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur për të kuptuar se si dhe pse ndodh kjo.

Si ta ndihmojmë fëmijën autik?

Në shumicën e rasteve prindërit janë ata që e kapin këtë çrregullim, sepse ata kanë atë shqisën prindërore, e cila i bën të dyshojë që diçka nuk shkon me fëmijën e tyre, ose që fëmija i tyre ka diçka më pak se moshatari i tij, ose është më ndryshe nga motra apo vëllai më i rritur. Në këtë rast prindërit nuk duhet të ngurrojnë, por të paraqiten menjëherë te mjeku edhe sikur të kenë thjesht dyshime.

Një shenjë mund të jetë mungesa e përqëndrimit ose diçka tjetër. Por duhet thënë se fëmijët me autizëm kanë forma të ndryshme dhe shenja të ndryshme. Fillimisht nëna mund të kontaktojë me pediatrin, por ajo mund të shkojë dhe te specialisti. E rëndësishme është që të mos e mbajë brengën brenda saj dhe të mos e lërë kohën t’i ikë. Kjo pasi kalimi i kohës është në dëm të fëmijës. Zakonisht kjo diagnostikohet në 18 muajt e parë të jetës, në rast se kapet në këtë periudhë ka shumë shanse që trajtimi të jetë më i lehtë. Ndërhyrja e menjëhershme është mënyra më efektive për të përshpejtuar zhvillimin e fëmijës suaj dhe për të zvogëluar simptomat e autizmit.

Disa këshilla për prindërit që kanë fëmijë me autizëm

Merrni sa më shumë informacione për autizmin. Sa më shumë të dini rreth autizmit, aq më shumë do t’ju vijnë në ndihmë për mënyrën se si të silleni dhe të përballeni me fëmijën tuaj.

Bëhuni ekspert i fëmijës tuaj. Duhet të dini dhe të merrni me mend se çfarë i pëlqen apo nuk i pëlqen fëmijës tuaj, si do të jetë reagimi i sjelljes së tij kundrejt situatave stresuese, jo të rehatshme, të kënaqshme, qetësuese. Nëse ju arrini t’i perceptoni dhe kuptoni reagimet e fëmijës nga faktorët e jashtëm, ju do të arrini ta menaxhoni situatën me fëmijën tuaj, duke parandaluar rastet të cilat shkaktojnë vështirësi dhe irritim tek ai.

Pranojeni fëmijën tuaj ashtu si është. Në vend që të mbani mendjen se fëmija është i sëmurë me autizëm, mundohuni ta largoni këtë mendim dhe ta shikoni sikur të mos ishte i sëmurë. Mos u shqetësoni për sjelljet e tij, gëzohuni për çdo përparim të tij duke ia shprehur edhe fëmijës këtë gjë, kjo e ndihmon shumë atë. Trajtojeni njësoj sikur të ishte si gjithë fëmijët e tjerë.

Mos u dorëzoni! Është e pamundur që të parashikohet se fëmija juaj është i prekur nga autizmi. Sikurse të gjithë fëmijët e tjerë, edhe fëmijët me autizëm kanë nevojë për përkujdesje dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre për t’u bërë sa më social.

Te fundit

Nuk ka shërim për autizmin, por mjekët, terapistët dhe mësuesit e edukimit special mund t’i ndihmojnë fëmijën të mësojnë të komunikojnë më mirë. Ekipi i kujdesit dhe të luajturit në grup mund të ndihmojë në përmirësimin e aftësive sociale të fëmijës autik.

Shumica e tyre kanë vazhdimisht nevojë për ndihmë. Por të gjithë do të kenë të ardhme të ndritshme, nëse ata do të kenë mbështetjen dhe mirëkuptimin e familjes së tyre, e mjekut, e mësuesit, e terapistit dhe të miqve. Pra, sigurohu që t’i bëhesh mik atij/asaj.

Janar-Shkurt 2013