VAJRAT BIMORE, MJEKËSIA E SË ARDHMES

52

Sot, është shumë i shpeshtë përdorimi i barnave bimore në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. A është për këtë përgjegjës veprimi i vërtetë i tyre apo dëshira e pacientëve për të përdorur diçka natyrale, apo ndoshta pse më pak mendojnë për veprimin e tyre negativ? A ndoshta koha e shpejtë e mënyrës së jetesës dhe përdorimi i shpeshtë i vetëmjekimit drejton pacientët në përdorim të barnave bimore? A do të thotë “natyrale” edhe “e sigurt”?

Çfarë është bari natyral? Bar natyral është çdo bar me përmbajtje bimore të substancës aktive, me përmbajtje të një apo më shumë përbërësve me prejardhje bimore, një apo më shumë produkte bimore ose së paku një përzierje të tyre.
Çfarë janë mjekimet bimore? Mjekimet bimore janë bimë të imtësuara, të tëra apo pjesë bimësh.

Edhe nga mjekimet bimore përfitohen preparatet bimore në bazë të veprimeve të ndryshme siç janë: imtësimi, sitja, ekstraktimi, fermentimi, destilimi, kullimi, tharja dhe bluarja. Këtu përfshihen, në mes tjerash, edhe ekstraktetn e tyre, vajrat eterike dhe lëngjet. Përbërësit e shumtë të cilët ndodhen në mjekimet bimore bashkërisht sjellin shfaqjen e efekteve të volitshme në organizëm dhe më pak efekte të padëshiruara në raport me komponentin e pastër aktiv të izoluar.

Vajrat esencialë (bimore)

Vajrat esencialë janë substanca të përbëra, të koncentruara e me veti të mrekullueshme mjekimi, por pikërisht kjo nuk do të thotë se nuk mund të japin edhe efekte anësore. Prandaj për përdorimin e tyre duhet pasur kujdes dhe gjithmonë duhet të konsultohet mjeku.

Vajrat eterikë të përftuar nga bimë të ndryshme, kanë dhënë rezultate të mira në kurimin e disa sëmundjeve. Këta vajra bimorë janë të pasur me shumë lëndë ushqyese dhe kuruese dhe në sajë të përbërjes së tyre kanë specifikat e veta në trajtimin e sëmundjeve. Përveç efektit që japin në kurimin sëmundjeve vajrat esenciale kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në kozmetikë për trajtimin e të gjitha problemeve të lëkurës.
Këto vajra kuruese mund të kombinohen me njëra tjetrën dhe mund të përdoren për: relaksim, freskim, tonifikim, shërim të plagëve, zbukurim lëkure, hidratim, heqjen e njollave, etj.

Llojet e vajrave bimore

Vajrat bimore janë të llojlloshme. Pothuajse nga shumica e bimëve përftohen vajra esencialë në sajë të teknologjisë më të fundit. Vajrat bimore që mund të përmenden dhe që mund t’i gjejmë në tregun shqiptar janë: vaji i farës së zezë, xhoxhobës, kardamonit, karafilit, shalqinit, kungullit, farës së domates, farës së rrushit, hudhrës, qepës, qitros, limonit, trëndafili,propolisit, kamomilit, kanellës, aloe verës, mentes, eukaliptit, bajames së ëmbël etj.

Secili prej këtyre vajrave ka specifikat e tij dhe rekomandohen në sëmundje të caktuara. Ato kanë një përdorim të gjerë, janë të dobishme dhe rekomandohen të përdoren për shkak se kanë shumë pak efekte anësore. Një nga nga vajrat bimore tejet i rëndësishëm është vaji i farës së zezë.

Vaji i farës së zezë: Fuqizues i sistemit imun, i dobishëm për sëmundjet e gjoksit, hundëve, veshëve, ezofagut, dhimbjet e kokës dhe migrenën, rënien e flokëve së bashku me vajin e lakërishtës + uthull molle + vaj ulliri. Për infeksionet e prostatës lyhet dhe fërkohet pjesa e poshtme e shpinës me vajin e farës së zezë. Për astmën alergjike lyhet dhe fërkohet kraharori dhe balli. Përdoret gjithashtu për reumatizmën dhe përdhesin. Për shkëlqimin e fytyrës përdoret së bashku me vajin e bajames dhe të kastravecit. Po kështu përdoret edhe për aknet. Për infeksionet e veshkave përdoret i përzierë me mjaltë.

Përdorimi i vajrave
Vajrat esencialë mund të merren në dy lloj mënyrash: nëpërmjet pirjes dhe nëpërmjet lëkurës. Po kështu, këto vajra bimorë mund të përdoren dhe të përgatiten për masazhin, për kujdesin e fytyrës dhe trupit, për fërkim lokal, për kompresa, për hapjen e poreve etj.
Vajrat esencialë kanë gjetur më shumë përdorim për hapjen e kanaleve të frymëmarrjes, për problemet e sistemit të tretjes, në rastet e mosfunksionimit të mirë të mëlçisë dhe tëmthit, në problemet reumatizmale, ku vajrat veprojnë në mënyrë të shkëlqyer.
Gjithashtu, këta vajra kurues ndihmojnë për nxjerrjen e ujit nga qelizat (si diuretike), për probleme të lëkurës, në dobësimin e sistemit imunitar. Bukuria dhe e veçanta e vajrave në të cilat bazohet aromaterapia është veprimi i tyre i shkëlqyer në të gjitha nivelet e qenies sonë, pasi ata nuk japin asnjë lloj efekti negativ. Këto lloj vajrash apo përzierjesh kthejnë harmoninë, vitalitetin dhe qetësinë shpirtërore.

Përbërësit e vajrave
Përbërësit e vajrave që merren nga bimët nuk dallohen vetëm nga lloji, por edhe ku është mbjellë ajo bimë dhe karakteristika të tjera, si p.sh ku rritet bima, teknologjia që përdoret për nxjerrjen e vajit, izolimi i vajit, mënyra e përzierjeve në persona të ndryshëm, në lëkura të ndryshme, në metabolizmin e njerëzve të ndryshëm, ndaj te çdo njeri një vaj ka efekte të ndryshme biologjike.
Është e rëndësishme që në këta vajra të kemi një garanci të plotë në teknologjinë e nxjerrjes së tyre duke u bazuar që në analizë të bimës, mbjelljes, mbrojtjes nga infeksionet, sëmundjeve të ndryshme dhe parazitët. Është mirë që bima të jetë biologjike. Gjithashtu, vajrat bimorë mund të përdoren edhe në përbërjen e kremrave të ndryshëm, të cilët përdoren për: probleme të artritit, artrozës, spondiloartrozës, në dhembje të përgjithshme të shtyllës kurrizore.

Ç’është aromaterapia?

Aromaterapia është njëra ndër fushat më të popullarizuara të mjekësisë tradicionale dhe është e pranishme në shumë kultura. Dhjetë vitet e fundit, njeriu i është kthyer natyrës dhe në këtë mënyrë ajo është riaktivizuar. Aromaterapia është formë e mbajtjes së mirë fizike dhe psikike që zbut dhembjet, jep bukuri, etj. Aromaterapia i jep njeriut mundësi që në mënyrë të natyrshme të shfrytëzojë ekstraktet e bimëve. Për shembull, nëpërmjet masazhit me vajra të ndryshëm, ruhet baraspesha psiko-fizike, rritet sistemi i imunologjisë, trupi çlirohet nga ngarkesat dhe qetësohet nga emocionet e tij. Kjo formë është forma më e vjetër e shërimit në historinë e njerëzimit. I pari që njihet, që është marrë me aromaterapinë, mendohet të jetë kimisti Rene Maurice. Gjatë një prove që ai ka dhënë, ka djegur dorën e tij dhe për të ndalur dhembjet ka hedhur në plagë vajin e lavandës, e cila ndodhej më afër tij. Pas kësaj, ai ka vëzhguar se  lavanda ka filluar të ndikojë shpejt në mbylljen e djegies.
Si mund të përgatisim vetë vajrat e bukurisë

Natën këshillohet të përdoren kremra ushqyes, ndërsa ditën këshillohet të përdoren vajrat e bukurisë, në vend të kremit të ditës. Vajrat bëhen shumë shpejt gati. Ato përgatiten nga përzierja e 10 ml vaj suporti, 3 pika vaj esencial, 1 kapsule vit E (ose pak vaj gruri). Vaji i rizgjon poret e lëkurës, e ndriçon atë dhe nëse përdoret në masën e duhur nuk e yndyros lëkurën, por thjesht e ushqen.

Vaji i mentës për depilim: Vaji i mentes është një vaj esencial shumë i mirë për t’u përdorur pas depilimit. Ky vaj nuk lejon që të rritet qimja shpejt, jep freski, mbyll porën e hapur, e cila nuk lejon që qimja të depërtojë në lëkurë (qimja del drejt).

Nëse përdoret për masazh në të gjithë trupin, vaji i mentës jep freski dhe kënaqësi. Vaji i mentës mund të përdoret për t’u pirë nga goja kur keni probleme me fytin, me erën e padurueshme të gojës, për kujdesie të dhëmbëve ose zgavrës së gojës ose mund ta përzieni me ujë për shpëlarje të gojës me gargarë. Është dhe një antimikrob shumë i mirë. Vaji i mentës është shumë i mirë të përdoret për fërkim kur keni probleme me venat, por ai mund të përdoret edhe për lyerjen e këmbëve për të larguar aromat e pakëndshme të djersës, sepse mban gjatë gjithë kohës këmbët të freskëta.

Së fundmi, pse duhet të përdorim vajrat bimore?

Jo sepse kanë fuqi shëruese në vetvete, sepse shërimi vjen vetëm nga Allahu Fuqiplotë, por Ai ka krijuar shkaqe për shërim, e nëse qëllohet ilaçi i sëmundjes, ndodh shërimi, me vullnetin e Allahut!

Por sepse: Janë të sigurta për t’u përdorur. Edhe sikur të mos japin suksesin e shpresuar, ato nuk shkaktojnë asnjë lloj dëmi në organizëm, madje i sjellin dobi te shumta atij. Nuk kanë efekte anësore të dëmshme për njeriun, sepse edhe nëse një bimë ka një lëndë të dëmshme, eliminimi i asaj lënde gjendet në një lëndë tjetër të po të njëjtës bimë. Në çdo rast, këto efekte anësore nuk krahasohen me efektet anësore të ilaçeve kimike. Në fund mund të themi se kurat bimore janë padyshim mjekësia e së ardhmes, me dëshminë e vetë mjekëve dhe shkencëtarëve të mëdhenj të mjekësisë moderne.

Kthimi te natyra është zgjedhja më e mirë për shëndetin tuaj!

revista “Familja”, maj-qershor 2012